KULTURË

YLLJET ALIÇKA/ Romani i ri, (auto)ironi me intelektualët e 1990-s

21:56 - 07.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Mes dy kohësh të ndara si me thikë, diktaturës dhe demokracisë, ka pasur një kohë të ndërmjetme, ku secili përpiqej të gjente dhe të ruante pozicionin e duhur mes gjurmës që duhej lënë në histori dhe autocensurës për të ruajtur kokën. Të ardhmes, nuk i dihej. E shkuara ishte aq e frikshme sa nuk dihej nëse kishte shkuar ende.
Mes kësaj pasigurie që nuk dihej ku anonte, ndokush e pat gjetur veten në një fazë që Ylljet Aliçka në romanin e ri “Metamorfoza e një kryeqyteti” e quan trimëri me hope. Të tjerë, qenë strehuar duke pritur stuhinë të kalonte. Antikonformistët dhe guximtarët e çartur, patën rrezikuar dhe patën rënë në “revolucion” dhe tashmë të gjithë e kishin të qartë se cili ishte çmimi i lirisë. Përtej kësaj tabloje të thatë, jetët njerëzore lëkundeshin, karakteret tkurreshin, individët zhbëheshin dhe shoqëria e lindur dhe e rritur në frikë, aq sa buzëqeshte jashtë dyerve trembej të shihte portretin e vet në pasqyrë. ‘A ishin vallë njerëz këta’? Të qenit intelektual nuk ishte një aset, por një vuajtje sepse forca e mendimit duhej të shërbente revers. Në një vend ku nuk lejohej mendimi, individi me një nivel zhvillim personal të lartë, ishte i mallkuar. Prej se arrinte të mendonte, e kishte të qartë se vendi ku jetonte ishte një burg i madh, dhe sa më shumë e kuptonte këtë, aq më i pafuqishëm ndjehej t’i vinte fre mendjes e fjalës.
Intelektuali rumun Mihai Botez që kërkoi strehim politik në SHBA më 1988, kur fliste për jetën e një intelektuali në një sistem diktatorial shprehej se “ekziston një koncept i trishtë, por i vërtetë që quhet ‘arti i të mbijetuarit’, nën diktaturën komuniste, madje në një mënyrë dinjitoze, i cili përfshin kombinimin e nënshtrimit të kalkuluar, kritikën e vetëkontrolluar, mbajtjen taktike të një profili të ulët dhe përdorimin me inteligjencë i mundësive”.




Ndaj shpesh mes dëshirës për të lënë gjurmë dhe ‘parzmores’ që të shpëtonte jetën, heshtjes, pat fituar kjo e dyta. Ata me të fortët, arrinin të luanin ‘shah’ me regjimin, duke qenë vigjilent gjithnjë. Ka ende një debat të madh në vendin tonë mbi atë se çfarë ishte disidenca, a pat disidentë dhe a mund të kishte në kushtet e Shqipërisë. Romani i ri i Aliçkës, përmes personazhit Beniamin Bendo, sjell në fakt, një realitet të mundshëm, kur bashkohen disa ‘vete’ intelektuale. Ky personazh, sa hibrid po aq real, ngërthen jetën në zgrip të diktaturës, në zgrip të mbijetesës e në zgrip të lirisë. Referuar Botezit, gjithçka ishte një kalkulim i mundshëm, por marzhi i gabimit, si në çdo kalkulim ekzistonte, por me veçorinë se pasojat do të ishin fatale.

