KULTURË

“Jeta pas Enverit”, kinematografia shqiptare e viteve 1990

18:30 - 07.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Kjo është historia e kuajve të njohur të racës Arba. Në 1975 një gjeneral i njohur i ushtrisë shqiptare, i cili ngriti fermën e parë të kuajve në Shqipëri, u dënua me vdekje. Kjo shënoi fillimin e ekzekutimit të kuajve. Agroni në “Vdekja e kalit”, shpëton një kalë dhe për këtë dënohet nga gjyqi ushtarak. Gazeta pariziane “La nuit” e cilëson filmin si autopsi të diktaturës.
Me aktorë si Timo Flloko, Raimonda Bulku, Niko Kanxheri, Fitim Makashi, Luan Qerimi, Tinka Kurti, Bedri Jashari, Harilla Vjero, Ferdinand Radi, Xhemal Koçi, Agron Mema, Darling Çapeli, Lutfi Zyko, Luljeta Sallaku, filmi rishfaq një vit pas rënies, fytyrën e vërtetë të diktaturës- Shqipëria që deri në 1990-n ishte shfaqur si fushë me lule, tani i ngjan një Saharaje të pafund.




Për këtë film, Timo Flloko u shpall aktori më i mirë i Festivalit të X të Filmit Artistik, maj 1995, dhe u nderua me kupën e Festivalit për rolin e Agronit. Regjisori dhe piktori i filmit respektivisht Saimir Kumbaro dhe Arben Basha u nderuan me medaljonin e Festivalit.
***
Në rrëfimet për historinë, zhvillimin e vendit a edhe jetët njerëzore në Shqipëri, biseda nis me para dhe pas komunizmit. Është si një ndarje e beftë, në dy pjesë krejt të ndryshme. Është si epoka para dhe pas Krishtit që shenjon në mënyrë të pagabueshme, dy kohë, sy sisteme, dy mënyra jetese, dy mënyra të të qenit, në burg dhe jashtë tij. Janë njëherit dy botëkuptime, dy mënyra mendimi,
Shndërrimi që i bëri komunizmi vendit, është ende i dukshëm. Njësoj si fëmijëve që u përcaktohet jeta nga mënyra si kaluan fëmijërinë, për brezat që jetuan sistemin komunist ‘traumat’ dhe ‘komplekset’ janë të pashlyeshme. “Fëmijëria” e tyre e ka shenjuar në mënyrë të pakthyeshme gjithë jetën e mëpastajme.

Si ndarja e dy botëve, në bardh e zi dhe me ngjyra, gjithë aspektet e jetës shenjoheshin nga tiparet e dy kohëve.
Arti qe veçse një prej atyre aspekteve që me rënien e regjimit ndryshoi rrënjësisht. Nga censura e tejskajshme ku kontrollohej çdo gjë, deri edhe frazat më të shkujdesshme, arti njohu një liri të pafundme. Nga autocensura si mekanizëm më kontrollues në sistemin e vjetër ku vendi duhej doemos “të lulëzonte”, artistët tashmë rrekeshin të godisnin sistemin e ri në të gjithë të metat e tij. ato që dikur i thuheshin vetëm vetes, tani thuheshin me fortafolës.

Filmat që kishin qenë mjeti më i madh në duart e propagandës, kishin fituar mëvetësinë. Tashmë liria kishte nisur me mendimin, por ku po shkohej me gjithë këtë liri?
Arkivi Shtetëror i Filmit ka bërë një program filmash që tregojnë atë që njihet si “Jeta pas Enverit”. Programi do të shfaqet në KinoLumbardhi në Prizren, sipas titujve dhe datave që mund të shihen në tabelë.
Është një përzgjedhje filmash që u xhiruan pas vdekjes së Enverit dhe epokës së tij. Programi shfaq historinë kinematografike të vendit kur filmave shqiptarë u është dhënë një diskurs i ri politik dhe mundësi për t’u ballafaquar me të kaluarën përmes një epoke të re të tregimit. Të shoqëruara nga folës e të ftuar, hyrja në të gjitha sesionet do të ofrohet falas dhe filmat do të shfaqen me titra anglisht.
Arsyet pse këta filma nxirren nga arkiva, janë disa.

