MILOSAO

Manushaqe të egra për mendime të thella

16:30 - 22.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dr. Enika Abazi – Në gjurmët e antropologut shqiptar – Kjo përmbledhje është një botim i veçantë që sjell një pjesë të vogël të kontributit shkencor të akademikut Albert Doja. Kryesisht janë disa shkrime tashmë të shqipëruara që kanë për qëllim të tregojnë se si antropologjia është shfaqur dhe zhvillohet në Shqipëri në udhëkryq midis Europës Lindore dhe Perëndimore. Ndër të tjera, Albert Doja është përpjekur të identifikojë format e ndryshme të dallimit midis praktikës së studimeve folklorike-etnografike dhe antropologjisë bashkëkohore, për të theksuar domosdoshmërinë e përqafimit të metodologjisë antropologjike në studimet e sotme shqiptare, si një mënyrë për të analizuar dhe interpretuar veçoritë shqiptare si pjesë integrale e proceseve dhe trashëgimisë botërore. Në këto shkrime, Albert Doja ka rimarrë dhe ka shtjelluar gjerësisht jo vetëm çështjet që kanë të bëjnë me gjendjen e studimeve shqiptare mbi trashëgiminë kulturore dhe historinë kombëtare, apo me gjendjen e sistemit universitar dhe të kërkimit shkencor në Shqipëri, por edhe çështje të tjera mbi transformimet shoqërore, politike, ideologjike, kulturore dhe morale, kryesisht lidhur me proceset identitare, me çështjet fetare apo me marrëdhëniet gjinore. Analizat e tij krahasuese mbi historinë, kulturën, politikën dhe shoqërinë shqiptare dhe të vendeve të tjera të Europës Juglindore nxjerrin në pah kulturat e ndryshme akademike që janë lëvruar në Shqipëri dhe në vende të tjera perëndimore dhe që ai ka pasur rastin t’i përjetojë dhe në të cilat ka kontribuuar dhe ka përfituar përvojë, duke përfshirë edhe debatet midis antropologjisë strukturale dhe poststrukturalizmit, si dhe perspektivën e qasjeve të reja teorike.




Kontributet e shumta që Albert Doja ka dhënë në fushën e antropologjisë, e cila vazhdimisht ka frymëzuar pasionin e tij akademik, pasqyrojnë jo vetëm vizionin e tij për çështje të ndryshme të identitetit, praktikave të ciklit të jetës, marrëdhënieve shoqërore, raporteve gjinore, përkufizimeve fetare apo problemet kryesisht metodologjike të shkencave sociale shqiptare, por edhe një horizont të ri të hapur në disiplinën e antropologjisë në përgjithësi dhe në studimet shqiptare në veçanti. Albert Doja ka ditur ta bëjë veprën e tij pjesë të debateve të disiplinës nëpërmjet botimeve të shumta në revistat ndërkombëtare më të spikatura të disiplinës. Madje ai ka marrë vlerësime nga vetë frymëzuesi i veprës së tij, antropologu i shquar francez Claude Lévi-Strauss, studimet revolucionare të të cilit mbi të ashtuquajturit “njerëz të egër”, kanë transformuar të kuptuarit perëndimor të natyrës së kulturës, traditës dhe qytetërimit. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe, pasi Albert Doja u formua si antropolog në laboratorin e themeluar nga Lévi-Strauss në Shkollën e Studimeve të Avancuara në Shkencat Sociale në Paris (EHESS – École des hautes études en sciences sociales), ku ai përfundoi me sukses studimet e doktoratës në antropologji sociale.

Botimet e tij shkencore janë mbresëlënëse për cilësinë, sasinë dhe hapësirën e këndvështrimit të tyre. Interes të veçantë kanë për mua punimet e tij mbi identitetin dhe qasjet e bazuara në analizën strukturale të frymëzuar nga Claude Lévi-Strauss. Teorikisht dhe epistemologjikisht sa revolucionare, po aq edhe e rëndësishme në mbarë botën, analiza strukturale antropologjike ka një histori të gjatë në shkencat shoqërore. Pavarësisht nga rëndësia, shumë pak shqyrtime themelore kanë nxjerrë në pah kontributin e saj të mundshëm për studimin e sintaksës politike të transformimeve kulturore. Pikërisht në terma të tillë Albert Doja ka dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe premton të vazhdojë të luajë një rol jashtëzakonisht me ndikim në zhvillimin e këtij lëmi kërkimor të vështirë për t’u lëvruar. Gjatë rishikimit të titujve të botimeve të tij të shumta, jam impresionuar nga sfera e temave dhe çështjeve që ato adresojnë. Por veprimtaria e tij nuk është një trajektore e shpërndarë. Përkundrazi, hulumtimi i tij është thellësisht i angazhuar me çështjet kyçe të analizës sociale. Punimet e tij ofrojnë një frymëmarrje për eksplorime të reja dhe stimuluese në drejtime të shumëfishta, si: politika e fesë, marrëdhëniet gjinore, proceset identitare, dinamikat ndërkulturore, veprimtaritë shoqërore apo vlerat kombëtare.

