KULTURË

“Qeveria kritikon populitin e teatrit, por e përdor në opera”

18:00 - 06.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Materiali i populitit është përdorur masivisht në rikonstruksionin e saporealizuar të Teatrit të Operës dhe Baletit. E gjithë fushata meskine e qeverise ndaj materialit të “dobët” të populitit me të cilin është ndërtuar Teatri Kombëtar bie poshtë. Siç mund të shikoni fotot, populiti është përdorur masivisht në një objekt të saporikonstruktuar nga qeveria”. Ka qenë ky postimi i djeshëm i “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”. Postimi i ilustruar me imazhe tregon materialin e përdorur në opera, që vetëm dy ditë më parë llogaritej nga kryeministri si sukses. Populiti cilësohet nga qeveria si material helmues dhe është përdorur shpesh si argument pse duhet shembur teatri.




REAGIMET
Ndërkaq qytetarë, artistë, urbanistë, arkitektë vijojnë ruajtjen 24-orëshe të godinës, e cila është marrë në kontroll nga protestuesit prej datës 24 korrik pas përplasjes 15-orëshe me policinë. Mbrëmë Bert Budina akuzoi pushtetin se u është sulur të gjitha pronave publike. “Po uroj të vijnë njëherë të përplasen me ne që të marrim edhe Ministrinë e Brendshme dhe Kryeministrinë e të ikë. Ata që duan ta shembin teatrin me politikë paskan të drejtë, ndërsa ne që e mbrojmë me politikë s’paskemi të drejtë, sipas një ambasadori. Unë thashë se nëse ata vijnë, do të përballen me ne. Tani po përgjigjemi me art. Pa organikë, thjesht me vullnetin tonë dhe tuajin po e vëmë në punë teatrin”, tha regjisori, që proteston prej 18 muajsh. Ai shtoi dje se Teatri Kombëtar nuk është më vetëm teatër, është e drejta e fjalës dhe demokracia. “Veç atyre që na ofrohen, mbase do vëmë ne vetë një shfaqje për rrugëtimin tonë më se 1-vjeçar. Do t’i japim skenës vlerën e duhur. Por edhe sikur të bjerë kjo qeveri, nuk do mbarojë me këtë shtet. Ne do të rrisim në çdo vend ku ka jetë llogaridhënien e pushtetit”. Më tej, fjalën e mori aktori Neritan Liçaj, i cili njoftoi se po shtohen aktivitetet në sheshin e teatrit. “Po ofrohen njerëz për të bërë muzikë e art, duke ju përgjigjur dhunës që ushtron qeveria ndaj gjithë shtresave. Ne këtu do rrimë derisa ta zgjidhim përfundimisht. Arti ndez shpresë dhe këtë po përpiqemi të bëjmë këtu. Dhe kjo është ajo që e çmend pushtetin, sepse sheh që nuk ia del me ne. Deri dje qeveria thoshte se s’ka artistë të mëdhenj, tani po i përdor. Kush shtron kurrizin, më skllav do bëhet. Ndaj, emigrantët që shohin vetëm portalet e qeverisë, duhet të vijnë që të shohin se çfarë ndodh”, tha aktori.

Në të njëjtën linjë ishte edhe juristi Çlirim Gjata. “Neri tha që kush shtron kurrizin, skllav mbetet. Mua mu kujtua shprehja e një gruaje amerikane që thoshte se askush s’të bën skllav veç vetes. Edi Rama po nxjerr atë që artistët kanë thënë vjet e parvjet, se sivjet nuk flet njeri më me të. Ai po del e po bën xhiro nëpër varreza për të marrë mendimet se ç’kanë thënë. Ai edhe në varreza do ndërtonte një kullë 40-katshe po t’ia kërkonte krimi. Atij askush s’po i përgjigjet. Ata ose heshtin, ose e përgënjeshtrojnë. Ata që ikën, ata s’po e kapërcejnë më veten, por as nuk po e mbështesin”, tha Gjata. Sipas tij, Rama bëri vetëm një provë ta prekte dhe e pa që s’ia del. “Jo vetëm që Rama mbeti vetëm, por teatri rinisi punën me Mehdi Malkën. 1 vit e gjysmë protesta për të dhënë një shfaqje. Te filmi ‘Udha e shkronjave’ thuhet ‘po veshi i pashait nuk dëgjon?’. Dhe përgjigja është që ‘e ka shurdhuar tringëllima’. Soreca tha se tenderi është transparent. Aty është bërë me ligj, që vetëm dikush të ketë mundësi. Kam frikë se ambasadorëve u ka rënë dielli në sy e s’po shohin”, e mbylli fjalën e tij Gjata.

