Intervista

Së shpejti del “The perfect gangster 2”, Andi Deliana: Vështirësitë dhe besimi që arrita për të realizuar një film për mafien njujorkeze

19:30 - 05.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Ai është një nga regjisorët më të talentuar në SHBA, i cili për pak kohë do të nxjerrë në treg doku-fiksionin, siç preferon ta quajë ai, të “The Perfect Gangster 2”. Pas suksesit të të parit, në një intervistë ekskluzive për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”, Andi Deliana na rrëfen prapaskenat e të dy dokumentarëve. Sa e vështirë ka qenë për të dhe për stafin e tij për të arritur në rrëfime të tilla të pathëna më parë si dhe për vlerësimet që ka marrë dhe pritet të marrë filmi.




“Marrëdhëniet me njohës të historisë së mafias New York-eze më dhanë mundësinë të përdor argumente dhe informacione që më dhanë besim e më pas akses tek ata që mund të shihnin tek unë një të huaj apo dikë që s’ka lidhje me botën e tyre. Këto marrëdhënie janë përforcuar dhe nga prezantimi i bërë nga njerëz që kanë lidhje me të tilla rrethe, por gëzojnë respekt si profesionistë, apo njohës të ligjit (ish-policë, avokatë, njerëz të administratës). Një punë pesë vjeçare është bërë nga ekipi dhe rrjeti i njerëzve që na kanë ndihmuar për të ngritur në këmbë një projekt që i kalon përmasat e një dokumentari një orësh, apo të një ngjarje të thjeshtë krimi.”, shprehet Deliana.
Gjithashtu, ai jep një opinion të zgjeruar edhe për kineastët dhe kinematografinë shqiptare, ku çalon ajo dhe faktorët kryesorë të gjendjes së saj në të tilla kondita që është edhe sot.

Shumë nga kritika i shohin këto ide me interes bile dhe i vlerësojnë se vërtet kanë në thelb një fillim të mbarë, në një vazhdim ku personazhet humbasin qëllimin. Një pjesë të këtyre filmave (sidomos disa që kanë fituar dhe çmime) do të ishin më të mirë si filma me metrazhe të shkurtër dhe do pëlqeheshin më shumë nga publiku që lodhet në mes të filmit dhe mezi i sheh fundin.” shprehet regjisori shqiptar.
Për më tepër ndiqni intervistën e mëposhtme:

Pas nxjerrjes së dokumentarit tuaj të parë, i cili u prit shumë mirë në vend pritet të dalë dokumentari i dytë i “The perfect Gangster 2”. Kur pritet të dalë dhe pse u shty duke qenë se pritej të dilte në fillim të majit?

Dalja e “The Perfect Gangster 2” është shtyrë, me kërkesë të distributorëve që për interesa investimesh, dëshirojnë, si fillim, të konsumojnë kontrata me distributorë më të mëdhenj duke përfshirë dhe mundësi me platforma internacionale, para se të nxjerrin produktin final, që pritet të jetë me interes për tregun amerikan.

Thatë që në dokumentarin e dytë do të përfshinit ‘rrëfime’ të pathëna më parë nga njerëzit e dënuar si dhe nga të afërm të tyre. Si është e mundur që ky rrëfim, këto ngjarje jua besuan juve? Për sa i përket çështjes së besimit, pozicioni dhe njohjet me njerëz të industrisë ma kanë lehtësuar shumë punën. Sot kam një status në New York dhe falë kredencialeve, e pata më pak të vështirë për të hyrë në kontakt dhe për të krijuar një raport me ish-kriminelë, ish-gangsterë apo dhe me familjet e viktimave të tyre. Marrëdhëniet me njohës të historisë së mafies New York- eze më dhanë mundësinë të përdor argumente dhe informacione që më dhanë besim e më pas akses tek ata që mund të shihnin tek unë një të huaj apo dikë që s’ka lidhje me botën e tyre. Këto marrëdhënie janë përforcuar dhe nga prezantimi i bërë nga njerëz që kanë lidhje me të tillë rrethe por gëzojnë respekt si profesionistë, apo njohës të ligjit (ish-policë, avokatë, njerëz të administratës). Një punë pesë vjeçare është bërë nga ekipi dhe rrjeti i njerëzve që na kanë ndihmuar për të ngritur në këmbë një projekt që i kalon përmasat e një dokumentari një orësh, apo të një ngjarje të thjeshtë krimi.

