KULTURË

PIRO MISHA/ Drejtori i Bibliotekës Kombëtare: Institucionit i është rënë në qafë, hyrja depresive

15:23 - 03.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dje në Tiranë, ministrja e Kulturës Elva Margariti prezantoi drejtorin e ri të Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha (botues) në prani të ish-drejtoreshës që dha dorëheqjen, Persida Asllani. Vetë Misha në fjalën e mbajtur me këtë rast tha se, “është pak e vështirë që të punosh në shtet, kur je mësuar që për shumë vite të punosh në kushte të tjera. Ndonëse jam marrë gjithë jetën me librin, nuk kam qenë bibliotekar asnjëherë, por do mundohem që të rikthej prestigjin që ky institucion ka pasur”. Sipas tij, është e pavend që hapësirat pranë bibliotekës të shfrytëzohen nga privatët, ndërsa hyrja e bibliotekës është lënë në hije. “Për mendimin tim është një institucion që i është rënë në qafë. Mjafton të hysh këtu, hyrja është depresive. Për mua është fyese që Biblioteka Kombëtare në hyrje shënohet me shkronja të vogla, ndërsa dera është akoma prej alumini, e komunizmit. Bibliotekat kudo në botë janë institucione ikonike në vend, ndërsa këtu ideja ka qenë që mund të merren copa edhe t’i jepen ndonjë ambasade”. Ajo që ai e quan sfidë për veten në krye të institucionit, ka të bëjë me pasurimin e Fondit të Bibliotekës, sidomos me librat e rinj të huaj. “Një nga sfidat për mua intelektualisht është plotësimi i koleksionit.




Ka ndodhur një gjë, që kjo bibliotekë, që kur u krijua nga Mit’hat Frashëri ishte e domosdoshme që çdo gjë e lidhur me Shqipërinë duhet që të ishte edhe këtu. Edhe në kohën e komunizmit bliheshin të gjithë librat që botoheshin jashtë, ndërsa tani mungojnë. Kjo mund të jetë jo vetëm çështje financiare, por edhe kontaktesh. Prandaj ka nevojë që shteti të ndihmojë më tepër”, vijoi Misha. Ish-drejtoresha Persida Asllani në ikje nga detyra, kujtoi se 100-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare duhet t’i jepet rëndësia e duhur. “Që kur jemi takuar me ministren e Kulturës e kemi nisur me vizionin e duhur për të zhvilluar një proces të ripërtëritjes, si strukturore të BK, edhe për ta vijuar jetën shumë të gjatë të BK. BK është gati në prag të 100-vjetorit të vet edhe është një peshë e jashtëzakonshme në misionin e madh që ka”, tha Asllani. Vetë Margariti e cilësoi Bibliotekën Kombëtare një institucion të rëndësishëm për të gjithë vendin tonë, ndaj ajo ndali te puna që qeveria po bën për ndërtimin e Bibliotekës së re Kombëtare. “Kjo godinë është një institucion i rëndësishëm për të gjithë vendin tonë. Është një përgjegjësi e madhe ajo që ka kaluar edhe pritshmëritë që ne kemi për të. Jemi në një proces, që mund të jetë vërtet i gjatë, por është një nga angazhimet kryesore të qeverisë vazhdimi edhe çuarja përpara e Bibliotekës Kombëtare”, tha ajo. Sipas ministres, duhet rënë dakord se cili do të jetë funksioni në të ardhmen e cili do jetë vizioni i kësaj godine. “Nuk do të jetë një fazë e shkurtër, por një fazë e gjatë, pasi është e vështirë që të kalohet nga një godinë në një tjetër”, tha Margariti. Muaj më parë, kryeministri Edi Rama premtoi që brenda mandatit qeverisës themelet e Bibliotekës Kombëtare do të hapen te Garda e Republikës.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.