MILOSAO

Kur Shqipëria sodiste… “APOLLO-11”

19:00 - 04.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Leka Ndoja – 1. “Anija kozmike Apollo 11, u nis nga Cape Caravenal” shkruante me germa të vogla gazeta “Zëri i popullit”, në kolonën e njoftimeve të vdekjeve, por gjysh Kristo e këndonte si gjithnjë me theks amerikan si ish “Vatran”.
– Do t’i bie trompës a kornesë, “God save America”! – i ra tryezës me grusht nga kënaqësia.
– Ditëshkurtër, dëgjon nipi! – ia mbylli gojën e shoqja, Poli.
Lajmi u përbì në bulevard, njerëzit lexonin gazetën në stendë, pastaj ecnin si somnambulë e kqyrnin qiellin.
Se mbas shkollës “10 korriku” ishte një oborr dhe një atelie 20 m e lartë dhe se modeloheshin skulptura vigane kjo s’duhet të çudisë kërkend, as se mbeta i fanitur nga eksterierë… eksterierë! Torse, gjymtyrë cungele, grushte të përçudshme, karikatorë balte. Komplekse prej argjile të gjelbër, shtatore, armë të ngjitura e të gdhendura trashë në duar. Koka gipsi, pjesë misesh, prazmore, kuaj si grifonë të shaluar, gilca luftëtarësh që grahnin demin Apis që tërhiqte tankun si parmendë.




Se në oborrin e pasëm të shkollës ishte gropa e argjilës mbuluar me mushama as kjo s’duhet të habisë kërkend. Se aty ngrihej një mur që ndante oborrin e madh të pallatit me Atelienë, as se gropa e argjilës përshtatej si kënd lojnash. Dhe as se balta kokrrizore topa topa u shërbente djemve të pallatit të oficerëve të gardës, ku është sot “Optika”. Se ata kishin dy zgjedhje, të loznin me argjilë ose me lastrat e redaksisë së gazetës “Zëri i popullit” që flakeshin poshtë pallatit të ushtarakëve.
Katër skulptorët dhe asistenti, atë ditë korriku nisën punën gjithë zemërim. Hidhnin modelet e dështuara në këndin e argjilës.
Dy të vjetrit, bartnin një kokë të shtypur si të Duçes në tezgë. Asistenti mbërthente hundën duke mbajtur ekuilibrin. I thosh kryemjeshtrit.
– Maestro e shapllamos unë këtë! – shkarkonte modelet e dështuara, koka të refuzuara nga autoritetet për shkak të hundës zgarbonjë ose tjetër.
– Qe dhe ky koc ju dënon! – thosh Dyrri që shtypte me këmbë kokat e dënuara.
– Na u bënë duart si të breshkës, dhe ja në plehra! – shfrynte kryemjeshtri Kiç.


– Kiç, mos llap fort! – tha Llambri.
– Maestro këto duan varé! Gjynah?! – vijoi Dyrri, asistenti i Skulptorit të Popullit. Koka prej gipsi u bërskot si shegë.
– Epo, Partia mbi tërë! – se do bindej dhe vetë autori, Kiç, kush mund ta shkonte ndërmend! Tërthoroi tezgën me baltën jeshile dhe luftëtari i gjymtë u pllaqurit e mori formë nimfe, pasi pushka iu shndërrua në bisht.
– Bjeri dhe gipsit! – i tha djalit.
– Unë e kam Dyrr, Abdurrahman, – gjegj asistenti me varé.
– Të rënë që paske Dyrr! – tha skulptori i ri Zmali, e shkarkoi një kokë Apoli. Pastaj ia lëmoi thellukën e ballit me spatul. Se pastaj punën tjetër e bëri punsoni, kjo duhet marrë në konsideratë. E nxori nga xhepi dhe ia çau frontalin tej e përtej.
– Ta ruaj një copë për kujtim! – tha mjeshtri Kiç.
– Apol i ngratë, një dënim plastik! – mbase tha Dyrri, tek nisi t’i thërmonte kokën ose çka kishte mbetur prej Hyut. Zmali me Maksin sollën kokat e tjera të baltës, dhe një tors gipsi me trëndafil në xhep, mbase ish intelektual.
Si më të rinj, këta bënë disa rrugë me tezga mbushur me angra e fragmente kollçikësh.
Dy skulptorët e vjetër rënkonin në fund të oborrit. I hidhnin pa rregull: copa gjymtyrësh, copa artilerie, pushkë, armiq të mposhtur nën kondak të fshatarëve heronj.