Si ishin vlerësimet e dokumentarit të parë me John Alite? Nga ju erdhi frymëzimi për këtë projekt? Dokumentari i parë është pritur shumë mirë nga klane të medias në New York dhe ka hapur polemika midis atyre që mbrojnë imazhin e figurave ikonike të Mafies së New York-ut. Aktualisht (me një vit vonesë), mbas mungesës sime në treg (për arsye profesionale), duke qenë i ingranuar në projekte jashtë Amerikës, kemi filluar, më në fund, dhe turin e festivaleve, me pjesën e parë, duke e trajtuar si një film më vete, (pa dashur të konsumojmë akoma pjesën e dytë të tij që është një vijim i të parit me më shumë ngjarje dhe intriga). Ky doku-fiksion, pra pjesa e parë, është pranuar në një dyzinë festivalesh dhe evenimentesh, është nominuar dhe ka marrë tashmë disa çmime.

Për shembull, ka marrë çmim për regjinë në Hollyëood International Indipendent Documentary Awards (eveniment që ka disa vite që bëhet në Los Angeles, të Kalifornisë dhe merret kryesisht me dokumentarë Amerikanë në zhanre a subjekte nga më të ndryshmet. (The Perfect Gangster ka marrë çmimin e Exelences për regjinë për Muajin Shkurt 2018).
Ndër të tjera kemi marrë disa nominime në Tokio (Japoni) në një konkurrim, ku janë numinuar Montazhi, Muzika dhe Dokumentari, si metrazh i gjatë dokumentar, më i mirë për sesionin e Pranverës 2019, në Top Indie Film Awards. Përveç kësaj “The Perfect Gangster” është ftuar të marrë pjesë në disa platforma festivalesh, ku shfaqen dhe konkurrojnë dokumentare dhe jo vetëm, si në Madrid, (sërish) në Los Angeles, dhe disa qytete të tjera të Amerikës. Amerikanë, ku kemi hyrë, tashmë, në listën e filmave që konkurrojnë. Një nga vlerësimet e fundit është marrë nga një konkurrim për muzikën e filmit, si Muzika më e mirë në Kompeticionin Ndërkombëtar të Muzikës për Film, këtu në Amerikë, një event që ka filluar të bëhet prej pak vitesh.

Ju keni punuar me figura të njohura të botës së kinematografisë botërore si Louis Lombardi, Susan Sarandon, Ralph Muller etj. Si është të punosh me njerëz të tillë të famshëm? Suzan Sarandon është një profesioniste e mençur, me shumë eksperiencë dhe me një thjeshtësi që të bën të ndjesh dhe respekt të veçantë për të. Ajo është nominuar shumë herë për rolet që ka bërë gjatë karrierës së saj dhe ka fituar çmimin Oscar, si Aktorja Kryesore, në filmin “Dead Man Walking”. Ajo pranoi të punonte në një film me buxhet modest (film ku unë punoja si menaxher shesh-xhirimi), në emër të modestisë dhe respektit ndaj punës, profesionalizëm që e dallon.
Të tjerë aktorë, e profesionistë me emër që kam njohur, në punë, më kanë dhënë mundësinë të mësoj më shumë nga profesioni (qoftë për regjinë, aktrimin, apo produksionin, që është një nga pikat e mija të forta sot).

Me Louis Lombardi, Andreë Keagan, e aktorë të tjerë njihemi prej katërmbëdhjetë vitesh, tashmë, që nga dita që kam mbërritur në New York. Kështu dhe me profesionistë të produksioneve të mëdha amerikane, të reklamave, si John Grossman, apo kameramanin e njohur anglez, që ka xhiruar “Snatch”, “Revolver”, “Lock Stock and Tëo Smoking Barrels”, etj, Tim Maurice Jones, (mik i ngushtë i John Grossman), me të cilët kam punuar, dikur, në disa produksione reklamash me buxhete të mëdha në New York.