Pothuaj 3 dekada pas rënies së sistemit një partiak të vendit, ende shumë pak dihet për kinemanë shqiptare, shënohet në prezantim. Gjatë katër dekadave e gjysmë të sundimit komunist, krijuesit e filmave në kompleksin e Kinostudios prodhuan 232 filma të gjatë, mijëra dokumentarë e kronika dhe mbi njëqind filma të animuar.
Me fundin e regjimit komunist në vitin 1991, regjisorët shqiptarë u ballafaquan me një diskurs të ri politik ku mund të reflektonin haptazi mbi historinë e vendit. Shumë prej këtyre regjisorëve e shfrytëzuan këtë mundësi për t’u marrë me trashëgiminë e diktaturës së Hoxhës. Të tjerët sollën tregime dramatike të korrupsionit dhe ngritjen e papritur të veprimtarisë kriminale të shkaktuar nga kalimi i papritur në kapitalizmin e tregut. “Lufta civile e vitit 1997 pothuajse e ndali prodhimin e filmit shqiptar tërësisht. Filma si ‘Dasma e Sakos’ (1998) e Vladimir Priftit u përfunduan në rrethana jashtëzakonisht të vështira.
Ngjarjet e filmit “Dasma e Sakos” vijnë përmes mjegullash mesjetare në një qytet fantozmagorik. Nën çatitë e gurta dhe muret kështjellore ndodhin drama të mëdha. Një përzierje e trembshme gjërash të egra me të brishta urrejtjesh me dashuritë vdekjesh me ripërtëritje. Metaforat marrin të thonë se shpërdorimi i pushtetit ka thelb të njëjtë por shfaqje të ndryshme. Në të gjitha rastet aspirata e vetme e njeriut është liria dhe një jetë me dinjitet të vërtetë njerëzor.

Filmi u xhirua në vitin e mbrapshtë 1997 dhe dy dekada më pas regjisori Vladimir Prifti është shprehur se “U punua shkëlqyeshëm me gjithë situatat nga më të vështirat në Gjirokastër atë kohë, nga më të rëndat, sepse atë kohë ndodhën dhe ngjarjet e marsit 1997, që u reflektuan në dhjetor për ne, kujtoj se shtëpia e Enver Hoxhës muze u hodh në erë, monumenti, etj., ishte një situatë e rëndë atë kohë në vend po ne i mbaruam xhirimet. Probleme ne patëm shumë për realizimin e filmit në atë vit”.
Programi i AQSH-së i përbërë nga filma të shkurtër dhe të gjatë, animacion dhe dokumentar, ky program i filmave ofron një paraqitje të shkurtër të një kombi që lufton me të kaluarën e vet tronditëse dhe ndikimin e saj të vazhdues hëm në të tashmen”, njofton Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.

Programi u organizua në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.
Ky program i filmit është mundësuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, në kuadër të projektit ‘Hapësirat Kulturore të Kosovës’ të implementuar nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Lumbardhit dhe e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit të Shqipërisë dhe jo domosdoshmërish reflekton pikëpamjet e Bashkimit Europian.

Programi

4 MAJ, E SHTUNË, 21:00
“Gjëra që nuk ndryshojnë” [ (1993), 3, regjisor Stefan Taçi
“Shembja e idhujve” (1992), 19′, regjisor Kujtim Gjonaj
“Vdekja e kalit” (1995), 80′, regjisor Saimir Kumbaro

8 MAJ, E MËRKURË, 21:00
Filmat e animuar të viteve 1990, 68′
“Mall” (1992), Stefan Taci
“Kënga e fundit” (1990), Artan Maku
“Endrra që nuk vritet” (1990), Robert Qafzezi
“Ujku, ujku” (1992), Artur Dauti
“Kompozim” (1992), Stefan Taci
“Sipas kokës kapelen” (1997), Shaqir Veseli
“I vdekuri dhe i gjalli” (1994), Albert Malltezi
“Konsensus” (1998), Artur Dauti
“Loja e djallit” (1999), Rikarda Nova, Ergys Faja
“Sizifiane” (1995), Stefan Taci
“Kaprico”, Albert Malltezi

11 MAJ, E SHTUNË, 21:00
“Drejt Europes” (1992), 10′, regjisor Kujtim Gjonaj
“Përdhunuesit” (1995), 85′, regjisor Spartak Pecani

15 MAJ, E MËRKURË, 21:00
“Balada e druvarit”, (1997), 6′, regjisor Leonard Dori
“Dasma e Sakos” (1998), 100′, regjisor Vladimir Prifti

18 MAJ, E SHTUNË, 21:00
“Biba” (1994), 5′, regjisor Shaqir Veseli
“GJYQI” (1993), 15′, regjisor Ilia Dede
“Bolero” (1997), 95′, regjisor Besnik Bisha

22 MAJ, E MËRKURË, 21:00,
“Kinostudio” (1991), regjisor Petrit Beci
“Fantazisti” (1990), 4′, regjisor Stefan Taçi
“Shpella e pirateve” (1990), 74′, regjisor Eduart Makria


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.