Marko kaloi deriçkën e ateliesë dhe po kalonte oborrin e pasëm të shkollës për të marrë dëftesën. I bëri përshtypje gjermani me helmetë që shkelesh nga opanga e një partizani kockë e lëkurë, po u trisht kur pa sesi këpuca ushtarake e Dyrrit e zgërlaqi!
– E mër çun! – tha Dyrri, – nuk ke ‘i çik mëshirë që shef?!
– Shifi çun, dëshmitari i vetëm që pe këtë zallamahi! – tha Maksi nga stoli para Ateliesë. Hoqi tapën e shishes dhe mbushi me raki 5 gotat e skulptorëve.
Marko shifte gropën dhe i bënë përshtypje kalcat e ravijëzuara si lidhse senatorësh romakë të Apolit.
– Se mos i ngjisni prapë! – tha Llambri. Kiçi e pa vëngër por u qeshi djemve të pallatit që ishin mbledhur nga zhurmat. Eni me Rrapon e nxisnin.
– Jepi Dyrrrr! – Dyrri i thërmonte gipset apo ngjeshte modelet me këmbë e lëshonte jeh.
Një shi i pasdides së meskorrikut i bëri modelet një masë dhe llom. Festë për çunat: se dhe vajzat e ushtarakëve si çuna ishin, këmbëleshe, por zgjodhën veshët e gipsit të Apolit, për të bërë peta e hundët kërrute e organin gjenital, shkumsa. Sa ikën skulptorët, këndi i ateliesë u kthye në fushëbetejë.
– En, – pyeti Marko, – ta bëjmë ne kalanë se e kemi afër pallatit?
– Ju mbani gropën, – tha Rrapo, – ne rifuxhion e oborrit se e kanë bërë ushtarët e babit. Banushi ndali xhipin, dëgjoi djalin e bërtiti: – E bëri Partia, marsh në shtëpi!
Sa shkarkoi ca konserva me shoferin, Banushi u nis për në Gardë dhe Rrapo doli prapë. Me t’u ndarë në dy skuadra “gjermanët” e Markos me “partizanët” e Rrapos, u shpall lufta. Rënie teneqesh dhe lastrash. Topat e argjilës vringëllinin mbi rifuxhion e oficerëve. Prapavija kalandronte argjilën në pëllëmbë.
– Balta shtrohet mirë me xham, – tha Eni.
Një kala argjile për tiransit, kundër gardistëve të pozicionuar në strehimin gjysmë të nëndheshëm dhe gjuajtje, ja ç’ishte loja në vitin 1969 të zbritjes në Hënë të misionit Apollo 11.

Në mëngjes, mjeshtri Kiç, hodhi ca modele maket i mërzitur.
– Marko, En, paski bërë mur turk me veprat e shtetit! – kalaja e rrënuar dhe sharapollat u mbuluan nga zhurmat.
Mbetje të veprave të dështuara dhe Orë të luftëtarëve të zhbërë që klithnin ose çanin ajrin. Sërish mjeshtrat ikën dhe rifilloi lufta.
Një shpikje, për të parë “partizanët” që godisnin me zara argjile ishte frengjia prej xhami. Gardistët i fusnin guralecë kaqolëve të rëndë të baltës që shpërthiqnin kohë pas kohe në bedenat gjelbrane.
Përmes frengjisë, goxha fushëpamje: “partizanët e partizanet” qëllonin nga gypi i ajrimit të rifuxhios, ndërtuar nga Garda, për t’u mbrojtur nga sulmet hipotetike të aviacionit.
“Asnjë shteg për gjermanët” tha Kadifeja një nga vajzat e pallatit të oficerëve, kur pa se frengjia shërbente edhe si katapultë por edhe si kaleidoskop-tejqyrë.
Skulptorët u kthyen të punonin në turnin e dytë. Turbulluan kokën në çezëm.
– Amerika, Amerika, – thoshte Maksi, – kur “gjermanët” erdhën të laheshin nga balta në oborrin e Ateliesë.
– Lëre Maks, se dëgjon Kiçi, – i gjegjej Zmali.

