Sociale

15 mijë familje kanë përfituar bonusin e bebes nga 1 janari i këtij viti

18:00 - 31.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga 1 janari i këtij viti kur qeveria shqiptare vendosi shpërblimin financiar për çdo të porsalindur, rreth 15 mijë familje shqiptare kanë përfituar bonusin e bebes. Çeqet me një vlerë totale 9 mln dollarë, u janë dorëzuar nënave në momentin e regjistrimit të të porsalindurve në maternitete. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishte në maternitetin e Krujës, ku prej janarit janë realizuar 67 lindje, një shërbim ky që mungonte prej disa vitesh. Duke u dorëzuar çekun e bebes dy prindërve që sapo ishin gëzuar me fëmijën e tretë, Manastirliu ka folur për përmirësimet në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore, ndërsa u ndal tek programi i bonusit të bebes, ku dhe ka shpërndarë çekun e bebes.




“Prej 1 janarit qeveria ka vendosur që të gjithë të porsalindurit t’i shpërblejë me një bonus. Për t’i uruar mirëseardhjen në jetë bebes tuaj që tashmë është e regjistruar në gjendjen civile direkt këtu në maternitetin e Krujës, i takon një shpërblim prej 1 milion e 200 mijë lekë, sepse ju e keni fëmijën e tretë. Çeku është një shpërblim financiar për ju që mund ta merrni menjëherë sapo dilni nga materniteti. Kemi vendosur që çeku i jepet vetëm mamave dhe përdoret për shërbimet e para të fëmijës”, tha Manastirliu, ndërsa u dorëzoi prindërve çekun e bebes. Duke vënë në dukje ndryshimet që kanë ndodhur në spitalin e Krujës, ku materniteti për herë të parë ka filluar pas disa vitesh të funksionojë në sajë të investimeve të realizuara dhe programit të patronazhit, Manastirliu tha se bonusi i bebes është një program i konsoliduar tashmë, pasi është vendosur edhe në ligjin e ri të asistencës sociale. Nga 1 janari janë rreth 15 mijë familje që kanë përfituar çekun e bebes, me një fond prej 900 milionë lekë. Politika e re sociale e qeverisë që mbështet familjet e reja, me pagesën universale të bonusit të bebes, jepet për çdo familje, pavarësisht statusit social-ekonomik. Pagesa për lindjen e fëmijës së parë është 40 mijë lekë, për fëmijën e dytë 80 mijë lekë; për fëmijën e tretë, të katërt e në vijim bonusi i bebes është 120 mijë lekë për çdo fëmijë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.