KULTURË

Trashëgimia kulturore jomateriale, Hysa: Të subvencionohen shoqatat kulturore që lëvrojnë folklorin

17:25 - 27.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Në diskursin nacional e identitar shqiptar, si dhe të popujve të tjerë, trashëgimia kulturore jomateriale është një nga temat qendrore. Identiteti dhe memoria janë si vëllezër siamezë, nuk mundet njëra pa tjetrën. Pa kujtuar se nga je, çfarë traditash kulturore e gjuhësore kanë formuar psikën kolektive, mënyrën sesi ne e shohim dhe e konceptualizojmë botën ku jetojmë dhe si i formësojmë veprimet, praktikat dhe marrëdhëniet shoqërore në to, nuk mund të flasim për një identitet të caktuar, qoftë etnik, kombëtar, fetar, apo tjetër.




Trashëgimia kulturore jomateriale pra qëndron në zemër të identiteteve kulturore dhe për dekada me radhë, një nga format e ruajtjes dhe shfaqjes së kësaj trashëgimie kanë qenë Festivalet Folklorike Tipologjike si dhe Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës. Por në anën tjetër, folklori nuk është vetëm kujtesë e të shkuarës. Folklori gjallon, ai ndryshon, e forma të reja të tij nisin të shfaqen e marrin jetë”, – tha drejtoresha e QKVF, dr. Armanda Hysa.

Ndërkohë sipas saj, një sërë faktorësh socialë, ekonomikë e politikë kanë çuar në zhvillimin e disa problemeve tashmë të dukshme të organizimit të këtyre festivaleve. Duke pasur parasysh se të njëjtat gjëra mund të thuhen edhe për TKJ e pakicave etnike e kombëtare në Shqipëri, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike organizoi në datën 21 maj, që është njëkohësisht edhe Dita Ndërkombëtare e Diversitetit Kulturor, një tryezë diskutimi me temë “Trashëgimia kulturore jomateriale dhe diversiteti: Festivalet folklorike mes ruajtjes së kujtesës dhe pasqyrimit të praktikave kulturore të gjalla”.

Tryeza e zhvilluar në Muzeun Historik Kombëtar u hap me fjalët e mësipërme nga specialistja e TKJ në Ministrinë e Kulturës, Bendis Pustina, që prezantoi disa nga pikat kryesore të Konventës së Diversitetit Kulturor, si dhe projektet e aktivitetet e mbështetura nga Ministria e Kulturës në këtë drejtim. Specialisti etnomuzikolog i QKVF-së, Saimir Skënduli u ndal më pasqyrimin e vlerave folklorike të minoriteteve në festivalet folklorike, me të cilët QKVF ka pasur bashkëpunime të suksesshme.

Përfaqësuesit e shoqatës së minoritetit malazez “Zajednica Crne Gore” dhe i shoqatës së minoritetit maqedonas “Ilinden”, Marinko Çulafiç dhe Nikola Gjurgjaj, pasi bënë një panoramë të shpërndarjes gjeografike të anëtarëve të këtyre minoriteteve në Shqipëri, folën edhe për aktivitetet që shoqatat respektive organizojnë për ruajtjen e identitetit të tyre.

Me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, shoqata “Ilinden” organizon për herë të parë Festivalin Folklorik të Valleve të komunitetit maqedonase në Tiranë. Një pikë e rëndësishme që nisi të diskutohet në këtë tryezë ishte çështja e kritereve artistike të ngurta, sidomos të atyre që lidhen me kostumet tradicionale të grupeve në këto festivale.

Shumë prej minoriteteve tashmë nuk i kanë më këto kostume, parashtroi etnomuzikologia Mikaela Minga, dhe ruajtja e kritereve të ngurta e penalizon pjesëmarrjen e këtyre grupeve, që përndryshe vazhdojnë të ruajnë me vitalitet folklorin gojor dhe muzikor, si dhe e lë në hije pikërisht këtë folklor, që në të vërtetë është edhe thelbi i organizimit të festivaleve folklorike.

Këtë shqetësim e adresoi në kumtesën e saj edhe drejtoresha e QKVF, Armanda Hysa, e cila propozoi se duhet të organizohen dy lloje festivalesh folklorike, festivale që kanë për qëllim ruajtjen e kujtesës së folklorit të së shkuarës, ku edhe kriteret e veshjes duhet të jenë strikte, festivale me një funksion muzeor, si dhe festivale për shfaqjen e folklorit të ri, ku të vlerësohet baza burimore, por ku të pasqyrohen edhe ndryshimet demografike dhe kulturore në vend.

