DOSSIER

Përplasja me Sali Berishën/ Bamir Topi: Ja çfarë më tha Ramiz Alia

12:28 - 19.05.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për Bamir Topin është e rëndësishme që gjithkush të thotë të vërtetën e tij. Si dëshmitar i disa prej ngjarjeve më të rëndësishme në politikën e pas viteve ’90, ish-Presidenti i Republikës, ka shumë për të treguar. Në librin e tij “Nocturn: Kur arsyeja errësohet nga pushteti”, botim i “UET Press” ai rrëfen jetën e tij, që nga fëmijëria, studimet, puna shkencore, hyrja në politikë, duke arritur të ngjitet deri në numrin një të shtetit. Nje pjese te vecante ne kete liber ai i kushton edhe raporteve personale me liderët politikë të 3 dekadave demokraci. Ja si e kujton takimin me Ramiz Aline.




BAMIR TOPI

Ramiz Alia, ndonëse është njeriu më jetëgjatë, që shërbeu në komunizëm si përfaqësues i Rinisë Komuniste e deri Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së, konsiderohet dhe njihet në historinë e kohës së ndryshimeve të sistemeve si Presidenti i Parë i Republikës dhe në këtë cilësi është trajtuar në marrëdhëniet protokollare të shtetit shqiptar. E kam takuar Ramiz Alinë në ceremonitë e Festës së Pavarësisë, ku komunikimi ka qenë i shkurtër dhe përshëndetës.

Një tjetër moment kur kam biseduar gjatë me Ramiz Alinë ka qenë në një darkë të organizuar nga Presidenti Moisiu në 80-vjetorin e lindjes së tij, në dhjetorin e vitit 2009. Ndonëse ishin të ftuar të gjithë presidentët, mungonte vetëm Sali Berisha. Pas një dreke që ka zgjatur rreth një orë, në largim e sipër, gjatë përshëndetjes kam pasur një bisedë të shkurtër dhe interesante me Ramizin.

Në përshëndetje e sipër filloi të japë vlerësime për situatën konfliktuale midis Presidentit dhe Kryeministrit, që korrespondonte me problemet politike të vitit 2009.

– Në këtë klimë kaq të ashpër, vlerësoj mënyrën e drejtimit të Presidencës për të qenë i baraslarguar dhe duke u bazuar thellësisht te ligji! – u shpreh Alia.

Në ikje e sipër u shpreh se “e shoh që ke një situatë të pazakontë”, duke pasur parasysh përplasjen e fortë me Berishën, të cilin e përkufizoi si një lider “të ashpër dhe të pabesë”.

Unë, natyrisht nuk u ndjeva mirë me këtë lloj komunikimi, duke evituar përgjigjen me shumë diplomaci dhe e kalova bisedën diku tjetër, pasi nuk doja që të shprehja konsideratat e mia, aq më shumë te Ramiz Alia, për një njeri që, tek e fundit, kisha bashkëpunuar në politikë dhe sot kisha marrëdhënie të detyruara institucionale.

E lashë pa përgjigje shprehjen e fortë të tij, i cili kishte pritur rastin për ta thënë. Unë jam “çliruar” ta them pas kaq kohësh, edhe pse Ramiz Alia është ndarë nga jeta, duke menduar që disa rrëfime “të sikletshme” duhen thënë në mënyrë shumë autentike, sikurse e kërkon ky lloj rrëfimi për jetën.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.