– Atij ja thyen veprat, se ne argatë jemi! – u nxe Maksi.
Skulptorët, mbaruan punë dhe nisën të hanin bukën. Se në stolin jashtë derës së madhe nisi biseda kjo s’do vënë ne dyshim.
– Atij kafshës së Byrosë, – vijonte Maksi, – Mëma e Madhe, iu duk si raketë!
– Apollo 10 iu afrua Hënës, por nesër kan me zbarku rob, vërtetë. – shtoi Zmali me gazetën në dorë.
– Ata të partisë dinë diçka. I vdes çdo zbarkim. – Ia kthente Dyrri.
– Ta kallafatojmë, një raketë! – tha Kiçi.
– Po ti Llamber pse s’flet! – i tha Zmali.
– Argjilen na e besoi Partia, o Zmal Aga, – ta shpërdorojmë?! – Llambri heshti e shikoi nga Kiçi.
– Vërtet Shotë Galicën me çfarë ta ngrejmë?
– Hajt se ka lumi argjilë me lopatë! – e mbylli Dyrri. Marko nguli mbi sharapoll flamurin e paqes. Mjeshtri Kiç, i ftoi skuadrat në Atelie.

Ishte një skulpturë e madhe. Dora lart tregonte se do t’i ngjitej pushka hedhur në sup, ose diçka e tillë, ndërsa shikimi nga tavani i ateliesë.
– E kujt është kjo skulpturë maestro! – pyeti Marko.
– Mër çun… e Shotë Galicës! – tha Dyrri.
– Luftoi? Me gjermanët? – Pyeti Kadifeja.
– Jo po për luftë qe e madhe, – tha Kiçi.
– Po anija kozmike në Hënë do të mbërrijë? – pyeti Dyrri duke lënë, varenë nën tryezën e modelimeve. Maksi me Zmalin po lustronin me spatul një kokë femre me gërshetë.
– Kjo qenka tamam argjilë, jo ajo balta që hedhin këta, – shtoi Kadifeja që kishte kominoshet mbushur me zara balte.

Dielli skuqi dritaret, gjymtyrët e shkëputura nga maketet mbruheshin në një tryezë gipsesh, si vunderkindë të shqyer, rreshtuar sikur prisnin sinjalin e kuq për t’u ndeshur.
Skulptorët lanë punën e zunë të pinë raki mes gipseve të tryezës.
Vetëm mjeshtri Kiç, po modelonte një raketë, me katër faza. Valkiriet nisën të mbushnin atelienë me flatrime e klithma të hirta.
– Këto do të bien, – tha Kiçi, dhe moduli hënor do të ulet…
– Në Hënë? – pyeti Marko me Enin.
– Eja Mark, sonte se kemi marrë televizor “Phanola”, – tha Eni. Valkiriet sikur u fashitën, kthetrat e tyre sikur preknin komplekset skulpturore të Ateliesë që dridheshin në gri.
– Do ta fal këtë modelin Apollo 11! – i tha Markos që preku motorrët prej gipsi dhe Maksi mori penelin e ngjeu në bojë të kuqe dhe pikturoi anash USA.
– Hiqe o Maks se do të na shpien te veni! – tha mjeshtri Kiç.
– Merre çun, nuk kullundris çdo ditë Apollo 11! – ndërsa Zmali ia mbështolli me gazetë duke parë shtrembër nga Llambri që lëmonte gjinjtë e Shotës.
Marko e mori dhe e shtrëngonte nën sqetull ndërsa dolën nga dera e oborrit.
– Në orën 10 – tha Eni, – hajdeni te shtëpia ta shohim bashkë në TV.
Para se të shtrihej, Marko e vendosi anijen kozmike Apollo 11, sipër radios me llampa.

