MILOSAO

Si e luftoi Kisha Ortodokse Serbe, Kishën Katolike Shqiptare

16:00 - 22.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjon Marku – Po t’u referohemi dokumenteve të botuar nga Akademia e Shkencave të Serbisë, por edhe nga botimet e Kishës Ortodokse Serbe, atëhere në vijimësi dhe qysh herët vemë re një qëndrim të ashpër, aspak tolerant e, mbi të gjitha, armiqësor të kësaj kishe ndaj popullsisë shqiptare e sidomos ndaj klerit katolik shqiptar. Kjo strukturë, e cila në shtetin serb është pjesë e masakrës ndaj shqiptarëve dhe hartuese e politikave antishqiptare, akoma edhe sot harton dhe shpif, apo mundohet të rindërtojë frymën e përçarjes dhe vëllavrasjes ndër shqiptarë, të nxisë politikat e nacionalizmit ekstrem mundohet me të gjitha mënyrat të pengojë ecjen përpara, integrimin dhe mosnjohjen e shtetit të Kosovës. Akoma dhespotë të ardhur prej Serbisë turren ta quajnë Kosovën pjesë të Serbisë edhe pse kjo copë tokë e Ballkanit është larë me gjak cep më cep prej masakrave dhe Golgotës serbe. Akoma në këtë copë të Ballkanit gjenden dhespotë që rrëmbejnë armën apo bekojnë luftra ekstreme dhe masakra barbare, deri dhe vrasjen e fëmijëve në djep.




Politikanë dhe drejtues të Kishës Ortodokse Serbe, herë nën zë e herë haptazi, mundohen ta quajnë Kosovën një shtet të tipit mysliman, biles një shtet të tipit fondamentalist. Gjithashtu, kur Kisha Katolike Shqiptare nuk është gjendur në anën e tyre si falsifikatore e historisë dhe fakteve, atëhere dhe ajo është kthyer në objekt sulmi dhe shpifjesh. Ky sulm dhe këto shpifje, ashtu si dhe lufta e përhershme ndaj shqiptarëve, është e hershme.

Nëse hedhim një vështrim më herët rreth katërqind e ca vjet më parë, në një natë të ftohtë dhjetori antishqiptarët më të egër nuk patën hezituar ta mbysnin në ujërat e Drinit të Bardhë Pjetër Budin (në dhjetorin e vitit 1622), (1) i cili ishte bërë i njohur si një atdhetar, ishte dalluar për veprimtarinë e vet të pareshtur në të mirë të atdheut. Njëri ndër hartuesit e raporteve mbi gjendjen e kishave, klerit dhe popullsisë në Shqipërinë e Veriut, por ai ishte dhe njëri ndër udhëheqësit shpirtërorë, më të spikatur e më fisnikë të kohës së vet, madhështia e të cilit veçse rritet me kalimin e viteve dhe shekujve.

Më 28 nëntor të vitit 1912 , në qytetin e Vlorës u shpall shteti i pavarur shqiptar, dhe pas pak kohë edhe u njoh si shtet. Megjithatë Shteti Shqiptar përmblidhte vetëm përafërsisht gjysmën e regjioneve të banuara me shqiptarë në Ballkan. Më shumë se 50% e popullsisë shqiptare mbeti jashtë kufijve të shtetit kombëtar. Serbët ishin turrur të rrëmbejnë një copë të truallit të shqiptarëve.

Edhe afro 116 vjet më parë; në vitin 1913, Kisha Ortodokse Serbe e shpall Kishën Katolike Shqiptare, e në veçanti atë të Mirditës, Abatin dhe priftërinjtë si armikun më të madh të Serbisë.(2) Ndërkohë që po kjo kishë ka ngritur akuza mjaft të rënda ndaj kishës Katolike në Kosovës e vijon të ngrejë edhe sot.

