MILOSAO

Manushaqe të egra për mendime të thella

15:45 - 28.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dr. Erika Abazi* – Çështja nuk është morale, por epistemologjike, dhe ky problem i përgjithshëm ka shkaktuar gjithmonë diskutime metodologjike në antropologji, të cilat Albert Doja i ka ilustruar më së miri me punimet e tij, si dhe në këtë libër, nëpërmjet vështrimit kritik mbi studimet antropologjike në përgjithësi dhe mbi studimet shqiptare në veçanti. Pyetja e vërtetë që Malinowski ngriti, duke treguar se nuk ka nevojë të jesh vendas për të njohur vendasit, të cilën Albert Doja e ka rimarrë në punimet e tij, nënkupton se shpjegimet e një antropologu për mënyrën se si njerëzit mendojnë dhe jetojnë nuk duhet të kufizohen brenda horizonteve mendoretë atyre që ka marrë përsipër të studiojë, sikundër nuk duhet as të shpërfillin sistematikisht tonalitetet dalluese të ekzistencës së tyre. Me fjalë të tjera, siç ka specifikuar Clifford Geertz, t’i shohësh gjërat “sipas këndvështrimit nga vendasit” do të thotë se “si duhet të zhvillohet analiza antropologjike dhe si duhen të kuadrohen rezultatet e saj, më tepër se çfarë përbërjeje psiko-mendore duhet të kenë antropologët”. Për rrjedhojë, as çfarë perspektive të brendshme apo të jashtme ata duhet t’i mbahen, as çfarë qasje historike apo të tanishme ata duhet apo nuk duhet të provojnë.




Në rastin e tij, Albert Doja vendoset në një të tashme ndërkombëtare dhe globale, me një sfond intelektual dhe biografik që frymëzohet si nga traditat specifike të Europës Perëndimore, por edhe nga kontekstet specifike lokale, kryesisht shqiptare. Por sipas këndvështrimit nga vendasit, sigurisht “në kuptimin e ngushtë të fjalës”, ai mund të ndihej i dyzuar në vlerësimin e rolit relativ të studiuesve vendas që kanë qëndruar më afër modeleve nacionaliste dhe komuniste, sidomos kur paragjykime të ndryshme duhet të kenë ndikuar studimet shqiptare dhe, kur është e nevojshme, të tregohet se si këto paragjykime kanë shtrembëruar realitetin. Prandaj kur ai propozon të rivlerësojë trashëgiminë dhe kontributin e etnografive folklorike dhe të studimeve kulturore-historike në Shqipëri, kjo nuk mund të jetë thjesht një përpjekje intriguese për të hapur ndaj analizës antropologjike kulturën dhe shoqërinë shqiptare që ndoshta nuk është ende e njohur si duhet në Perëndim. Në shkrimet që vijojnë, Albert Doja ka paraqitur një perspektivë të re mbi mungesën e disiplinës së antropologjisë sociale, mbi ideologjizimin e folklorit etnografik apo etnografisë folklorike, si dhe mbi manipulimin e kulturës popullore. Përveç kësaj, argumentet dhe njohuritë e marra nga vlerësimi kritik i kontekstit politik dhe ideologjik në të cilin janë zhvilluar e lëvruar studimet shqiptare mund të jenë të dobishme për të vlerësuar në mënyrë krahasuese edhe përdorimet dhe keqpërdorimet e studimeve vendase në mbarë kontekstet nacional-komuniste dhe shoqëritë socialiste të Europës Lindore. Një analizë e tillë për rolin e komunizmit në Shqipëri është shumë e mirëpritur, pasi ka mbetur ende thuajse e munguar në studimet shqiptare.
Kundër deformimeve kulturaliste

