KULTURË

Kur Alizotët i shpëtuan jetën Ramiz Alisë gjatë luftës

16:40 - 07.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ylli Polovina – Në 20 dhjetor të vitit të kaluar në po këtë të përditshme, “Gazeta Shqiptare”, botuam një shkrim dyfaqësh mbi disa ngjarje të fshehta dhe deri tani të paditura, të cilat lidheshin, gjatë Luftës së Dytë Botërore, me rolin e prefektit të Beratit për motet 1942-1943, Hasan Alizoti, bir i Fejzi Alizotit.
Dëshmitë qenë marrë në bisedë të drejtpërdrejtë me Abaz Alizotin, djalë i Hasanit, tashmë një tetëdhjetëvjeçar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Herën e shkuar rrëfyem mbi një takim shumë të fshehtë mes Enver Hoxhës dhe kryeministrit Mustafa Kruja (janar 1942-janar 1943). Biseda kokë më kokë mes të dyve, kryer me ndërmjetësinë dhe garancinë e Abaz Fejzi Alizotit në banesën e një komunisti nga Libohova në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, pati përfunduar në mosmarrëveshje të plotë. Saktësojmë se mbështetja që prefekti i Beratit i jepte ato kohë Lëvizjes Nacionalçlirimtare nuk nxitej prej rrethanash që lidheshin me ndonjë bindje politike prokomuniste të tij. Në të kundërt: qe mospajtues me këtë ideologji.




Në shkrimin e dhjetorit të shkuar i kemi rrëfyer lexuesit se ky kurs i qëndrimit të Abaz Alizotit, aspak në përputhje me objektivat e qeverisë që e kish emëruar, vinte prej një detyre të cilën ia kishte dhënë një oficer i lartë britanik. Ky pati zbarkuar fshehurisht me anë të një nëndetëseje në bregdetin e Myzeqesë dhe të dy bashkë qenë takuar sekretisht në Manastirin e Ardenicës.

Lëvizja NÇ, sipas oficerit anglez, ndërsa bisedonin me shpresë të binin dakord, duhej mbështetur fuqimisht sepse luftonte pushtuesit italianë dhe tërë boshtin fashist, aleancën e tyre me nazigjermanët në krye.
Britaniku sqaroi se ky qëndrim përkrahës do të ish tranzitor, i përkohshëm, vetëm taktik
Prej këtyre rrethanave u kushtëzuan, siç treguam në shkrimin e herës së kaluar, përpjekja e Abazit, madje me vetë të atin, Fejziun, për të shpëtuar nga burgimi politik në Berat Alqi Kondin, të ngarkuarin e PKSH-së për punën me rininë në këtë qytet. Po ashtu, i paraqitëm lexuesit historinë e një bisede të refuzuar nga Fejzi Alizoti, pak minuta para se të ndodhte, midis tij dhe Miladin Popoviçit. Herën e shkuar spikatëm edhe kontaktimet e prefektit Hasan me drejtues lokalë të rezistencës së armatosur antifashiste komuniste dhe jo si Kahreman Ylli, Mestan Ujaniku, Gjin Marku, Zylyftar Veleshnja, Ramiz Aranitasi.

Ndërkohë në këtë shkrim të sotëm, përmbledhur më shkurt, do t’i përkushtohemi dy episodeve të tjera të panjohura deri tani për historinë kombëtare. Burimi i informacionit kryesor është sërish ai i bashkëkombësit tonë në SHBA, Abaz Fejzi Alizotit.
Ndërkaq, të dyja ngjarjet janë verifikuar nga autori prej burimesh gojore vendëse dhe të shkruara, pjesërisht tërthorazi, por që të japim besim mbi të vërtetën e asaj që na ka kumtuar Abazi. Shënojmë se i ati i tij, i lindur në 1900, jetoi deri në motin 1978 dhe kemi gjetur një pikë të dytë, person, të cilit ia ka pohuar çfarë i ka thënë edhe të birit.

LOJA ME SINJALIN E TRE ZJARREVE
Komanda ushtarake italiane, e vendosur në kazermat e Uznovës në Berat, në fund të pranverës 1943, pas disa disfatave që kishte pasur për ta shfarosur qëndresën e armatosur kundër tyre, vendosi të bënte një operacion të madh spastrimi në krahinën e Therepelit. Në mbledhjen planizuese tepër sekrete, duke qenë se ishte brenda detyrave dhe kompetencave të tij të ngarkuara nga qeveria e Tiranës si edhe nga vetë mëkëmbësi italian në Shqipëri, mori pjesë prefekti Hasani.
Pasi u vendos edhe data e ora e fillimit të operacionit ndëshkimor, u shtua me këtë rast edhe një veprim plotësues. Nga ajri njësitë partizane dhe territoret mbështetëse të tyre jo vetëm do të qëlloheshin me mitralozë, por prej avionëve ushtarake do t’u hidheshin edhe bomba. Meqë do të ish prag mbrëmjeje, kjo lypte saktësim të qartë të vendndodhjes së trupave italiane në mënyrë që mbi to të mos binte asnjë cifël predhe.

