MILOSAO

Princi i Violinës

15:00 - 22.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Sul Gragjevi* – Leonid Kogan thoshte: “Rastësisht u bëra muzikant. Prindërit e mi nuk kanë qenë muzikantë. Babai ishte fotograf por luante nganjëherë në violinë. Kur isha fëmijë violina më tërhoqi për formën e saj të jashtëzakonshme dhe për tingullin e saj të mrekullueshëm. Kur u bëra tre vjeç, nuk më flihej pa ia marrë violinën babait. Në moshën pesë vjeç provova të luaj vetë në violinë por nuk arrija ta shtrij dorën e majtë siç bënte babai. Kjo gjë më irritoi shumë. Pas shumë kërkesave, prindërit më blenë një violinë të vogël. Ishte një gëzim i madh për mua. Shumë shpejt fillova të luaj me violinën e re me orë të tëra aq sa prindërit më kritikuan. Madje duart dhe koka mu rënduan së tepërmi”.
Një rol të madh dhe vendimtar në zhvillimin e talentit të vogëlushit luajti Abram Jampolskij duke i ushqyer dashurinë për punën në artin e ndërlikuar të luajtjes në violinë. Jampolskij, duke qenë një violinist i shkëlqyer, i dhuroi Koganit një bazë të shumë të mirë të teknikës që ishte shumë e domosdoshme. Ai çdo ditë praktikonte shkallët dhe katër oktavat për të cilat thoshte ai i japin mundësi violinistit që të zhvillojë plotësisht shkathtësinë e duarve në pozicionet e sipërme krahas një sonoriteti dhe intonacioni korrekt. “Pas daljes së parë para publikut të Kharkovit, siç kisha dëgjuar, kaloi me shumë sukses, prindërit vendosën të më dërgojnë për të vazhduar mësimet në Moskë. Në moshën nëntë vjeç u pranova në grupin special për fëmijët pranë Konservatorit të Moskës, në klasën profesorit Abram Iliç Jampolskij.Unë mësova me të edhe në Shkollën Qendrore të Muzikës për fëmijët, por edhe në Konservator. Në saje të tij u formova si muzikant.
I vetmi impresion i fëmijërisë time ishte shkuarja në Moskë në vitin 1934 e violinistit Jascha Heifetz, nxënës i Leopold Auer. Heifetz, para revolucionit largohet nga Rusia dhe shkon në Amerikë ku vazhdon studimet në violinë dhe bëhet një nga violinistët më të mirë të kohës sonë. Dhe ja, ai kthehet në Moskë, isha i pranishëm në të gjitha koncertet e tij, mbaj mend deri tani çdo notë të tij megjithëse isha vetëm nëntë vjeç.




Interpretimet e tij në violinë lanë gjurmë në kujtesën time për gjithë jetën. Jascha Hejfetz mbetet për mua atë kohë, ideali im”.
Një ditë, kur Kogan ishte 12 vjeç, francezi Zhak Tibo bën një vizitë në Moskë me qëllim që të dëgjonte violinistin duke asistuar në klasën ku ishte edhe Jampolskij. Tibo u impresionua fort nga Kogan duke parashikuar për të një karrierë të shkëlqyeshme Leonid Kogan nuk i kish ende të 13 vitet kur Moska filloi të fliste për të.Në moshën 16 vjeç, më 16 Mars 1941, Kogan luajti shkëlqyeshëm violinë-koncertin e Brahmsit, ishte ky debutimi profesional i tij në Moskë. Në vitin1943 Kogan fillon studimet në Konservatorin e Moskës pas përfundimit të cilit, ai mori edhe aspiranturën. Leonid Kogan i mundi të gjithë violinistët në interpretimin e 24 capricci shumë të vështira të Paganinit në një mbrëmje në një nga sallat e Konservatorit P. I. Çajkovskij. Përveç kësaj, ai shkëlqeu në violinë-koncertin e Brahmsit në Re maxhor dhe në cadenza-n Sauret. Në këtë mënyrë, Paganini u bë autori më dashur i Koganit. Interpretimi i violinë-koncertit No.1 në Re maxhor ishte fenomenal, me një bukuri dhe intensitet interpretimi artistik që mund të ishte nga ata të pakët violinistë që e interpretoi në mënyrën Paganiniane.
Kogan përparon shumë shpejt, zhvillon më tej përsosjen veçanërisht në violinë-koncertin e Beethovenit. Fitorja e çmimit të parë në Konkursin Ndërkombëtar të Pragës në vitin 1947 dhe fitorja e shndritshme e tij në Konkursin Ndërkombëtar “ Queen Elizabet “ për violinistët në Bruksel, ishte dëshmi e qartë e fillimit të periudhës së pjekurisë krijuese. Fillon karriera e tij koncertale brenda dhe jashtë vendit të tij. Interpretimet e tij priteshin në mënyrë madhështore, admiroheshin pa masë nga profesionistë dhe admirues të muzikës.

