KULTURË

Shkëlqim Abazi: Kam lindur në një stallë lopësh dhe i kam mbijetuar Spaçit

18:00 - 30.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në moshën 16-vjeçare, Shkëlqim Abazi nga Berati, ishte një nga të burgosurit më të rinj të burgut të Spaçit; një burg me punë të detyruar në veri të Shqipërisë.
I ndërtuar në një faqe kodre të pjerrët, burgu i Spaçit bënte që të burgosurit të punonin me orë të gjata në kushte të rrezikshme pune, duke gërmuar bakër dhe pirit në miniera të thella ku temperaturat varionin nga nën zero deri në 40 gradë celsius. Vdekja nga uria nuk ishte e rrallë. Të burgosurit ushqeheshin në sasinë minimale që duhej për të përballuar punën e rëndë. Rojet e burgut aplikonin abuzim sistematik për të dobësuar gjendjen psikologjike të të burgosurve. Të burgosurit bënin punë të rëndë ditë për ditë duke mbushur vagonë me mineralet e rënda. Në qoftë se ata nuk arrinin normën ditore, atëherë dënoheshin mizorisht duke variuar nga lidhja me tel në shtylla elektrike, e deri në një muaj në birucë.




Edhe sot, në moshën 68-vjeçare, mbas pamjes së përmbajtur dhe gazmore të Shkëlqimit, fshihen provat e persekutimit ndaj të burgosurve të kampit. Ai është i verbër në njërin sy dhe i shurdhët në veshin e majtë; shumë nga gishtat e tij janë të dëmtuar dhe brinjët i ka të thyera.
Shkëlqimi protestoi për shkatërrimin e kishave dhe xhamive kur Shqipëria e shpalli veten vend ateist në marsin e vitit 1967. Ai u përplas me oficerë të Sigurimit të Shtetit gjatë këtyre protestave, por nuk u arrestua deri një vit më pas me akuzën e agjitacionit, propagandës dhe përpjekje për arratisje nga Shqipëria.
Si i burgosur, ai dëshmoi ekzekutimet dhe torturat psikologjike dhe fizike të shkaktuara ndaj shokëve të tij, të cilat i cilëson si “tortura brenda torturave”. Por Shkëlqimi thotë gjatë rrëfimit të tij për projektin “Edhe muret kanë veshë” se besimi në Zot i mundësoi të mbijetonte në rrethana kaq të pashpresa dhe të tmerrshme.
Sot ai është i martuar, baba i 3 fëmijëve dhe autor i disa librave. Shkruan pa kursyer asnjë detaj mbi eksperiencat e tij në këto kampe. Ai thotë se shkruan në mënyrë që t’i lërë këto histori mbrapa për gjeneratat e ardhshme.

RRËFIMI I TIJ
“Unë kam lindur në 23 dhjetor, 1951. Numri 23 më ka ndjekur përgjatë gjithë jetës sime.
Kam lindur në një stallë lopësh. Jo se mamaja ime donte të më lindte aty, por kështu ishte fati. Në një anë ishte lopa jonë, Molla dhe në anën tjetër isha unë. Lopa lindi viçin e saj dhe nëna ime më lindi mua.
Çdo gjë e keqe që më ka ndodhur në jetën time, më ka ndodhur në datën 23. Në 23 më çuan në Spaç dhe në 23 janë ekzekutuar 4 nga shokët e mi…
Hetuesit ishin një makth i vërtetë me torturat e tyre psikologjike dhe fizike që varionin nga kërcënime, ofendime, sharje, kërcënime me jetë e deri tek abuzimi fizik si psh., kur më prangosnin këmbët dhe duart për periudha të gjata kohore, ndërkohë që më rrihnin me shkop druri pasi më kishin mbushur zorrët me rërë.
Si rezultat i këtij abuzimi, sot mbas 50 vjetësh, kam një plagë në ballë, e cila më ka lënë të verbër në njërin sy, të shurdhët në një vesh, disa brinjë të thyera dhe gishta të traumatizuar.
Dita e një të burgosuri mund të përmblidhet në pak fjalë: Bilbila, dhunë, punë, apele.
Vetëm besimi në Zot dhe besimi se një ditë e mira dhe e drejta do të triumfonin dhe që komunizmi do të binte, më motivonin dhe më shtynin që të mbijetoja në burg. Kjo është e vërtetë për mua dhe për qindra shokë të mi bashkëvuajtës.
Sa për historinë e familjes sime, nuk ndryshon shumë nga historia e mijëra e mijëra familjeve të tjera shqiptare. Por gjëja më e rëndësishme ishte ndjenja e përkatësisë ndaj një kombi etnik, i cili ishte kundër axhendës komuniste dhe internacionaliste.
Ka pasur një episod me shokun tim Ram Tahirit nga Rugova. Kur takoi nënën e tij, që erdhi për ta vizituar nga Kosova, ajo i tha birit të saj: “S’e kemi fort dertin tand, sepse vërtetë të kanë futur në burg, por të kanë shti vllaznit e tu, që mishin t’a hanë, por ashtin ta rujnë. Ç’kena me i ba tjetrit që e kanë dnue serbët në Goli-Otok?”, të cilat sollën përgjigjen epike të Ramës që i kushtoi një muaj izolim në birucë.
Shokun tim Rama e kanë hedhur në një biruce të izoluar, sepse bëri ca komente negative për Enver Hoxhën, e krahasoi me një ujk. Ai ka thënë: “Ujku të paktën i lë kockat, por Enveri i ha dhe ato!”.

Ai i hëngri me të vërtetë ato kocka, pasi me qindra vdiqën në burg. Edhe sot që po flasim ka shumë trupa që nuk janë gjetur.
Katër nga shokët e mi më të mirë, dy nga të cilët i kam pasur shumë afër, janë ekzekutuar në revoltën e Spaçit. Edhe sot, familjet e tyre nuk e dinë se ku gjenden kockat e tyre. Më trishton shumë kur dëgjoj që Gjilani donte të ndërtonte një statujë për Enver Hoxhën. Ne kemi shumë heronj që e meritojnë t’u bëhet statujë; jo një, por shumë! Ju tregova vetëm një fragment të jetës sime… Kam shumë e më shumë të tjera, sepse pata shansin që të isha i burgosuri më i ri; jo prej politikës, por prej kohës.
E vetmja gjë që di të bëj është të shkruaj. Shkruaj kur nuk jam në humor të mirë.
Çdo ditë mallkoj këtë qeveri për 4 orë. Në qoftë se nuk e mallkoj këtë qeveri për 4 orë, nuk mund të shkruaj…
Një profesor mori përsipër përgjegjësinë që të publikonte librat e mi. I kam shkruar këto histori që t’i lë pas, jo që t’i marr me vete.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.