Që në fillim të karrierës së tij si studiues, Albert Doja ndjek një qasje ndërdisiplinore që kombinon gjerësinë e pikëpamjes holistike të sociologjisë franceze me saktësinë etnografike të antropologjisë anglo-amerikane. Me studimet e tij, ai ofron një platformë studimore e kërkimore, nga e cila mund të gjykohet edhe për vetë procesin e hulumtimit shkencor, nëpërmjet hapjes dhe inkurajimit të diskutimeve mbi premtimet dhe sfidat e metodave ndërdisiplinore në shkencat sociale. Kjo është arsyeja pse kontributet e tij në fushën e antropologjisë dhe shkencave sociale e politike janë të një niveli ndërkombëtar. Angazhimi i tij në debatet teorike shkencore vlerësohet jo vetëm për trajtimin e çështjeve metodologjike të hulumtimit në shkencat sociale, por edhe për adresimin e çështjeve shoqërore dhe politike bashkëkohore. Qasja e tij kritike në ndërtimin e njohurive teorike dhe aplikative merr rëndësi edhe nëpërmjet vlerësimit të ideve mbi çështjet aktuale dhe mbi identifikimin e pyetjeve kërkimore me interes akademik dhe shkencor.

Në studimin e një sërë fenomenesh të shoqërisë shqiptare, si morfologjia e organizimit shoqëror, Albert Doja transformon mënyrën se si shqiptarët duhet të kuptojnë vendin e tyre në qytetërimin europian. Traditat kanunore të shqiptarëve, argumenton ai, pasqyrojnë sisteme normative të kohës kur kanë vepruar, të cilat janë të krahasueshme me tradita të ngjashme të shoqërive perëndimore në të njëjtat kushte historike. Ndryshe nga ajo që ka shqetësuar studiuesit vendas apo të huaj të kulturës popullore në kërkim të zbulimit, mbledhjes dhe katalogimit të veçorive të ritualeve dhe zakoneve për të vërtetuar partikularizmin apo prapambetjen shqiptare dhe dallimet me kulturat e tjera europiane, Albert Doja kërkon të nxjerrë në pah tiparet e tyre universale, duke dashur të tregojë përkatësinë me të drejta të plota të kulturës shqiptare në kulturën europiane dhe universale. Sipas pikëpamjes së tij, ritualet, zakonet dhe praktikat kulturore shndërrohen kështu në mjete me të cilat shqiptarët, sikundër gjithë njerëzimi, gjejnë kuptimin e mistereve të mëdha të jetës.
Personalisht, kam pasur fatin të ndaj me të interesin kërkimor në qasjet shkencore që kemi investuar së bashku kryesisht për studimin e nacionalizmit dhe rolin e Naim Frashërit në lëvizjen kombëtare shqiptare, të pasqyrimit të ideologjisë komuniste në shkencat sociale dhe folklorizimit të studimeve të kulturës popullore, apo të përfytyrimeve ndërkombëtare të historisë së Ballkanit. Puna e tij jashtëzakonisht origjinale është e rëndësishme dhe stimuluese, jo vetëm në lidhje me fushat specifike në të cilat kemi bashkëpunuar, por edhe për zhvillimin dhe vlerësimin e studimeve shqiptare, në fushën e antropologjisë, si dhe në fushat e shkencave sociale e politike.

Ndër të tjera, kam qenë edhe dëshmitare kur antropologu i njohur Chris Hahn, drejtor i Institutit Max Planck të Antropologjisë Sociale në Halle/Saale (Gjermani), e ka quajtur me admirim si një studiues të guximshëm që i bën ballë me argumente shkencore dhe koherencë logjike sulmit në të dy krahët, si nga studiuesit shqiptare, edhe nga studiuesit e huaj, për të treguar sa partikularizmin shqiptar aq edhe prapambetjen e shqiptarëve në raport me popujt e tjerë. Për ironi, nga të dyja palët, si disa autorë shqiptarë edhe të huaj janë vendosur shpesh në të njëjtën llogore për të shprehur kundërshtimin e tyre, por jo kuptimin dhe vlerësimin kritik të punimeve të tij.