Në disa konferenca të organizuara në Institutin Max Planck të Antropologjisë Sociale në Halle të Gjermanisë, pothuajse të gjitha kumtesat përmbajnë një qasje kritike të shëndoshë ndaj lëvrimit të studimeve të kulturës popullore, me shembuj të shumtë nga vende të ndryshme të Europës Lindore dhe Juglindore. Sipas rastit dhe në varësi nga pozita e zgjedhur prej autorëve, qasja kritike drejtohet ose ndaj studiuesve vendas ose ndaj studiuesve të huaj. Megjithatë, në Konferencën e marsit 2011, duhet përmendur përsëri se në fjalën e tij përmbyllëse prof. Chris Hann veçoi origjinalitetin e kumtesës së paraqitur nga Albert Doja, në të cilën qasja kritike është drejtuar ndaj një problemi themelor, që nga pikëpamja metodologjike shfaqet në studimet e deritanishme shqiptare të kulturës popullore dhe ka të bëjë jo vetëm me këndvështrimet sipas vendasve, por edhe me këndvështrimet sipas të huajve për kulturën shqiptare.
Parë nga Perëndimi, jo vetëm kultura, historia dhe shoqëria shqiptare, por mbarë Europa Juglindore nuk përfytyrohen veçse si një shprehje e prapambetjes që shfaqet në formën e përçarjeve dhe urrejtjeve ballkanike, luftërave të vazhdueshme, si dhe problemeve që gjithmonë mbeten për t’u zgjidhur. Këto përfytyrime të jashtme, shpesh patronizuese, kanë arritur të futen te mentaliteti i studiuesve vendas, por duke marrë një formë tjetër, atë të evidentimit të veçantive kulturore, ku gjen mbështetje logjike edhe pjesa më e madhe e studimeve të huaja. Në të vërtetë, Albert Doja ka shqyrtuar me hollësi dhe ka vlerësuar në mënyrë kritike faktorët dhe shkaqet e ndryshme historike dhe bashkëkohore për të shpjeguar transformimet shoqërore, kulturore dhe politike në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Europës Juglindore. Në vazhdim të këtyre studimeve kam pasur fatin të kontribuojmë së bashku në atë rrymë studimore tashmë të fuqishme për t’u dhënë fund përfytyrimeve ndërkombëtare të vjetruara, të shtrembëruara e të paragjykuara mbi shqiptarët dhe shoqëritë e tjera të Europës Juglindore.