2.
Kur tha Eni, se “kapte televizori në hënë”, kush mund ta besonte. Por kur folën skulptorët të njëjtën gjë, mos kujtojë kush se nuk do të besohej.
Atë mbrëmje të 20 korrikut, djemtë të paqtuar dhe Kadifeja zunë vendet e fundit në sallonin e shtëpisë së Enit, ku dëgjohej tema e ditës: një sulm i supozuar i Amerikës apo i sovjetikëve, përfundimi: kinezët, sipas Kadifesë do vinin në ndihmë me avionë për 2 orë.
– 8 orë! – ndërhyri Rrapo.
– E në Hënë sa kohë duhet për çinemaçinin? – tha Marko. Dhjetë radhët e stolave e karrikeve u zunë krejtësisht nga fqinjët.
– Maestro Kiç, nga vjen sinjali nga Hëna në televizor nga Rusia? – pyeti Rrapo.
– Jo po nga Çinamaçini! – tha Mjeshtri Kiç.
– Lum ti Eno, ke televizor po antena është mbi caracin tim! – I thosh Dyrr Zeku.
– Lum shoferët,… ça bën mër maestro?! – iu drejtua Llambrit që ndezi një kasetofon UHER në xhepin e përpajses.
– Ne punojmë baltë… e dru kokës! – tha mjeshtri Kiç, – ti po regjistron ‘i çik! – iu drejtua Llambrit që i qeshte ëmbël Kadifesë.
Kanali i RAI-t nisi të transmetonte live, nga qendra e komandës në Hjuston. Zydi fiku dritat në sallon ndërsa xixëllonjat shponin errësirën. Dëgjohesh vetëm komentatori Daniele Valentini dhe vajza e shtëpisë që përkthente nga italishtja. Fëshfërinin letrat e karameleve. Dyshemeja prej dërrase kriste nga pesha e njerëzve.

Një pistë ku do sfilonte ngjarja e fëminisë? E njerëzimit? E Amerikës? Si mund të përshkruhej vetëm ai ekran i rrumbullt që sillte sinjal përtej kozmosit? Kostumet e astronautëve Armstrong dhe Kollins do të piknin, si alienë apo njësi që prishnin gjumin miliarda netësh të hapësirës, tek duhet të zbrisnin në koordinatën hënore “Deti i Qetësisë”.
Një ngjyrë e përhime ngriti pluhur dhe përhiroi atë sallon.

