MILOSAO

Ernest Hemingway: Ja si më vjen të shkruaj

13:00 - 05.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga George Plimpton* Ju më keni shkruar dikur se rrethanat e zakonshme nën të cilën shkruat pjesë të ndryshme prej fikshënit tuaj mund të ishin edhe orientuese për atë që do vinte më pas. A e aplikuat këtë në të vërtetë tek “Vrasësit”- ju më keni thënë se shkruat në të njëjtën mënyrë “Dhjetë Indianët” dhe “Sot është e premte” -dhe ndoshta këtë e bëtë edhe në romanin tuaj të parë “The Sun Also Rises?”
“Le ta shikojmë këtë me kujdes. ‘The Sun Also Rises’, që e fillova në Valencia, përkoi me ditëlindjen time më 21 korrik. Hadley, ime shoqe dhe unë kishim dalë të gjenim bileta të mira për feria, e cila zhvillohej më njëzetë e katër korrik. Deri më atëherë, çdokush nga krijuesit, që ishte në moshën time ia kishte dalë të shkruante një roman, ndërsa unë përballesha me momente të vështira, kur më duhej të shkruaja qoftë edhe paragrafin më të thjeshtë. Kështuqë e fillova librin bash në kohën e ditëlindjes sime, duke shkruar për gjithë kohën e feria, fillimisht në krevat herët në mëngjes, e pastaj gjatë rrugës për në Madrid dhe ku të mundesha. Por, nuk kishte feria atje, kështuqë ne morëm një dhomë, ku gjendej një tavolinë dhe unë shkrova me shumë luks mbi atë gjë dhe përreth çdo cepi të hotelit në një vend birre në Pasaje Alvarez, ku më dukej se ishte freskët. Pastaj u bë shumë nxehtë për të vazhduar të shkruaj dhe ne shkuam në Hendaye. Atje, në këtë plazh të dashur të stërgjatë kishte një dhomë hoteli të lirë dhe ndjeva se po arrija të punoja shumë mirë… pastaj ikëm në Paris dhe draftin e parë e mbarova në apartamentin, që ndodhej sipër një kantieri sharre në 113 Rue Notre-Dame-des-Champs, fill gjashtë jave pasi e kisha filluar. Ia tregova draftin e parë Nathan Asch, një romancieri, që shoqërohesha atëherë -ndërsa ai me një theks të fortë më shqiptoi prerë:”Hem, ççfarëë doni të thoni me këtë që keni shkruar një roman? Një roman hëh. Hëm Ju keni bërë një libbbërr udhëtimi”. Unë s’u dekurajova nga Nathani dhe e rishkrova librin, duke e mbajtur në dorë gjatë udhëtimit (që ishte pjesa e një udhëtimi peshkimi dhe Pamplona) në Schruns në Vorarlberg deri në Hotel Taube. Ndërsa për sa i përket historive që përmendni dhe që unë i shkrova në po të njëjtën ditë në Madrid më 16 maj, përkoi me borën që binte në fushë-luftimin e San Isidoro. Të parën që shkrova isha “Vrasësit” që isha përpjekur ta realizoja edhe më parë por kisha dështuar. Një moment gjatë drekës u futa në krevat të rrija ngrohtë dhe shkrova “Sot është e premte”. Kisha aq shumë lëng dhe po më dukej se isha duke u çmendur, sepse kisha gati plot edhe gjashtë subjekte për të shkruar. Kështuqë u vesha dhe eca drejt Fornos, një kafe e vjetër e toreadorëve dhe pasi gjerba kafen u ktheva dhe shkrova “Dhjetë indianët”. Kjo më mërziti dhe piva shumë konjak dhe vetëm pastaj më zuri gjumi. Kisha harruar të haja dhe një nga kamerierët më solli sipër bacalao dhe një biftek të vogël, shoqëruar me patate të skuqura dhe një shishe me Valdepenas.




