Sociale

Zbardhen datat e regjistrimit për praktikën profesionale të infermierëve

16:00 - 31.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në muajin shtator të këtij viti do të zhvillohen regjistrimet për Praktikën Profesionale me Mbikëqyrje për studentët që kanë përfunduar studimet në universitetin e Shkencave Mjekësore Teknike. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot kalendarin me datat e regjistrimit për të gjitha profilet si dhe dokumentacionin e plotë që duhet të paraqesin kandidatët e interesuar. “Urdhri i Infermierit iu informon se regjistrimet për praktikën tre mujore me mbikëqyrje do të zhvillohen sipas planifikimit. Në datën 2 Shtator 2019, nga ora 9.00-12.00, do të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë mamitë dhe logopedët, që interesohen për ta filluar praktikën këtë sezon. Në datën 3 shtator 2019, nga ora 9.00-12.00, do të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë teknikët e imazherisë dhe teknikët e laboratorit, që interesohen për ta filluar praktikën këtë sezon”,-bën me dije Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë. Më tej ky i fundit bën me dije se në datën 4 dhe 6 shtator 2019, nga ora 9.00 deri në 12.00, do të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë fizioterapistët, që interesohen për ta filluar praktikën këtë sezon, ndërsa nga data 9 deri në 13 shtator 2019, nga ora 9.00-12.00, do të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë infermierët, që interesohen për ta filluar praktikën në sezonin e shtatorit. “Regjistrimet do të zhvillohen në mënyrë strikte vetëm sipas këtyre datave, nuk ka regjistrime në një profesion nëse data e tij ka kaluar”,-thekson UISH.




Dokumentacioni i nevojshëm
Pas pajisjes me diplomë, të gjithë kandidatët do të bëjnë gati dosjen e tyre personale me dokumentet e kërkuara dhe do të regjistrohen në qarkun përkatës për realizimin e Praktikës Profesionale me Mbikëqyrje. Kështu ata duhet të dorëzojnë një kërkesë për anëtarësim (të cilën duhet ta shkruajë vetë personi i interesuar); diplomën dhe listën e notave të noterizuar; një fotokopje të kartës së identitetit; pesë fotografi si dhe një cv. Ndërkohë kandidati duhet të dorëzojë edhe vërtetimin e Drejtuesit të Praktikës Profesionale (këtë do ta tërheqë në momentin kur dorëzon dosjen pranë zyrës përkatëse dhe e plotëson te personi që caktohet nga UISH. Personi që plotëson Vërtetimin do ta ndjekë gjatë praktikës). Gjithashtu, për të realizuar regjistrimin, të interesuarit duhet të bëjnë një derdhje prej 30 mijë lekësh të vjetra në llogari të Urdhrit të Infermierit.

Dorëzimi i dosjes
Pas dorëzimit të dosjes kandidatët do të marrin librezën e Praktikës Profesionale, e cila përmban në pjesën e parë të saj informacion të përgjithshëm si dhe temat në lidhje me provimin e praktikës profesionale. Në pjesën e tretë të këtij dokumenti bëhen shënimet për çdo ditë të praktikës nga profesionisti që është zgjedhur si mbikëqyrës nga ana e kandidatit. Kjo librezë pas përfundimit të praktikës, dorëzohet sipas njoftimit që del në faqen e UISH pranë zyrës ku është bërë regjistrimi fillestar së bashku me dokumente të tjera. “Karta e identitetit profesional, është një dokument identifikimi profesional e cila mbahet varur në përparëse gjatë ushtrimit të praktikës profesionale. Të gjithë kandidatët e interesuar për t’u regjistruar në praktikë mund të paraqiten pranë zyrave përkatëse të UISH sipas sezoneve”,-nënvizon Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë.