 

Barbaria serbe nuk e kishte kursyer jetën e njërit ndër më të ndriturat mendje të shqiptarëve, At Shtjefën Gjeçovit; e kështu faktet kokëforta ndjekin njëra- tjetrën.
Gjithnjë udhëheqësit shpirtërorë, e në mënyrë të veçantë klerikët katolikë, shpalleshin armiqtë më të mëdhenj të popullit serb jo rastësisht por sepse, siç pohon Rexhep Qosja në veprën e tij “Populli i ndaluar” “…, në historinë e popullit shqiptar, faktori fetar, as ai mysliman, as ai ortodoks, nuk kanë luajtur ndonjë rol atdhetar, çka nuk mund të thuhet për një numër të klerit katolik, ndër të cilët ka të tillë, që kanë merita të mëdha në kulturën shkrim-këndim, gjuhë dhe letërsi shqipe. Ata ishin atdhetarë të mëdhenj..”(3)

Apo siç shkruan Faik Konica në revistën e tij “Albania,” se katolikët shqiptarë janë shkak që u mbajt gjallë gjer më sot kombësia jonë.
Krishterimi ishte feja e parë ndër shqiptarë. “Ilirët ishin të parët në Ballkan që pranuan këtë besim të ri në vend të paganizmit.”(4) Kështu katolikët përbënin dhe rrezikun kryesor për kishën dhe kishtarët e Serbisë, pikërisht pse ata ishin historikisht ura lidhëse me Evropën e qytetëruar. Katolicizmi, nga njëra anë i jepte Shqipërisë bashkimin që i mungonte si shtet dhe nga ana tjetër e lidhte me botën e krishterë evropiane, vinte në dukje Fan Stiljan Noli.
Pikërisht këta atdhetarë të mëdhenj vinte së pari në shënjestër Kisha Ortodokse Serbe dhe i shpallte armiqtë më të mëdhenj të Serbisë.

Në fundvjeshtën e vitit 1912 menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Petar Karagjorgjeviq urdhëron ushtritë serbe, të cilat pasi kishin kryer masakra të pashoqe në Kosovë, të turreshin për pushtime të reja të territoreve të Shqipërisë. Ai urdhëron “… Tej shkrepave shqiptarë dhe alpeve me borë, përtej strofujve të rebelëve arnautë në detin Adriatik, për të ngritur flamurin burrëror të Serbisë…”(5) Dhe këtë e pohon në kujtimet e veta Kryeshefi i Shtabit, i cili mbërriti deri në Durrës Dragoljub M. DINIÇ vetëm se dhjetë vjet më vonë. Pra, veç shtetit serb, dhe Kisha Ortodokse Serbe kërkon të shtrihet drejt brigjeve të Adriatikut në Shëngjin apo në Durrës me çdo çmim. Ani se jeta e shqiptarëve vihej në fillen e perit.

Në Beograd gjenerali famëkeq Bozo Jankoviç merrte dhe përpunonte njërin pas tjetrit raportet e nënkolonelit Dimitrie Bulici, cili e lajmëron shefin e tij gjakësor mbi situatën e trupave që lëviznin drejt zemrës së Shqipërisë “… Situata e radhës ka qenë fatale po të mos haste në mirësjellje nga ana e Mirditës, kryeqendra e të cilës është Oroshi. Aty gjendet selia e kryesuesit të Mirditasve Marka Gjoni, i cili ka pushtet të pakufizuar gjyqësor dhe ekzekutiv dhe selia e të parit të tyre fetar msgr Prend Doçi”. (6)

“… Ipeshkvi dhe fretërit e tjerë për nga kombësia janë arbëreshë dhe patriotë të mëdhenj. Pritjen që e organizoi ipeshkvi ishte e përzemërt, aq edhe e shkëlqyeshme, nga biseda që më të u zhvillua në gjuhën frënge, se ai është udhëheqës politik i këtij fisi (Mirditës). Pyetja e tij e parë ishte se cilat janë qëllimet tona, gjegjësisht të Serbisë, në lidhje me Shqipërinë. I është përgjigjur: se ne nuk kemi pretendime pushtuese në këto anë… dhe se jemi të frymëzuar me mendimin që pas luftës ta lëmë Shqipërinë të lirë. Në atë moment, rreth ipeshkvit ishin të mbledhur bajraktarët e këtij fisi, të gjithë njerëz të pjekur me shprehje të vendosura dhe inteligjente në fytyrë, dhe kur kjo bisedë u është shpjeguar e kanë pritur kënaqshëm.” (7)

