KULTURË

Akademia u jep çmime më të mirëve në shkencë

20:00 - 06.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Akademia e Shkencave po rreket të futet në rrjedhë normale, edhe pse ka kundër opinionin publik. Zgjedhja në krye të saj të Skënder Gjinushit, ka qetësuar qeverinë, por ka shqetësuar publikun që ende i hedh sytë drejt saj, si drejt një institucioni që duhet nderuar. Pikëpyetjet janë ende në ajër, ndërsa memet mbushin rrjetet sociale. Presidenti, ku pritet të dekretohet kreu i ri i Akademisë, ardhur pas 30 vitesh karrierë politike, ende ka heshtur. Në pamje të parë, duket çdo gjë njësoj.




Salla është plot dhe shumë prej të ardhurve janë nominuar për çmimet vjetore, që Akademia ka nisur të japë vitet e fundit. Me pezmin e një institucioni në luftë me gazetarët, prej se kreu i saj ka fyer një prej tyre, duket sikur asgjë s’ka ndodhur. Ose të gjithë sillen kësisoj.
Çmimet
Dje u vlerësuan më të mirët e shkencës. Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Shkencore Kombëtare Vjetore për vitin 2018. Me çmimin e karrierës u vlerësua bashkëthemeluesi i fundit që është gjallë i këtij institucioni, akademiku Luan Omari.

Me motivacionin si: “Anëtar-bashkëthemelues i Akademisë së Shkencave edhe përurues e drejtues i suksesshëm institucional i saj. Përfaqësues i denjë i botës akademike shqiptare, evropiane edhe rajonale, që ka një veprimtari shkencore mbi 6 dekada…”. Çmimi iu dorëzua nga kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi, i cili ndër të tjera u shpreh se: “Është një nga baballarët e ASH, edhe nuk është Akademia, që vlerëson sot këtë çmim, por është profesori, që na nderon duke pranuar këtë çmim. Është një ndër emrat, që do të krenohen brezat”.

Ndërkaq, për bashkëthemeluesin e kësaj akademie, ky çmim është një vlerësim i rëndësishëm, që i bëhet për karrierën e tij, “Jetën time të gjatë, kohën më të madhe e kam kaluar në institucionet shkencore. Kam pas fat të madh të jem pranë njerëzve të shquar, si Eqrem Çabej, Aleks Buda, etj. Është kënaqësi e madhe që të marrë këtë çmim, në fund të karrierës sime. Do të mundohem, që forcat që më kanë mbetur t’ia kushtoj akademisë sonë”,-u shpreh akademiku Luan Omari që merr edhe një vlerësim monetar prej 500 mijë lekësh të rinj. Kujtojmë se Omari, ndoqi dhe drejtoi procesin e zgjedhjeve të dyshimta të datës 24 maj.

Në vijim, me çmimin “Eqerem Çabej” për veprën më cilësore origjinale monografike në shkencat shoqërore dhe albanologjike u vlerësua “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX”, nga një grup autorësh për të cilët u ndaj shuma prej 1 mln lekësh.
Me çmimin “Petrit Radovicka” për veprat apo kërkimet më të rëndësishme në shkencat natyrore edhe teknike u vlerësua vepra “Atlas i Florës së Shqipërisë” e akademikut Jani Vangjeli, me motivacionin: “Një vepër me karakter koleksionues edhe në shërbim të florës shqiptare. E mbështetur në rezultatet e kërkimit në terren mbi bimësinë shqiptare” që mori shumën prej 1 mln lekësh.
Me çmimin “Kërkuesi i ri më i suksesshëm”, për shkencat shoqërore dhe albanologjike u vlerësua “La necropoli meridionale di Phoinike. Le tombe ellenistiche e romane.” nga prof. asoc. Belisa Muka dhe prof. asoc. Giuseppe Lepore me motivacionin: “Bazuar në trajtimin shumëdisiplinorë të të dhënave, rëndësia e këtij botimi shfaqet në paraqitjen e rezultateve të gërmimeve, ekspeditave në nekropolin jugor të qytetit antik të Phoinikes”.

Kërkuesve të rinj, çmimi iu dorëzua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila u shpreh se: “Është shpresëdhënëse që të gjithë të rinjtë t’i hynë rrugës kërkimore, edhe të mos ngelin në sipërfaqen të kërkimit. Serioziteti i tyre na vë edhe më shumë para përgjegjësisë, që të jemi mbështetës”.
Juria e çmimeve përbëhej nga 10 anëtarë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme kërkimore dhe kryesohej nga profesor Etem Lika.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.