AKTUALITET

Klodian Muço: Shqipëria, vendi me produktivitetin më të ulët në rajon

14:54 - 27.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Sipas të dhënave të INSTAT-it, rreth 22.5% e të papunëve në vendin tonë janë të diplomuar, në një kohë që pa punë kanë ngelur edhe 346 doktorantë. Sa i aftë është sistemi ynë arsimor për të transmetuar kompetencat e duhura në ekonomi? Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, dr. Klodian Muço, ekspert ekonomie, njëkohësisht pedagog në universitetin “Aleksandër Moisiu” tregon problematikat kryesore që pengojnë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Sipas tij, Shqipëria është vendi me pagën bruto më të ulët në Ballkan (419 euro) ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor arrin në 773 euro, e po ashtu jemi vendi me produktivitetin më të ulët në Ballkan.




Si shihet nga sytë e një eksperti, situata ekonomike në vendin tonë?
Edhe pse kemi pasur rritje të PBB-së, cilësia e zhvillimit të vendit në vitin e fundit duket se po ecën me hapat e një kërmilli. Kjo është e përcaktuar nga niveli i lartë i varfërisë dhe nga vulnerabiliteti ekonomiko-social, që ka kapur zonat periferike të vendit. E thënë ndryshe, po rriten pabarazitë dhe diferencat ndërmjet shtresave sociale po zgjerohen çdo ditë e më tepër. Pasuria ka tendencën të përqendrohet në pak duar. Jo vetëm kaq, po rritet çdo ditë e më tepër edhe distanca ndërmjet rolit politik që kanë të pasurit dhe rolit marginal që kanë të varfrit.

A kanë besim njerëzit se ekonomia në Shqipëri do të përmirësohet?
Çdo ditë e më tepër po bie besimi te njerëzit për një pritshmëri ekonomike më të mirë për muajt që vijnë. Tashmë kjo pritshmëri nuk ka më ngjyra politike, të gjithë janë të mendimit se po përkeqësohen treguesit e barazisë ekonomike, duke “ushqyer” emigracionin (ku sipas një studimi të FMN-së, emigracioni i shkakton një dëm ekonomik Shqipërisë, që shkon rreth 120 milionë dollarë në vit). Kjo është fotografia që del në pah nga një studim empirik mbi pabarazinë dhe rritjen e mirëqenies ekonomike të Shqipërisë.

Si shpërndahen të ardhurat dhe a janë të mjaftueshme pagat për të përballuar jetesën?
Nga analizimi i mekanizmit në të cilin po bazohet rritja ekonomike e Shqipërisë sot del në pah se rritja e konsumit dhe e investimeve në sektorë prodhues të ekonomisë është shumë e moderuar. Në ekonomitë e zhvilluara dëshira për t’u rritur ekonomikisht ka të bëjë me rritjen e cilësisë së jetës dhe përmirësimit të kushteve të punës. Ndërsa te ne, realiteti duket se është krejt ndryshe pasi, rritja e PBB-së nuk po përkthehet në një rritje të mirëqenies së qytetarëve. Kjo, pasi nuk kemi një shpërndarje të drejtë të të ardhurave. Te ne vetëm një e pesta PBB-së shpërndahet për paga, ndërkohë që mesatarja në vendet e OECD-së është 55%. Ne jemi vendi me pagën bruto më të ulët në Ballkan (419 euro), ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor arrin në 773 euro. Jemi po ashtu vendi me produktivitetin më të ulët në Ballkan. Prandaj kosto për njësi prodhimi nuk është më e ulët në Shqipëri, që është rroga më e ulët, por është në Bullgari. Në vend të dytë për kosto të ulët për njësi prodhimi është Sllovenia e pastaj Rumania, që janë dhe vendet me rrogën më të lartë në Ballkan.

Në cilët sektorë është përqendruar ekonomia shqiptare?
Ekonomia shqiptare është përqendruar te sektorët me produktivitet të ulët si fasoneria dhe call-center-at. Kur u mendua se u mbyllën call-center-at tradicionalë që ofronin shërbime drejt Italisë, filluan të lulëzojnë call-center-at të cilët ofrojnë shërbime forex, duke arritur në mbi 4000 të tillë në Shqipëri.

