MILOSAO

Si arritëm ta vrasim lirinë

18:00 - 05.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Eseja e fundit që përcjell artisti i njohur dhe akademiku kosovar shpreh jo thjesht zhgënjimin e një brezi që ka jetuar dekada të tërë histori, por metamorfozën e plotë të dhimbjes. Ajo nuk është më e lidhur me mospasjen e lirisë, por pikërisht me vrasjen e saj në kohën e shumë pritur të pavarësisë … nga të panginjurat




Nga Rexhep FERRI

1.
Pse kam frikë.
Erdha për diçka tjetër.
Për të qenë vetvetja kam humbur shumë gjak.
Tani ëndrrat le të fluturojnë.
Gjithçka është e mundur.
Ti mos u largo kur je afër, shpirtit i thashë.
Unë do të mendoj edhe për nesër.
S’mund ta fsheh.
Dëshiroj diçka që është në lëvizje.
Që nuk merr e që s’jep pa ndryshuar ngapak.
Ndoshta kam frikë nga jeta.
Çfarë ndjesie është qetësia e saj.
Për të një ditë lexova librin e pashkruar.
Aty i gjeta fjalët që i kisha harruar.
Gjatë rrugës, gurët kilometrikë të rrugës i luajta nga vendi.
Dëshirova të isha larg.
Dhe të isha afër.
Atje ku s’ka asgjë për të fshehur dhe asgjë për të harruar.
Për nesër, pa nesër, qitjani pikën.
Fikën.
Ka kush mendon për ne.
Pa patriotë sojlinj nuk kemi të gjallë.
Jeta qenka art.
Dramë për teatër, për rrumpallë.
Me njerëzit nga zjarri.
Me njerëzit nga lumi.
Kohën lërjani kohës ta kuptojë kohën.
Nuk është hera e parë që njerëzit nuk e kuptojnë as kohën e as vetveten.
Thonë se ka pasur flutura që janë sjellur rreth kandilit.
Tani ku është shpirti i tyre është edhe ëndrra ime.

2.
Nëse më pyetni si po më shkon dita, mos mendoni shumë.
Ulem, pres
Me një liri që ka probleme me gabime të veta nuk po di se çka të bëj.
Minutë pas minute veten e gjejë të humbur
Për të qenë edhe më i qartë mbeta në shqetësime provokuese.
Hapësira për vlera të humbura po na rritet.
Nga dita në ditë.
Shkallë-shkallë.
Po zbresim poshtë e më poshtë.
Për sa i takon kohës urrejta është njëfarë frike banale.
Mos të ishte e panjohura e jetës, as frika e as urrejtja nuk do të kishin kuptim.
Me rëndësi është se ka kush mendon për ne.
Nesër është edhe sot.
Me heshtje kam shumëçka për të thënë.
Deri te marifetet diplomatike as bota akademike nuk po di si dhe ku duhet të preket teli, ta qesë pikën.
Betoveni ka shkruar një himn për gëzimin, por ky gëzim betovenian është një ceremoni që të detyron të rrish në një gatitu të respektueshëm.
As Aristoteli këtë mesele nuk do ta kuptonte.
Filozofi i madh nuk e ka ditur se kush janë aristokratët e pasluftës.

3.
Nuk është për t’u çuditur pse është kaq i madh interesimi për përfitime personale.
Në fillim dhe në mes, njeriu nuk i beson njeriut.
Mos ia futni kot!
Tani hieroglifet i kemi lënë për të jetuar në mbretërinë e vet të vdekur.
Ky shekull është shekulli i pasqyrave të cilat aq sa t’i afrojnë ngjarjet, t’i largojnë ngjarjet.
Të palarat e jetës kur i qesim në det, deti na i kthen.
Kur i qesim në zjarr, zjarri e humb durimin.
Shpejt e ngadalë dalim te Kali i Trojës.
Në një vend tjetër nuk po e kuptojmë se çfarë loje po luhet.
Jeta si shumë klishe të njohura e të panjohura të jetës, për kohën që ka vdekur e ka famën e Titanikut të fundosur gjatë lundrimit të parë.
Ky realitet i afërt me vdekjen, shpesh më ka bindur dhe më ka futur në rrezik.
Tani ndoshta askush nuk e kupton.
Derisa ndodhë diçka që duhet të ndodhë.
Me njerëzit nga lumi.
Me njerëzit nga zjarri.
Lëreni kohën ta kuptojë kohën.
Njohësit e vetvetes flasin me heshtje.