Dimitrie Bulici këtu në një mënyrë të stërholluar mundohet t’u hedhë hi syve parisë së Mirditës, tek e cila duke shfrytëzuar qenien e kësaj treve katolike dhe njëkohësisht e një parie jo fort të orientuar si duhet, mundohet të luajë një lojë mjaft djallëzore dhe një pabesi të tipit serb. Kështu Buliç i drejtohet shefit të tij në Beograd, Petroviç, duke i shkruar “… Përveç të tjerash ato pra (mirditasit), e kanë lajmëruar ipeshkvin e tyre dhe neve se Mbreti Nikollë,( mbreti i Malit të Zi) i ka pritur shumë keq disa udhëheqës të Mirditës. Për këtë shkak mirditasit janë shumë të prekur…Pas kësaj u kam dhënë garanci të reja gojore se në liri të Mirditës nuk do të preket, se Serbia do të përkujdeset që të ruajë të drejtat e tyre shekullore e se me ta do të mbaj marrëdhënie më të mira miqësore. Me këtë rast ipeshkvi dhe udhëheqësit deklaruan se me Serbinë do të punojmë së bashku. Pas kësaj Kapidani Marka Gjoni u vu në dispozicion që me njerëzit e tij të nxjerrë çka ka nga ushqimet në këto anë të varfra…”(8)

Pas këtij informacioni që për Beogradin përbënte një rëndësi të veçantë, gjenerali famëkeq Bozo Jankoviç u drejtohet komandantëve që drejtonin forcat në Shqipëri ” u lutem komandantëve që në rastin e diskutimit politik të mëtejshëm në pyetjen mbi fatin e Shqipërisë të merret parasysh fjala e dhënë nga komandanti (Bulic) dhe oficerët e radhës udhëheqësve shqiptarë nëse është e mundur të ju japin edhe vërtetime formale mbi Pavarësinë e Shqipërisë”.(9) Theksojmë se në këtë kohë në krye të forcave serbe që gjendeshin në Shqipëri ndodheshin dhe komandantët famëkeq Dimitrie Tucoviç dhe Kosta Novakoviç, ndër organizatorët kryesorë të forcave pushtuese serbe.

E ndërsa situata në Shqipëri ishte e tillë, komandantët merrnin e jepnin me komandën e tyre. Kisha Ortodokse Serbe nga ana e saj vijonte të shfaqte hapur ambicjet mbi territoret shqiptare, kërkonte të vinte kufij të rinj në shtrirjen e territoreve dhe zotërimeve të saj mbi tokat shqiptare dhe ta shpallte Kishën Katolike Shqiptare dhe klerikët e saj të të gjitha niveleve, armikun më të madh të popullit serb.
Në vitin 1913 “Stev. Bojoviç, prift, Obramoviç” në fletoren zyrtare kishtare publikon artikullin me titull “Vështirësitë në punën e ardhshme të priftërinjve serb” ku në mes të të tjerave gjejmë të publikuar thelbin e ëndrrës shekullore për gllabërimin dhe asimilimin serb “… Atdheu ynë ka realizuar ëndrrat pesëshekullore…., krahët e vet i ka shtrirë edhe mbi vëllezërit e vet në Serbinë e Vjetër (Kosovë) …., është dyfishuar numri i popullsisë, është…
Sipas priftit ortodoks serb Stev. Bojoviç, për të gjitha mossukseset serbe në territoret shqiptare, fajtori kryesor janë priftërinjtë katolikë shqiptarë dhe besimtarët e tyre”.

Ky prift, duke njohur veprimtarinë patriotike, luftën e vazhdueshme për komb dhe kulturë, nivelin e dijeve të klerit katolik shqiptar, shkruan:
“Në katolicizëm deri më tani ne kemi pasur armikun më të zemëruar dhe më tinëzak…,edhe në luftërat e kaluara rezistencën më të madhe nëpër Serbinë e Vjetër (Kosovë) dhe në për Arbërie farkuar rishtaz, e kanë bërë arnautët katolikë, kurse Shkodrën Serbe(!), ushtrisë fituese serbe, ia mori katolicizmi e jo kombi arnaut. Shkodra dhe Arbania nuk i janë falur (!) kombit. Europa e pashpirt dhe mizore nuk ua dha arnautëve për sy të zi Arbaninë, Shkodrën dhe detin serb(!), por ia dha katolicizmit. Dhe të gjitha vështirësitë që i patëm më herët dhe atëherë, dhe të cilat do ti kemi në të ardhmen, vinë nga ana e katolikëve…”(10)