Gruaja, që kujdesej për pensionin, ishte shumë e shqetësuar sepse unë s’kisha ngrënë shumë, ndaj ajo më dërgoi diçka tjetër me kamerierin. Kujtoj se isha ulur mbi krevat dhe si po haja teksa dhe pija pak Valdepenas. Kamerieri më tha se do më sillte dhe një shishe tjetër. Pastaj, shtoi se Senora donte të dinte nëse do të vazhdoja të shkruaja për të gjithë natën. I thashë jo dhe mendova që të shtriqesha për pak kohë. Pse nuk përpiqesh të shkruash dhe pak, më tha kamerieri. Unë përpiqem të shkruaj vetëm një herë, i thashë. Pa sens fare, m’u përgjigj. Ju mund të shkruani dhe gjashtë pjesë të tilla. Do të përpiqem nesër, i thashë. Provoje sot natën, tha ai. Nuk e kupton pse plaka të solli diçka për të ngrënë?
Jam i lodhur, i thashë. Pa sens, mu përgjigj ai (fjala nuk ishte pa sens). Juve ndjeheni i lodhur pas tre tregimeve fare mizerabël. Më përkthe një.
Më lër vetëm, i thashë. Si mund të shkruaj, nëse ti nuk do më lësh vetëm? Kështu që u ngrita në krevat dhe fillova të pija Valdepenas dhe mendova se çfarë dreq shkrimtari do isha nëse tregimi i parë që kisha bërë do të ishte direkt i arrirë”.
Sa i plotësuar është në mendjen tënde, që në fillim- koncepti i tregimit të shkurtër? A ka të ngjarë që tema apo fabula apo personazhet të ndryshojnë ndërsa ju lëvizni me shtjellimin?
“Ngandonjëherë, ndodh që e dini historinë që më parë. Ngandonjëherë, ndodh që e sajoni atë të lëvizë dhe nuk e keni fare idenë sesi do të dalë. Çdo gjë ndryshon ndërsa lëviz gjithnjë e më ndryshe. Kjo është ajo që e bën lëvizjen dhe bash ajo që e krijon nga ana e saj historinë më pas. Ndodh, ngandonjëherë që lëvizja është kaq e ngadaltë, saqë nuk duket se po lëviz fare. Por ka gjithnjë ndryshim dhe gjithmonë lëvizje”.
Ndodh e njëjta gjë me romanin apo e punoni ju fillimisht planin përpara se të filloni dhe pastaj i mbështeteni atij në mënyrë rigoroze…
“Për Whom the Bells Tolls(Për kë bien kambanat) hasa një problem në linjën e tij, ndaj, më duhej që t’i përmbahesha çdo ditë. E dija se çfarë do të ndodhte në princip, që pa u ulur fare të shkruaja. Por zakonisht unë e shpik atë që ndodh për çdo ditë, që shkruaj”.
A është e vërtetë kjo se tek Green Hills of Afrika, To have and have not dhe Across the River and Into the Trees të gjitha fillojnë si tregime të shkurtra dhe pastaj ndodh që zhvillohen në romane? Nëse ndodh kështu, a ndodh që dy format të jenë kaq të ngjashme saqë shkrimtari të kalojë lirisht nga njëra tek tjetra pa e mbaruar komplet përpunimin e prekjes së tij të një teksti?
“Jo, kjo s’është e vërtetë. The Green hills of Africa nuk është një roman por është shkruar në një përpjekje për një libër të vërtetë, ku duhet shikuar nëse hija e një vendi dhe struktura e një veprimi mujor- është arritur të jepet si duhet në mënyrë t’i shkojë punës së një imagjinate. Pasi shkrova atë, mbarova edhe dy tregime të shkurtra “The Snow of Kilimanjaro” (Dëborat e Kilimanxharos) dhe “The Short Happy Life of Francis Macomber” . Këto ishin histori që i shpika nga njohuritë që kisha dhe eksperienca e fituar në të njëjtin udhëtim të gjatë një mujor gjuetie, gjatë të cilit u përpoqa të shkruaja përshtypje shumë të besueshme të The Green Hills. To have and Have not dhe Across the River and Into the Trees, por të dyja realisht filluan si tregime të shkurtra”.

*Marrë nga një intervistë në Paris Review.
Përktheu nga origjinali
Ben Andoni


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.