KULTURË

A kishte disidencë në Shqipëri? Një studim i imtë për “Armikun e popullit”

19:30 - 10.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Institutin për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë dhe Muzeun Historik Kombëtar organizojnë Konferencën Ndërkombëtare Shkencore me temë “Fytyra e ‘armikut të popullit’ gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri 1944-1990”.
Rreth 28 studiues do të flasin në 17 maj për konceptet disidencë, disident, kundërshtar politik dhe do të japin kontribute mbi debatin: A ka pasur disidencë në Shqipëri? Një fokus do të ketë edhe në ngjashmëritë dhe dallimet në vizatimin e “armikut të popullit” midis Shqipërisë dhe regjimeve të tjera komuniste të Evropës Lindore e Qendrore. Tipologjia e “armikut të popullit” dhe sjelljes së regjimit ndaj tyre (“kriminelët e luftës”, kleri, intelektualët e shkolluar në Perëndim, tregtarët dhe pronarët, kulakët, “armiku i popullit” brenda radhëve të Frontit Demokratik dhe PKSH/PPSH) do trajtohen nga disa studiues. Ndërsa evolucioni i konceptit “armik i popullit” gjatë viteve të diktaturës së proletariatit, lufta e klasave dhe ndryshimet në konceptimin e saj përgjatë regjimit, Sigurimi i Shtetit si instrument përndjekjeje dhe profile të ndryshme të “armikut të popullit” janë pjesë e konferencës.




DISIDENCA
Është folur e pyetur shpesh nëse ka disidencë në Shqipëri. Historiania Ana Lalaj do të ndalet me kumtesën e saj pikërisht te “Disidenca në Shqipëri”.
Kumtesa mëton të sqarojë këto pika: Nëse ka pasur ose jo disidencë në Shqipëri. Nëse po, në çfarë shkalle është shfaqur ajo, simptomatike, apo si dukuri? A ka pasur disidentë? Këtu do të sqarohet edhe nëse një disident për të qenë i tillë, do të duhet ose jo domosdoshmërish të lidhet me disidencën si platformë e përpunuar kundërshtimi. Shkurt: nëse nuk mund të ketë disidencë pa disidentë, a mund të pranojmë inversin se mund të ketë disidentë edhe pa disidencë. Ajo merr në shqyrtim se çfarë është vërejtur në marrëdhëniet e individëve politikë, në faza të kohëpaskohshme të regjimit komunist dhe sidomos të intelektualëve, me vetë regjimin?
Sipas saj, nëse pyetja “Ka pasur ose jo disidencë në Shqipëri” nuk ka marrë ende përgjigje, një gjë është e sigurt: ajo ka qenë dukshëm më e paktë se në pjesën tjetër të Bllokut komunist. Pse? Këtu do të trajtohet ideja pse ndodh që një regjim i shtuar terrori të mos prodhojë proporcionalisht, në të njëjtën masë ose në masë të përafërt, edhe reagimet kundërshtuese. Si ndjehet sot prania ose mungesa e disidencës e kohës së komunizmit? Këtu mund të konkludohet edhe se sot bëhet më e dukshme që disidenca në vetvete nuk regjistrohet vetëm si rekord mospajtimi në të shkuarën e një vendi, por edhe si nivel kulture.

MIDIS MITIT DHE REALITETIT
Florin Zyberaj ka temë “Disidenca shqiptare midis mitit dhe realitetit”. Ndonëse shkrimet mbi disidencën në Shqipëri nuk kanë munguar, ai thotë se shpesh ato kanë marrë ngjyrime apo nuanca të ndryshme. Synimi i tij, është të jetë sa më objektiv dhe të paraqesë një panoramë të qartë dhe mbi të gjitha koncize për “disidencën” në Shqipëri, në përgjithësi e mbi të gjitha mbi disidencën e Havzi Nelës në veçanti. Disidenca si term është një dukuri e përgjithshme universale e të gjithë kohërave. Ky koncept është përdorur që në shek. XV, por në shek. XVIII dhe në shek. XX, bëhet një koncept shumë më i përdorur. Në gjysmën e dytë të shek. XX, me krijimin e Bllokut Lindor Komunist, fjala disident mori një konotacion të gjerë politik e letrar, dhe më pas ajo u ngushtua. Sot, akoma ka shumë keqkuptime lidhur me konceptet mbi disidencën. “Prandaj e shoh të arsyeshme të ndalem, e të qartësojë teorikisht konceptet: ‘Disidencë’, çfarë do të thotë të jesh ‘Disident’, ‘Disident politik’ e ‘Kundërshtar politik’ (kë mund të quajmë) dhe së fundmi, kuptimi i Disidencës në letërsinë bashkëkohore e në politikë”, thotë ai. Zyberaj do flasë për vorbullën e debatit mbi disidencën në Shqipëri dhe rastin e H. Nelës në veçanti, ku janë përfshirë shumë autorë, ku janë shpalosur mendime e qëndrime të ndryshme. Një grup jo i vogël autorësh, mbron mendimin se disidencë të mirëfilltë dhe të organizuar në Shqipëri, nuk ka pasur. Një grup tjetër përqendrohen tek disidentët e vetëshpallur, apo që quhen ndryshe disidentë të rremë dhe grupi i tretë ka shpalosur kërkesat e vazhdueshme që disidentët qoftë të mirëfilltë, ose jo, historia duhet t’i regjistrojë si të tillë dhe të mos mohohet kontributi i tyre etj.