Për kohën e ndërmjetme mes diktaturës e lirisë, për nënshtrimin e individit dhe nevojën për tu rikthyer në ‘thjesht njeri’ nga “njeriu i ri’, ditën e mërkurë, datë 10 korrik 2019, ora 19.30, në librarinë Tirana Times, shkrimtari Ylljet Aliçka në takimet “Agora” me gazetaren Arta Marku do të flasë për romanin e ri “Metamorfoza e një kryeqyteti”, botimet “Onufri”. “Aty nga fundi i vitit 1990, poeti i njohur Beniamin Bendo hyri në periudhën më trimërore të krijimtarisë së tij, atë të disidencës së hapur kundër regjimit, koincidencë e pastër kjo me kohën kur vetë regjimi komunist po përjetonte grahmat e fundit dhe gradualisht, po shkohej drejt një zbrazëtie pushteti. Pa e ditur as vetë se po bënte trimëri, atë natë kur studentët e revoltuar hynë në grevë urie, Beniamini shkroi një poezi disidente me metafora të natyrës gjeografike. Pranohet, jeta e poetëve është plot të papritura. Dikush mund të hedhë dyshimin se ndoshta kjo kthesë poetike iu imponua nga rrethanat. Jo, kjo ndodhi ngaqë ato kohë poeti po kalonte një fazë trimërie, sado që, pse të mos e themi, trimëri me hope. Thënë ndryshe, po qe se nuk i dilnin përpara pengesa të pakapërcyeshme, ai burrë hidhej aty ku ndodhej rreziku. Nuk mund të thuash me siguri nëse ai ishte trim apo frikacak. Ndoshta i kishte të dyja dhe me gjasë, as ai vetë nuk e dinte këtë gjë. Të paktën, këtë përshtypje të krijonin luhatjet e muzës së tij”.

Ky përshkrim kaq personal, edhe pse është në vetën e tretë, krijon reminishencë tek lexuesi shqiptar, por për një tjetër nis menjëherë shqetësimi i brendshëm çfarë do të ndodhë me Beniamin Bendon, poeti i njohur që përmbys papritur muzën në çastet e fundit të rënies së komunizmit me fatin e kryeqytetit të “përmbysur”… Me ironi të drejtpërdrejtë, shkrimtari Ylljet Aliçka nis romanin e ri, “Metamorfoza e një kryeqyteti”, që së shpejti do të jetë në librari nga botimet “Onufri”. Më prag të daljes së romanit, shkrimtari Ylljet Aliçka shprehet se: “Një kryeqytet në diktaturë ka vlerat dhe antivlerat përkatëse, që e dallojnë atë nga po ky kryeqytet në mungesë diktature, mbart shenjat përkatëse në përditshmërinë, mendimet, sjelljet referencat e saj intelektuale, kulturore dhe mënyrën e jetesës së kryeqytetasve, duke kushtëzuar frymën dhe shpirtin e qytetarëve të saj”.