Ky prift ortodoks serb e dinte mirë se klerikët Katolik gjithnjë kishin qënë në nismat e mëdha të luftës për komb dhe kulturë. Gjithsesi orientimi i shqiptarëve, e sidomos i klerikëve katolikë, ishte drejt perëndimit. Kisha katolike dhe katolikët në përgjithësi ishin një urë e fortë lidhëse midis Evropës së krishterë dhe shqiptarëve. Kultura dhe tradita 2000 vjeçare ndër shqiptare kishte ngulur rrënjë të forta dhe ishte e vështirë të zhbëhej.
Prandaj duhej bërë vëmendje, sidomos ndaj klerit katolik, ndër të cilët ka të tillë, që kanë merita të mëdha në kulturën shkrim-këndim, gjuhë dhe letërsi shqipe. Ata ishin atdhetarë të mëdhenj. Themeluesit e gjuhës së shkruar, historianët që njihnin mirë historinë e tyre por dhe të serbëve në Ballkan. Kisha Katolike i ka afruar shqiptarët me perëndimin, me kulturën dhe zhvillimin e vendeve të tjera perëndimore.
E natyrisht, kjo nuk kishte si të mos e shqetësonte klerin ortodoks. Prandaj ai nuk heziton të shkruajë “… Rrezikun më të madh për Kishën Ortodokse Serbe, e kjo do të thotë edhe për popullin serb, e paraqet Kisha Katolike në kufijtë tonë të rinj. Kjo do të jetë një demon i cili nuk do të na lerë të qetë dhe i cili në vazhdimësi do të jetë barrë edhe për shtetin edhe për popullin tonë”…(11)

Pra ky prift ortodoks e shihte me frikë përballjen në të gjitha planet me klerin katolik shqiptar. Priftërinjtë katolikë Shqiptarë në pjesën më të madhe të tyre ishin të shkolluar. Kishat e tyre ndër malet e Shqipërisë i kishin kthyer në çerdhe të dijes dhe të kulturës. Kisha katolike ishte pjesë e pandarë e jetës së shoqërisë, udhëheqëse shpirtërore dhe një faktor i rëndësishëm i frymëzimit të qëndresës, kulturës dhe të arsimimit, ndoshta si më të parin e më të vlefshmin gurë në themelin e kulturës sonë kombëtare. Prandaj prifti ortodoks serb shkruan: ” Fretërit katolikë dhe Kisha Katolike disponojnë fuqi të mëdha mendore dhe materiale. Priftërinjtë katolikë me gatishmëri dhe sakrificë qëndrojnë lart mbi ne. Ata të shumtën kanë mbaruar fakultete, derisa ne kemi të mbaruar seminare fetare të një niveli të arsimit të mesëm. Priftërinjtë e tyre në krahinat tona(!) të reja dhe në përgjithësi në Ballkan disponojnë me gatishmëri të fortë për obligimin seminarik, për të cilën zgjidhen më të gatshmit, më aktivët dhe më të përkushtuarit e kishës dhe thirrjes së vet, ta cilët me çmim të jetës shkojnë nëpër grykëmalet e egra dhe të pakalueshme të Arbërisë, predikojnë mësimin e vet dhe përfitojnë idhtarë të katolicizmit(….) dhe me kundërshtarë të tillë do të duhet të luftojë prifti serb…, i cili ka mbaruar një seminar të keq , sipas programit të vjetruar dhe të papërsosur pa kurrëfarë librash…”(12)
Priftërinjtë katolikë shqiptarë, shkruan prifti ortodoks serb, janë më të rrezikshëm se artileria turke.