Ju jeni regjisor filmi si dhe profesor në Akademinë e Filmit në Nju Jork. Sa e vështirë është puna që bëni?
Është e vërtetë. Jap mësim në Akademinë e Filmit të Nju Jorkut, një nga institucionet dhe shkollat amerikane të filmit, më të njohura, në nivel ndërkombëtar. Për sa i përket mësimdhënies, do të thosha që është profesion më vete dhe kërkon shumë përkushtim. Deri tani kam patur fatin të punoj me studentë dhe kolege shumë të talentuar, e të bëhem mentori i disa artistëve që tashmë kanë një emër në industri. Mund të përmend Aleks Monier (aktor me emër në Spanjë, ka filluar karrierën në moshën 15 vjeçare dhe aktualisht punon në filma me aktorë si Antonio Banderas), apo personazhe të njohur të TV Reality në Amerikë, emra të njohur për pjesëmarrjen në evente ndërkombëtare që njihen mirë nga media e shkruar dhe televizive. Puna që bëj më ka dhënë mundësinë të udhëtoj dhe të jap masterklas, për skenar dhe regji edhe në vende të tjera si: Italia, Arabia Saudite, India, etj, ku jap mësim ose ndjek mbarëvajtjen e programeve tona në shtete të tjera (përveç Amerikës). Sigurisht kjo më ka dhënë mundësinë të vendos kontakte dhe të krahasoj punën që bëjmë me produksione të tjera ndërkombëtarë, jashtë Amerikës. Së shpejti do më duhet të nisem për në Kinë ku gjithashtu duhet të jap klasa regjie dhe skenari si pjesë e programit të kinemasë, pjesëtar i institucionit amerikan në Beijin. Prej pesë vitesh punoj në të tilla programe, ndërsa marr pjesë në produksione apo projekte për reklama apo për film, në New York dhe Kanada, ku dikur kam punuar në produksione pranë Pinewood Studios (Toronto, Ontario).

Cili është leksioni më i vyer që i duhet dhënë aktorëve apo regjisorëve të ardhshëm që nuk para praktikohet në Shqipëri?
Kam pasur mundësinë të punoj me disa aktorë nga Shqipëria që i vlerësoj. Gentjan Zenelaj e kam njohur shumë kohë më parë dhe më lënë përshtypje shumë të mirë në punë si dhe me talentin e tij. E njëjta gjë dhe për Rozi Kostanin që është një profesioniste me të cilën ndihesh komod kur punon. Pak kohë më parë punova pak ditë dhe me disa aktorë të rinj që kanë shumë punë për të bërë. Por disa prej tyre spikasin për një plastikë dhe punë interesante për ekranin. Po zë me gojë vetëm mbiemrat e tyre (meqë emrat kam frikë se mund t’ua them gabim), Mehmeti, Toçe, Hodo, Beleri, etj. Nëse duhet vërtet të them diçka për brezin e të rinjve, uroj të mos ma marrin për keq ligjëratën që vijon. Por le ta ndjejnë si një bisedë mes miqsh e dashamirësish në profesion. Do t’u thosha që duhet të punojnë më shumë vetëm në shërbim të personazhit. Vitet e shkollës të përgatisin disi, për të kuptuar profesionin, por eksperienca dhe pasioni për punën të bëjnë të kuptosh më shumë nga misioni i aktorit. Mendoj se rolet që mbeten janë ato ku aktori i jep personazhit diçka jashtë të rëndomtës. Besoj se aktorët me personalitet janë ata që pëlqehen më shumë. Nëse aktori dhe në jetë është njeri i shpëlarë dhe pa fantazi, do ta ketë të vështirë të prodhojë një personazh të spikatur, sado që të përpiqet regjisori për ta drejtuar e për ta ndihmuar në atë krijim. Ky është mendimi im.

