MILOSAO

Poezi nga Alfons Zenelaj

14:00 - 05.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autori e lëvron prej kohësh poezinë dhe këtë e shikon në gamën e gjerë të perceptimeve që përcjell në këtë cikël. Trishtimi dhe humbja e shpresës duket se është lajtmotivi i përbashkët në të gjitha këto poezi…




Nga Alfons Zenelaj

BOTA
Asnjë fjalë
germat s`mi nxë.
Në gojën e shqyer të këngës
tash e tutje jehon vetëm ti.
Asnjë sy
nuk m`i nxë më shikimet.
Trupi yt
shkruhet ethshëm i kuq
në ballin e ftohtë
të motit.
Asnjë buzë
s`e nxë dot frymën.
Heshtja i thur vetvetes
himn.
Një himn
për diellin
që lind në Perëndim.

 

KRONIKE AJRORE
Një flurudhë e rrezikshme, jeta ish,
petale drithërimash mbi qiellin blu.
Pastaj “gabim njerëzor” : avioni puth tokën.
Kujtimet si pasagjerë vdekur aty këtu.
Koha heton ftohtë mbi rrënoja dhe bar
të gjejë fakte, këngë, lot apo një sy…
Shpirti si një kuti e zezë avionësh
ruan në vete vetëm vjershat për ty.

KOHA ESHTE
Eshtë koha të vdesim prej zërit në zë,
diku përtej jetës, thellë në të vërtetën,
veten t`ia blatojmë një brendie tjetër
n` altarin kur jemi të kaltër me veten.
Eshtë kohë e rëndësishme stinësh dyzuar,
ngjizur brenda nesh me farën e klithjes
dhe të durimit heshtor që nderet fener
në netët pafund, stacioneve të pritjes.
Eshtë kohë e rëndësishme. Tik- take të vdekur
mbi fushën e bardhë të orës pa vija
ku vargjet për ty si Trekëndësh Bermunde
përpijnë gjymtyrët dhe shqisat e mia.

mendim i Heshtur
Mendimet kanë qiell
nën qiell janë retë.
Pastaj
poshtë tyre lëkundem unë:
mirazhi të cilin
vetë e pashë ndër stinë të reja.
Mendimet janë re,
retë
shënojnë vajtime të ëmbla.
Mbi kokën time,
ujisin bimë të kuqe largësish,
bar të egër mospendimi,
lulefati të çuditshme moskuptimesh.
Mendimet
zvarriten në tokën e squllur
prej shenjtëve të rrejshëm mëkatarë,
prej klithjes së verdhë të mallkimit tim
dhe çarten në fjalë, ne gjeste të ajërt
plumb.
Pranvera po vjen vjeshtërisht
dhe ti sa dhimbshëm po humb.

UDHA
Kishte kohë.
Kishte pafundësi.
Nuk ngutej.
Këmishën me luleëndrre
vishte ngadalë.
Kishte mendimin të dukej i bukur
kur të takohej me ty.
Flokët ia krihte ky mendim.
Ah sikur të kish ngrënë pak bukë,
sikur të kish pirë pak ujë.
I la në parvaz për zogjtë e trupit
kur të sillnin lajme ekzistence.
Kishte hapësirë.
Qiejt rigonin perëndim prej shirash.
Në fund të tyre heshtje ti si letër dashurie.
E mbylli derën
me magji shikimesh.
E mbylli si buzë që fjalën kurrë s`do ta thotë.
Të mos hynte askush, asnjë sy.

U nis.
Në rrugën pa asgjë,
nën diellin përvëlues të mallit
si hije të gjatë të lëshonte ty.

KRISHTLINDJE
Zotni, të lutem
më fal ndoj festë se jam i gezuem,
më fal pak festë t`lyeme me trishtim
dhe nji loder plastike
t`ia njis synit deri në dhimbje.
Zotni, të lutem
më fal ndoj g`zim të kaltër se jam plot festë,
më fal nji buzë g`zimi t`heshtun kuq
se jam lodhë varun ndër degë kremtimesh.
Zotni, të lutem
më fal nji kordë të formoj korin satanik,
më fal ndoj tel të vdekun dritherimash
dhe t`ia ngjis vetes prej shpirti në shpirt.

Zotni, të lutem
më fal nji “Zoti të dhashte”
që ta zbukuroj pemën tande kët ditë.