Menjëherë pas okupimit të Kosovës, Kisha Serbe iu përvesh punës së kthimit masiv të katolikëve dhe myslimanëve në fenë ortodokse. Duke mohuar akuzat e jashtme se ky kthim i popullsisë në fenë ortodokse është i dhunshëm, fletushka e priftërinjve ortodoksë “Vesnik Srpske Crkve”, publikon artikullin Predstavka velikih ortodoksë serbë” ( Pedicioni i fuqive të mëdha). (13)

Përfaqësuesit e fuqive të mëdha në Beograd më 17 mars 1913 dorëzuan peticionin, me të cilin thërrasin Qeverinë serbe të largojë rrethimin e Shkodrës dhe të evakuojë sa më parë territoret e zëna shqiptare. Njëkohësisht mendojmë se duhen marrë masa urgjente për sigurimin e lirisë së vërtet fetare për katolikët dhe myslimanët e kombit Arbëresh .(14)
Kjo politikë e kishës ortodokse serbe, e montuar dhe e ndjekur ndër shekuj, ka ardhur e njëjtë edhe në ditët tona. Don Lush Gjergji, njëri ndër personalitetet më të larta të Kishës Katolike Shqiptare dhe njëri ndër personalitetet më të ndritura të kulturës shqiptare në një intervistë të tij pohon në mars të viti 2008 pohon: “Kjo çështje është e njohur. Kisha Katolike e Mirditës dhe gjithë Kisha Katolike Shqiptare ishte kthyer në një udhëheqëse shpirtërore në vitet 1910-1913. Sigurisht lashtësia jonë, traditat dhe kultura jonë 2000- vjeçare, ku gjendet prania e kishës dhe e Krishtërimit ndër truallin shqiptar, ka qenë peng jo vetëm për serbët, por edhe për Turqit që s’mundën ta zhbëjnë.
Atëherë, pra para vitit 1913, kur flisni ju, Kisha Serbe bëri kompromis me ushtrinë otomane turke. Biles fill pas rënies së Kostandinopojës, dhe prej atëherë u mundua të gjejë një lloj qetësie. E kështu ne jemi gjendur midis dy zjarresh, midis gërshetimit dhe kompromisit të dy armiqve.
Duhet të theksojmë se Kisha Serbe kur u shkëput përfundimisht prej Kishës së Romës, gjithë mllefin e shprehu ndaj vendorëve që kishin mbetur besnikë të Romës.

Në anën tjetër me turqit dhe islamikët gjeti një lloj mirëkuptimi dhe një lloj kompromisi. Prej vitit 1622, kur u themelua kongregata, pra Propoganda Fide, në të gjitha relacionet çështja që paraqesin ipeshkëvinjt tonë janë “vuajtja nga shovinizmi serb dhe nga Turqia”.
Është shumë e rëndësishme që ne të japim mesazhin; nuk duam të kushtëzohemi nga e kaluara e idhët, por dëshirojmë të kemi dimensione ekumenike, siç kishte i madhi Fan Noli, themeluesi i Kishës Autoqefale të Shqipërisë. Siç ishte i madhi Atenagora, po ashtu me prejardhje shqiptare, i cili bashkë me Palin VI në vitin 1964 bëri vizitën e trefishtë në Jeruzalem, Romë dhe në Kostandinopojë (në Stambollin e sotëm) dhe hapën rrugën e dialogut, takimit dhe afrimit dhe, mundësisht, të bashkimit, të plotë.

Ne nuk kemi ngarkesa në anën fetare; ato janë kryekëput në anën kombëtare apo nacionale.
Nacionalizmi i tepruar dhe shovinizmi e dëmton dukshëm njeriun, kombin e, mbi të gjitha, bashkimin fetar.
Edhe ne na ka akuzuar në vitin 1981 Kisha Ortodokse Serbe këtu ,se pse nuk jemi kinse (tamam) me ta për të thënë se në Kosovë po ndodh një fondamentalizëm islamik.

I ndjeri Ipeshkvi Nik Prela atëherë, dhe më vonë ne të tjerët, e kemi thënë se 200 metra larg nesh gjendej Kisha Ortodokse Serbe, ku ishte Ipeshkëv Pavli, që tash është Patriku në Beograd.
Ne ju thamë haptazi, nëse keni argumente konkrete na i thoni, dhe ne do ju themi vëllezërve shqiptarë se nuk jemi as vëllezër as shqiptar njësoj, pse me të keqin dhe ne s’mund të jemi, dhe të keqin s’mund ta kemi vëlla.