4.
Duke kërkuar mundësi për të jetuar, pashë hënën.
E përshëndeta pa e ditur sa është larg dhe pa e ditur se kujt po i flas.
Heshtja e saj më bën të lumtur.
Tani nuk është as ditë, as natë.
Për një lidhje që ndryshon mendjen, mjaft u ankova.
Nga përplasja e derës, dikush theu derën.
Filloi t’i numërojë minutat.
Askush nuk është i përkryer.
Jeta e njeriut është si ora: tak e tak e tak…
Dhe kërcen tak.
Dhe shkon edhe një minut.
Ku mund të ndalemi nuk e di.
E ardhmja është larg.
Përpara një dyshimi, nga përplasja me jetën, copë e grimë.
Nga zhgënjimi, copë e grimë.
Me njeriun cinik.
Greqisht fjala cinik do të thotë qen.
Për të frymëzuar një ide edhe shqip qenit i thonë qen.
Kur nata bie mbi gjithçka që është njerëzore.

5.
Sa kemi pritur që të na vijë kjo ditë.
Dhe prapë na erdhën hesapet për të thënë: Më keq nuk ka qenë as kur Caribashi e humbte durimin dhe ndjenjën e moralit.
Por tani çka të themi për famën.
Edhe fabrika e patriotëve tanë sojlinj botën e mbushi me intriga, hajni e lakmi.
Siç po shihet sot gjithçka është lojë.
Dhe çdo gjë mashtrim.
Gjejani hallin pse.
Mbreti i rrejshëm na ishte edhe i verbër.
Sheqeri ia kishte ngrënë shikimin dhe mendjen.
Me shkarravina historike nuk na la as portret, as autoportret dhe as personalitet.
Për kohën që po jetojmë, ku mund të shkojmë nuk e di.
E ardhmja është larg mendjes.
Përpara një dyshimi.
Nga përplasja me jetën, ka ardhur koha të frikësohemi edhe nga vetvetja.
Publikisht flasim se jemi mirë.
Idetë e luftës po na e kujtojnë luftën e cila dikujt po i sjell fat e popullit zhgënjim.
Doni e s’doni çdo gjë e ka përgjigjen në xhep.
Edhe mendimi njerëzor është luftë.
Çka na pret jam lodhur duke pritur.
Le të vie çfarëdo zemani, më keq nuk bëhet.
Me Kalin e Trojës dhe për Kalin e Trojës, cila është e ardhmja?
Me kishë e xhami ndoshta nuk është fundi i botës.

6.
Dervishi që flinte nën Urën e Vezirit, tha:
“Edhe gjatë luftës, edhe pas luftës lejohet çdo gjë. Nuk e kemi të gjallë Zeusin e Dodonës, që lëshonte rrëfe si armë për të na brojtur nga e keqja.”
– Ku është liria? – e pyeta/
“Liria po ecën, por nuk po shihet. I ka humbur shpresat. Besimit i ka vdekur nëna. Për t’i qitur kapak kësaj historie, gënjeshtra është mbi sundimin e ligjeve. Derri ku arrin e keqja e ditëve tona e shoh përmes gishtave. Më duket shumë trishtuese. Pa therrë në këmbë i ka thyer të gjitha rekordet. Nga koha e humbur u bëmë më të humbur. Nëse nuk e shihni veten nuk do ta kuptoni se as kush jeni! Jeta skandaloze na vjen keq e më keq. Pas një lufte tjetër do të më kuptoni më mirë dhe do të pritni aq sa kam pritur unë”.
Me dy ditë shkollë e pa thellësi diplomatike, kësaj marrëzie kush do t’i jep fund?!
E keqja i ka rrënjët e thella.
Kam edhe shumëçka tjetër për të thënë.
Jo vetëm për lecka e pecka mbi tokë.