Me qasjet e tij analitike dhe kritike të hollësishme, Albert Doja është përqendruar veçanërisht mbi karakterin politik të studimeve shqiptare. Mbi të gjitha ai ka argumentuar për një homologji të plotë midis fushave studimore që,ashtu si dhe në vendet e Europës Lindore, njihen si “etnografia” dhe “folklori” apo si studime të “kulturës popullore”. Ky konkluzion është arritur në bazë të kuadrit politik dhe metodologjik në të cilën ato kanë funksionuar, si dhe në njëfarë ngjashmërie elektive dhe homologji tipologjike të këtyre studimeve me traditën folklorike gjermane (Volkskunde) dhe traditën etnografike sovjetike (etnografiya). Këtu nuk është fjala vetëm për pikëpamjet e ngjashme historiciste dhe empiriciste mbi mënyrën e jetesës dhe kulturën popullore, që janë tipike për traditën e studimeve etnografike-folklorike, por sidomos për rezonancën e tyre të vazhdueshme si me traditën folklorike gjermane (Volkskunde), edhe me traditën etnografike sovjetike (etnografiya). Përfshirja e tyre e plotë në strukturat shtetërore ideologjike dhe institucionale, sidomos gjatë socializmit shtetëror, ka kontribuuar në mënyrë aktive për t’u dhënë formë studimeve të atëhershme në përputhje me moralin dhe politikën nacional-komuniste.
Në shkrimet e tij mbi studimet shqiptare, Albert Doja argumenton se cilësimet “etnografike” apo “folklorike” përdoren gjithmonë në një kontekst të caktuar me qëllim që të tregojnë atë traditë të instrumentalizuar politikisht që rrjedh drejtpërsëdrejti nga kultivimet raciste, populiste, nacionaliste dhe komuniste të traditës folklorike gjermane (Volkskunde) dhe të traditës etnografike sovjetike (etnografiya), dhe që për shkak të orientimit të tyre ideologjik i përkasin një sistemi etik e kërkimor të dënueshëm. Ato nuk janë të lidhura kurrsesi me konceptin e folklorit të gjallë dhe as me metodën etnografike në antropologjinë moderne, e cila midis të tjerash mund të na vetëdijesojë për instrumentalizimin politik të një tradite studimore në një kontekst të caktuar, si dhe për mundësinë e evidentimit të pasojave të funksionimit politik të studimeve përkatëse në jetën shoqërore. Ky dallim ka për qëllim të tregojë që në fillim se studimet e kulturës popullore dhe studimet antropologjike nisen nga premisa qënë thelb janë diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën.
Megjithatë, shkrimet e përmbledhura në këtë libër nuk kanë për objekt të bëjnë historikun e plotë të zhvillimit të studimeve të kulturës popullore në Shqipëri dhe aq me pak të merren me kontributet e individëve të veçantë që kanë, padyshim, vlerat e tyre po të marrim parasysh kontekstin në të cilin ato u zhvilluan. Pa e personalizuar debatin, qëllimi që Albert Doja i ka vënë vetes prej kohësh është dhe mbetet mjaftueshmërisht i qartë. Ai është përqendruar kryesisht në identifikimin e mënyrave të ndryshme të ushtrimit të studimeve folklorike-etnografike nga njëra anë dhe të studimeve antropologjike nga ana tjetër, duke u përpjekur që studimet e deritanishme mbi kulturën popullore në Shqipëri t’ia nënshtrojë një analize ideal-tipike, mbështetur në një qasje krahasuese me tradita të ngjashme studimore në vendet e tjera të Europës së Lindjes dhe të Perëndimit. Qëllimi nuk është thjesht të kuptohet se çfarë përbëjnë apo çfarë nuk përbëjnë studimet folkloriko-etnografike të kulturës popullore, por nga pikëpamja analitike e antropologjisë sociale është më e rëndësishme të kuptohet si dhe pse këto studime lindën dhe u zhvilluan në drejtimin specifik që ato morën dhe jo në një tjetër. Mbi bazën e kësaj analize, ai ka mundur të argumentojë një dukuri të përgjithshme të studimeve shqiptare të kohës së sotme, që ka të bëjë para së gjithash me domosdoshmërinë e kapërcimit të dobësive të identifikuara, por që lidhet më konkretisht si me pamundësinë e vazhdimësisë sipas mënyrave të vjetra ashtu edhe me domosdoshmërinë e përqafimit të metodologjisë antropologjike.
Në fakt është e rëndësishme të kuptohet sesi dhe përse një thyerje epistemologjike e këtij lloji është e domosdoshme në studimet shqiptare, në këtë periudhë tranzicioni dhe transformimesh të mëdha sociale e kulturore. Vetëm kështu mund të kapërcehen prapambetjet e trashëguara dhe të vlerësohen përpjekjet e filluara për reformimin dhe modernizimin e kësaj fushe studimore, me të cilat bashkohet jo vetëm përpjekja e tij e tanishme, por edhe gjithë puna e tij për krijimin dhe zhvillimin e një tradite shqiptare në antropologjinë sociale-kulturore. Një përpjekje për t’u vlerësuar, pasi ajo synon jo vetëm t’i çlirojë këto studime nga karakteri parokial, empiricist dhe materialist, por edhe t’i afrojë ato me studimet bashkëkohore. Me punimet e tij, Albert Doja synon të analizojë, interpretojë dhe vlerësojë studimet shqiptare jo vetëm nëpërmjet një optike krahasimore, por edhe duke e konsideruar kulturën shqiptare si pjesë të pandarë dhe integrale të shkëmbimeve globale që evidentojnë si diversitetin, ashtu dhe vlerat e përbashkëta të kulturës universale të njerëzimit. Një qasje e tillë synon në radhë të parë të luftojë paragjykimet dhe stigmatizimin e tjetrit dhe të vetvetes, nga të cilat shqiptarët vazhdojnë të vuajnë pasojat edhe sot në proceset integruese të Shqipërisë në strukturat europiane dhe ndërkombëtare.
Për fat të keq, qysh prej ndryshimeve politike në vitet 1990 deri vonë, duket se në Shqipëri, si ka ndodhur edhe në vende të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, të paktë janë ata që mund të kenë bërë përpjekje bindëse për të modernizuar këtë fushë studimore. Në fakt, me përjashtime të rralla, shumë studiues flasin ende nga pikëpamja e parokializmit kombëtar, duke ndjekur të njëjtën traditë si dhe studimet etnografike-folklorike të kulturës popullore në periudhën komuniste. Por kjo nuk do të thotë se çështjet e pasojave social-kulturore të transformimeve të shpejta që kanë rrjedhur nga demokratizimi dhe europianizimi i shoqërisë shqiptare në kohët e sotme nuk janë marrë në shqyrtim nga një brez i ri studiuesish të gatshëm për të përdorur teoritë dhe metodologjitë e shkencave shoqërore bashkëkohore, përfshirë edhe metodologjinë antropologjike, si në Tiranë edhe në Prishtinë. Një numër në rritje i punimeve të tyre, që Albert Doja premton të shqyrtojë në një rast tjetër, kanë filluar të hyjnë në opinionin akademik shqiptar, madje edhe ndërkombëtar.
Ai i njeh shumë mirë antropologët e rinj në Shqipëri dhe punon në bashkëpunim të ngushtë me shumicën prej tyre. Në fakt, disa prej tyre kanë qenë asistentët e tij, në një kohë apo një tjetër, gjatë viteve kur ai ka punuar si antropolog në disa universitete shqiptare. Madje disa prej tyre kanë recensionuar, ndërsa të tjerë kanë përkthyer disa nga punimet e tij në gjuhën shqipe, një pjesë e të cilave janë përfshirë në këtë përmbledhje. Me të tjerë ai merr pjesë rregullisht së bashku në konferenca dhe debate akademike, madje edhe me studiues të rinj të talentuar nga disiplina të tjera me afinitet elektiv ndaj antropologjisë si nga shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, nga historia, apo edhe me ndonjë nga Instituti sot i ashtuquajtur i Antropologjisë Kulturore, pavarësisht karakterit të dyzuar të pozitës së tyre teksa dëshirojnë të përqafojnë antropologjinë moderne, por pa formimin e duhur dhe pa u shkëputur dot prej metodës folklorike të kuadrit të vjetër institucional.

