SHËNDET

Këshilla praktike për parandalimin e variçeve

15:35 - 25.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Variçet janë enë gjaku të mëdha me ngjyrë të errët, të cilat përveçse nuk ju lejojnë të ekspozoni këmbët me fustane, janë të rrezikshme edhe për shëndetin. Ato janë zgjerime të qëndrueshme dhe të përdredhura të venave sipërfaqësore të gjymtyrëve të poshtme, kryesisht të dy venave safeniene. Shkaqet kryesore në shfaqjen e tyre janë: trashëgimia, shtatzënitë, obeziteti, profesionet me qëndrime të zgjatura në këmbë ose ulur palëvizur, traumat e ndryshme, menopauza, mosha e avancuar, dëmtimi i venave të baçinit nga shkaqe të ndryshme, etj. Këto shkaqe çojnë në dëmtimin e murit të venave safeniene dhe të valvulave të tyre, duke bërë që gjaku venoz të mos kthehet normalisht nga poshtë – lart kur njeriu është në pozicion në këmbë ose ulur me këmbët varur. Zgjerimi i këtyre venave vazhdon ngadalë, gradualisht e ”në qetësi”, duke dëmtuar dhe duke zgjeruar degët e tyre, derisa krijohen paketat varikoze masive.




Në varësi të stadit të zhvillimit dhe të ndjeshmërisë dhe kujdesit personal të pacientit, ankesat më të shpeshta janë: ndjenjë rëndese dhe dhimbje djegëse në pulpë, sidomos në fund të ditës së punës, Kruarje e lëkurës në zonat e paketavevarikoze, Ekzema, Mbingjyrosje dhe fortësi e lëkurës, Kapilarë në formë merimange, Këmbë gjithmonë të lodhura shoqëruar me krampetëmuskujve. Te gratë, ankesat shtohen gjatë ditëve të ciklit. Në faza shumë të avancuara ndodhin tre lloj ndërlikimesh të rrezikshme : Tromboza e variçeve (tromboflebitisuperficial) që mund të shkaktojë trombozë në venat e thella dhe në mushkëri; Ҫarja e lëkurës, nga hollimi maksimal i saj, që shkakton hemorragji masive; Ulçera që nuk mbyllen, sidomos përreth kyçit të këmbës, duke e kthyer pacientin në gjysmë-invalid. Që të evitojmë ndërlikime të tilla, duhet që çdo person të konsultohet tek mjeku i familjes dhe tek mjeku specialist sapo shikon shfaqjen e variçeve. Më pas, për një diagnozë të saktë, rekomandohet kryerja e një echo doppler të venave të këmbëve dhe konsultë për mënyrën e trajtimit me  mjekun kirurg të enëve të gjakut (kirurgu vaskular). Edhe vetë mjekët, shpesh japin këshilla në lidhje me trajtimin e këtij problemi dhe zakonisht rekomandojnë disa ndryshime në stilin e jetesës. Nëse kjo metodë dështon, atëherë bëhen ndërhyrje me lazer ose radiofrekuencë. Por, këto procedura, përveçse jo të lira në çmim, mbartin me vete edhe një farë risku. Më poshtë po japim disa këshilla të thjeshta, por shumë të vlefshme për të parandaluar shfaqjen e variceve.

Ruani një peshë ideale

Mbipesha ose obeziteti tek gratë, i bën ato më të prirura për të shfaqur vena varikoze sepse kilet e tepërta ushtrojnë peshë mbi këmbët duke parandaluar qarkullimin normal të gjakut. Ruajtja e një peshe ideale nuk lejon shfaqjen e variceve në këmbë.

Konsumoni ushqime të pasura me fibra

Një dietë e lartë në fibra parandalon kapsllëkun. Por a e dini që diçka e tillë zvogëlon edhe riskun  e shfaqjes së venave varikoze? Kjo për shkak të vetive të fibrave për të përmirësuar qarkullimin—nuk lejon grumbullimin e gjakut në zona të caktuara të enëve të gjakut.

Reduktoni sasinë e kripës

Konsumimi i ushqimeve me shumë kripë ndikon negativisht në presionin e gjakut. Kur presioni i gjakut është i lartë, nuk është në rrezik vetëm zemra, por edhe këmbët tuaja. Limitoni sasinë e kripës në ushqimet tuaja për të mbajtur presionin e gjakut nën kontroll, në të mirë të zemrës suaj dhe venave varikoze.

Lini duhanin

Nëse nuk doni që këmbët tuaja të përfundojnë me varice, ndaloni pirjen e duhanit pasi ky ves ka ndikim negativ në qarkullimin e gjakut dhe enët e gjakut, duke rritur riskun për vena varikoze.

Bëni ushtrime rregullisht

Vrapi dhe ecja duhet të jenë pjesë e pandashme e rutinës suaj sepse rregullojnë qarkullimin dhe reduktojnë shanset e shfaqjes së venave varikoze që janë më pranë jush se  ç’e mendoni. Kështu që përpiquni që një pjesë të kohës suaj t’ia kushtoni ushtrimeve fizike.

Shmangni të qëndruarit në këmbë për orë të gjata

Të qëndruarit në këmbë për periudha të gjata kohe, shkakton presion tek këmbët duke rritur riskun e shfaqjes së venave varikoze. Nëse puna juaj ju kërkon të rrini në këmbë, ndryshoni pozicion herë pas here. Bëni ecje të shkurtra herë pas here në mënyrë që të qarkullojë gjaku në ekstremitetet e poshtme.

Uluni si duhet

Të kryqëzosh këmbët mund të duket shumë seksi, por kjo gjë rrit mundësinë për t’u prekur nga shfaqja e venave varikoze, të cilat nuk janë dhe aq tërheqëse. Sa herë keni mundësi të uleni, kujdesuni të ruani pozicionin e duhur. Nëse është e mundur, ngrijini këmbët për të reduktuar presionin në to.

Vishni çorape kompresuese

Të tilla çorape mund t’i gjeni në treg. Ato kanë llastik dhe lejojnë qarkullimin e gjakut në gjymtyrët e poshtme.

Ndërroni këpucët

Nëse jeni mësuar me taka, por nuk doni që në këmbët tuaja të shfaqen ato vena varikoze të tmerrshme, vishni këpucë me takë të ulët. Ato janë të vetmet që mund të reduktojnë njollat e padëshiruara në këmbë dhe në të njëjtën kohë, qetësojnë muskujt e këmbëve, duke e mbajtur qarkullimin solid.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.