MILOSAO

Poezi nga Nikolin Gurakuqi

12:30 - 05.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përmbledhja që po botojmë na përshfaq krijimtarinë e fundit të autorit. Një poezi mirëfilli që bën sinteza të jetës dhe mundohet të përcjellë vëzhgimin e një krijuesi të mbarsur me ndjesi të përziera, dhimbje dhe sens perceptimi filozofik…




Nga Nikolin Gurakuqi

FARA E JETES
Në dollapin e dashurisë
nuk ka vend për dashuri të tjera.
Në portet e tua hyjnë e dalin anijet e emocioneve,
pasi shkarkojnë, ngarkojnë ngarkesën,
e nisen në udhëtime të largëta,
të gjejnë limane të tjera.
Horizontit tënd përflaket muzgu,
e drithërohet agimi.
Në prehrin e monopateve të tua ulem,
e shfletoj faqet e librit tënd grua.
Lëndinat e tua i plugoj pa parmendë,
e farën e jetës mbjell,
në dherat e tua.

RREKAJE SHIU
Në stërkala ditësh më shpërbëhet koha!
Drita më kthehet në klithmë të shurdhët rebelimi të lodhur.
Lutjet si rruzare në duar, më kthehen në butësi delikate trishtimi,
e loti më përhumbet udhëve të vetmisë time.
I ëmbël ky lëndim, si ëndrra e një pulëbardhe delikate,
që ndihet plot përgjysëm nga malli,
e fillon e ndjen vetmi,
por kur e shuan ndihet si fëmi.
Shpirtin nuk e shtrydh si leckë pastrimi,
por e le të më lëndojë nga përqafimi yt në shi.
Çadër nuk dua mbi kokë që të mbrohem,
këmbëzbathur në breg të detit eci me ty.
Me shiun përqafohemi, e nuk kemi xhelozi.
Rrëkajet e tij mbi ne,
pasaportë shpirtrash në liri.
Ne e puthim shiun, e ai na puth ne.
Në ishullin tonë përplot me shi e puthje,
jemi ne të tre.
Si mantel e kemi hedhur krahëve,
të na mbrojë nga paudhësitë,
të na pastrojë nga ligësitë,
të na ngjyrojë heshtjen me kaltërsitë.

KEMI
Nuk kemi natë,
as ditë nuk kemi më,
nuk kemi dhimbje,
nuk kemi më trishtime,
nuk kemi më as rrugë,
nuk kanë ç’na duhen më zhgënjimet.
Ndaj kemi veç gëzime,
kemi vetëm të vërtetën,
ngarkuar mbajmë mbi shpinë,
kemi kohën e pafund,
kemi dashurinë,
kemi pafundësinë,
kemi përjetësinë.
Kemi detin e paanë,
kemi zjarrin që përpin,
kemi jetët që s’mjaftojnë,
kemi zemrat tona,
kemi dashurinë,
kemi pafundësinë,
kemi përjetësinë!

MOS VALLE
HARROVE ?!
Mos vallë harrove kaq shpejt?
A e di ç’është dashuria?
Është dëshira e pashpjeguar,
të të kem pranë kur ti je larg,
të të dëgjoj zërin tënd
edhe kur nuk të shoh,
të pres çdo lindje dielli,
me dëshirën e pashterrshme,
të të them mirmëngjes,
për të të shkruar papushuar,
për të dëgjuar muzikë me ty,
për të shkruar poezi për ty,
për të dëgjuar dihatjen e frymëmarrjes,
rënkimet e tua me zërin e kënaqësisë…
Oh, yess!

NE
Unë e ti jemi ne,
bota aty është ku gjithmonë ka qenë,
gjithnji rrotullohet pa na pyetur ne,
kurrë nuk ndërroi kahje.
Kur nuk më kishe – isha unë,
ti ishe ti!
Asokohe nuk ishim xhelozë…
Unë po të pres ty!
Lumi yt rrjedh në det të egër,
dhe shfleton faqet e kalendarit tim.
Koha ime rrjedh,
midis zemrës dhe këmbëve të tua.
Tani jemi NE,
ndaj nuk jemi xhelozë.
Të gjithë janë mbytur ujërave të kohës,
unë e ti jemi vetëm përmbi dhe.

VRAPOJME
Vrapojmë si të çmendur
herë rrotull një rrethi,
herë rrotull një trekëndëshi.
Ngado që të sillemi,
jemi në grackën e urrejtjes.
dashuria na pret jashtë,
vetëm shpresa kthehet
në pikën e heshtjes.