Në punimet e tij, Albert Doja ka bërë të vetën atë që Ulrich Beck, teoricieni i shquar gjerman i “shoqërisë së rrezikut”, e ka quajtur “kozmopolitizëm metodologjik” në kundërshtim me “nacionalizmin metodologjik”. Shqyrtimi kritik i trashëgimisë së traditës gjermane-austriake në studimin dhe njohjen e kulturës shqiptare dhe ballkanike, apo siç e quan ai “Danubi i Bukur Blu” me “Kurorën e Nëmur të Maleve të Zeza” duke bërë kështu një shkelje syri si ndaj muzikës vjeneze edhe ndaj përfytyrimit të letërsisë malazeze apo të kulturës së bjeshkëve shqiptare, është vlerësuar pikërisht nga Ulrich Beck dhe është botuar në revistën Soziale Welt që ai drejtonte. Sociologu i shquar gjerman ka propozuar në një emailkëmbim nëpërmjet bashkëpunëtores së tij Irmhild Saake për një diskutim mbi këtë temë pas botimit të artikullit. Disa autorësh të tjerë do të ftoheshin në numrin e ardhshëm të revistës për të kontribuar në debat, ndërsa Albert Doja do të kishte sigurisht mundësinë të përgjigjej në të njëjtin numër të revistës. Për fat të keq, i ndjeri Ulrich Beck ndërroi jetë në mënyrë të papritur e të parakohshme në 1 janar 2015, vetëm disa ditë para se artikulli në fjalë të dilte nga shtypi, prandaj edhe projekti i këtij forum diskutimi nuk mund të realizohej më.

Ndoshta duhet ndalur edhe në një aspekt tjetër të punës së tij, pikërisht në fushën e mësimdhënies, për të nxjerrë në pah natyrën e pasionit të tij për të transmetuar tek të tjerët kureshtjen antropologjike. Në Tiranë kisha dëgjuar prej studenteve mbi ligjëratat e tij, të cilat përfundonin shpesh ose me duartrokitje ose me shtangie prej habisë intelektuale që ai zgjonte te studentet. “Në leksionin e parë u përballëm me një profesor të veshur me një xhaketë Burberry, pa flokë, me syze optike dhe me një buzëqeshje të madhe modeste”, shkruan në kujtimet saj një prej studenteve të tij të hershme në Shqipëri. “Një profil atipik për një profesor shqiptar, por sigurisht që befasia nuk mbeti tek portreti i tij fizik. Për të gjithë studentët e kursit, profesor Doja ishte një shok kulturor. Gjatë leksioneve të tij na u shkatërruan shumë koncepte që deri në atë kohë i kishim mësuar dhe analizuar ndryshe, sepse veçanti e punës së tij nuk është të japë përgjigje, por të ngrejë pyetje dhe të trajtojë çështje. Profesor Doja me shumë pasion na ka transmetuar kureshtjen për antropologjinë, teorinë sociale, sociologjinë”.
Projektet pedagogjike të ruajtura në Qendrën e Dokumentacionit pranë Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Ekonomike të Universitetit të Lilës dëshmon se po kështu shkruajnë më vonë edhe studentët e tij në Francë. Shpesh ata vënë në dukje “forcën e madhe të mësimdhënies së tij që qëndron në karakterin e pazakontë të këtij profesori, në pedagogjinë e tij të frymëzuar nga modeli anglo-sakson dhe në metodat e preferuara për të stimuluar mendjet e studentëve”. Një tjetër studente shprehet se “e ka vlerësuar qasjen sistematike që Profesor Doja përdor duke adresuar të gjitha aspektet e një tematike të caktuar, në mënyrë të tillë që studentët të përfshihen vetvetiu në leksion ndërkohë që konceptet bëhen gjithnjë e më të qartë”, ndërsa seminarin e tij e krahason “me metodën sokratike, me artin e familiarizimit të mendjeve të studentëve nëpërmjet ushtrimit kërkimor për të njohur aftësitë e tyre dhe për t’i kthyer drejt një pikësynimi të dobishëm”. Madje studentë tjerë shkruajnë duke iu drejtuar me një ton afirmativ të drejtpërdrejtë: “Krahas tonit profesoral të mësimdhënies, ju keni ruajtur përulësinë e atij që pranon të mos dijë çdo gjë. Në këtë kuptim, sjellja juaj gjatë mësimdhënies është shembullore. Ju kurrë nuk keni shprehur asnjë ndjenjë superioriteti mbi studentët tuaj. Jeni i hapur për diskutim dhe përulësia juaj, ashtu si dhe disponueshmëria juaj ju nderojnë”. Dikush tjetër vë përsëri në dukje mendjehapurinë e tij: “Kur kam bërë një pyetje, ai përpiqet të shpjegojë jo si një profesor, por me shumë zgjuarësi si një njeri i thjeshtë që ka dëshirë të këmbejë mendime me një student pa paragjykuar asnjë përvojë. Faleminderit për mësimdhënien tuaj profesor Doja, do të jem i lumtur të këmbej përsëri mendime me ju”.