Për këtë qëllim, për t’i ndihmuar pilotët të mos gaboheshin, u ra dakord që komanda ushtarake italiane në territorin e trupave të saj të ndizte tre zjarre të mëdhenj, të dallueshëm lehtësisht jo vetëm prej flakëve, por edhe tymit. Kështu avionët italianë duhej të qëllonin me mitralozë dhe t’i hidhnin bombat në krahun tjetër, ku ishte zona e errët.
Këtë kod sinjalesh Hasan Alizoti ia dha Gjin Markut, kështu që tre zjarret mbrojtës u përflakën më shpejt në hapësirën ku ndodheshin partizanët dhe vetëm më pas, pas hutimit, tek italianët. Por hataja ndodhi: shumicën e bombave pilotët nisën t’i lëshonin mbi trupat e tyre.
Abazi në bisedën e disa muajve më parë pohon se pasojat e kësaj vetëkërdie, edhe pse fëmijë i vogël, i ka përjetuar personalisht në Berat, duke i parë nga dritarja e shtëpisë, e cila ishte buzë rrugës kryesore. Poshtë saj ecnin të shpartalluar si mos më keq, me uniformat shqyer, italianët, tek shkonin pa mundur dot të qëndronin në rresht për të shkuar drejt vendndodhjes së garnizonit të tyre në Uznovë.

Ngjarja e rëndë u hetua menjëherë nga italianët dhe u hamendësua se nxjerrësi i sekretit të tre zjarreve duhej të qe i vetmi shqiptar i ndodhur në topmbledhje, prefekti. Pas fillimisht krijimit të dyshimit, veçanërisht Shërbimi i Fshehtë Ushtarak Italian, SIMI, ishte mëse i bindur që tradhtuesi qe Hasan Alizoti. Kështu vendosën vrasjen e tij me anë duarsh të tjera, larg Beratit.

I nisën izolimin. I vunë roje të shumta, gjoja për siguri, në hyrje të godinës së prefekturës. “Të mos hyjë njeri!”, bërtisnin këta italisht. Atëherë Hasani foli në telefon me kryeministrin Eqrem Libohova dhe me të atin, Fejziun dhe ata e këshilluan të largohej sa më shpejt nga Berati e të rikthehej në Tiranë. Kështu u organizua me dy kamionë të mbushur me shqiptarë, skraparllinj kryesisht dhe morën rrugën për në kryeqytet.
Rrufeshëm italianët e gjetur në befasi nga kjo lëvizje e Hasan Alizotit lajmëruan bashkëpunëtorin e tyre të punëve më të zeza, Isa Toskën. I thanë t’u dilte në rrugë, para Urës së Kuçit, dy kamionëve me të vetët dhe t’i asgjësonte me armë. Por këtë pritë e mori vesh kryetari i komunës Fier-Shegan, një karbunaras, Ahmet Shehu, mik i Fejzi Alizotit. Ky mori forcat e tij dhe shkoi tek Ura e Kuçit. I tha Isa Toskës “Ik, se ndryshe këtu vete gjaku gjer në gju”!
Krimineli i njohur i mori të vetët dhe iku. Nuk e zbatoi porosinë që i dhanë italianët, ata që edhe e patën armatosur deri në dhembë.

