AKTUALITET

Frosina Gjino: Siguria në vendin e punës, mungojnë ekspertët

18:01 - 03.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Siguria dhe Shëndeti në punë vazhdon të mbetet një çështje që ende nuk po merr vëmendjen e duhur në vendin tonë. Numri i aksidenteve në miniera vazhdon të mbetet i lartë, e për këtë shpeshherë nuk kryhen as verifikimet e duhura për ngjarjen. Lidhur me këtë temë, Qendra Shqiptare e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, pjesë e rrjetit BalcanOSH Network, organizoi konferencës rajonale 3 ditore. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Frosina Gjino, drejtoreshë ekzekutive në këtë qendër tregon se gjatë trajnimeve me punonjëset e fasonerive, janë konstatuar shumë problematika ndër to oraret e tejzgjatura në punë e pagat jo të mira. Ajo shton se duhet urgjentisht të certifikohen ekspertët e sigurisë dhe shëndetit në punë, pasi në themel të ligjit është hartimi i dokumentit të vlerësimit të riskut, i cili duhet të realizohet nga profesionistë dhe vendi jonë nuk i ka këta të fundit. Gjatë konferencës u vu theksi te parandalimi dhe strategjitë e mundshme që duhen përdorur bashkërisht mes vendeve të rajonit për të mbrojtur jetën e punëmarrësve.




Për 3 ditë është mbajtur Konferenca Rajonale për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Cili është synimi kryesor i organizimit të kësaj konference?
Në datat 30-31 maj dhe 1 qershor u zhvillua Konferenca Rajonale për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, e para e këtij lloji që mbahet në Shqipëri. Në këtë aktivitet morën pjesë mbi 120 pjesëmarrës nga të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë. Temat kryesore të diskutimit kishin në fokus dy çështje kryesore: Bashkëpunimi rajonal dhe e ardhmja e tij për sigurinë e shëndetin në punë; si dhe u diskutua mbi një strategji rajonale të përbashkët.

fronianan frosinanan frosisna fososo
<
>

Pse është i nevojshëm bashkëpunimi me vendet e rajonit për këtë çështje?
Siguria e shëndetit në punë nuk njeh komb, shtet, kufi apo gjuhë pasi mbrojtja e jetës është e njëjtë në të gjitha vendet e nuk ka barriera. Ne presim të gjithë integrohemi në Bashkimin Europian kështu që lind e nevojshme të bashkëpunojmë dhe duhet të zgjidhim së bashku problemet. Një nga synimet e përbashkëta mes vendeve të rajonit dhe më gjerë është mbrojtja e punonjësve tanë.

Sa të mbrojtur janë punëmarrësit në vendin tonë? Cilët janë sektorët më të rrezikshëm për të punuar?
Ka përmirësim në drejtim të sigurisë dhe shëndetit në punë. Tani po implementohen skemat e sigurisë në punë në Shqipëri. Ka vende të rajonit që i kanë më të avancuara por ne po marrim eksperiencat e tyre dhe bashkëpunimi mes vendeve këtu konsiston. Shqipëria në këtë drejtim ka bërë progres, por ka ende mangësi. Ndër sektorët me risk më të lartë janë sektori i minierave dhe ndërtimit për aksidente në punë. Gjithashtu, problematike janë fasoneritë ku punojnë më mijëra gra të cilat rrezikohen të preken nga sëmundjet profesionale dhe aksidente në vendin e punës.

Sa zbatohen kontratat e punës në Shqipëri?
Nuk mund të flasim për siguri dhe shëndet në punë nëse nuk ka kontratë me punëdhënësin. Është luftuar shumë puna informale në Shqipëri, por ka raste të punonjësve të pakontraktuar, pa siguracione.

A duhet të informohen më shumë punëmarrësit mbi të drejtat që iu takojnë me ligj në vendin e punës?
Parandalimi është baza e sigurisë dhe shëndetit në punë. Parandalimi nënkupton ndërgjegjësim, edukim e ky i fundit duhet të fillojë që në kopsht e të vazhdojë në stade edhe më të larta. Mbrojtja e jetës së punëmarrësit së pari, duhet të bëhet pjesë e mentalitetit të shqiptarëve.

Keni mundur të realizoni trajnime mbi këtë çështje me punëmarrësit? Sa të interesuar janë këta të fundit?
Ne kemi një network kombëtar të ekspertëve të sigurisë dhe shëndetit në punë, i cili funksionon më së miri. Ne iu ofrojmë ekspertë që të ofrojnë trajnime për këtë çështje. Punonjësit tashmë me kalimin e kohës janë më të ndërgjegjësuar dhe kërkojnë të informohen më shumë mbi të drejtat e tyre gjatë punës. Kemi zhvilluar takime dhe një cikël të gjatë trajnimesh me gratë që punojnë në fasoneri. Është konstatuar që gratë në fasoneri punojnë edhe në kushte të vështira e vështirësia më e madhe që hasnin ishte stresi në vendin e punës. Ato punonin me orare të zgjatura, nuk paguheshin mirë dhe madje kanë pasur edhe raste ngacmimesh e ofendimesh në vendin e punës. Edhe me punonjësit e fabrikave të çimentos kemi organizuar takime, duke qenë se aty ka pasur raste aksidenti në punë. Ne duhet të luftojmë sa të mundemi që t’i minimizojmë këto aksidente në punë e për këtë po përpiqemi.

A nevojitet një bashkëpunim më i mirë mes aktorëve që janë përgjegjës në mbarëvajtjen e procesit të punës në Shqipëri?
Të gjithë aktorët që mbulojnë çështjet e mbrojtjes në punë janë pjesë e këtij network-u. Duhet të bashkërendohet puna me institucionet shtetërore, sindikatat, organizatat e punëdhënësve e të shoqërisë civile, universitetet, shkollat, punëdhënësit. Vetëm nëse punohet hap pas hapi mund të rrihet sukses dhe të mbrojmë jetët e shtetasve tanë.

Cilat janë disa nga eksperiencat më të mira të rajonit që mund të huazojmë në vendin tonë?
Urgjentisht duhet të certifikojmë ekspertët e sigurisë dhe shëndetit në punë, të ngremë sistemin e certifikimit. Në themel të ligjit është hartimi i dokumentit të vlerësimit të riskut, i cili duhet të realizohet nga profesionistë dhe ne nuk kemi profesionistë. Në Shqipëri nuk njihet si profesion e si pasojë vijnë kompani të huaja që i kryejnë këto shërbime. Aty shumë mirë mund të punësohen të rinjtë shqiptarë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.