KULTURË

“Kam veshur rrobat e dy grave që u përdhunuan e po tregoj historinë e tyre”

15:11 - 30.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Siç edhe thotë fjala e popullit “pa u futur në rrobat e tjetrit, nuk mund t’ia kuptosh dhimbjen”, ashtu unë gjatë shfaqjes ‘Bisha në Hënë’ me plot dhimbje dhe emocion u futa në rrobat e femrave shqiptare të përdhunuara nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Meqë roli që interpretoj në këtë shfaqje, ai i Seta Tomasian është viktimë e gjenocidit, përdhunimit dhe plot dhimbje lufte, unë kam vendosur që kjo vajzë të shfaqet në skenë e veshur me rrobat e atyre grave shqiptare, që e përjetuan të njëjtën dhimbje gjatë luftës në Kosovë”. Vloras Nikçi është njëra prej aktoreve që luan në shfaqjen “Bisha në hënë”, vënë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.




Rrëfen se gjatë lojës mban të veshur fundin e një vajze të re dhe shaminë e një gruaje, shenja këto që këto gra i ruajnë me kujdes si shenja shprese për t’i dhënë kuptim jetës. “Është shumë e vështirë dhe shumë emocionuese për mua, si aktore, si njeri, si grua të futem në rrobat e këtyre grave, që çdo ditë janë në sallë, përballë meje, duke më shikuar me sy të trishtuar. Mua nuk më duhen emrat e këtyre grave, mua më duhet që roli i Seta Tomasian të flasë me gojën e tyre. Neve nuk na duhen emra, neve na duhet të dëgjojmë dhimbjet e tyre dhe të shërojmë shpirtra. Dhimbja, dhimbja është ajo që e gris zemrën e njeriut”, – thotë aktorja.
Kur autori amerikan Richard Kalinowski shkroi veprën “Bisha në Hënë”, ai përshkruante dhimbjen e popullit të vet, armenëve. Por e vënë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, recitimi i aktorëve duket se përshfaq luftën e Kosovës.

Shqiptarët dhe armenët kuptohen përmes dhembjes. Nëpërmjet tekstit të dramaturgut Richard Kalinoski shpaloset edhe rrëfimi për tragjedinë që e përjetoi populli i Kosovës në luftën e fundit. Derisa në njërin skaj të Perandorisë Osmane doli një gjysmë Shqipëri e pavarur, historia armene nga viti 1915 e tutje do të bëhej rrëfimi tragjik i një populli, që i pari u përball me metodat moderne të shfarosjes. Por vuajtjet armene sikur kuptohen më mirë se gjetkë në Kosovë, ku shqiptarët në kapërcyell të shekujve u përballën me një përvojë të ngjashme. Aktorët që interpretojnë në shfaqje janë të mbijetuar të luftës dhe pjesë e këtij projekti teatror është edhe viktima e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman. Historia zhvillohet rreth tri personazheve fatkeqe që kanë humbur gjithçka nga lufta, gjithçka përveç një simbolike që te të tre është një provë nga e kaluara. Xhaketa, monedha e artë dhe kukulla prej leshi janë të vetmet gjëra që personazhet kanë trashëguar nga koha e luftës dhe për secilin prej tyre, kjo dhuratë simbolizon diçka të ndryshme. “Bisha në Hënë”, pas premierës, u vlerësua si shfaqje që duhet parë nga audienca.
Nën hijen e hënës që qe vendosur në fund të sallës, regjisori Butrint Pasha inskenoi në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar historinë e tre jetimëve të luftës që krijuan një familje së bashku.

Frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë, si tragjedi e një populli të porsadalë nga lufta për liri, “Bisha në Hënë” tregon jetën e një çifti armen, refugjatë në SHBA. Seta dhe Aram janë dy energji të kundërta polare, që kanë një përvojë tragjike të përbashkët. I mbushur me humor, ironi dhe surprizë të butë, tregimi i tyre është një histori universale e shpresës, shërimit, shpengimit dhe më në fund, dashurisë. Regjisori Butrint Pasha planifikon që kjo shfaqje të udhëtojë edhe nëpër vende të ndryshme jashtë Kosovës.
Si popull autokton, pjesë e një qytetërimi dhe kulture vibrante, armenët u bënë viktima tragjike e të “sëmurit të Bosforit”, eufemizma e përdorur nga evropianët për Perandorinë që po jepte shpirt. Thuajse mbi një milion e gjysmë armenë do të t’i nënshtroheshin procesit të shfarosjes, dëbimit dhe keqtrajtimeve të pashembullta. Historianët përmendin sesi ministri osman i luftës, Enver Pasha urdhëroi ushtrinë të vriste armenë, një fushatë që shumë shpejt do të përfundonte në një politikë të vetëdijshme për të shkatërruar një popull të tërë.
Derisa në njërin skaj të Perandorisë Osmane doli një gjysmë Shqipëri e pavarur, historia armene nga viti 1915 e tutje do të bëhej rrëfimi tragjik i një populli, që i pari u përball me metodat moderne të shfarosjes. Por vuajtjet armene sikur kuptohen më mirë se gjetkë në Kosovë, ku shqiptarët në kapërcyell të shekujve u përballën me një përvojë të ngjashme. Shfaqja “Bisha në Hënë”, e dhënë premierë të enjten në Teatrin Kombëtar të Kosovës, solli një përjetim të dyfishtë të gjëmës armene.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.