MILOSAO

A mundet trashëgimia jonë kulturore ta ndihë turizmin

16:55 - 01.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Trashëgimia kulturore është një nga asetet më të mëdha që ka vendi ynë, e cila jo rrallë përflitet, anatemohet, ashtu si me të cilën shpesh krenohemi: hera-herës të pavetëdijshëm për përmasat e saj. Nga ata që ia kanë zili brënda dhe jashtë vendit por më shumë nga ata që e qesëndisin, thuhet se: Shqipëria ka më shumë trashëgimi kulturore sesa mund të ketë aftësi ta mbajë dhe të kujdeset. Në fakt ka një të vërtetë dhe ajo shkon me shprehjen e famshme, sipas të cilës, Ballkani ka më shumë histori sesa mund të mbartë. Fakti e tregon se në territorin tonë janë gjendur dhe ende fshihen qindra e mijëra objekte arkeologjike prehistorike-antike-mesjetare, kështjella, vetë qytete arkeologjike me zulmë të madhe, kisha të periudhave të ndryshme, xhami e shumë objekte të tjera, të cilat tregojnë peshën e vendit tonë, fakt që do t’ia kishin zili shumë nga vendet që mëtojnë turizmin kulturor por edhe shprehjen e identitetit përmes këtij elementi. Për fat të keq nëpër vite, kjo trashëgimi: duke filluar nga socializmi është shkatërruar pa asnjë lloj sensi. U prishën shumë objekte kulti, rëndësia e stileve të tyre të ndërtimit nuk ua mbushi syrin autoriteteve të dikurshëm, u dhunua në ditët e sotme Onufri, janë zhgarravitur ashpër në socializëm afreska të tëra, po prishet pandalshëm në muajt e fundit Grama në Karaburun falë masivizimit të turizmit dhe etjes së njerëzve për të lënë gjurmë në një trashëgimi të vjetër, e shumë e shumë shembuj me rradhë. Këto janë disa shembuj por të tjerë mund të shtojnë shumë më tepër.




Nuk duhet mohuar fakti se qeveria e pas vitit 2013 ka qenë e ndërgjegjshme për peshën e aseteve të trashëgimisë në turizëm dhe janë munduar t’i promovojnë ato deridiku me të gjithë peshën e tyre. Kuptohet jo me shumë rentabilitet pasi problematikat, pas propagandës së madhe lë jo pak për të dëshiruar. Duke filluar që nga sinjalistika nëpër rrethe, e cila lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar, administrimi i dobët dhe aspak efikas i pushtetit lokal, ikja e kujdestarëve nga objektet e rëndësisë së veçantë, apo elementit se personazhet që duhet t’i bëjnë të aksesueshëm këto vlera shpesh japin përgjigje standarde, që tregojnë se edhe zyrtarët e sotëm megjithë zhurmën e suksesit nuk është se janë aq të interesuar. Guidat, zakonisht në mosha shumë të reja, i konfuzojnë më shumë të huajt por edhe janë krejt të papërgatitur të përballin interesat e të huajve për Shqipërinë. Kurse vetë objektet e trashëgimisë në jo pak vende janë vështirë të aksesueshëm.

Nuk duhet lënë pa shtuar se Ministria e Kulturës, në historinë në demokraci, me buxhetet e saj e ka të pamundur të punojë realisht për trashëgiminë në masën e vërtetë që ajo e meriton dhe këtë e shikon në pamundësinë e restaurimeve, në problematikat e tyre dhe në mungesën reale të një plani që duhet bërë për të konservuar dhe sidomos evidentuar trashëgiminë tonë. Është ironi, por zyrtarët më shumë përpiqen të bëjnë zhurmë për njohuritë që kanë për trashgiminë sesa të mendojnë për një sistem fondesh që ta mirëmbajnë atë.
Paçka këtyre, pra evidentimit jo aq të mirë të trashëgimisë, turizmi ka pasur si magnet emrin e Shqipërisë dhe epitetin e saj, ende në fuqi, si vend i pazbuluar. Dhe, për çdo vit, Shqipëria vazhdon e vazhdon të rrisë numrin e turistëve, madje në kohët e fundit shton ankorimet e shumta me kroçierat, me organizme më masive dhe shumë më të bukura.
Strukturat tona të trashëgimisë, nga ana e tyre, paçka përpjekjes së numrave mund ta ndihte të gjithë këtë me një kulturë më agresive, qoftë me shfaqje por edhe me dokumentarë historikë-kulturorë ku të krijonte p.sh. deri situata të luftrave të lashta (paçka se Palasa është shndrruar tashmë komplet), te një nga vendet ku ushtritë e Çezarit bënë luftrat antike në vendin tonë, luftrat e famshme mesjetare dhe personalitetet e mëdha të kohëve që erdhën në të. Botimet mund ta ndihnin më shumë bashkë me shumëllojshmëritë e muzeumeve.
Janë të gjitha mundësitë, përveç një fakti që i mungon të gjithë qeverive tona, pamundësia: lexo paaftësia menaxheriale dhe gjetja e fondeve përmes elementëve të ndryshëm për ta vitalizuar të gjithën këtë.
Në ardhjen e socialistëve u premtua se do të merrte fund rrënimi i Trashëgimisë sonë, por nuk është se ndodhi kështu. Rasti i Durrësit ishte flagrant për të treguar vetëdijën që të gjitha qeveritë kanë me monumentin në Shqipëri. U mbyll lagjja zejtare antike një nga zbulimet më të mëdha në Durrës, kurse betoni nuk di të ndalet prej qyteteve tona kulturore. Gjithsesi turistët vinë më shumë sesa për emrin dhe ekzotizmin komunist që shoqëron trashëgiminë e premtuar dhe që quhet me të drejtë si e panjohur, teksa duhet thënë se qeveria socialiste ka ditur ta kurojë sipas mënyrës së saj. Kuptohet pak të stisur dhe ende shumë larg pritshmërive, por gjithsesi më me zgjuarsi dhe krejt ndryshe nga qeveria para saj.

Shqipëria, sot, është e paqartë me strukturën e fitimit prej turizmit dhe sesa trashëgimia ndikon tek ajo. Të paktën statistikat nuk na ndihmojnë, paçka se biletat, në disa prej objekteve, mund të numërohen. Ndoshta një strategji më e detajuar dhe e strukturuar do bënte që trashëgimia të kishte peshën e duhur për vlerat e veta në turizëm.
Ndërkohë, vazhdojnë ndërtimet pa leje dhe prishjet në kohën e turizmit, përveç ndërtimeve të brendshme dhe kaosi urban me qarkulliumin, teksa nuk është ndërprerë ende sjellja aspak miqësore e shumë prej subjekteve të shërbimit. Dhe, mbi të gjitha problemi i pazgjidhur dhe në këto gjashtë vjet të qeverisjes socialiste: problemi i pronësisë një nga gangrenat më të mëdha që ka krijuar shoqëria jonë. Krijimi i Autoritetit të Menaxhimit të Bregdetit në rang republike, që duhej të bënte të mundur mbrojtjen dhe zhvillimin e integruar të zonave me interes të lartë turistik dhe menaxhimin e rinovuar të sistemit të hotelerisë dhe agjencimit turistik është ende larg emrit.
Përmbledhtas, trashëgimia është një element që edhe për shumë kohë nuk do e ketë të lehtë që të tregojë veten e saj. (Milosao)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.