BLUETOOTH

Dikur të famshëm… Kush ishte vajza që tronditi festivalin e ‘82-shit? Kënga e sprasme e Marina Grabovarit

14:00 - 03.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim:




Vajza që tronditi festivalin e ‘82-shit me këngën “Një djep në barrikada” (të Avni Mulës), sot punon mësuese në Liceun Artistik të Tiranës. “Bluetooth” ka rënë në gjurmët e Marina Grabovarit, për të kujtuar edhe njëherë historinë e saj të çuditshme. Që nis me natën që e bëri të famshme …

Këndoi një këngë himn për komunistët. Mori çmimin e parë të festivalit të vitit 1982, sepse suksesi i saj ishte i padiskutueshëm. Që në natën e pare, kur do të shfaqej në skenë për të kënduar “Një djep në barrikada” të Avni Mulës, Marina Grabovari do të cilësohej si zbulimi dhe mrekullia e festivalit.
Pas asaj nate, askush nuk do të kishte pikën e dyshimit se ajo do të bëhej një Vaçe Zela e dytë e Shqipërisë. Por nuk do të ndodhte aspak kështu. Pas atij shkëliqimi, Grabovari do të zhdukej nga skena dhe ekrani. Për të vijuar një jetë tjetër, krejt ndryshe nga ajo që i ofruan e ia mohuan njëherazi. Për arsye që nuk dihen,-ca zëra thanë në ato kohë se ajo nuk e kishte kënduar me seriozitetin e duhur këngën për komunistët – Marina Grabovari u tërhoq nga bota e artit, për t’u bërë një mësuese e thjeshtë e ciklit të ulët. Punë që kryen edhe sot e kësaj dite në Liceun Artistik të Tiranës.
Nxënësit e ndoshta dhe një pjesë e mirë e kolegeve të saj, nuk e dinë se njëherë e një kohë ajo ishte Marina Grabovari, që do të nxirrte krye nga hiçi për t’u bërë e famshme sa hap e mbyll sytë.

Gjithçka do të niste nga nata e fundit e provave gjysmëfinale për festivalin e ’82-shit. Bjondja e imët e veshur me një fund të zi stofi, këmishë të bardhë e me një triko sipër saj dhe me një palë këpucë pak më të mëdha se këmba e saj, sigurisht që nuk do t’ua tërhiqete menjëherë vëmendjen muzikanëve që po merreshin me festivalin, edhe pse ishte e shoqëruar nga Avni Mula. Krejt indiferentë, organizatorët dhe muzikantët as që e kishin ndërmend t’i kushtonin ndopak vëmendje vajzës, por iu bindën megjithatë dëshirës së Mulës për ta dëgjuar interpretimin e saj. E ndërsa Marina Grabovari do të niste të këndonte “Një djep në barrikada”, muzikantët nuk mund të ishin më aq indiferentë. E ndjenë menjëherë se ajo do të ishte çudia e festivalit. Dhe ashtu ndodhi vërtet. Kënga u vlerësua me çmimin e parë dhe ky çmim iu dha pikërisht asaj vajzës imcake që do të trondiste skenën. Media, kritika u shprehën të bindur pas natës së fundit të festivalit se sapo ishte zbuluar një mrekulli. Por si të kishte qenë një prej atyre mrekullive që rrëfehen në përrallën e Hirushes, edhe Marina Grabovari do të zhdukej si t’i ishte prishur magjia, jo pas orës së fundit të festivalit, por ca ditë më pas.
Një javë pas atij festivali do ta ftonin në një koncert që organizohej në Korçë. Pak ditë më pas kënga “Një djep në barrikada” do të xhirohej tek Varrezat e dëshmorëve për t’u trasmetuar si klip- siç mund të quhet në gjuhën e sotme interpretimi në natyrë i këngëve në ato kohë. Pas kësaj, Grabovari do të merrte pjesë dhe në festivalin e interpretuesve të rinj me këngën “Mesnata”, ku do të vlerësohej me çmimin e dytë. Kaq.
Pastaj nuk do të ndodhte më asgjë. Ylli i saj do të shuhej po aq shpejt sa dhe u ndez.
Dyert do t’imbylleshin kudo derisa ajo vetë do të merrte një vendim: të largohej për fare nga skena. Marina Grabovari nuk u pa më askund. Kishte marrë ndërkaq një tjetër vendim: të niste studimet e larta në Ciklin e Ulët, të bëhej mësuese e të ndjehej kështu përfundimisht e çliruar nga lufta e egër që bëhej brenda botës së artit. Por nuk qe e thënë që t’i ecte mbarë dhe në atë jetën që kishte zgjedhur të bënte larg famës dhe zhurmës artistike. Për katër vite me rradhë- ndërsa ende nëpër rrugët e Tiranës do ta shquanin që nga larg si atë bjonden bombë që çuditi gjithë dynjanë- Marina Grabovari do të punonte si mësuese fshati, në një zonë të thellë që ndodhej pas malit të Dajtit, gati një orë e gjysmë larg nga Tirana. Ndërsa në vitin 1988 fati do të niste t’i ndriste ngapak. E emëruan mësuese në Liceun Artistik të Tiranës, ku gjendet edhe sot e kësaj dite, e ku siç duhek arriti më në fund të gjejë paqen e munguar. E kanë ngacmuar jo pak herë të rikthehet në një formë apo në një tjetër në ekran- ftesa më tunduese ka qenë ajo që Grabocka i bëri për “12 ëndrrat e një nate vere”, ajo që iu bë për “100 këngët e shekullit”, ku u rikujtuan shumë perzonazhe të së shkuaës, por ajo ka thënë gjithmonë një “Jo” të prerë. Jo vetëm pse nuk ka dashur të prishë qetësinë ku është zhutur prej vitesh, por edhe pse ka qenë e bindur se nuk do të mund të gjejë në spektaklet e këtyre kohëve atë terren që do t’i duhej asaj për t’u rikthyer me atë energjinë që kishte kur e larguan. Ndaj vazhdon të ngrihet çdo mëngjes, duke respketuar ritualin e zakonshëm të gjithë këtyre viteve: Lice, një kafe me koleget e punës tek “Ambasadori” dhe pastaj pak kohë për veten dhe familjen e saj.

Ky shkrim u botua më 4 nëntor 2006


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.