Disiplina dhe modestia duhet të jetë pjesë e rutinës në punë për të gjithë ne. Evitohen në këtë mënyrë mosmarrëveshje të kota dhe pakënaqësira që nuk duhet të kenë vend. Aktori është profesion i vështirë dhe kërkues. Është i tillë sepse duhet të pasqyrojë të vërtetën mbi madhështinë apo kompleksitetin e personazhit, të reflektoj mbi humanizmin dhe natyrën njerëzore, punë që aktori duhet ta fillojë duke gjetur diçka te vetja. Gjithçka kultivohet. Rezultatet arrihen vetëm duke qenë i fokusuar, në punën për të krijuar personazhin, larg dembelizmit dhe shterpësisë që mund të krijohet nga ambientet mbytëse ku jetojmë.

Ku çalon kinematografia në Shqipëri sipas jush? Problemet e kinemasë shqiptare janë të lidhura ngushtë me vetë problemet që kanë individët që merren me kinema në Shqipëri. Problemet janë të natyrës profesionale por dhe reflektojnë politika jo favorizuese në një vend ku prodhohen ngjarje çdo ditë dhe mund t’i shtojnë më shumë ngjyra një kinemaje të larmishme. Si rregull duhet të kishim skenarë shumë me vlerë, që nën një regji me vlerë do të jepnin filma tejet interesantë dhe që do të mbeten. Më lejo të bëj një parantezë. Të shkruash skenarë cilësorë kërkon një lloj formimi akademik, në mos, të paktën disa eksperienca të suksesshme me prodhime kinematografike ku praktikohen forma të ndryshme narracioni dhe eksperimentohet. E njëjta gjë dhe për regjinë që kërkon një njohje të psikologjisë dhe të gjuhës së filmit, së bashku me teknologjinë që e lehtëson komunikimin me ekranin.

Një film që të jetë cilësor kërkon një ide interesante të zhvilluar në një skenar të ndërtuar mirë. Teoria se nga një skenar i keq mund të bëhet film i mirë, është bazuar në mendësi të një mediokriteti profesional ( e kam dëgjuar vetëm në Shqipëri këtë shprehje të konfuzuar me shprehjen e Godard që thotë mund të bëhet një film me i mirë nga një libër i keq sesa nga një libër që tashmë ka njohur suksesin… dhe këtë thënie Godard e ka thënë dekada më parë). Skenari cilësor nënkupton personazhe tërheqës, që kane qëllime të qarta dhe janë të gatshëm të përballen me pengesa që do t’i shtyjnë në një zinxhir konfliktesh (që mund t’i përkasin dhe botës së brendshme të personazhit, gjë qe i jep thellësi). Në një mori filmash shqiptar, idetë fillestare janë me interes dhe të bëjnë kurioz, por zhvillohen keq apo nëpërkëmben pa arritur ndonjë kulminacion me interes. Një lloj absurditeti i rrëmben që do të thosha reflekton më shumë shterpësi sesa absurditet.
Shumë nga kritika i shohin këto ide me interes bile dhe i vlerësojnë se vërtet kanë në thelb një fillim të mbarë, në një vazhdim ku personazhet humbasin qëllimin. Një pjesë të këtyre filmave (sidomos disa që kanë fituar dhe çmime) do të ishin më të mirë si filma me metrazhe të shkurtër dhe do pëlqeheheshin më shumë nga publiku që lodhet në mes të filmit dhe mezi i sheh fundin.