Ja çfarë shkruanin ndër të tjera figura të njohura të artit: “Jevgenij Svetllanov, kompozitor, pianist dhe dirigjent disa vite në Orkestrën Simfonike të Londrës … “tingulli Koganian gjithmonë më magjeps, i pasur, i plotë, ekskluzivisht i ngrohtë, i ngrohur nga një zemërgjerësi dhe shpirt të madh. Violina e tij në regjistrin e sipërm kishte timbër kristal dhe në atë të poshtmin dukej sikur fliste, përgjigjej. Sa për virtuozitetin e Koganit nuk është e nevojshme të them ndonjë gjë, tek ai nuk ekziston asnjë problem. Më e ndërlikuara në literaturën violinistike botërore interpretohej prej tij me shkëlqimin më të madh dhe natyrshëm. Me të gjitha mundësitë teknike pakufi ai i bëri për vete dëgjuesit, madje që kur ishte fëmijë. Në vite, ai shkoi thellë dhe i gjithë arsenali teknik i tij ishte destinuar për zgjidhjen e detyrave të mëdha të interpretimit artistik”. Se, Leonid Kogan dhe Julian Sitkovetskij, propozuan për një stil të ri në violinizëm, bazuar mbi një pastërti dhe teknikë mahnitëse të ekzekutimit.
Natyra i dhuroi Koganit duar me gishtërinj të gjatë si dhe një dorë të djathtë të harkut magjeps, dukej sikur kishte lindur të luante në violinë.
Leonid Kogan ishte violinist i madh virtuoz, një talent i rrallë, një violinist, thonë, që rrallë herë është parë në koncerte si ai.
Në qoftëse David Oistrah ishte shumë i njohur ndërkombëtarisht si violinist, Leonid Kogan u bë menjëherë figura më e shquar e muzikës violinistike. Ai u bë violinisti më i madh i shek.20 madje edhe i pakrahasueshëm.
David Oistrah, kur e dëgjoi duke luajtur në violinë, në një koncert, kur ishte vetëm 17 vjeç, shkroi: “Kogan interpretoi shumë saktë, me një mjeshtëri mahnitëse dhe pjekuri. Unë mbeta i habitur prej tingullit të tij magjeps”.
Stili i violinistit Leonid Kogan konsiderohet si stili më modern dhe krejtësisht i ndryshëm prej stilit të violinistëve të tjerë. Ai mundohej të evitonte efektet pompoze në skenë, ishte tepër i përmbajtur.
Në violinë ishte më agresiv, më ritmik dhe propulsiv, me një vibrato më të shpejtë dhe më të pastër.Violina e tij ishte “Guarneri del Gesu” 1726, me një tingull të fuqishëm. Ai kishte edhe një tjetër “del Gesu” 1733 të cilën ia kishte kërkuar David Oistrah në vitet ‘60’s për veten e tij. Kogan ka patur edhe një violinë ‘Stradivari’ në vitet e fillimit të karrierës por ai pëlqente Guarnerin del Gesu.
Yehudi Menuhin pat thënë: “Violina është instrumenti më i bukur që i flet njerëzve në një mënyrë krejtësisht humane”.
Violina ka një ton të bukur dhe evokativ ndërsa violinistët me interpretimet e tyre na fusin në një botë të çuditshme sekretesh ku aftësitë fizike dhe ekspresioni artistik na dhurojnë muzikën aq të këndshme të saj.

