KULTURË

Rigjendet brenda arkivit vula e humbur e 1640-ës

18:56 - 31.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka njoftuar dje se fragmenti i dokumentit që kishte humbur, një vulë plumbi në një dokument të shekullit të 17-të, që në terminologjinë e fushës quhet sigjil, u rigjend. Sipas DPA-së, hetimet po vijojnë për zbardhjen e mëtejshme të rrethanave. Me këtë rast, DPA rithekson se “koha kur dokumentet humbitnin në arkiv, zbuloheshin pas muajsh a vitesh dhe për to mbahej vetëm një akt administrativ pa zhvilluar asnjë hetim, ka përfunduar një herë e mirë. Sistemet e sotme të sigurisë na mundësojnë që çdo ngjarje të zbulohet brenda një dite pune për të marrë masa të menjëhershme, si edhe në rastin konkret.
DPA falënderon pjesën më të madhe të mediave për raportimin e kujdesshëm dhe korrekt, që mundësoi moscenimin e hetimit dhe përpjekjeve tona për zbardhjen e ngjarjes”. Në vijim të njoftimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave thekson se “garantojmë opinionin publik, përfshi dhe ata pak që rendën të fërkojnë duart, se Arkivi Qendror Shtetëror është sot mjedisi më i sigurt për ruajtjen e dokumenteve të memories sonë kolektive kombëtare dhe ngjarjet me humbje dokumentesh pa përgjegjës i përkasin së shkuarës dhe nuk mund të ripërsëriten!”




ÇFARE NDODHI
Në mes të muajit maj, asnjë sigjil i mesit të shekullit të 17-të nuk u gjend në arkiv. Atëkohë, DPA tha se puna në arkiv na tregon se ka edhe raste kur dokumenti nuk gjendet në vendin e vet, por është keqvendosur në njësinë e ruajtjes, në kuti, apo në raft. Në raste edhe më të rralla, janë konstatuar sipas DPA-së se dokumentet mungojnë. Në rastin konkret DPA konstatoi mungesën e një fragmenti përbërës të një dokumenti. Fragmenti që mungonte ishte një vulë plumbi e vitit 1640, që ndodhej bashkëlidhur me një dokument që, në terminologjinë e fushës, emërtohet sigjil. “Nuk kemi të bëjmë me vulë fizike moderne. Pjesa më e rëndësishme, vetë dokumenti në pergamenë, është i paprekur. Ngjarja po hetohet nga strukturat e specializuara. Në përfundim të këtyre hetimeve, do të njoftoheni mbi çdo eventualitet”, përfundonte njoftimi i datës 18 maj.

ÇAFRË ËSHTË SIGJILI
SIGJIL (sigillion), term i përgjithshëm i cili përshkruan një dokument që është i pajisur me vulë (por jo domosdoshmërisht çdo dokument që mban vulë) dhe që është përdorur nga kancelari të ndryshme. Sigjilet perandorake (shfaqen që prej vitit 883, ruhen pak syresh prej shek. XI) kishin të shkruar me bojë të kuqe fjalën ‘sigillion’ dhe datën menologem shkruar me dorën e perandorit, por jo domosdo bartnin vulën e artë perandorake (në këtë rast do të kishte qenë një ‘chrysoboullon sigillion’ – sigjil me vulë të artë). Në kancelarinë patriarkale termi sigillion (ose ‘sigilliodes gramma’ – letër shoqëruar me sigjil / vulë) filloi të përdorej zyrtarisht që prej mesit të shek. XIII dhe gradualisht zëvendësoi termin “hypomnema”, duke u kthyer në dokumentin më të lartë që lëshohej prej patriarkut (bartte nënshkrimin e plotë të tij), me qëllim që të skaliste në formë të prerë një ligj kishtar apo rregull (zakonisht të votuara prej sinodit), apo të njihte ndonjë privilegj për një peshkopatë a manastir. Sigjili (ose letra me sigjil) lëshohej edhe nga zyrtarët publikë, si gjykatësit dhe taksambledhësit, dhe përbënte dokument zyrtar që vërtetohej nëpërmjet vulës së plumbit. [The Oxford Dictionary of Byzantium, vol. III, fq. 1893-4].


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.