RAMIZ ALIA, I MBROJTUR NGA PREFEKTI
Vetëm pak ditë më parë se të ndodhte ikja e Hasan Alizotit për në Tiranë dhe historia ndërkohë do të regjistronte dorëheqjen e Benito Musolinit në Romë dhe shumë shpejt këtë ngjarje do ta pasonte edhe kapitullimi i Italisë, në Berat u kryen disa arrestime dhe vrasje me të pabesë të antifashistëve komunistë më të spikatur, mes tyre edhe të disa emrave të njohur si Margarita dhe Kristaq Tutulani, Kristaq Capo po ashtu, të tjerë. Ishte goditja më e madhe që autoritetet fashiste të pushtimit i dhanë njërës prej qendrave më të mëdha të rezistencës në Shqipëri, siç qe ky qytet.
Prej operacionit të rrufeshëm të arrestimeve, më pas edhe të pushkatimeve pa gjyq, një pakicë qëndrestarësh mundën të shpëtojnë, mes tyre edhe Ramiz Alia, i cili, i dërguar nga Tirana, ishte i ngarkuari i PKSH-së për rininë. Si ia doli të mos binte pre e karabinierëve të stërvitur për gjurmime dhe prangosje të kundërshtarëve të regjimit ka mjaft variante. Njërin prej tyre e rrëfen edhe vetë Alia në librin e tij të kujtimeve “Jeta ime”.
Në të pasi thotë se në Berat ishte që “nga gjysma e muajit prill deri në fund të muajit qershor 1943”, saktëson “isha gjysmë ilegal”. Më tej Ramiz Alia shkruan se, “për të mos rënë në sy të policisë fashiste, detyrohesha të mos rrija gjithnjë në të njëjtën bazë”. Pastaj: “…në fund të muajit qershor, vetëm dy muaj e gjysmë pasi gjendesha në Berat, rreziku i arrestimit u bë konkret. Në ditën e fundit të qershorit, autoritetet fashiste shpallën shtetrrethimin e qytetit, ndërsa policia u lëshua nga të katër anët për të arrestuar kuadro drejtues të Partisë dhe të Rinisë, si edhe aktivistë të tjerë të Lëvizjes”.


Për arrestimin e Kristaq dhe Margarita Tutulanit, Alia shkruan se, “Ata qëndruan në qytet dhe u strehuan në baza të sigurta, të njohura prej tyre. Megjithatë pas disa ditësh, policia arriti t’i zbulojë se ku fshiheshin ata dhe i arrestoi. Më 7 korrik, duke i transferuar nga Berati për gjoja në kampin e përqendrimit në Porto Romano, rrugës, në afërsi të Kavajës, pushtuesit fashistë i vranë mizorisht”.

Ndërkaq, në libër nuk ka asnjë rresht për një rrethanë tjetër, rreth të cilës Alia nuk foli dhe shkroi asnjëherë. Sipas Abaz Alizotit, i ati i tij, prefekti Hasan, që kur i ngarkuari për rininë i PKSH-së u nis për në Berat, mori prej udhëheqësve të saj porosinë për ta lehtësuar të vepronte dhe njëkohësisht ruajtur prej goditjes së italianëve. Kështu, ai thirri një shkrues publik të qytetit dhe i besoi Ramiz Alinë si me gjoja statusin e të punësuarit në zyrën private të këtij. Në atë pozicion i riu komunist do të qe formalisht dhe shkruesi publik nuk duhej t’i kërkonte llogari se ku ndodhej. Ndryshe, rrëfen Abaz Alizoti, prefekti i pati thënë: “Po e hape gojën, do të të ikë koka”!
Nga thëniet e të atit, Abaz Alizoti mban mend se ky shkrues publik e kishte mbiemrin Gallani dhe nuk mund të jetë tjetër njeri veç Vangjel Gallanit, i cili këtë kohë qe avokat dhe kishte me të vërtetë një zyrë në qendër të qytetit të Beratit.

Ndërkohë, duhet thënë se kur ndodhën arrestimet e krerëve të rezistencës së Lëvizjes Nacionalçlirimtare në qytet, Hasani nuk ndodhej këtu, por me një vizitë pune në Romë. SIMI, i cili këtë kohë rezulton që ia njihte prefektit punën e fshehtë dhe e mbante të izoluar sa të mundte, goditjen e kishte dhënë kur ky nuk ndodhej. Kur Hasan Alizoti u rikthye nga Roma mbeti i tronditur nga çfarë i kishin punuar në pas shpine dhe shkoi që të nesërmen në burg. Atje fashistët ende mbanin ende të arrestuar shumë veprimtarë të tjerë të rezistencës. I takoi të gjithë një për një e qeli për qeli. Ata nuk kishin bërë gjeste të rënda ndaj trupave të pushtimit, por kryesisht “gjëra rinie”, veprime më shumë romantike. Dha urdhër dhe u liruan të gjithë.

Kjo bëri bujë dhe pas kësaj ndodhie vijon kronologjikisht episodi i pritës në buzë të Urës së Kuçit, të cilin e treguam më parë.
Si i rrodhi jeta prefektit Hasan Alizoti dhe familjes së tij të internuar pas çlirimit si edhe të atit, Fejzi, të cilin edhe pse qe shumë plak e pushkatuan pas Gjyqit Special, në 13 prill 1945, bashkë me 16 të tjerë, e kemi rrëfyer në “GSH” në shkrimin e 20 dhjetorit 2018.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.