Edhe unë vetë kam patur rastin të asistoj në disa prej ligjëratave të tij, në Kosovë, në Francë, si dhe në Universitetin e Harvardit. Ligjëratat e tij janë një simfoni që ka për qëllim të frymëzojë dhe të edukojë. Ato sjellin në vëmendje shumë studime dhe botime sfiduese me shembuj nga puna e tij kërkimore dhe botimet e shumta, si dhe mbi të gjitha të nxjerra nga vrojtimet kritike mbi realitetin, gjithnjë të paraqitura në një ndërthurje të tillë që të kujton pjesët e një puzzle-i që formojnë pak nga pak një figurë që merr kuptim dhe të frymëzon për kërkime të reja. Ai i bën konceptet që shpjegon më të gjalla dhe më të paharrueshme. E frymëzuar nga një punë e tillë e kam ftuar disa herë në leksionet e mia dhe gjithnjë ndërhyrjet e tij kanë qenë mbresëlënëse për studentet. Për të qenë e saktë, profesor Doja nuk jep kurrë një ligjëratë të parakonceptuar, por bën në çdo rast një rikrijim të ri për të njëjtën temë, që nuk përsëritet, por kurdoherë të ndjell të nxësh dhe të hulumtosh më tej.
Fjalë fluturake për mësonjëtoret e para
Shkrimet e përmbledhura në këtë libër e kanë zanafillën kryesisht në tri tubime shkencore të organizuara në lidhje me zhvillimin e antropologjisë në kufijtë margjinalë të Europës gjatë socializmit, si dhe me rrjedhat dhe rrjetet shkencore mbizotëruese e të papajtueshme ndërmjet Ballkanit dhe Gjermanisë, konkretisht në konferencën e organizuar për këtë qëllim në mars 2011 nga Instituti Max Planck i Antropologjisë Sociale në Halle/Saale (Gjermani), në konferencën e sponsorizuar nga Deutsche Forschungsgesellschaft në shtator 2012 në Universitetin Humboldt të Berlinit, si dhe në ligjëratën e dhënë në mars 2013 në Seminarin për Antropologji Sociale të Universitetit të Fribourg-ut në Zvicër. Me këtë temë lidhen gjithashtu edhe një seri intervistash dhe debatesh të transmetuara në disa kanale televizive kombëtare në Shqipëri, që u pasuan nga publikimi në median e shkruar.

