MILOSAO

A po merr udhë prishja e Teatrit?!

16:30 - 05.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Këmbëngulja sesi po flitet për prishjen e Godinës së Teatrit Kombëtar nga kryeministri Rama dhe nga zyrtarët e tjerë tregon se godina, që mori jetë në Luftën e Dytë Botërore, i ka ditët e numëruara. Jo sepse pak ditë më parë u hoqën germat, që në mënyrë simbolike e shënjonin ende godinën e aq projekteve kulturore të cilat bënë historinë të teatrit, por nga heshtja e madhe që rrethon të gjithë problematikën e saj. Aleanca për Teatrin vazhdon kundërshtinë e saj dhe mbetet një nga lëvizjet më jetëgjata në vazhdën e protestave në vend, porse duket dhe ata në këtë stad janë të lodhur nga mungesa e një dialogu të vërtetë me qeveritarët, por edhe bindjen e tyre për të vazhduar. Në fakt, dialogu i iniciuar pak muaj më parë i ndau keq artistët por tregoi edhe problematikën tonë të madhe, e cila lidhet pikë së pari me honet e mëdha kulturore, por edhe përçarjen që kemi mbjellë ngado. Kjo e fundit merr jetë nga presionet e të gjitha mënyrave dhe që për jo çudi politika shqiptar i ka kthyer në institucion.




Ajo që të trishton është se nga Ministrja e re e Kulturës pati një prononcim pozitiv lidhur me mosprishjen e tij, por që tashmë është lënë në mes, pasi ajo është pjesë e këtij Ekzekutivi, që sot ose nesër do ta prishë Godinën. Medoemos. Për fatin e vet duhet theksuar fakti që godina po përfiton prej kaosit në vend dhe gjendjes ku opozita ka bojkotuar pushtetin parlamentar duke kërkuar në rrugë mosbindjen civile dhe duke u përpjekur të ngjallë një revoltë kombëtare e cila ende nuk po merr jetë në formën e premtuar.
Shqiptarët të lodhur nga tranzicioni i stërgjatë, nga mënyra sesi bëhet politika në Shqipëri, por edhe nga makutëria e politikanëve në një farë mënyre janë dorëzuar. Kjo sepse varfëria dhe mungesa e perspektivës të bën të jesh thjesht i zhveshur dhe nga shpirti dhe nga gjëra që kërkojnë angazhime të mëdha si ato që kërkon përkrahja e një kauze për teatrin. Ndoshta godina e kësaj të fundit nuk përmbush shumë parametra, ndoshta është vërtetë si thuhet paçka se çdo gjë mund të restaurohet, porse na ka mësuar diçka se rrëzimi i tij është një akt që pushtetarët mund ta bëjnë për çfarëdo godine thjesht për të arritur tjetërsimin e hapësirës, që në një të ardhme jo të largët do e mbjellin me kulla.
Për fat të keq, paçka se bashkëpunimi me PPP-të quhet si një mundësi e mirë për zhvillim dhe për hir të së vërtetës ka ndihmuar e po realizohet në vende me kapitalizëm të zhvilluar, kur vjen puna tek ne, duket se mban pak era. Kjo është parë në mungesën e vazhdueshme të transparencës por edhe predispozitën e vërtetë për ta ndarë shqetësimin për ngritjen e tij. Specialistë mendojnë se zgjidhja mund të bëhej falë një transparence por edhe Ligjit të Konçesionit, por këmbëngulet te transparenca: elementi që ndihmon zhvillimin por edhe pastërtinë e qëllimit.

Prishja e teatrit duket shumë afër. Ajo do të ndodhë ndonjë moment natën, ose në ditët e ngrohta kur njerëzit do mbyllen nëpër shtëpi të mbarojnë ditën e tyre, porse një gjë duhet të kuptojnë politikanët: Nuk mund të sillesh në këtë mënyrë me pronat publike. Nuk mund të rrënosh një trashëgimi paçka sa modeste të mendohet ajo.
Kauza e teatrit do të mbahet mënd edhe për një fakt sesi një vullnet i bukur dhe i përqafuar nga një masë e madhe njerëzish nuk mundi të respektohet por edhe nga fakti sesi interesi e mbyt dëshirën…dhe transparecën, duke e vrarë shpresën.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.