*Enika Abazi
Boston /Paris, Nëntor 2017 -Mars 2018

1 Albert DOJA, “From the native point of view: An insider/outsider perspective on folkloric archaism and modern anthropology in Albania”, History of the Human Sciences 28, no. 4 (2015), pp. 44-75.
2 GEERTZ, “From the native’s point of view: On the nature of anthropological knowledge”, p. 57.
3 Chris HANN, Mihaly SARKANY, and Peter SKALNIK, eds. Studying Peoples in the People’s Democracies: socialist era anthropology in East-Central Europe (Berlin/Münster: LIT-Verlag, 2005); Vintila MIHAILESCU, Ilia ILIEV, and Slobodan NAUMOVIC, eds. Studying Peoples in the People’s Democracies II: Socialist era anthropology in South-East Europe (Münster/Berlin: LIT-Verlag, 2008); Aleksandar BOSKOVIC and Chris HANN, eds. The Anthropological Field on the Margins of Europe, 1945-1991 (Berlin/Münster: LIT-Verlag, 2013).
4Albert DOJA, “Démocratie et stabilité dans le Sud-Est Européen: facteurs humains, culturels et sociaux”, Les Temps Modernes 56, no. 4/615-616 (2001), pp. 147-166, doi:10.3917/ltm.615.0147.
5 ABAZI and DOJA, “International Representations”; ABAZI and DOJA, “The past in the present: time and narrative of Balkan wars in media industry and international politics”; ABAZI and DOJA, “Time and narrative: Temporality, memory, and instant history of Balkan wars”.
6 DOJA, “From the native point of view: An insider/outsider perspective on folkloric archaism and modern anthropology in Albania”.
7 DOJA, “Beautiful Blue Danube and Accursed Black Mountain Wreath”.
8 DOJA, “From the German-speaking point of view”.
9 ABAZI and DOJA, “From the communist point of view: Cultural hegemony and folkloric manipulation in Albanian studies under socialism”.
10 Historia institucionale e këtyre termave është e tërthortë dhe bëhet edhe më e vështirë kur mungojnë drejtimet e mirëpërcaktuara të formimit profesional. Prandaj, autori ka preferuar që çdo term, veçanërisht Volkskunde, të lihet në formën e vet origjinale pa përkthim.
11Aleksandar BOSKOVIC and Chris HANN, eds. The Anthropological Field on the Margins of Europe, 1945-1991 (Berlin/Münster: LIT-Verlag, 2013).
12 Albert DOJA, “Folkloric archaism and cultural manipulation in Albania under socialism”, in The Anthropological Field on the Margins of Europe, 1945-1991, ed. Aleksandar Boskovic and Chris Hann (Berlin/Münster: LIT-Verlag, 2013), pp. 153-174; Albert DOJA, “From the native point of view: An insider/outsider perspective on folkloric archaism and modern anthropology in Albania”, History of the Human Sciences 28, no. 4 (2015), pp. 44-75, doi:10.1177/0952695115594099; Enika ABAZI and Albert DOJA, “From the communist point of view: Cultural hegemony and folkloric manipulation in Albanian studies under socialism”, Communist and Post-Communist Studies 49, no. 2 (2016), pp. 163-178, doi:10.1016/j.postcomstud.2016.04.002.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.