KULTURË

Nobelistja Elfriede Jelinek, qeverisë austriake: Mbroni teatrin shqiptar

11:05 - 07.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një nobeliste në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Është Elfriede Jelionek që ka firmosur një kërkesë në mbështetje të qëndrestarëve që mbrojnë godinën historike. Një grup artistësh austriakë i kanë dërguar një letër/apel qeverisë dhe parlamentit të tyre në Vjenë, ku i kërkojnë të bëjë çdo lëvizje për të mbrojtur Teatrin Kombëtar në Shqipëri. Ata tashmë kanë nisur një peticion, përmes të cilit i kërkojë shtetit austriak të ndërhyjë. “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” në Tiranë thotë se nismëtarët e këtij peticioni ka nisur në Vjenë më 24 korrik 2019 dhe të gjithë që e kanë nënshkruar deri tani. Lista shtohet nga dita në ditë.




Nënshkruesit e parë: Gerhard Ruiss, Gabu Heindl, Elfriede Jelinek, Händl Klaus, Uëe Mattheiß, Sabine Mitterecker. Kjo nuk është hera që qëndresa për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar është mbështetur nga artistë austriakë, nga forume e dramaturgë deri edhe tek teatri Popullor i Vjenës. Kur artistët shqiptarë janë përçarë, kur intelektualët nga kundërshtarë të qeverisë janë bërë zëdhënës, kur atyre që e braktisën kauzën u jepen financime publike, zërat në ndihmë të godinës ku shumë artistë nisën karrierën nuk janë më vetëm ata që janë në shesh, por edhe intelektualë të huajë, që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me teatrin shqiptar, por që ne ndjejnë se në një konflikt ku përfshihet një qeveri dhe një grusht artistësh e qytetarët, ata që duhen mbështetur janë të dytët. Në fakt, peticioni i austriakëve bart e drejton gishtin në plagë, duke përmendur shkeljet ligjore që janë vënë në dukje këta muaj sa i takon çështjes së teatrit. “U bëjmë apel grupeve të personave të adresuar si më lart të mbështesin fuqishëm qëndresën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë kundër sakrifikimit të interesit publik përballë interesave të investuesve dhe politikanëve të gatshëm të bashkëpunojnë me ta”, thuhet mes të tjerash në apelin drejtuar vendimmarrësve austriakë.

PETICIONI
Të nderuar përfaqësues të qeverisë,
Të nderuar deputetë të parlamentit,
Të nderuara zonja dhe të nderuar zotërinj!

Teatri Kombëtar i Shqipërisë është vënë në shënjestër për t’u shembur. Të solidarizohemi me koleget e kolegët tanë shqiptarë. Apel drejtuar klasës politike europiane dhe austriake. Teatri Kombëtar në Tiranë është vënë në shënjestër për t’u shembur. Në truallin e Teatrit Kombëtar synohet të realizohet një projekt në kuadrin e një Partneriteti Publik-Privat (planifikimi: studioja daneze e arkitekturës BIG Architektur). Projekti parashikon ndërtimin e kullave private dhe një ndërtesë të re teatri si pjesë e një qendre tregtare. Braktisja e Teatrit Kombëtar në godinën e tij të deritanishme duket një çështje e mbyllur. Njerëz të artit e kulturës dhe qytetare e qytetarë të angazhuar të Tiranës protestojnë që prej një viti kundër këtyre planeve dhe mbrojnë Teatrin Kombëtar nëpërmjet marrjes në kontroll të mjediseve të tij. Pas aksioneve të para të policisë kanoset zbrazja e dhunshme e teatrit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e kanë kritikuar disa herë praktikën e Partneritetit Publik-Privat (PPP) në Shqipëri, sepse shpërndarja e kostove dhe riskut që lidhet me të nuk shkon në të mirë të shtetit shqiptar, popullit shqiptar dhe grupeve të prekura të popullsisë shqiptare. Kërkesa e Bankës Botërore dhe FMN është që kjo praktikë të ndalojë deri në realizimin e proceseve transparente të vendimmarrjes. Për diçka të tillë për momentin as që bëhet fjalë.

Shqipëria përpiqet që, krahas të tjerash, edhe me mbështetjen e fortë austriake, të sigurojë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Anëtarësimi në Bashkimin Europian është i pamundur nëse rregullat europiane në lidhje me tenderat, transparencën e prokurimit nuk respektohen, e madje në të kundërtën, krijojnë precedentë që nuk kanë lidhje me shtetin ligjor. Gjithashtu, nuk bën aspak përshtypje të mirë fakti se një firmë nga një vend i Bashkimit Europian vepron me rregulla të tjera krahasuar me ç’do të bënte në hapësirën e BE-së në një vend kandidat për anëtarësim në BE.

Koleget dhe kolegët në Tiranë kanë nevojë urgjente për mbështetjen tonë. Ata kanë nevojë për mbështetjen e politikës europiane, ata kanë nevojë për mbështetjen e politikaneve e politikanëve austriakë, që mbështesin hyrjen e Shqipërisë në BE. Lufta e shoqërisë civile kundër shpërdorimit të pasurive publike përballë investuesve privatë dhe kundër shitjes së kulturës teatrore shqiptare meriton solidaritetin tonë të pakufishëm. U bëjmë apel grupeve të personave të adresuar si më lart të mbështesin fuqishëm qëndresën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë kundër sakrifikimit të interesit publik përballë interesave të investuesve dhe politikanëve të gatshëm të bashkëpunojnë me ta.

Ndihmoni edhe ju, jepni edhe ju kontributin tuaj që Teatri Kombëtar në Tiranë të mos shembet. Shfrytëzoni kontaktet tuaja, siguroni vëmendje dhe mbështesni njerëzit e artit dhe kulturës në Shqipëri në luftën e tyre për mbajtjen në këmbë të Teatrit Kombëtar, kudo e kurdo që keni mundësi ta bëni.

Nënshkruar:
Gerhard Ruiss, përfaqësues i Komunitetit të Autorëve, Republika e Austrisë
Gabu Heindl, arkitekte
Instituti Ndërkombëtar i Teatrit (ITI) Republika Federale e Gjermanisë
Elfriede Jelinek, shkrimtare
Händl Klaus, shkrimtar
Uëe Mattheiß, gazetar
Sabine Mitterecker, regjisore


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.