Po që Kosova është një vend fondamentalist islamik, vetëm këtë nuk mund ta themi. Dhe, pasi nuk e bëmë këtë kompromis, atëherë Kisha Ortodokse ishte në sulm kundër kishës Katolike dhe njerëzve të saj.
Imagjinoni deri ku shkon çmenduria. Kur ishin helmimet më se të 7000 fëmijëve dhe të rinjve, Beogradi shpiku se është kisha Katolike ajo që i ka helmuar. Kjo, që të krijonte përçarje dhe të shkaktonte mosbesim dhe dashakeqësi, por populli e dinte mirë se kush ishte fajtori. Nga ana tjetër që të kishte edhe një armë më shumë në sy të Evropës dhe Botës. Llogarisni deri ku shkon mendja e keqe. Megjithatë ne nuk kemi lejuar provokime, por kemi vënë në lëvizje mendjen e ndritur dhe zemrën e hapur e s’kemi rënë në kësi grackash.” (15)
Kështu, ujku qimen ka ndërruar, ndërsa vesin jo…

Shënim: Për përgatitjen e materialit, përkthimet nga Serbishtja u realizuan nga Arian Sharri

Literatura
1. Buzhall, Prend: Pararendës i rilindasve. Urtia. Zagreb . nr 2, 2006. f. 420-422.
2. Diniç, Dragoljub M: “Privi put kroz Albaniju,” – “Sa Sumadijskim Albanskim Odredom, 1912., Kragujevac, 1922, u: Ljubica, Stefan: “Serbiai Albanici”, preglad politike Serbije prema Albancima od 1878. do 1914. godine, knjiga prava, casopis za kritiko znanosti, Ljubljana, 1989, f .135-138.
3. Qosja, Rexhep: “Populli i ndaluar” Mega -Medium, Prishtinë, 1990, f. 402.
4. Dedaj, Ndue:. Ravë përkrah qytetërimit europjan, Mirdita Artikuj dhe studime Historike, Mirditë 1997. fq 61.
5. Diniç, Dragoljub M: “Privi put kroz Albaniju,” – “Sa Sumadijskim Albanskim Odredom, 1912., Kragujevac, 1922, u: Ljubica, Stefan: “Serbiai Albanici”, preglad politike Serbije prema Albancima od 1878. do 1914. godine, knjiga prava, casopis za kritiko znanosti, Ljubljana, 1989., f .135-138.
6. Diniç, Dragoljub M: vep. e cit., f.32
7. Po aty, f.42-43
8. Marku, Gjon: “Disa dokumente dhe fakte historike mbi organizimin dhe funksionimin e shkollës në Mirditë deri në vitin 1924, Kumona e së Djellës, nr 11, 1997 f. 25.
9. Marku, Gjon: “Kisha Katolike dhe arsimi në Mirditë në fillimet e tij,” Podgur dhe trevat e tjera etnike shqiptare në 90 vjet histori. Istog 2007. F. 129.
10. Diniç, Dragoljub M: “Privi put kroz Albaniju,” – “Sa Sumadijskim Albanskim Odredom, 1912., Kragujevac, 1922., u: Ljubica Stefan, “Serbiai Albanici”, preglad politike Serbije prema Albancima od 1878. do 1914. godine, knjiga prava, casopis za kritiko znanosti, Ljubljana, 1989., f .135-138.
11. Marku, Gjon: “Disa dokumente dhe fakte historike mbi organizimin dhe funksionimin e shkollës në Mirditë deri në vitin 1924”, Kumona e së Djellës, nr. 11, 1997 f. 25
12. Diniç, Dragoljub M: “Privi put kroz Albaniju,” – “Sa Sumadijskim Albanskim Odredom, 1912., Kragujevac, 1922., u: Ljubica Stefan, “Serbiai Albanici”, preglad politike Serbije prema Albancima od 1878. do 1914. godine, knjiga prava, casopis za kritiko znanosti, Ljubljana, 1989. , f .138.
13. ” Vesnik Srpske Crkve”, mars -prill 1913.f. 268.
14. ” Vesnik Srpske Crkve”, mars -prill 1913.f. 268.
15. Marku, Gjon: “Kisha Ortodokse Serbe, përçarësë dhe vëllavrasëse”, (intervistë me Dom Lush Gjergjin, prift katolik shqiptar i Ipeshkëvisë së Kosovës) ,Gazeta “Sot” 14 mars 2008.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.