KULTURË

Adrian Civici: Kur kuptuam që Enveri ishte diktator…

13:43 - 11.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Për një kohë të gjatë, Enver Hoxha e maskoi me shumë kujdes e mjeshtëri personalitetin autokratik e diktatorial të tij”. Adrian Civici është ndalur gjatë për të treguar momentin kur populli nisi ta kuptonte në masë se “ndërtuesi i Shqipërisë moderne” ishte në fakt diktatori. Këtë e ka bërë në një libër duke dhënë të gjitha argumentet e historitë që treguan anën tjetër të burrit, që drejtonte vendin me dorë të hekurt. Deri atë ditë, atë e kishin njohur vetëm ata që kishin njohur prej tij vdekjen e të afërmve. Libri i tij vjen si dialog.
“Qëllimi i këtij dialogu, i cili nisi në vitin 2018, është të bëjë një udhëtim në honet e errëta të së shkuarës. Biseda jonë nis me socializmin, për të vijuar më pas me kapitalizmin dhe tranzicionin, për të kuptuar Shqipërinë e gati një shekulli, nën lupën e kujtesës së një intelektuali, që i përfaqëson më së miri të tria këto kohë. Vetë formimi ekonomik i profesor Civicit na ndihmon të shohim më qartë dhe një aspekt tjetër të hulumtimit të këtyre tri kohëve, përmes proceseve ekonomike. Asnjë histori nuk mund të kuptohet deri në fund, pa kuptuar rolin e rëndësishëm të lëvizjeve ekonomike”. Alda Bardhyli e nis kështu prezantimin me librin “Adrian Civici/ Udhëtim në tri kohë”. Janë në fakt kujtimet e tij, që vijnë përmes një dialogu me Bardhylin, duke shpërfaqur ndjesi e mbresa, të ruajtura nga çaste të ndryshme të jetës.
“Ky libër është një manual për politikanët, diplomatët, intelektualët, studentët dhe të gjithë qytetarët që kërkojnë të njohin dhe sintetizojnë mendimin për periudhat e evoluimit të shtetit shqiptar 70 vitet e fundit. Civici ka shkruar shumë libra, por ky i fundit e ngre atë në rangun e mendimtarit të elitës shqiptare. Dhe e meriton”, shkruan në parathënie Agim Nesho. Më poshtë një pjesë e librit




NGA “UDHËHEQËS”, NË DIKTATOR
Enver Hoxha u tregua i aftë që gjithë besimin dhe shpresat e shqiptarëve për një dinjitet më të madh kombëtar. E “kompletoi personalitetin e tij me figurën e patriotit dhe atdhetarit nacionalist” që nuk bënte dhe as pranonte asnjë lloj kompromisi në cenimin e identitetin nacional, vendin dhe rolin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Cilësimi në formë të hapur dhe pranimi gjerësisht i Enver Hoxhës si “diktator” në kuptimin e vërtetë të fjalës, në mjediset intelektuale dhe shtresave të ndryshme shoqërore në Shqipëri, është relativisht i vonët. Në tri dekadat e para të pushtetit të tij në krye të PKSH-së dhe më vonë PPSH-ja (1945-1974), Enver Hoxha dhe të gjitha strukturat propagandistike e ideologjike në shërbim të tij e servirën atë si “marksist-leninist të vërtetë”, si “udhëheqësi i dashur i popullit”, si “ndërtuesi i Shqipërisë moderne”, si “babai i kombit dhe nacionalisti më i shquar në historinë e Shqipërisë” etj.

Perceptimet dhe etiketimet e para për “diktatorin Enver Hoxha” ishin prezente në mjediset e familjeve të pushkatuara, internuara e persekutuara mizorisht nga regjimi, në mjediset e të burgosurve politikë, te një pjesë e vogël e intelektualëve të shkolluar në Perëndim para dhe gjatë Luftës II Botërore, të cilët e kishin të qartë konceptin teorik dhe politik të sjelljes së diktatorëve, te përfaqësuesit e klerit të burgosur, veçanërisht atij katolik dhe natyrisht në rrethet zogiste e nacionaliste të organizuara jashtë Shqipërisë.
Në Shqipëri, etiketimi i Enver Hoxhës si “diktator i tipit stalinist” filloi të merrte forma të dukshme e konkrete dhe të shprehej më hapur në mjedise të mbyllura e biseda private, me të gjitha dyshimet dhe frikën e denoncimeve dhe spiunimeve nga bashkëbiseduesit, në fund të viteve 1970, mbas plenumeve e gjyqeve të sajuara dhe dënimeve mizore të “grupeve puçiste e revizioniste” në art, kulturë, ushtri, ekonomi, nxjerrjen e naftës, Ministrinë e Brendshme dhe Sigurimin e Shtetit, mbas ashpërsimit të fushatave të internimeve dhe dëbimeve për qindra e mijëra familjeve “me biografi të keqe” dhe “armiq të klasës punëtore e fshatarësisë kooperativiste”; mbas thellimit në përmasa të jashtëzakonshme të “kultit të individit” etj.