ROMANI
Lexuesit e parë në dorëshkrim e kanë vlerësuar romanin duke e vlerësuar një nga prurjet më të befta në letërsi. Një prej tyre shkrimtari Visar Zhiti thotë se “Romani më i ri i shkrimtarit Ylljet Aliçka, ‘Metamorfoza e një kryeqyteti’, është me të vërtetë i ri për prurjet dhe të shkruarin, ku ngërthehen ndryshimet e befta sociale me humorin gri, ngjarjet që duket sikur mbërrijnë deri në çastin që po lexojmë, me personazhe që na ngjajnë se i njohim, aq sa mëdyshemi se mos janë vetvetet tona të maskuara. Çështjet që shpalos, realizmi çehovian, ironia e pa mëshirshme ndaj alienimeve dhe shtirjeve, stili i veçantë e shpotitës etj, e çojnë këtë roman mes arritjeve më të mira të të gjithë botimeve në letërsinë e postdiktaturës, kohë e cila bën antiheronj dhe që ata me groteskun e tyre e zhbëjnë. Po, po, dëshmohet këtu me një buzagaz të dëshpëruar”.
Objekt i këtij romani janë përditshmëritë e jetës rutinë të një kryeqyteti nën diktaturë dhe postdiktaturë: si një laborator i natyrës njerëzore. Një kryeqytet në diktaturë ka vlerat dhe antivlerat përkatëse, që e dallojnë atë nga po ky kryeqytet në mungesë diktature, mbart shenjat përkatëse në përditshmërinë, mendimet, sjelljet referencat e saja intelektuale, kulturore, dhe mënyrën e jetesës së kryeqytetasve, duke kushtëzuar frymën dhe shpirtin e qytetarëve të saj.
Me ndryshimin e kohërave, ndryshoi dhe ndjesitë apo perceptimet e lumturisë. Më shumë se e kushtëzuar nga mungesa apo tkurrjet e dëshirave në përgjithësi, lumturia apo dëshpërimi i kryeqytetasve, si në komunizëm ashtu dhe pas rënie së tij u përcaktua nga dallimet mes qenieve njerëzore në rrethana të caktuara kohe e vendi, në detaje gati të parëndësishme në dukje, por që e lumturonin pandërgjegjshëm individin me biografi të mirë dhe që ndofta sot e bëjnë të ndjejë nostalgji për atë kohë.
Tronditjet e thella të rendit politik, bie fjala si ato që pasuan rënien e murit të Berlinit, në Tiranë u shoqëruan me ndryshime jo vetëm të nivelit politiko-ekonomik, por, edhe me rishikime e rivendosje hierarkish sociale, tronditje shpirtërore-fetare, me ndryshim vlerash, sepse sa më e ashpër të ketë qenë diktatura, pra dhe deformimi apo formimi i “njeriut të ri”, aq më i vështirë është orientimi në realitetet e reja dhe rivendosja e normave të reja. Përditshmëria dhe evolucioni i personazheve të këtij romani “zbulon” se deri ku shkon nënshtrimi, kurajoja dhe dhunimi i njeriut, ndjekur nga ç’orientimi shpirtëror, që pasoi rënien e komunizmit, me boshllëkun përkatës të vlerave, duke u bërë shkak i shfaqjeve të identiteteve fiktive të improvizuara tek shumë njerëz.

PERTEJ FASADES
“Metamorfoza e një kryeqyteti” shtjellon evolucionit e jetës së një galerie personazhesh, në situata të ndryshme të jetës së tyre, kryesisht nga një familje e njohur tiranase (poet, veteran, diplomat, i ri eurosocialist, biznesmen), dhe më gjerë (Udhëheqësi komunist, shefi i shërbimeve sekrete, skulptori, i burgosuri politik), nga jeta e tyre në komunizëm deri në realitetet e reja postdikatatoriale, bazuar kryesisht në dukuritë shpirtërore e ato të personalitetit si fenomenet e nënshtrimit, mbizotërimit, poshtërimit, deformimit, parë këto nën një këndvështrim ironik, deri në nivelin e sarkazmës, (incidenti politik i një poeti dhe ndryshimi i metaforave artistike me natyrë politike, rituali i falënderimit ndaj udhëheqësit komunist nga ana e të dënuarve me vdekje para pushkatimit, jeta shpirtërore e një diplomati dhe shndërrimi i tij në një biznesmen, incidenti me fytyrën e Udhëheqësit të vdekur gjatë përgatitjes së maskës prej allçie, shndërrimi i komunistëve në eurosocialistë. Romani “Metamorfoza e një kryeqyteti”, ishte një nga librat pretendent për çmimin “Kadare 2019”, të cilin shkrimtari Mehmet Kraja, në cilësinë e kryetarit të jurisë ka dhënë këtë vlerësim: “Përmes një parodie të drejtpërdrejtë, e cila merr trajtë me anë të një përpunimi të mjaftueshëm artistik, janë përmbledhur në një vend rrëfimet ‘popullore’ për periudhën e vonë të diktaturës dhe ‘rrëshqitjen’ e saj graduale në demokracinë kaotike. Ndonëse ndonjëherë ngjan sipërfaqësor, autori arrin t’i shmanget trajtimit publicistik dhe humorit të përciptë, duke sjellë për lexuesin një vepër të qëndrueshme artistike, me angazhime dhe reflekse aktuale dhe bashkëkohore”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.