Në punimet e tij, Albert Doja argumenton se si qëllimi dhe metodologjia e studimeve të kulturës popullore në Shqipëri, sidomos gjatë socializmit shtetëror, ishin pllakosur nga një interes i qëllimshëm për mbledhjen e të dhënave folklorike dhe një pamje kryesisht historiciste të jetesës popullore në mënyrë të ngjashme me qasjet gjermane dhe austriake të traditës folklorike-etnografike (Volkskunde). Me një analizë më të detajuar të çështjeve që kanë të bëjnë si me formën, dhe me përmbajtjen e këtyre studimeve etnografike dhe folklorike, e cila është zhvilluar më tej edhe në botime të tjera, ai ka treguar se si ato përftuan në mënyrë të pashmangshme një qëndrim politik nacional-komunist dhe një orientim metodologjik deskriptivist-esencialist, gjë që ngriti shumë shpejt çështjen e funksionimit të tyre të instrumentalizuar si një version i ripunuar i shkollës së vjetruar kultural-historiciste gjermano-austriake.
Ndërkohë që një përzgjedhje e këtyre argumentimeve është përkthyer në shqip dhe është botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës në Kosovë, në mënyrë krejt të rëndomtë, ato kanë shkaktuar një seri keqkuptimesh dhe revoltimesh te kolegët e tij të vjetër e të rinj në Shqipëri, ndonëse të gjitha pyetjet e shtruara në debatet publike, si dhe të tjera pyetje të pashtruara prej tyre, gjenin tashmë përgjigje më se të mjaftueshme që në fillim. Problemi në fakt nuk qëndron te përgjigjet, sesa te pyetjet, sidomos kur vlera kryesore e një ideje qëndron në aftësinë për të ngritur çështje më shumë sesa për të dhënë zgjidhje.
Në fakt, kjo histori nuk mund veçse të kujtojë një skandal që shpërtheu në antropologjinë botërore shumë dekada më parë, pasi një nga figurat e shquara të paraardhësve tregoi të vërtetën publikisht, edhe pse kjo u bë në një Ditar në kuptimin e ngushtë të fjalës. Bëhet fjalë për botimin pas vdekjes të ditarit personal të Bronislaw Malinowski-t nga bashkëshortja e tij, që nxjerr në pah se pozita e një etnografi nuk është thjesht regjistrimi i mënyrës së jetesës së një shoqërie, por është edhe ajo e dikujt që e përjeton atë dhe është prekur prej saj. Siç ndodhi në atë kohë të botimit, “një numër zërash të llojit të atyre që kanë gjithmonë të drejtë e që janë gjithnjë mes nesh u ngritën menjëherë për t’u qarë” se sekretet klanore u tradhtuan, se idhulli na u përdhos dhe se rrybja e etnografit na ra poshtë. Në të vërtetë, përtej mitit të “punës në terren” që po shkatërrohej nga ai që kishte bërë më shumë se të gjithë për ta krijuar, nëse antropologët duhet të shohin gjërat “sipas këndvështrimit nga vendasit”, por nuk mund të kenë atë lloj aftësie për të menduar, ndier dhe perceptuar si një vendas, sigurisht “në kuptimin e ngushtë të fjalës”, sikurse është shprehur Clifford Geertz, pyetja e thellë dhe e vërtetë që Malinowski shtroi me Ditarin e tij është se si mund të arrihet njohja antropologjike e mënyrës në të cilën vendasit mendojnë, ndiejnë dhe perceptojnë. (Vijon)