Pjesa më e madhe e këtyre ideve interesante përfundojnë të vaketa, në ngjarje të pa formuara mirë, me personazhe aspak të qartë. Kritika dhe mund t’i vlerësojë ato filma për idetë e tyre interesante, por përgjigjen ua ka dhënë publiku që nuk denjon t’i mbajë mend apo t’i pëlqejë.
Si kundërpeshë të këtyre prodhimeve “artistike” me fonde publike, (nga regjisorë që kanë humbur lidhjen me realitetin dhe publikun, nëse e kanë pasur ndonjëherë), shihen gjithashtu dhe produkte komerciale, ku me gjithë amatorizmin, në çdo aspekt të prodhimit, që nga skenari, e deri tek regjia, apo tek montazhi (tejet i paelaboruar), kanë të paktën personazhe që interpretohen nga aktorë që luajnë vetveten dhe e bëjnë publikun të qeshë me to, e t’i ndjekë për origjinalitetin e tyre, që u vjen dhe nga mënyra sesi trajtojnë ngjarjen apo dhe qëllimet që kanë, ata personazhe, në historitë e treguara. Këto lloje prodhimesh, që shihen me tallje nga klani i “kineastëve të regjur”, kanë si qëllim të bëjnë publikun të qeshë dhe të argëtohet. Dhe ja arrijnë qëllimit të tyre shumë mirë. Për këtë edhe duhen përgëzuar. Për sa i përket filmave “artistikë” janë të paktë ata që po punojnë për të dhënë një cilësi të krahasueshme me homologët e tyre nëpër Europë, ndërsa pjesa tjetër karakterizohet nga një shterpësi artistike monumentale, që të irriton.
Jam koshient që do të mërziten kolegë, me komentet e mija për sa më sipër, por nuk mund të pranoj të bëhem palë e hipokrizisë që ka mbuluar rrjetet e kineastëve shqiptarë, prej kohësh. Problemi tjetër që do të nënvizoja është apatia e vazhdueshme e politikës, apo e administratës, për të mbështetur me shumë financiarisht kinemanë, me gjithë të metat e saj ( të meta që shihen në të gjithë vendet e Europës Lindore, por që mund të mënjanohen lehtësisht).

Periudha më e mirë e një politikë administrative pro-kinemasë Shqiptare, ka qenë kur QKK kishte Kryetar Xhevdet Ferin. Kontributi dhe mençuria e tij, (si njohës i shkëlqyer i politikave administrative), bëri të mundur shumëfishimin e fondeve dhe krijimin e një terreni më e përshtatshëm për zhvillimin e eksperiencave kinematografike (për herë të parë buxheti vjetor për kinemanë kapi shifrën gati dy milionë dollarë). Ato politika e nxorën nga balta kinemanë shqiptare, që u fut dhe në euroimazh dhe i dhanë jetë një traditë që duhet të vazhdonte. Pararendës të atij vrulli ishin prodhimet e para cilësore, filmat “Parrullat” dhe “Tirana Viti Zero” që shënuan një kthesë në identitetin e kinemasë shqiptare dhe këtë s’mund ta fshehë askush. Pavarësisht nga kritika, këto dy filma, treguan një Shqipëri tjetër, me vërtetësinë e saj, ashtu siç e kemi njohur, apo e kemi parë realitetin, para dhe pas, rënies së regjimit Komunist në Shqipëri. Një Shqipëri tjetër, dhe e vërtetë, është dhe ajo e parë në ngjarjet e filmit “Falja e Gjakut”, një film që duhet të kishte shkuar si prodhim shqiptar për konkurrim në festival me rëndësi dhe bile mund të siguronte nominimin për çmimin Oskar. Por ata që e penguan procesin, i prenë mundësitë që dhe Shqipëria mund të përmendej më në fund si një vend që prodhon kinema, pavarësisht se filmi ishte me regji të një të huaji (Joshua Mortsen, nga USA). “Falja e Gjakut” i tregoi të gjithë regjisorëve shqiptarë, që po të jesh regjisor i zoti dhe pse i huaj, mund të tregosh ngjarje interesante në një gjuhë dhe në një kulturë që nuk është e jotja. Një shuplakë profesionale për të gjithë kineastët vendas që kanë mangësira pikërisht në atë që Joshua Mortsen diti të bëjë shumë mirë, të tregojë me origjinalitet, një ngjarje të qartë, me personazhe të vërtetë, në një konflikt real dhe të besueshëm.