PERENDIM ATJE
Nuk asht kurrgja
me u cu n`mjes
dhe me hap dritaren
e me i trembë andrrat,
me i nxjerrë jasht.
Le t` ikin n`vrap e tmerr
andej kah patën ardhë
nji motmot në vitin Perëndim.
T` ikin njashtu t`verdha, t` ndalueme
t`lidhuna përfyt t`njana tjetrës
e t`iu ngjiten si lara gjarpnijve
t`kohës time pa ty.
Nuk ka problem.
Le t` mesin bosh gjymtyrët e mia
le t` mos shkruj ma kurr` me brinjën e thyeme të gjoksit
asgja prej rreshtash
dhe prej bimësh kacavjerrese.
Bardh si e zeza le t` mbesin shkret
muri-Jerusalemi i lutjeve tona,
t` mos ketë lulkuqe kurrkund,
t` corientohen hapat, durt dhe flokët që ti s`mujte.

Asgja, moj mos t`më mesin përmbi Kryq e Hanë
pervec premtimeve t` papremtueme.

DILEME FATALE
A thue brenges i ke vu krahe
dhe shtigjesh te tjere e ke nise.
a thue bashke me folene nder shpirt
e ke perflak qiejsh te tjere?
M`kallxo o tingull fatal
qe ndale kohen,
qe m`ndale mue.
Pa m`thuej ku ta prangoj vetveten
kur jeta rreshket
si vezullim hijesh dhe muresh qe flasin papra…?
A thue gzimin e ke fik nder gezime,
a thue kanget i mbyte nder kange?
M`thuej
ku frymuen se fundmi ahet e tu,
Pse fati shkimbet si jete
dhe bahet hini i synit tim,
bahet asgja…?

M`thuej
si vdiq heshtja jeme,
andrra jeme ne cilin kuptim
varrin e ka?

TOKA IME
Toke e çuditshme,
toke prej lekure.
Lekure te lene nga zvarritjet tona.
Toke e mire, zbukuruar me mort,
toke e trishte si kuqelim qershish
kur vonon dashuria.
Toke ters, peme e zhveshur
qe numuron eren e mallkimit tone.
Toke beze, kostum, tanga,
toke atletike firmato
qe puth kembe terri kur vjen fundi-
fundi yt toke e yndyrshme ,
govate, legen, kazan.
Vlon te palarat e mijevjecareve papushim,
Toke hotel kambistesh, ardhacakesh,
tufash te babezitura, te trashura me mekat
qe kafshojne lumenjte.
Toke e qullur nga etja,
e etur nga e verteta.
Toka ime
e bere dhe, ajer, fir
ne agoni per shikim prej syri,
per nje kengez bime,
per nje fjale are.

Toka ime plake,
o plake e cmendur, flokeshprishur, e lene
eja e na sperkat me kuje mbi varre.

 

YLLI MBI QYTET
Te gjithë janë në gjumë,
vetëm qyteti s`fle.
Mendon për gjëra të mëdha
e të vërteta
Për parqet, rrugët,
lumin
dhe lumninë që fiket
thellë hijeve të veta.

Për çfarë ta pyes sonte
qytetin që nuk fle.
të vetmin ankth të bukur,
po dhimbjen si t`ia them?
Si ta mat natën time
kur ëngjëjt më rrëzohen
mbi ktë qytet të vogël
me sytë e mëdhenj?

Qyteti im nuk fle.
Nga smogu dhe nga stresi,
nga dhimbjet plot me ngjyra
nuk flemë un` dhe ai.
Të qetë në këtë natë
po dehemi me heshtje
tek shkruajme këtë vjershe
të vetmen jo për ty.

CIRKUID NE VETE
Koha kalonte, koha shkelte mbi mua
e etur pamëshirë, e çmendur nga uria
fshehur tinëzisht ndër skuta ndërgjegjesh
ushqehej papushim me shqisat e mia.

Kalonte, zvarritej shëndoshej kaba
mbi shtatoren time të ngrirë pa ty.
Gostive makabre gëlltiste vetmisë:
ëndrra, pengje, gjymtyrë dhe sy.

Pastaj erdhi çasti kur s`kisha asgjë
e koha u çmend, klithi, uleriti
që s`e hante dot atë çka kish mbetur
E krejt çka kish mbetur, ishte vetëm shpirti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.