Zydiu nuk ishte më kamionist por Mesìa që lëviste duart dhe shtynte kozmosin në radhën e parë të karrikeve të dhomës-kinema, nuk ishte shofer eksporti, dhe nallanet anash dhomës nuk e stepnin spikeren e shtëpisë të përkthente ndërsa mjeshtri Kiç, qante me lot dhe thoshte:
– Silence please! – dukej se kishte dijeni për shumëçka. Ajo doli në fund të sallonit dhe zbriti e zemëruar në katin e parë. Kërcisnin shkallët e dërrasës ndërsa Raketa e kishte lëshuar kapsulën Eagle në orbitë. Llambri guxoi ta kapë për krahu.
– Ça fole anglisht? – Mjeshtri Kiç veç qante.
Njerëzit shikonin në ekranin e rrumbullt dhe pëshpërinin. Kadifeja fërkonte kominoshet.
Data 20 korrik, ora 10 e pak e mbrëmjes. Komentatori Daniele Valentini me flokë të gjata biondë tha: é aterrato.
Jo, jo, ndërhyri reporteri nga Hjustoni, kanë prekur vetëm antenat në sipërfaqe.
Shoferi rrotullonte duart si mbi timon, kur kapsula hënore përsiatej e nuk po ndalonte dot.
Pas dhjetë minutash ai tha: “Po ndaloi”.
Kamera poshtë modulit, Eagle tregoi veshjen e kostumit të astronautit.
Neil Armstrongu zbriti shkallët, dhe kërceu (një heshtje varri ra në sallë) në Hënë.
U dëgjua, – Qyqa, Qyqa, – e nanës së shtëpisë, dhe zëri i Armstrongut “një hap i vogël dhe një hap gjigand i njerëzimit”.
Flamuri i përkulur sapak, reshte në rropullitë e kozmosit yjet e bardhë amerikanë. Armstrongu dhe Aldrini hidheshin me dy këmbë si kangurë, ndërsa Mjeshtri Kiç qante me dënesë.
Mes xixëllonjave të sallonit, u shfaq Papa Pali VI, me uratën kozmike dhe Presidenti Nikson që foli me ekuipazhin para nisjes për në tokë.
– Çfarë thotë? – pyeti Llamber Bidoni, ndërroi baterinë dhe shtypi butonin Record të UHER-it.
– Amerika vendi më i madh i botës! Regjistro! – tha Maksi.
Zbritëm nga kati i dytë i shtëpisë, morëm poshtë shkallëve dhe dolëm në rrugicën e oborrit rrethuar me hurma, ku spikerja e dënuar tundej në shtregull. Nana e shtëpisë me fshesë në dorë na përcolli duke na thënë “qyqa,… mirë qoshi!”.

Ishim rreth 20 vetë kur dolëm nga rrugina ngjitur me kinemanë e re në oborrin e pallatit. Shohim të habitur. Raketa Apollo 11 flakërinte në oborr me kapsulën lart mbi pallatin e Gardës në sfondin e Dajtit. Ranë bilbilat, Raketa ulej a ngrihej me motorrët ndezur dhe shkrimi USA përndizte natën e 20 korrikut.
U dëgjuan boritë e gazit 69, Banushi dhe gardistët nisën të zbërthenin tre fazat cilindrike të anijes të veshura me lastrat e shtypshkronjës së gazetës.
– Provokim! – tha Banushi, dhe ndreqi revolverin. Moduli i rëndë nuk zbërthehej dhe e hodhën në kamionin e argjilës së Ateliesë.
– Banush! – tha Kadifeja, si erdhi gjithë kjo raketë këtu? Llamarinat e zbërthyera ushtarët e gardës i hodhën në kamionçinën trirrotëshe Motto Guzzi dhe policët i frynin qiellit me bilbilat kinezë.

3
Në 6 të mëngjesit Gazeta “Zëri i Popullit” më në fund u ekspozua në stendën me xham.
Gjysh Kristo dhe profesori i anglishtes Sherifi ecnin lart e poshtë. Kënduan me zë titujt në ag dhe ngarendën te pika e shitjes. Lanë shishet e qumështit në radhë te Demneri dhe te ish Bashkia, dhe u kthyen në shtëpi.
– Nuk e thotë Amerikën!
Ishte një shënim i vogël në faqen 4. “Misioni Apollo 11 zbret në Hënë”.
Nja tre rreshta.
Marko doli jashtë dhe pa një grumbull me lastrat e gazetës që shkruanin “Buletini 11”. Kamionçinat Guzzi, nuk soseshin varg.
Të nesërmen ra një shi dhe muret e kalasë u zgërlaqën.
Ata të Komunales e morën baltën dhe e hodhën në karroceri.
Apollo 11 u zhduk dhe mbeti vetëm maketi i Mjeshtrit Kiç.
Në mbrëmje u dëgjua në rruginë zhurma e Gazit 69.
– Ke bërë makete proamerikane! – kumboi Atelieja.
– Dhe tanëve ua ke holluar krahët, – shtoi ai me distinktiv.
Oborri i Ateliesë shungëlloi, atë zheg të korriku ishte më pranë se kurrë kozmosi apokrif.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.