Sa rëndësi i është dhënë bujqësisë deri më tani?
Bujqësia shqiptare edhe pse po tenton të rritet, është shumë deficitare, prodhon shumë në sezon, prodhim ky që shitet me çmime të ulëta, të cilat dëmtojnë prodhuesit (jo pak herë prodhimet lihen në pemë se çmimi i paguar nga tregtarët e shumicës nuk justifikon as koston e mbledhjes. Prandaj të gjithë janë dakord se ky sektor ka nevojë urgjente për kapitale, informacion, vizion dhe mbrojtje tregtare. Nëse do të shohim të dhënat mbi rritjen e të ardhurave reale për frymë apo rritjen e konsumit, del në pah se ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është vendi me rritjen më të ulët të indikatorëve në fjalë.

Cilët janë problemet kryesore që pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit?
Nëse do të kërkojmë të dhëna statistikore për të kuptuar se cilat janë kauzat e rritjes së ulët të treguesve në fjalë. Vërejmë se kemi katër shkaqe kryesore: mbi 95% e ndërmarrjeve shqiptare kanë nga 1-10 të punësuar. Dimensionet e vogla limitojnë investimet në inovacion dhe kualifikimin e burimeve njerëzore, të cilat ndikojnë në konkurrencën globale. Nëse do të shohim indeksin e inovacionit, Shqipëria nga një listë me 110 vende, renditet e 68 duke lënë mbas vetëm Maqedoninë në Ballkan. Jemi vendi me nivelin arsimor ndër më të dobëtit në Europë. Ndoshta kemi të diplomuar, por këta të diplomuar nuk kanë kompetencat e nevojshme për degën që kanë studiuar apo tregun e punës. Në Shqipëri sipas INSTAT-it, rreth 22.5% e të papunëve janë me shkollë të lartë. Kemi 346 doktorantë të pa punë, që nëse do ta transformojmë këtë numër në përqindje e ta krahasojmë me vendet e tjera, të tremb. Pra, sistemi ynë edukativ është i paaftë për t’i transmetuar kompetencat e duhura ekonomisë, që çdo ditë e më tepër bazohet te ‘capability’. Shqipëria paguan shtrenjtë ineficiencën e administratës publike dhe burokracinë. Zbatimi i ligjit përsëri lë për të dëshiruar. Po ashtu, administrata shtetërore sa herë që përgatit studime për t’i kaluar shërbime apo prona publike privatit në formën e koncesioneve, del në pah se janë ose të korruptuar, ose të paarsimuar pasi nga kontratat e firmosura humbet gjithmonë shteti. Gjithashtu, për 2018-ën dëmi ekonomik i evidentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kaloi 1 miliard euro. Mendoni se sa rrugë e shkolla do të ishin ndërtuar me kaq shumë para. Rritja e borxhit publik dhe koncesionet po ashtu janë problem serioz që pengon rritjen. Këto të fundit edhe pse deklarojnë fitime të larta që shkojnë deri në 50% të xhiros, jo në pak raste financohen nga fondet publike. Duke reduktuar gjithmonë e më tepër investimet publike.

Kë favorizojnë më së shumti politikat fiskale në Shqipëri?
Për të konkluduar, mund të themi se ekonomia shqiptare ngjan si një ekonomi koloniale, ku eksportohen lëndë të para të papërpunuara (naftë, minerale, gurë dekorativë) ku të punësuarit shqiptarë shpesh transformohen në skllevër të mirëfilltë, duke punuar 48 orë në javë për vetëm 26 000 lekë në muaj. Në Tiranë me kaq lekë nuk paguhet dot as qiraja e një apartamenti 1+1. Rroga të tilla janë nën “nivelin e dinjitetit”, ku nuk stimulohet konsumi, nuk gjenerohet zhvillim me këto rroga. Në fund, sipas një studimi të “Oxfam”, për të fuqizuar financimin e sistemit të ‘welfare’ duhet që sistemi fiskal të jetë sa më i barabartë. Çfarë ndodh në Shqipëri? Te ne me dashje apo pa dashje, politikat fiskale favorizojnë vetëm të pasurit. Barra fiskale spostohet drejt të varfërve. Për mos të mbaruar me kaq, ne edhe pse jemi një vend i varfër dhe kemi nevojë të për investitorë të huaj, vazhdojmë të mbajmë nivelin e taksave kryesore në 15%, ndërkohë që Bullgaria, Bosnja e Maqedonia i kanë 10%, ndërsa Mali i Zi taksat i ka 9%. Gjithashtu, Hungaria për investimet e huaja i ka ulur taksat në 9%. Serbia subvencionon një pjesë të investimit dhe subvencionon pagat e investitorëve të huaj. Kroacia dhe Sllovenia po japin subvencione për kompanitë në fushën e IT. Ndërsa ne si gjithmonë asgjë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.