MILOSAO

Boll një, për dy!

13:36 - 02.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Bajram Sefaj – Derisa jam ngujuar këtu, midis tunelit Kalimash, si t’isha i gozhduar në prangat e dilemës, çfarë simboli a metafore është Tuneli, në jetë dhe në letërsi, sidomos, ja po ta rrëfej këtë grimë ndodhi që, për besë, nuk është e imagjinuar fare. Unë, Magdalena ime, me ty, ti e di, flas pa dorëza, flas hapur, siç flet vëllai me motër. Ngjarja e këtij rrëfimi, nuk aspak e trilluar, por krejt reale. Unë nuk i kam faj, s’kam ç’ti bëj Metit (Krajës), shkrimtarit tim të preferuar, që nuk i do, nuk i honeps fare, ngjarjet reale dhe as që i tjerrë dhe i trajton ato në krijimtarinë e tij madhore letrare!
Derisa gjendem midis tunelit Kalimash, midis dilemës mishmash, a t’ia lëshoi një zë mikut tim, po aq shkrimtar, poet dhe përkthyes, Agron Tufës, të me ndihmojë e të me nxjerr nga ky sos i përvëluar. Këtë isha i vendosur ta bëja, pa fije dilemë, sikur të mos isha habitur dhe titullin e romani të tij Dueli, për të cilin roman, ju kujtohet, atëbotë Kadare deklaroi se nuk kishte lexuar diçka kësi soji, më të mirë në dhjetë vjetët e fundit, (sigurisht, ka menduar roman më të mirë të autorëve shqiptarë!), e kisha ngatërrua me titullin e romanit “Tuneli” të shkrimtarit argjentinas, me origjinë shqiptare Ernesto Sabato, nga veprimtaria e të cilit, ndërkohë, kisha lexuar diçka, por jo edhe ketë roman që merret kryevepër e tij. Megjithatë, besoj në Agronin (Tufën). Ai do të ma shtrijë dorën e ndihmës dhe, sivëlla që e kam, (e çmoj shumë letërsinë e tij), do të me qet në drum e t’i bije në fije e të zgjedh nyjën e dilemës: si cilësohet tuneli, në krijimtarinë letrare dhe, përgjithësisht në krijimtari artistike dhe filozofike. Çka paraqet ai, në kuptimin simbolik dhe metaforik të fjalës. Agron, kudo qofsh, fjalën e besës e ke ti!
Ato gjashtë kilometra e kusur tuneli (Kalimash), me drita shumë në të dy anët e drejtimit, është fajtor për ketë ngatërrim, për këtë hutim e, për këtë dileme!
*
U lind djalë. Pa vakt a s’dihet çka dreqin u bë, u lind djalë, me vakt a pa vakt, mos pyet. Ç’t’i besh. Emrin ia ngjitën Gafurr. Unanimisht. Gati pa menduar fare e njëzëri, me plebishit. Pa menduar dhe debatuar fare, si ndodh zakonisht, sidomos andej nëpër fshatra, ku deri vonë, nuk kishte as rrymë elektrike. Dritat akoma nuk kishim shkrepë.
Që nga lindja nuk e thirri kush, as nënë e babë, as vëlla, as motër, askush nuk e thërriste Gafurr por Gaxhurr. Gaxhurr sot, Gaxhurr nesër, Gaxhurr pasnesër, përditë e gjithëditën, Gaxhurrr.
Gaxhurr se Gaxhurr!
Sipas te gjitha gjasave, si për të përligjur të vërtetën se emri që njeriu e bartë me vete si lëkurën vet, sa të jetë gjallë, pos tjerash edhe, në një farë mënyre përcakton fatin e tij. Nuk janë të rralla rastet kur ai që ka emër disi të keq, jo të zakonshëm, të rrallë e të përçudshëm, siç është në ketë rast emri Gafurr, hala më keq Gaxhur, nuk mund të ketë jetë të mirë, as normale e jo më të lumtur, të lumtur aspak. Emri, pra, shumë herë del si përcaktues i fatit jetësor të individit. Sa ma i shëmtuar emri, aq e më e shëmtuar, me përjashtime të vogla e të rralla, jeta dhe fati i bartësit të atij emri. Prandaj nuk thuhet rastësisht, mbase as pa një mbështetje, qoftë periferike shkencore se, në një farë mënyre, emri është njëfarë mallkimi. Emri si mallkim!





