BLUETOOTH

Dikur të famshëm… Fundi i rrugëve të bardha (Elida Cangonji)

14:00 - 07.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim:




E futën krejt rastësisht në shesh të xhirimit. Vetëm me një rol të vetëm do të hynte në historinë e kinematografisë shqiptare. Edhe pse nuk do të mund të bëhej dot kurrë aktore. Elida Cangonji kishte zgjedhur një tjetër rrugë, mjekësinë. Si rrodhi jeta e saj pas “Rrugëve të bardha” dhe cilat do të ishin angazhimet e saj jashtë botës kinematografike. “Bluetooth” e ka ndjekur dhe ka zbuluar ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në jetën e saj… që nga divorci e deri tek martesa e dytë me danezin, pas së cilit u dashurua në moshën 40-vjeçare

Që nga ato ditët kur Elida Cangonji do të gjendej krejt rastësisht në shesh të xhirimit, për të hyrë në historinë e kinematografisë shqiptare si vajza që kërkon përmes telave të telefonit Dedën, kanë kaluar shumë vite. E vetmja gjë ç’ka mbetur nga ato kohë është batuta “Alo Dedë”, dhe portreti i saj interesant mbërthyer në celuloid.
Ai portret do të shfaqej tek-tuk dhe në ndonjë film tjetër, pas përfundimit të “Rrugëve të bardha”, por kinematografia nuk do të bëhej gjithsesi pasioni i vetëm i vajzës, që kishte nisur ndërkaq studimet për mjekësi.


Fati i kishte përcaktuar një tjetër rrjedhë Cangonjit. Një rrugë që nuk do të kishte më asnjë pikë lidhje me kinematografinë.
Një histori dashurie që nuk përfundoi dot në fejesë e në martesë, do t’ia ndryshonte gjithë rrjedhën e jetës Elida Cangonjit. Do ta detyronte të tërhiqej deri diku nga jeta e zhurmshme dhe artistike e Tiranës, e t’i nënshtrohej një kurore, të cilën nëse do të kishte qenë në kushte dhe në kohë të tjera, nuk do ta kishte pranuar kurrsesi. Por duke e ditur se një vajzë që kishte nga pas një histori të përfunduar dashurie nuk kishte shumë zgjedhje në ato kohë, vendosi të bëjë atë që kushtet i ofruan. Martesa ishte shpëtimtarja e saj e vetme në këto kohë, kur si të mos mjaftonte ajo histori e shumëpërgojuar, do ta dërgonin me punë në Rrëshen, pas mbarimit të Fakultetit të Mjekësisë. Martesa do të shpëtonte nga transferimi në qytetin e largët dhe nga nami i keq. Por nuk qe e thënë që kjo martesë e stisur të zgjaste gjatë. Në vitin 1984, në një kohë kur dy djemtë e saj ishin shumë të vegjël, më i madhi, Ardiani ishte 6 vjeç dhe më i vogli, Iliri ishte 4 vjeç, Elida Cangonji do të kërkonte divorcin.
Nuk do ta kishte aspak të lehtë ta bënte këtë divorc, sepse ishin kohët kur partia nuk të linte të ndaheshe aq lehtë nga bashkëshorti nëse ai: nuk të dhunonte, nuk të tradhtonte dhe nëse nuk pinte alkool. Bashkëshorti i saj nuk bënte asnjë nga këto, por ajo kishte vendosur të mos jetonte më me të, gjithsesi. Ishte i tëri një vendim i saji, ndaj dhe do t’i duhej të trokiste vetë në dyert e këshillit të lagjes dhe të partisë për t’i bindur drejtuesit, se edhe pse bashkëshorti i saj nuk kishte vese, martesa nuk funksiononte më.
Pasi gjyqi do të vendoste përfundimisht divorcin, dy djemtë do t’i mbeteshin asaj, jeta e Cangonjit nuk do të ishte më aspak e lehtë. Nuk ishte më shumë se 26 vjeç kur iu desh të merrte mbi vete të gjitha përgjegjësitë e një familjeje… ndërsa do të ndeshej gjithnjë e më shumë me gjykimet e shoqërisë. Në të tillë kohë as që bëhej më fjalë që ajo t’i kthehej botës kinematografike. Përkundrazi, pas divorcit ajo do të zhytej edhe më seriozisht në botën e mjekësisë. Edhe pse i duhej të merrej vetë me gjithçka në shtëpi, gjeti kohë për të kryer një specializim për psikiatrinë e fëmijëve, me mbarimin e së cilës do të siguronte dhe emërimin si mjeke në poliklinikën qendrore, ku mund të merrte një rrogë prej 8650 lekësh, që në ato kohë konsiderohej një rrogë shumë e mirë.

***
Por për kohët e reja që do të vinin, një rrogë e tillë sigurisht që do të quhej qesharake. Ndaj dhe Elida Cangonjit do t’i duhej të niste sërish përpjekjet për t’u përshtatur me ekonomikë e tregut. Ishte përsëri një grua e vetme, me dy djemtë që tashmë ishin në një moshë më kritike, njëri 13 dhe tjetri 11 vjeç. Dhe këtë herë do të ndjehej më e pafuqishme se në ato vitet e para të divorcit. Në kohët e trazuara ndjente se e kishte të vështirë të merrej me edukimin e fëmijëve të saj, ndaj falë ndihmës së ca miqve të saj i largoi që këndej. Kështu, Cangonji do të niste jetën prej emigranti në Itali. Por jo për shumë vite. Pasi i sistemoi djemtë andej do të kthehej sërish në Tiranë, sepse nuk donte t’i humbiste vitet që kishte investuar për profesionin e saj. Kthimi ishte vendimi më i mirë që mori, sepse punët do t’i vinin shumë për mbarë. Në 1991-shin u emërua drejtoreshë tek shtëpia e fëmijëve me të meta mendore, një detyrë kjo që do ta nxiste të kryente disa specializime të tjera radhazi, në Francë kryesisht. Afro gjashtë vjet më pas, pra në 1995, ajo vetë do të krijonte Qendrën e Zhvillimit të Fëmijëve, që pak vite më pas do të merrte emrin Departamenti i Shëndetit Mendor, drejtuese e së cilës do të ishte ajo vetë. Në këto kohë të mbara për profesionin do t’i vinte dhe një tjetër mbarësi. Në moshën 40 vjeçare Elida Cangonji do të provonte dashurinë me shikim të parë dhe një martesë të dytë, këtë herë me njeriun që dashuronte vërtetë. I zgjedhuri i saj ishte një danez. Pas një bashkëjetese të gjatë, do të vendosnin të lidheshin zyrtarisht me njëri- tjetrin. Kështu, në 1996, Cangonji do të niste një jetë të re. Ndaj kot nuk thonë, se jeta nis edhe 40 vjeç.

 Ky shkrim u botua më 25 nëntor 2006


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.