AKTUALITET

Video/ Basha: Zgjedhjet ilegjitime, 85% e shqiptarëve duan ndryshim

09:50 - 02.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Lideri i opozitës, Lulzim Basha, paralajmëroi dje se beteja kundër Edi Ramës nuk do të ndalet, por do të vijojë me të gjitha mjetet, pasi sipas tij, 85% e shqiptarëve duan ndryshim. Z.Basha edhe gjatë ditës së djeshme në zyrën e tij në selinë e partisë mblodhi figurat kryesore të PD-së për të analizuar të gjitha faktet, që strukturat kanë mbledhur nëpër të gjithë vendin për parregullsitë e procesit të 30 qershorit; të dhëna që u janë raportuar në mënyrë periodike faktorit ndërkombëtar. Në selinë e PD-së ishte edhe ish-kreu i kësaj partie, Sali Berisha, i cili shmangu komentet për 30 qershorin. Më pas, kreu demokrat, Lulzim Basha mblodhi aleatët për vijimësinë e aksionit opozitar, ndërkohë që në darkë doli para mediave ku akuzoi se zgjedhjet e 30 qershorit ishin ilegjitime dhe se Edi Rama duhet të hetohet nga drejtësia, pasi thelloi krizën politike në vend. Kryedemokrati tha se qëndrimi i opozitës në raport me Ramën nuk ka ndryshuar. Ai kërkoi hetimin e tij e të gjithë zyrtarëve të përfshirë në vjedhjen e zgjedhjeve.




“Qëndrimi ynë për Edi Ramën nuk ndryshon. 30 qershori tregoi se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Lulzim Basha. Sipas tij, 30 qershori ishte një mesazh për ndryshim dhe PD-ja do ta sjellë këtë ndryshim për shqiptarët. “Edi Rama doli më i vetmuar dhe më i dobët nga 30 qershori. 30 qershori zbuloi fytyrën e vërtetë të Partisë Socialiste të shkatërruar nga Edi Rama. Ajo është parti që tashmë e mbështesin vetëm për para. Ca për para krimi, ca për para tenderash dhe koncesionesh, ca për paratë e rrogës. Edi Rama e ka katandisur PS-në në parti rrogëtarësh, parti mercenarësh, parti banditësh. Përballë saj qëndrojmë ne si një parti e njerëzve, një parti e mendjeve dhe e zemrave. Ne na bën bashkë aspirata për ndryshim, aspiratë për Europën. Ata i bën bashkë paraja, aspirata për karrigen. Qëndrimi juaj në 30 qershor ishte një mesazh për ndryshim. Me qëndrimin tuaj, ju e bëtë të pashmangshëm ndryshimin. Kjo është tashmë sfida jonë. Ne, Partia Demokratike e gjithë opozita e bashkuar, bashke me ju duhet të projektojmë dhe sjellim ndryshimin që ju doni”, deklaroi kreu i PD-së.

Raporti
Duke komentuar gjetjet e raportit paraprak të OSBE-ODIHR, Basha tha se votimet ishin të paligjshme dhe tani ky është fakt i pranuar nga të gjithë. Kreu i opozitës, Lulzim Basha deklaroi se pas zgjedhjet të 30 qershorit, opozita doli më e fortë dhe më e bashkuar. Basha bëri me dije se gjetjet e OSBE-ODIHR nxorën qartë se këto votime nuk ishin në interes të qytetarëve. Ai tha se demokratët bën të mundur që të dështojë plani i Edi Ramës. “OSBE-ODIHR dha gjetjet paraprake, 30 qershori nuk ishte në interesin e qytetarëve shqiptarë. Votime pa zgjedhje. Përjashtim i padrejtë i opozitës nga administrimi dhe monitorimi i zgjedhjeve. Mosfunksionim gjykatash. Vendime të gabuara të KQZ-së. Marrje e kompetencave të Gjykatës Kushtetuese dhe probleme të tjera serioze. Demo-kratët, opozitarët, shqi-ptarët e thjeshtë ia dështuan planet Edi Ramës. Votimet ishin të paligjshme dhe tani ky është fakt i pranuar nga të gjithë. Farsa dështoi. PD doli më e fortë dhe më e bashkuar nga 30 qershori. Opozita doli më e fortë dhe më e bashkuar nga 30 qershori. Të gjithë së bashku si qytetarë jemi sot më të bashkuar se kurrë më parë dhe më të fortë se kurrë më parë. Edi Rama doli më i vetmuar dhe më i dobët nga 30 qershori”, theksoi z.Basha.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.