Uroj vërtetë të shohim më shumë filma të tillë!
Ndërkohë nëse do të duhet të them gjëra të mira për punën e QKK, të viteve të fundit, mund të përmend, si vlerë, përforcimin e platformave promovuese dhe festivaleve, apo pjesëmarrjen e regjisoreve shqiptarë në to, meritë kjo e Ilir Butkës dhe politikës së tij. Uroj që kjo punë të vazhdojë, sepse tashmë rruga është shtruar dhe emri i Shqipërisë ka siguruar një vend në tryezat e bisedimeve, për bashkëprodhime me vende të tjera. Është bërë shumë punë, vërtetë, por nëse shiten problemet me shfajësime, ritmet e arritjeve do të ngadalësohen sërisht.
Cili është projekti juaj i radhës pas nxjerrjes së “The Perfect Gangster 2”?
Aktualisht po punoj për një projekt me titull “Target Number One”, së bashku me disa producentë amerikanë që kanë ftuar në pjesëmarrje dhe disa emra të njohur për kastingun e këtij filmi. Uroj të fillojmë xhirimet, mbase, nga fundi i 2019.
Një tjetër projekt, me titull “1568”, pret të fillojë përgatitjet, në 2020. Filmi trajton ngjarje nga Spanja e shekullit të 16-të. Ky prodhim do të ketë një regjisor me emër në Amerikë dhe një ekip me eksperiencë. Rroli im në këtë projekt është ai i producentit të deleguar.
Ju keni punuar si regjisor dhe në filma të tjerë të njohur si “Out of Touch”, producent në “Back to Q82” dhe keni patur bashkëpunime të shumta me producentë të tjerë. Cili ju ka lënë më tepër mbresa? Kohët e fundit punova si producent në një film kanadez të zhanrit horror. Ingranimi im ka qenë më së shumti në distancë gjatë procesit kreativ (adaptimi i skenarit dhe regjia) kjo dhe për arsye se kam pak interes për zhanrin horror dhe megjithëse filmi “Covenant” ka marrë çmime në festival filmash horror, është mbase një nga prodhimet që me ka tërhequr më pak. Ndryshe nga një film tjetër me titullin “Amok”, një produksion maqedonas, ku personazhet ishin shkruar mirë dhe ngjyrimi i realitetit reflektonte një punë interesante. Dhe në këtë projekt roli im ishte ai i bashkë producentit, një marrëdhënie prodhimi disa vjeçare, e suksesshme, me shtëpinë filmike Dream Factory dhe producentin Ognen Antov, me të cilin jemi dhe miq të mirë. Filmi u vlerësua duke u përzgjedhur në Market Selection në festivalin e Kanës 2017, vit në të cilin siguroi dhe distribucion, në Francë. Në shumë produksione të tjera jam ftuar të punoj si producent në kushte të vështira dhe ja kam dalë të mbyll apo të konsultoj për filma që kanë pasur probleme të mëdha, por kanë mundur të kthehen në suksese komerciale, në vendet përkatëse, falë punës në postproduksion.
Pavarësisht nga pasioni apo dashuria për kinemanë, në punën tonë, rentabiliteti dhe nevoja për të prodhuar një film, që do të arrijë në destinacion, kthehet në një detyrë, ku duhet të jemi gjithmonë profesionalë e kompetitivë për tregun.

A mendoni të vini në Shqipëri për të realizuar ndonjë produksion tuajin me aktorë shqiptarë?
Po, kam planifikuar dhe uroj të bëj një film në Shqipëri. Ngjarja dhe personazhet kanë lidhje me mua dhe të shkuarën time. Nëse do më jepet mundësia të realizoj atë film do të jetë një nga projektet që do të dua vërtetë, ta shoh të marrë jetë në ekran. Të shohim. Sigurisht këtu do të flitej për një bashkëpunim me aktorë shqiptar.

Nëse do të mundeshit, cilin do të përzgjidhnit?
Nëse do të më jepej mundësia dhe do të kisha fuqinë për të zgjedhur aktorë do doja shumë të punoja ( dhe jo vetëm për atë film) me aktoret Ndriçim Xhepa, Xhevdet Ferin, Elia Zaharia, Ardian Cerga, Elidon Alikaj. Janë aktorë që i dua shumë për personazhet që kanë krijuar dhe personalitetin që reflektojnë në ekran.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.