Në fillim të viteve 1980, sidomos mbas “vetëvrasjes” së Mehmet Shehut, kryeministri më afatgjatë i Shqipërisë komuniste, një nga komunistët e orëve të para në krah të Enver Hoxhës, ne filluam të përdornim shpesh shprehjen “revolucioni ha bijtë e vet” dhe ta krahasonim Enver Hoxhën me Robespierin dhe terrorin e tij gjatë revolucionit francez të viteve 1789-1794. Por, megjithatë, arritja te cilësimi i hapur si “diktator” erdhi pas vdekjes së Enver Hoxhës në vitin 1985.
Së fundi, mendoj që në vështirësinë e perceptimit dhe cilësimit të Enver Hoxhës si “diktator” ka ndikuar dhe mungesa e “figurës” apo “portretit” të diktatorit në kulturën politike e historike të Shqipërisë. Gjatë shekujve të sundimit të Perandorisë Otomane dhe në përgjithësi të kulturës politike e shoqërore lindore, në psikologjinë kolektive dhe mentalitetin e institucionet e organizimit shtetëror shqiptar mungonte referimi i figurës së “diktatorit” sipas koncepteve demokratike perëndimore.

Bisedën dhe diskutimin e parë me një grup shokësh “nëse Enver Hoxha ishte apo jo diktator” e kemi bërë në javët e para mbas vdekjes së tij, në prill të vitit 1985. Në vijim të debateve të shumta që zienin në atë kohë në mjediset intelektuale e universitare, nëse “kishte vdekur udhëheqësi i ndritur i partisë dhe popullit apo diktatori komunist”, një shoku ynë kishte kopjuar nga enciklopedia britanike që ndodhej në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë shpjegimet se çfarë ishte një diktator. Leximi dhe diskutimi për këto karakteristika ishte shokues për ne. Jo se nuk e kishim ndier e pësuar në qindra e mijëra raste të jetës së përditshme sjelljen diktatoriale të Enver Hoxhës, por nuk kishim mundur asnjëherë të vinim pikat mbi ‘i’, duke e cilësuar “diktator”, njësoj si Hitleri, Musolini, Franko, Stalini, Pinocheti, Mugabe, Kabila etj. Me-gjithëse propaganda zyrtare “për figurën e Enver Hoxhës” ishte mbytëse dhe e mbushur me lloj-lloj lajmesh e informacionesh për “cilësitë e tij të jashtëzakonshme si lider”, “për pastërtinë dhe devocionin e tij ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve”, në bisedat e ngushta shoqërore apo familjare qarkullonin një sërë paqartësish dhe pikëpyetjesh për aktivitetin dhe vendimet e tij të çuditshme dhe të “pashpjeguara”. Misteret më të mëdha rreth Enver Hoxhës kishin të bënin me qëndrimin dhe aktivitetin e tij në Francë: si ka mundësi që rezultonte i përkëdhelur nga regjimi i mbretit Zog me bursa dhe emërime nëpër ambasada e përfaqësi diplomatike, ndërkohë që ishte militant revolucionar? A kishte mbaruar vërtet ndonjë shkollë apo diçka fshihte në qëndrimet e tij në Montpellier dhe Paris? Enver Hoxha dhe propaganda e PPSH-së asnjëherë nuk arritën të jepnin një version bindës se si arriti ai të dilte në krye të PKSH-së dhe cila ishte influenca e jugosllavëve në këtë çështje. Përse u refuzua “Plani Marshall” nga ana e Shqipërisë së varfër mbas bisedës së Enverit me Stalinin?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.