7.
Me këta sojlinj ç’kuptim ka jeta.
Në fillim jetën e pashë si ëndërr.
Sa vlen të flasim për të nuk e di.
A ia vlen të shqetësohemi për të, po ashtu nuk e di.
Ndoshta na duhet ta kuptojmë pse jetojmë.
Për të shkuarën e kemi nisur mozaikun e autoportretit.
Lufta nuk është vetëm luftë.
Për të fyer mendjen dhe për ta puthur fundin, me leje e pa leje, me ligje e pa ligje, kohën e këmi lënë të hapur.
Mund t’i hip kush të dojë.
Para syve po na kalon fama e rrejshme.
Për kafshatën që na ka mbetur në fyt, çka po kërkojmë ashtu kot.
Uluni në gjunj dhe çojani pak fitilin.
Na ishte kur na ishte një Gjergj Elez Alia me nëntë plagë.
Ku e ka varrin nuk ka shqiptar që e di.
A ia vlen të sheqetësohemi po ashtu nuk e di.
Në Shartashi jeta nuk quhet jetë pa thënë: Erdha nga lufta! Po shkoj në luftë!…
Tani çfarë kuptimi ka lufta kur kemi frikë edhe nga koha që nuk e kuptojmë.

8.
Më falni për shqetësimin e papritur.
Për të kaluarën dhe për kohën e fundit me mbeturina.
Me disa ide që nuk po mund të lindin.
Në Shartashi nuk është hera e parë.
Aty, pas çdo lufte, fatkeqësitë fluturojnë qorras.
Kujdes!
Gjatë rrugës, deri aty ku kemi të drejtë kemi qenë gjithmonë sipas fjalëve. Tani po ecim në katër këmbë.
S’patëm nevojë të kthehemi.
Ku të kthehemi?!
Nuk e durojmë as të kaluarën e as kohën e ardhshme.
Si zakonisht zjarri me këmishë të kuqe na jep kënaqësi.
Në terr e kërkojmë xhenetin.
Për një bisht sorre, fjalët e mendjes na i merr era.
Për aq sa jetojmë dhe për aq sa jemi servilë, koha për ne nuk ekziston.
Krejt çka kemi thënë po del se paska qenë mashtrim.
Sekreti është vetmia e historisë së pashkruar.
Për të qenë të zotët e vetvetes, ku ta gjejmë atë besim?!
Me dyqind vjet vonesë asgjë nuk na kujtohet.

9.
Nëse vazhdojmë kështu, kush do ta thotë të vërtetën?
Populli po shndërrohet në shërbëtorë e jo në pronarë.
Ku ta qesim pikën?
Ku ta hedhim dyshimin?
Jemi në luftë ku nuk shihet asgjë.
Ndoshta do të fillojmë të shfaqemi si vampira.
Për një gram drogë njeriu ia hëngër zemrën njeriut.
Më shumë se shumë, mundësitë i kemi.
Pa horizonte diplomatike, rubikoni nuk kalohet lehtë.
Kush do të flasë për dashuriçka, për prostitucione politike.
Harku i rrotës do të na çojë deri te përllat e “Njëmijë e një netëve”.
Deri te Ali Baba me dyzet hajdutët e vet.
Të hunit e të konopit.
Dhe e dyta: Ku po ndalemi, ku po shkojmë?…
Në luftë për diçka tjetër nuk po shoh asgjë.
Bjerini rrotull!
Kjo marrëzi me pamje dëshpëruese po vazhdon
Si arritëm ta vrasim lirinë?
Përgjigjja është e thjeshtë.
Gjithë ditën kam pyetur pse…
Na u mërzit jeta.
Nuk jemi mirë…
Nëpër terr të posaçmendur…

Mars, 2019


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.