EJA IKIM…
Të thirra të vije tek unë shekuj më parë,
kur akoma nuk kishim lindur as unë as ti.
Nuk kishim trupa,
por shpirtrat tanë njiheshin së largu,
që në lashtësi.
E ndjeja shijen tënde, dëshirën e pandalur,
për t’u shkrirë në nji.
Unë të thirra se e ndjeja se si merrje frymë,
me mushkëritë e mija,
brenda trupit tim,
si në heshtje vrapoje nëpër damarët e mi,
me aromën dehëse të parfumit tënd,
në heshtje gdhende fjalën dashuri.
Të thirra dhe ti erdhe,
si mjellmë e ëndrrave të mia.
Erdhe ngadalë, me hap të brishtë,
me buzëqeshje engjëjsh në buzë.
U puthëm sikur ishim puthur miliona herë.
Ma njihje mirë brengën,
e dorën lehtë ma rrëshqite mbi shpinë,
thellë të vështrova në sytë e tu,
aty pashë të shkruar emrin tim.
Të thirra dhe ti erdhe,
kisha mijëra vjet duke të pritur,
ti kishe mijëra vjet që drejt meje udhëtoje,
dhe hyre brenda meje pa trokitur,
me sinjalin e një xixëllonje.
Ti hyre dhe solle me vete
stinët e lulëzuara,
flokët e lëshuara të erës,
shpalose si pajën e nuses,
buzëqeshjet e tua.
Ti solle me vete zjarrin e buzëve të tua,
dhe sytë e tu magjepës,
pas të cilëve marroset,
Narcizi i dashuruar.
Ti erdhe tek unë me dritën e mirësisë tënde,
për të ndriçuar errësirën e brengës time.

PRANDAJ
Lermë të vij me ty,
se zemra s’më është thinjur,
drejt dashurisë gjithnjë çapitet fillikat.
Lermë të vij me ty,
e të ngjitem në majat e flladitura,
nga erërat pranverore.
Lermë të vij me ty,
se këto kohëra të purpurta,
kam ndenjur mbi shtratin tim,
duke shkruar poezi të gdhendura në shkëmb.
Kjo kohë mban aromë të vdekurish,
e don të jetojë me të vdekurit.
Lermë të vij me ty,
se fryma po më zihet,
dua ajër, ajër e dritë,
të rizbuloj thellësitë,
se përjetësia ekziston,
lumturia, dehja, ngazëllimi,
janë smeraldët e zafirët e mijë,
ato unë vetëm ty ti dhuroj.
Lermë të vij tek ti,
ah, po,
më prit pak sa të marr pallton,
se ka pak lagështi.
Hëna po na sheh,
hijet kanë mbetur memece,
plot mister.
Eja, hidhemi në bregun tjetër,
atje na pret treni i pazhurmë,
i marramendjes drejt vetvetes.
Asgjë s’kam marrë me vehte,
as valixhe,
por të gjitha poezitë,
dhe vetëm dallgët e oqeanit të zemrës.
Lermë të vij me ty,
e bashkë kundruall hënës,
ti lartësojmë vargjet
hapësirave të kaltërreme
me në dorë harpën e Orfeut,
e të çapitem ëndrrave me ty Euridika ime,
në këto ditë të pabjerrshme të stinës.
Lermë të vij me ty,
se në tokë shpërtheu blerimi
i një qielli të lartësuar,
nga lulet mbuluar.
Shihe si buzëqeshja jote fluturon lart,
me flatrat e pëllumbave,
përmbi lëndinat e lutjeve tona.
Lermë të vij tek ti Euridika ime,
si një fluks të bëhem,
brenda teje të digjem si diell!
Lermë të përsosem tek ti…
Të lutem!
(Sipas një ëndrre)

PULEBARDHES
Një det dhe një qiell,
notojnë në shpirtin tënd pulëbardha ime.
Ti, kur më ulesh ditën përmbi direk,
bëhesh princeshë e ndjenjave më intime.

Kur muzgut ikën në shtegtim,
e era më sjell zërin tënd valë-valë,
vertebrat e shpirtit më kuisin me gëzim,
e vehten e ndjej si një djalë!

Atëherë, spirancën e ankthit,
përmbi palat e arsyes hedh anija e shpresës,
shishja e verës në tavolinën e pasionit,
djersin nga sikleti i mungesës.

Unë e shishja po të presim,
me veshët mbushur muzgut me jehonat e erës,
eja pulbardhë përmbi kuvertë,
të shenjtërojmë së bashku, aromën e verës.

Dhe ja, ti në dritën flakëruese shfaqesh
të muzgut të gjakosur,
e veshur më të bardha si hyjneshë ti dukesh
e zellshme, e përsosur.

UJI I KOHES
Koha si uji rrjedh,
hap brazdat e mendimeve në mendje.
Deti është i kuq,
pemët e verdha,
një edhe një bëjnë tre.
Tavani i arsyes po rikonstruktohet!
Një buzëqeshje e vërtetë ma ngjyros ëndrrën.
Retë tymnaja gënjeshtrash,
ecin me hap njeriu në vesën e mëngjesit.
Fluturimi i zogjve hap brazdat e qiellit,
me flatrat e së vërtetës.
Uji i kohës ndrin vërtetësisht,
me ngjyrat e jetës.

A E DI ?
A e di ku është vendi yt?!
Aty ku koha nuk ka moshë,
zemra rreh me takikardi,
e fantazisë i mbahet fryma!
Aty ku emocioni nuk plaket kurrë,
e ëndrra fluturon me krahë engjëlli,
aty është vendi yt,
në kontinentin midis dy krahëve,
prej nga nuk mund të arratisesh kurrë!
Aty ku shpirti mbetet përjetësisht i ri,
në grackat midis dy buzëve,
aty ku fluturimi quhet dashuri,
aty është vendi yt!
A e di?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.