Procedura
Sipas rregullores aktuale, infermierët, logopedistët, teknikët e imazherisë, teknikët e laboratorit, fizioterapistët dhe mamitë para se t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit, duhet të kryejnë praktikën profesionale. Të interesuarit përveç praktikës, i nënshtrohen edhe një testimi profesional në fund të saj, ndërkohë që, vetëm nëse vlerësohen pozitivisht në të, kanë të drejtë të regjistrohen për Provimin e Shtetit. Konkretisht, studenti i diplomuar në infermieri, fizioterapi, logopedi, teknikë imazherie dhe teknikë laboratori, ditën që regjistrohet, merr librezën e praktikës profesionale. Në këtë librezë mbahen shënimet ditore përgjatë 12 javëve që studenti realizon praktikën, të cilat firmosen çdo ditë nga drejtuesi i saj. Në fund, libreza e firmosur nga drejtuesit vlerësohet me një numër pikësh të caktuara. Saktësisht, ato janë nga 10 deri në 25 pikë, të cilat i njihen kandidatit gjatë realizimit të testimit profesional. Ai e merr librezën, dhe 10 ditë para datës së provimit, e dorëzon atë pranë urdhrit profesional dhe regjistrohet për dhënien e testimit profesional. Testimi profesional jepet para një komisioni të posaçëm të ngritur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Urdhri i Infermierëve, ku kandidatët do të përgjigjen me gojë dhe praktikisht. Për këtë sezon Urdhri i Infermierit nuk ka publikuar detaje të provimit të praktikës profesionale, çka do të thotë se ato do të jenë të njëjta me ato të vitit të kaluar. Kështu, vjet kandidati u përgjigjej 5 pyetjeve, të cilat ishin në programin e praktikës profesionale, ndërsa secila vlerësohej me nga 1 deri 25 pikë. Pikët maksimale ishin 100, ndërkohë që për ta kaluar me sukses kandidati duhej të merrte 50 pikë.

Kalendari i regjistrimit

†Në datën 2 shtator 2019, nga ora 9.00-12.00, do të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë mamitë dhe logopedët, që interesohen për ta filluar praktikën këtë sezon.
†Në datën 3 shtator 2019, nga ora 9.00-12.00, do të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë teknikët e imazherisë dhe teknikët e laboratorit, që interesohen për ta filluar praktikën këtë sezon.
†Në datën 4 dhe 6 shtator 2019, nga ora 9.00-12.00, do të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë fizioterapistët, që interesohen për ta filluar praktikën këtë sezon.
†Nga data 09-13 shtator 2019, nga ora 9.00-12.00, do të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë infermierët, që interesohen për ta filluar praktikën këtë sezon.
Dokumentet e nevojshme janë :
†Kërkesë për anëtarësim (të cilën e shkruan vetë personi i interesuar).
†Diplomë dhe listë notash të noterizuar.
†Fotokopje të kartës së identitetit.
†Pesë fotografi.
†Një CV.
Vërtetimin e Drejtuesit të Praktikës Profesionale (këtë e tërhiqni në momentin kur dorëzoni dosjen pranë zyrës përkatëse dhe e plotësoni te personi që caktohet nga UISH. Personi që plotëson vërtetimin do t’iu ndjekë gjatë praktikës tuaj).
†Derdhje në llogari të Urdhrit të Infermierit shumën prej 3 000 lekësh.

Provimi i shtetit, afati i fundit i regjistrimit

Ndërkohë, Urdhri Infermierit të Shqipërisë njofton se nga data 28 Gusht deri në 3 Shtator 2019, do të bëhen regjistrimet për të gjithë ata që dëshirojnë të hyjnë në VAP Tetor 2019. Për të krijuar mundësinë e pjesëmarrjes në provim të gjithë, kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë pranë zyrave ku kanë bërë regjistrimin në praktikë dokumentet. Dosja përfshin: një kërkesë për regjistrim në provim, ku do të përcaktoni saktë për të satën herë hyni në provim praktike; një fotokopje të diplomës dhe listës së notave; një fotokopje të kartës së identitetit dhe kartës së praktikantit; si dhe librezën e Praktikës.
“Datat e realizimit të VAP do të jenë nga data 07-15 Tetor 2019, për më shumë do të qëndroni në kontakt me faqen e UISH online. Ata që e japin VAP në këtë sezon nuk kanë nevojë të bëjnë konfirmim pjesëmarrje për Provimin e Shtetit, pasi për të gjithë fituesit e VAP, emri herën e parë (d.m.th. direkt pas kalimit të VAP) regjistrohet automatikisht për Provim Shteti”,-thekson UISH.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.