RAMA
Kryeministri Edi Rama ka risjellë në kujtesë deklaratën e vjetshme të aktorit Bujar Asqeriu, në kohën që ai nga protestues, u bë mbështetës i shembjes së teatrit, teksa duket se ngulmon në planin e qeverisë për ta shembur. Sipas kryeministrit, Asqeriu i përket një brezi të ndërmjetëm, mes mjeshtrave që themeluan Teatrin Kombëtar gjatë epokës komuniste dhe të rinjve, që erdhën në skenë kur regjimit komunist i erdhi fundi. Shefi i qeverisë thotë se ai krijoi një galeri të pasur rolesh, në ekran dhe në skenë, duke fituar zemrat e respektin e publikut. Si për të treguar arsyen e ndryshimit të qëndrimit, kryeministri thotë: “Në këtë çështjen, ‘prishet nuk prishet’ rrënoja e teatrit, Bujari ishte zëdhënës i fuqishëm i protestës fillestare; kur i tërë komuniteti u mblodh bashkë, për të garantuar vijën e kuqe të mosprekjes së territorit të Teatrit Kombëtar për ndërtime të tjera.

Qysh se kjo çështje u sqarua qartë e prerë me qeverinë e me bashkinë, që s’kanë pasur kurrë ndërmend të përdorin truallin e teatrit për tjetër gjë, përveçse për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, Bujar Asqeriu, njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror, mbështet pa rezervë shembjen e të vjetrit e ndërtimin e të riut”, nënvizon Rama. Vjet, Bujar Asqeriu tha: “Nuk jam për protesta, nuk i mbështes. Dua të dëgjohen arkitektët. Unë më në atë godinë nuk futem, sepse është sëmundje. Nga ajo godinë ku vdiqën shokët e mi, më duket se jam sëmurur edhe unë. Dua një teatër të ri dhe nuk ka më kuptim që të vihemi kundër njëri-tjetrit, por t’ua lëmë këtë çështje arkitektëve. Boll se u teprua”!

MBËSHTETJE NGA GRACI
Dramaturgia e Teatrit Shtetëror të Gracit në Austri, Jennifer Weiss, ka shpallur me vullnet të plotë solidaritetin me artistët dhe qytetarët që janë ngritur në mbrojtje të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë. “Qëndroj në krah të atyre njerëzve që mbrojnë këtë monument të rëndësishëm kulturor dhe historik, dhe luftojnë për ruajtjen e lirisë së artit. I kujtoj qeverisë së Shqipërisë se shembja e Teatrit Kombëtar është e barabartë me shkatërrimin e pazëvendësueshëm të një institucioni kulturor demokratik, që qëndron në themel të shoqërisë e që ka një vlerë të jashtëzakonshme si për popullin shqiptar, ashtu edhe për atë europian”, thotë ajo. Shton se ruajtja e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe mbështetja për artin dhe kulturën kombëtare nuk ka rëndësi thjesht dhe vetëm për një vend dhe një komb. “Shpresoj se klasa politike në Shqipëri do ta marrë parasysh këtë kërkesë demokratike dhe do të mbajë qëndrim në lidhje me të. Lajmi i rrezikut që i kanoset Teatrit Kombëtar të Shqipërisë brenda pak ditësh është përhapur në mbarë Europën. Ky lajm do të mbetet në qendër të vëmendjes dhe do të sjellë një vëmendje dhe shqetësim akoma më të madh deri në çastin kur siguria e ndërtesës të jetë e garantuar plotësisht”, e mbyll reagimin e saj dramaturgia.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.