Shënime
Në shkrimet e botuara këtu janë bërë disa ndryshime për të shmangur përsëritjet e panevojshme dhe është përfituar që të saktësohen disa mangësi, të korrigjohen disa gabime, të shtohen disa pasazhe, si dhe të rivendosen referencat bibliografike dhe dokumentare përkatëse, që kanë shpëtuar, janë hequr gabimisht apo janë lënë mënjanë në botimet e mëparshme në shtypin shqiptar.
2Enika ABAZI and Albert DOJA, “Further considerations on the politics of religious discourse: Naim Frashëri and his Pantheism in the course of nineteenth-century Albanian nationalism”, Middle Eastern Studies 49, no. 6 (2013), pp. 859-879, doi:10.1080/00263206.2013.836495.
3 Enika ABAZI and Albert DOJA, “From the communist point of view: Cultural hegemony and folkloric manipulation in Albanian studies under socialism”, Communist and Post-Communist Studies 49, no. 2 (2016), pp. 163-178, doi:10.1016/j.postcomstud.2016.04.002.
4 Enika ABAZI and Albert DOJA, “International Representations of Balkan Wars: A Socio-Anthropological Account in International Relations Perspective”, Cambridge Review of International Affairs 29, no. 2 (2016), pp. 581-610, doi:10.1080/09557571.2015.1118998; Enika ABAZI and Albert DOJA, “The past in the present: time and narrative of Balkan wars in media industry and international politics”, Third World Quarterly 38, no. 4 (2017), pp. 1012-1042, doi:10.1080/01436597.2016.1191345; Enika ABAZI and Albert DOJA, “Time and narrative: Temporality, memory, and instant history of Balkan wars”, Time & Society 27, no. 2 (2018), pp. 239-272, doi:10.1177/0961463×16678249.
5 Ulrich BECK, Risk society: Towards a new modernity (London: Sage, 1992); Ulrich BECK, Ulrich Beck: Pioneer in cosmopolitan sociology and risk society (New York: Springer, 2014).
6 Albert DOJA, “The Beautiful Blue Danube and the Accursed Black Mountain Wreath: German and Austrian Kulturpolitik of Knowledge on Southeast Europe and Albania”, Soziale Welt: Zeitschrift für sozialwissenschaftliche Forschung und Praxis 65, no. 3 (2014), pp. 317-343, doi:10.5771/0038-6073-2014-3-317.
7 Irmhild Saake to Albert Doja, emailkëmbime, 24 prill 2014, 2 maj 2014, 21 gusht 2014. (Arkiv personal).
8 Irmhild Saake to Albert Doja, emailkëmbime, 14 janar 2015, 20 shkurt 2015. (Arkiv personal).
9 Sabina Veizaj, “Shfaqja e Antropologjisë në Shqipëri”, GazetaSI, 26 Maj 2019, https://gazetasi.al/shfaqja-e-antropologjise-ne-shqiperi/.
10 Damien Dusseaux, Projet d’examen en Pratiques de l’observation et de l’entretien, Master de Sociologie-Ethnologie, Centre de Documentation de la Faculté des Sciences Économiques et Sociales, Université de Lille, 2013.
11 Monique Merlen-Lombrez, Projet d’examen en Théories Sociologiques Contemporaines, Licence de Sociologie-Ethnologie, Centre de Documentation de la Faculté des Sciences Économiques et Sociales, Université de Lille, 2016.
12 Sebastien Sénépart, Projet d’examen en Business Anthropology, Master ISCI Intelligence, Stratégie et Compétitivité Internationale, Centre de Documentation de la Faculté des Sciences Économiques et Sociales, Université de Lille, 2015.
13 Steve Dassonville, Projet d’examen en Business Anthropology, Master ISCI Intelligence, Stratégie et Compétitivité Internationale, Centre de Documentation de la Faculté des Sciences Économiques et Sociales, Université de Lille, 2015.
14 Albert DOJA, “Folkloric archaism and cultural manipulation in Albania under socialism”, in The Anthropological Field on the Margins of Europe, 1945-1991, ed. Aleksandar Boskovic and Chris Hann (Berlin/Münster: LIT-Verlag, 2013), pp. 153-174. .
15 Albert DOJA, “The Beautiful Blue Danube and the Accursed Black Mountain Wreath: German and Austrian Kulturpolitik of Knowledge on Southeast Europe and Albania”, Soziale Welt: Zeitschrift für sozialwissenschaftliche Forschung und Praxis 65, no. 3 (2014), pp. 317-343, doi:10.5771/0038-6073-2014-3-317.
16 Albert DOJA, “From the German-speaking point of view: Unholy Empire, Balkanism, and the culture circle particularism of Albanian studies”, Critique of Anthropology 34, no. 3 (2014), pp. 290-326.
17 Intervistë në TV-Scan, 21 maj 2011, ; Debat Top Show në TV Top Channel, 9 qershor 2011, https://youtu.be/Z1ia7om0xCg.
18 “Në Shqipëri nuk ka antropologji sociale, por studime folklorike”, MAPO, 4 qershor 2011; “Antropologjia: Përtej nacionalizmit të studimeve të kulturës popullore”, MAPO, 6 korrik 2011; “Karakteri folklorik i studimeve të kulturës popullore”, MAPO, 27 gusht 2011; “Projekti totalitarist i etnografisë folklorike në Shqipëri: Formimi i një kulture të re kombëtare në formë dhe socialiste në përmbajtje”, MAPO, 11 tetor 2012.
19 Albert DOJA, “Évolution et folklorisation des traditions culturelles”, East European Quarterly 32, no. 1 (1998), pp. 95-126; ABAZI and DOJA, “From the communist point of view: Cultural hegemony and folkloric manipulation in Albanian studies under socialism”.
20 DOJA, “Beautiful Blue Danube and Accursed Black Mountain Wreath”; DOJA, “From the German-speaking point of view”.
21 Albert DOJA, “Lindja e albanologjisë sipas shkrimeve gjermane dhe austriake [From the foreigner point of view: The birth of Albanologie in German and Austrian writings]”, Gjurmime albanologjike: Folklor dhe etnologji 46 (2016), f. 9-40, doi:ceeol/540694.
22 Bronislaw MALINOWSKI, A diary in the strict sense of the term (London: Athlone, 1967, reprint 1989).
23 Clifford GEERTZ, “From the native’s point of view: On the nature of anthropological knowledge” [1974], in Local knowledge: further essays in interpretive anthropology (New York: Basic Books, 1983), pp. 55-70, p. 55.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.