Kryesore

Që bibliotekat e profesorëve dhe dinjitarëve… të mos shiten në rrugë

14:30 - 08.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Pak kohë më parë një profesor letërsie me origjinë shqiptare në Irlandë iu drejtua Amazon për një libër nga i cili kërkonte një referencë për të ndërtuar një fabul. Bëri të gjithë procedurën dhe libri që i erdhi në posedim ishte as më shumë e as më pak një libër i firmuar nga një personalitet… “Në Amazon gjeta dhe bleva online një libër të përdorur të botuar në vitin 1984. Libri titullohet “Tradhtia e madhe” dhe flet mbi veprimtarinë e kryespiunit Phibly. Autor i këtij libri është njëri nga Lordët më në zë në historinë e Britanisë së Madhe, përkthyesi dhe historiani i njohur Nicholas Bethell (1938 – 2007).Pas nja 15 ditësh libri mbërriti. E hapa atë zarf me padurimin dhe kureshtjen e një fëmije. Një dedikim i shkruar mbi atë libër me një stilograf thoshte: “For H.M. Queen Geraldine with all the best wishes and thanks from Nicholas Bethell”. E lexova këtë fraze nja njëzet herë. Nuk po u besoja syve”.

Fabula është e thjeshtë: Në dorë të kujt bien librat e studiuesve ose personaliteteve të njohur, pas vdekjes?!
Koha nuk fal askënd dhe aq më pak njerëzit që i dedikohen për vite e vite të tëra shkencës, studimeve të pareshtura, përpjekjeve për të parashtruar teza, kënaqësisë për të lënë sinteza të bukura. Megjithatë, bashkë me përpjekjet vetanake, shumë prej tyre janë gjithnjë larg vëmendjes së medias, pasi peshën kryesore zakonisht e marrin njerëzit e show dhe estradës me daljet e sforcuara cullak ose me kinse ofendimet dhe divorcet mujore…Dhe, vjen një ditë, që nuk fal askënd dhe që nuk ka radhë për askënd. Po ndërsa shumica e këtyre të fundit lë një emër për të cilin u vjen keq njerëzve të afërt, memories së kombit i humb trashëgimia e tyre, bash e këtyre të pazëshmëve, të cilët kanë kontribuar për t’i dhënë vendit cilësi dhe zgjidhje, si edhe për t’ia bërë jetën më të mirë me idetë e tyre (paçka se radhë herë dëgjohen).




Argumenti i shkrimit tonë nuk është një obituar hipotetik për një gjeneratë të respektuar, me të cilët identifikohet memoria e shtrenjtë e vendit tonë, por një fenomen: Ku shkon vallë trashëgimia e tyre pas mbarimit të jetës? Ku ikin librat, nga të cilat ata kanë nxjerrë referencat? Ku përfundojnë korpuset e veprave mbi të cilat ata janë rritur në profesionet dhe fushat e tyre? Shembujt janë të dhimbshëm. Për shumë vite me radhë, librat e njerëzve të tillë shiteshin “për një kafshatë bukë” në trotuare në mes të diellit ose të shiut të kryeqytetit dhe më keq akoma në qytete të tjera…

Shqipëria nuk e ka luksin që fonde të tilla intelektuale të ikin më së koti, por nga ana tjetër duhet që edhe në vetë personalitetet të ketë një lloj përgjegjësie civile, që në formë testamenti, në të gjallë, të përcaktojnë ndershmërisht një lloj adresimi të bibliotekave dhe të gjithë kapitalit të tyre intelektual. Pikë së pari atje ku mund të shërbejë më shumë dhe e dyta atje ku ata besojnë se mund të ruhet për tu përdorur në të ardhmen më mirë.
Shqipëria është një vend të themi që po përballet me legjislacion të ri, që duhet të përafrohet me atë të Bashkimit Evropian. Sfida është e kuptueshme: duhet që vendi të përshtatet në të gjitha aspektet me më të mirën e asaj që ndodh në kontinent, madje ende pa u futur si strukturë shtetërore në Bashkimin Evropian. Gjithsesi, kjo nuk po pasqyrohet ashtu si duhet nga strukturat tona. Ministria jonë e Kulturës është në një gjumë letargjik dhe nuk bie më poshtë ajo e Arsimit. Për të mos folur për Akademinë e Shkencave e cila prej vitesh është në një kolaps të madh dhe në një mungesë totale të identitetit, me heqjen e një sërë institucionesh.
Por duket se barra më e madhe në shtjellimin e idesë sonë bie mbi vetë këto personalitete dhe zgjidhjen në të gjallë të atyre gjërave që i lidh me trashëgiminë e tyre. Shqipëria nuk e ka shumë edukatën e testamentit intelektual, paçka se sot gjithnjë e më shumë ai po zë vend, porse ka ardhur koha që vetë personalitetet të bindur se stacionit të fundit të jetës nuk mund t’i shmanget askush duhet që vetë ata t’i japin një lloj zgjidhje.
Deri më tani është e dhimbshme sesi këto botime përfundojnë. Ato mund t’i shikosh të prehura te bukinistët e rrugës, që për hir të së vërtetës kanë mangësi shumë të mëdha intelektuale, pa paragjykuar punën e tyre, që shesin pothuaj për asgjë vlera apo të themi kujtime të mrekullueshme.
Ndaj, kurrë nuk është vonë, që burokratë të kujdesshëm të kenë kujdes për trashëgiminë intelektuale por edhe mënyrën sesi ajo mund të jetë e përdorshme sidomos postmortum. Deri më tani, kemi treguar se kemi qenë shumë konfuzë, ndërsa në të ardhmen i kemi të gjitha mundësitë të tregojmë një panoramë krejt të kundërt të këtij fenomeni.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.