SQARIMI I KONCEPTEVE
Edona Jahiu PHD cand. në Universitetin e Prishtinës temën e saj e titullon “Konceptet: disidencë, disident në kuadër më të gjerë teorik”. Ajo vëren se gjatë një periudhe presioni, siç ka qenë komunizmi te shqiptarët, kur nocioni i së vërtetës nuk është vënë në diskutim dhe kur ishin të imponuara rreptësisht disa ideologji të caktuara, ka qenë jashtëzakonisht e vështirë të bëhej rezistencë a orvatje për mosnënshtrim, e rrjedhimisht, të dëgjohej ndonjë zë apo reagim kritik ndaj pushtetit të dhunshëm. Shton se në Shqipëri, edhe pse ka ndonjë gjurmë në raste sporadike apo “mes rreshtash” nga disa intelektualë, kryesisht, populli i është bindur padiskutueshëm shtetit, ka heshtur dhe ekzistojnë dilema nëse ka pasur ndonjëherë disidencë të mirëfilltë qoftë në letërsi, kulturë apo në plan më të gjerë. E, në këtë punim, fillimisht duke e sqaruar komunizmin e realizmin socialist, synojmë që të fokusohemi më shumë në shpjegimin teorik të nocioneve: disidencë, disident, duke e ilustruar me disa raste më tipike dhe efektive që kanë dalë në sipërfaqe në sisteme totalitare nëpër botë. Kështu, me mbështetje teorike dhe praktike me shembuj të zgjedhur e me disa ndërhyrje interpretuese individuale, kemi për qëllim ta përshkruajmë dhe analizojmë sa më qartë disidencën, si një lëvizje refuzuese ndaj autoritetit nga një ose disa individë, që edhe pse bart rreziqe, mbetet me vlerë e impakt dhe vuloset në historinë e një populli, sepse guximshëm vë në pikëpyetje elitën politike dominuese, e cila e “vret” demokracinë.

ARMIKU NË LETËRSI
Enis Sulstarova nga Departamenti i Shkencave Politike, Universiteti i Tiranës, do të mbajë kumtesën “Armiku në romanet e novelat me agjenturë të realizmit socialist”. Në vazhdën e të folurit për disidencë, Sulstarova ndalet tek arti. Realizmi socialist ishte një letërsi politike në shërbim të luftës të klasave. Shënon se sidomos romanet dhe novelat e realizmit socialist me agjenturë paraqisnin figurën e “armikut” të jashtëm dhe të brendshëm që kërcënonte lirinë e popullit dhe ndërtimin e socializmit. “Në këtë lloj letërsie del qartë aspekti skematik i realizmit socialist, me personazhin pozitiv, atë negativ dhe papajtueshmërinë klasore midis tyre. Kjo kumtesë do të hulumtojë dy tema në një numër romanësh dhe novelash me agjenturë të botuara gjatë viteve të komunizmit. E para është profili i agjenteve femra të armikut, në kontrast me figurat femërore që rrethonin heronjtë e kundërzbulimit dhe të hetuesisë. Ndërsa nënat dhe gratë e oficerëve dhe hetuesve janë personazhe të virtytshme, por pasive, sepse shërbejnë për të plotësuar figurën e heroit pozitiv, agjentet femra janë më interesante, sepse kanë rol veprues, edhe pse negativ, në rrëfim”, vëren Sulstarova. Më tej, tema e dytë e kumtesës ka të bëjë me përshkrimet në këta romane e novela të vendeve perëndimore ku vepronin zbuluesit e Sigurimit. Për nga natyra e tyre, këto vepra u ofronin lexuesve shqiptarë panorama të zymta të jetës në vendet perëndimore. Mjediset që shfaqen më shpesh janë kampet e emigrantëve, si kafenetë apo kabaretë, por përshkruhen edhe pjesë të tjera të jetës së përditshme qytetare, si fabrika dhe banesa ku shfaqen shenjat e shfrytëzimit klasor. Këto panorama shënon Sulstarova, përforconin propagandën e regjimit se vendeve perëndimore, me gjithë epërsinë e tyre materiale ndaj Shqipërisë, u mungonte humaniteti dhe drejtësia sociale që supozohej se ishin arritur në Shqipërinë socialiste.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.