Hysa e vuri theksin te tensioni që ekziston mes ruajtjes së traditës dhe modernizimit të shoqërisë, tension prej të cilit ka vuajtur më së shumti kultura materiale, ku gjatë një shekulli janë shembur e humbur zemrat historike të shumë qyteteve. Kjo gjë nuk duhet të ndodhë edhe me TKJ dhe festivalet kanë qenë një strategji e mirë e ruajtjes së saj, që sot has probleme jo vetëm sa u përket veshjeve, por edhe pakësimit të bartësve instrumentistë.

Gazetarja Rezarta Delisula tha se në median ku ajo punon nuk mungojnë artikujt mbi trashëgiminë kulturore jomateriale, megjithatë ekziston një lloj ndryshimi i publikut në interesin për të, që përkthehet në shifra të ulëta shitjeje, ose ulje e shikueshmërisë kur shfaqen emisione me këtë përmbajtje.

Duke pasur parasysh disa nga problemet e parashtruara, muzikologia dhe ekspertja e TKJ, dr. Meri Kumbe parashtroi në fjalën e saj një strategji për ruajtjen dhe mbrojtjen e folklorit dhe të bartësve, përmes lidhjes së folklorit me teknologjinë. Pavarësisht se jetojmë në epokën digjitale, përdorimi i teknologjisë në TKJ mbetet një sfidë, e cila nuk është aspak e lehtë.

Rritja e audiencës dhe vizibilitetit janë bërë shtysë për të përdorur teknologjinë edhe në modele të zhvillimit të qëndrueshëm. Projekti “Saz’Iso” për shembull ka në fokus të tij sazet, karakteristikë e Shqipërisë së Jugut. Përpos realizimit profesional, ai projekt vendos në qendër të tij bartësin, i cili mbetet përfitues afatgjatë i trashëgimisë kulturore të zonës së tij. Kjo stimulon mbajtjen gjallë të traditës dhe vijueshmërinë e përcjelljes së saj te brezat e rinj.

Akademik Vasil Tole prezantoi në këtë tryezë hartimin e dosjes së aplikimit për ta bërë Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, pjesë të Listës së Praktikave të mira në UNESCO. Ai theksoi entuziazmin që njerëzit kudo nëpër Shqipëri treguan ndaj kësaj nisme, që mblodhi rreth 9000 firma, pra më tepër sesa nevojitej për aplikim. Po ashtu, akademik Tole prezantoi edhe dokumentarin që shoqëroi dosjen. Ndërsa drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi prezantoi projekt idenë e ngritjes së Muzeut të Isopolifonisë në Nivicë, në kuadër të projektit “100 fshatrat”, ku pritet që një muze i tillë t’i japë hov edhe turizmit lokal.

Jonida Çunga, specialiste e folklorit në QKVF diskutoi mbi paraqitjen e ritualeve të festave të verës, si Llazoret, në festivalet folklorike. Ajo dëshmoi se edhe pse këto rituale nuk bëhen më, përmes paraqitjes së tyre në festivale bëhet e mundur ruajtja e kujtesës mbi to. Diskutuesit M. Kumbe, M. Minga, A. Hysa, Vasil Tole e Yllka Selimi parashtruan nevojën e një komunikimi më të efektshëm institucional për ridimensionimin dhe rikonceptimin e organizimit të festivaleve folklorike në linjat e parashtruara më sipër, ku në qendër dhe fokus duhet të mbeten bartësit e folklorit, përkrahja ndaj tyre dhe nxitja për t’i trashëguar më tej dijet dhe aftësitë e tyre.

Hysa propozoi se është më e nevojshme të përkrahen e subvencionohen shoqatat kulturore artistike që lëvrojnë folklorin, pasi folklori tashmë mbijeton përmes këtyre formave vetorganizimi, ndërkohë që kuadri aktual ligjor i organizimit të festivaleve ka në bazë një mentalitet të trashëguar nga periudha e socializmit, ku edhe folklori u shtetëzua. Mes kujtesës, ruajtjes së identitetit dhe pasqyrimit të folklorit që gjallon, folklori nuk duhet të zgjedhë, përkundrazi. Ai ruhet më së miri kur të gjitha dimensionet e tij, si historike ashtu edhe aktuale gjejnë pasqyrimin e duhur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.