*
Me emrin mallkues, Gafurri u rrit. Burrëroi. Veçse nuk u nis rrugës tatëpjetë. Tashmë iu harrua emri me të cilin e kishin regjistruar në ofiqari. Nuk e njihte kush me atë emër. Madje as të afërmit e farefisi i ngushtë, lere me dikush tjetër, më i largët. Mallkuese ishte edhe lëngata e varfërisë. Familja e Gafurrit kërthi, ishte në fund të pusit sa i përkiste pasurisë, të kamurit. Ishte skajshmërisht e varfër. Pa asnjë perspektivë se, ndonjë ditë, do t’i lind dielli mbi çati. Kjo ishte një rrethanë e keqe, vështirësues, rënduese, ndaj askush nga familjarët, nuk ia vente veshin emrit të djalit a vëllait, Gafurr. Le të quhet si të duash, si të duan të tjerët, Gafurr, Gaxhurr krejt një. Familja e tij kishte të tjera halle mbi krye. Halle e derte ekzistenciale. Te jetës në skamje e vobekësi të gjatë. Gjithnjë në luftë për ekzistencë!
Askush nuk merrej me Gauxhurin!
Me fatin e tij të pafat!
Madje as që ia numëronte kush vjetët e jetës. Askush, as ai vetë, nuk e dinte se i ç’moshe ishte. Sa vjeç ishte. Kush dinte atëbotë për ditëlindje dhe festimin e kremtimin e ditëlindjeve.
Vjetët e kishin bërë punën e tyre. Kishin ecur mbi leqet e kurrizit e tij të dredhur. Kishin punuar pa ndalë, natë e ditë. Shtatin, asht e lëkurë, të Gaxhurit të shkretë e kishin ngarkuar me barrë të renda. Si dielli e hëna që rrotullohen rreth boshtit të vet dhe rreth sistemit diellor (diellit), ashtu edhe vjetët ishin sjellë e mbështjellë rreth trupit të tij të hajthëm, e, gjithnjë e me të lodhur dhe të kërrusur. Gjithnjë fytyrën kishte pa kurrfarë qehre, të ngrysur e mbuluar me leshra të palara. Veç kur rrallë e për mall, gjendej dikush, ndonjë shpirtbardhë e bamirës, t’ia hiqte mjekrën, keq e për adalet, hiç pa e lagur.
Ky ishte Gaxhurri, kjo ishte jeta e tij!
Për martesën e tij as që bëhej fjalë. Askush nuk e përmendte as që e zëntë në gojë. Askush. Mundësia për një gjë të tillë ishte absurde. E pa bazë. E pamundur. Ireale. Gaxhurrit vetë, aq me pak, i ikte mendja drejtë një mundësie të tillë abstrakte.
Në anën tjetër, për besë, shumë e lakmonte nusen e komshiut të parë, Harunit, kur për pak ishin moshatarë. Me një ndryshim të vogël: familja e Harunit, (Harun! pak gjë ose hiç, emër më i mirë, më i lakmueshëm. Nuk ishte kushedi çfarë emri, më të mirë, më joshës, me bashkëkohës dhe më elegant se që është emri Gaxhurr!), por, kishte një ndërhyrje në këtë mes: derisa familja e Gafurrit (Gaxhur), familja e Harunit, ndërkaq, ishte për një çikëz, më e pasur se ajo e Gaxhurrit. Ky nianësim sado i imtë dhe i padukshëm kamje, kishte mundësuar që, për Harunin, sidoqoftë, të gjendej një nuse! Sidoqoftë!
Për mrekullinë Zotit dhe të gjithëve bashkë, nusja e Harunit teveqel e qel, që as qurrat nuk ishte në gjendje t’i fshinte, kishte qëlluar shumë e bukur. Një bukuri perri…
Gaxhurri, në anën tjetër, vazhdonte të lakmonte. T’i lëpinte buzët maçorr i uritur, të digjej e piqej… Mbështetë për murin e pikëllimit dhe të heshtjes mur!
*
Një ditë fund vere, rastësisht dhe papritmas krejt, gjersa Gaxhurri, herët në sabah, si zakonisht përshurrte mbi një çufër hithëth, m’as shpije!, përmes birave te gardhit nusja e Harunit, ia pa mikun e ngordhur e të mërdhezur, veshmadh e të madh sa s’dihet, me krye të kuq e dej të mbërthyer!
Nusja sakaq ishte e stepur dhe në vend, kishte ngel e stepur. Imobile, si e palëvizshme të ishte. Han shtatin e dredhet si përhumbur sa nuk dinte ku shkelte me këmbët që i dridheshin sikleti e marramendje . Ngase iu bë se send më të bukur, në jetën e saj, nuk kishte parë!
*
Atë ditë e sot, kurrë më nuk e kishte përmendur divorcin nga Haruni që, më së paku e duronte në shtrat e, aq më pak kur e kishte mbi vetë e shpurdhte sikur bënte diçka në yrnek seksi, me një luc sa grima (penis i thënçin!) që nuk e mëshilte as një birucë të vogël miniaturale, e lerë më grykën e vullkanit aktiv mes këmbësh të nuses, përherë të gatshëm për kacafytje e dyluftim, trupi mbi trup!
Gaxhuri i shkretë, kur vinte puna andej nga martesa, e vartë buzën në gaz, tundte kokën tullace, përgjigjej se bënte idarë dhe se arnohej disi…
Sa dëshirë kishte të thoshte dhe botërisht të pranonte se: Nusja e Harunit, po na del boll të dyve. Sa herë pëlciste të zbërthej e të plasë si tullumbace, megjithatë, nëse jo dy fije, një fije mend në krye, megjithatë, i kishte…
*
Besoj se brenda minutave, gjashtë kilometërshe të kalimit nëntokësor (nën-bjeshkor) Kalimashit, Antigona (Gona!) ime e dashur, i kapërceve, me lehtësi. I lexove rreshtat e këtij rrëfimi të shkurtër që, prite zot (siç ia thonë fjalës vëllezërit tonë ulqinakë), nuk t’i dërgova që të mrekullohesh, veçse të argëtohesh një çik. Duke llogaritur se naiviteti i tyre, mbështjellë në paftën e bardhe, do të provokojnë një prarim, një rrezatim të lehtë, në buzët tua të kuqe all, do të shkrepin një rreze buzëqeshjeje të lehtë dhe të nëpërdukshme krejt!
——————
(diku në Francë, janar 2019)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.