KULTURË

Video/ Sheshi plot, Teatrit Kombëtar i rivihen gërmat e hequra natën e pashkëve

09:31 - 08.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Germat e grabitura natën u rivendosën. Teatri do të rrojë”. Kjo qe një nga frazat e postuara dje në rrjetet sociale, pas orës 19:00 kur kish përfunduar vënia në fasadë e germave që shenjojnë TEATRIN KOMBËTAR.




Sheshi mes dy teatrove dhe Ministrisë së Brendshme qe plot, ndërsa krahas mbështetesve të Teatrit që protestojnë prej shkurtit të vitit 2018 kishte edhe anëtarë të Partisë Demokratike.

Mëngjesin e së Premtes së Madhe para Pashkëve, godina e Teatrit Kombëtar u gdhi pa shkronjat identifikuese në fasadën e saj. 14 shkronjat e emrit TEATRI KOMBËTAR u hoqën natën, në mënyrë të fshehtë dhe të nesërmen, kur kalimtarët shpejtonin këmbët në shëtitoren mes Ministrisë së Brendshme dhe godinave të dy teatrove kombëtarë nuk e vunë re se mbi fasadë kish mbetur tashmë vetëm hija e 14 germave që për dekada të tëra identifikonin skenën më të madhe të artit në vend. Godina që prej një viti është jofunksionale sepse teatri është zhvendosur prej aty për te Turbina.

Kur të premten  e 26 prillit u kuptua që shkronjat ishin hequr, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit pasi akuzoi shtetin i kërkoi publikisht Ministrisë së Kulturës të distancohej nga ky veprim dhe akuzoi kryeministrin dhe kreun e bashkisë për veprimin. “Fasada e Teatrit Kombëtar u zgjua e dhunuar, e zhveshur nga shkronjat identifikuese të saj. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e dënon këtë akt të ulët dhe kërkon nga Ministria e Kulturës të mbajë urgjentisht dhe publikisht qëndrim për sa ka ndodhur dhe të kujdeset që shkronjat të rivendosen aty ku ishin”,-shkroi të premten Aleanca. Ministria nuk pati asnjë reagim zyrtar dhe të shtunën, Aleanca bëri një padi në prokurori duke u betuar se do t’i vërë prapë shkronjat.

Një javë më pas, teksa publikoi një foto e realizuar gjatë momentit që hiqeshin shkronjat Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit bëri përgjegjëse për veprimin Bashkinë e Tiranës. Kjo e fundit është përcaktuar si përgjegjëse për PPP-në e truallit të teatrit ndërsa kreu i saj drejton edhe komisionet me grupet e interesit, dhe sipas një ligji të mbetur diku zyrave të kuvendit do të drejtojë edhe komisionin që do të marrë vendim për përzgjedhjen e projektit fitues për teatri e ri, mbi truallin e dy teatrove të vjetër dhe hapësirave përreth.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.