Violina me tingull të pastër e të pasur patjetër rrit imagjinatën dhe impresionin e instrumentistit. Paganini, Kreisler dhe Kogan, pëlqenin violinën e bërë me duart e Guarnerit. Guarneri ishte rivali më i madh i Stradivarit për periudhën e fillimit të shek.18. Meqenëse virtuozët e njohur kanë përdorur violinën e Guarnerit, mund të lind pyetja se si janë në raport dy violinat, Stradivari dhe Guarneri. Për këtë unë do të përmend dy-tre fakte me rëndësi:
I pari i familjes Guarneri, Andrea, kishte qenë nxënës i Nicolo Amatit. Nga dy djemt e tij, Giuseppe Guarneri ‘del Gesu’ qëndroi në Kremona ku punoi si violinë-bërës, dhe violinat e tij ishin të një cilësie të lartë. Në krahasim me 7 dekadat e Stradivarit në bërjen e violinave, një dekadë e gjysëm e ‘del Gesu’ ishte një kohë e shkurtër me një brilancë që filloi nga viti 1730 e që nuk zgjati shumë.
Violina e Giuseppe Guarnerit ‘del Gesu’ (1698-1744) e njohur “King Guarneri” është një instrument i punuar me shumë mjeshtëri. Kjo violinë e vitit 1735 është një nga më të mirat midis 25 violinave që sot mbijetojnë në botë.
Violina Guarneri King 1735 për veçoritë që ka renditet në nëntë violinat më të mira të mjeshtërit Italian. Një violinë King 1735, ruhet në Zagreb në thesarin e mbrojtur, brenda një vitrine me regjim mikroklime. Kjo violinë më 1994 ka qëndruar tri javë në Muzeun Metropolitan të Njujorkut për tu ekspozuar me 25 violina tjera të Guarnerit me rastin e përvjetorit të vdekjes të mjeshtërit të madh, (22 Nëndor deri më 4 Dhjetor, New York, Metropolitan Muzeum of Art, Exhibition The Violine Masterpieces of Guarneri ‘del Gesu’. Prej specialistëve dhe historianëve thuhet që kjo violinë dhe ajo e Paganinit “Il Canone Guarneris” që ruhet në Muzeun e Gjenovës, janë dy violinat më të mira të bëra nga Giuseppe Guarneri. Të dy violinat janë kompakte, elegante dhe me një tingull të fuqishëm. Francezi Vuillaume e ka përdorur i pari violinën King 1735 dhe e ka quajtur atë “ le Roi “.


Violina e Paganinit që ruhet në Muzeun Municipal në Gjenova është në gjendje të mirë. Në të mund të luaj vetëm fituesi i konkursit “Paganini” i cili mbahet në atë qytet. Ceremonia shoqërohet nga karabinierët Italianë të qytetit të veshur me kostumin e formës e të modelit historik, dhe në praninë e tyre, majori i qytetit merr nga vitrina violinën dhe ia dorëzon violinistit.
Leonid Kogan që fitoi bindshëm Konkursin ‘Paganini’ pati fatin ta kishte në dorë violinën ‘Il Canone del Gesu’ me të cilën interpretoi pjesë të Paganinit, nga violinë-koncerti No.1 në Re maxhor, La campanella nga violinë-koncerti No.2 si dhe nga 24 capricci. Dëgjohet tingulli i fuqishëm i violinës ‘del Gesu’në duart e Leonid Kogan. Ai e quajti violinën e Paganinit “një përbindësh”.
Në përfundim të ceremonisë, violina vendoset përsëri në vendin ku ishte më parë, në vitrinën e muzeut. Nxjerrja e violinës për Koganin ishte një përjashtim që iu bë atij nga drejtuesit e qytetit të Gjenovës, në nder të tij. Është realizuar edhe filmi i bukur për Nicolo Paganinin në Moskë me rastin e 200 vjetorit të lindjes të violinistit të madh Italian. Julius Schmidt, biografer i Paganinit, tregon për jetën e virtuozit Italian duke vënë në dukje, përveç shumë fakteve të rëndësishme, edhe arsyen e gjenialitetit të veprave të Paganinit, capricci dhe concerti. Leonid Kogan ishte në rolin kryesor, atë të Paganinit.

Ai e realizoi atë rol në një mënyrë të jashtëzakonshme. Ai përdori me mjeshtëri të gjithë elementët teknikë të virtuozitetit, me aq kompetencë dhe aftësi aqsa e bëri violinën e tij Guarneri ‘del Gesu’ të dashur për çdo shikues e dëgjues. Ai ishte Paganini në violinë se filmi i ishte dedikuar virtuozit Italian në Moskë e që u realizua me shumë mjeshtëri nga Kogan. Nuk ka asnjë dyshim se Kogan zëvendësoi plotësisht Paganinin e Madh në interpretim në filmin me 4 seri, madje ai kapërceu lartësi të mëdha, luajti plot shpirt, me një teknikë të përsosur.Nuk gabohem të them që në nivelin e tij zor se mund të ketë arritur ndonjë virtuoz tjetër i violinës megjithë periudhën e shkurtër të jetës.
Teknika e tij mahnitëse, absolute, verbuese, nuk vihet re te të tjerë virtuozë të njohur. Violinisti “magjistar” vetëm me emrin e tij prej artisti, afroi njerëzit e panjohur njëri me tjetrin. Violina e Koganit ‘del Gesu’këndon me një delikatesë dhe muzikalitet të veçantë dhe kjo vihet re te ‘Serenada Melankolike’ e Çajkovskit si dhe te ‘Melodi’ op.42 No.3.
Duke qenë si interpretuesi më i mirë i Paganinit, Kogan bëri regjistrime të shumta brenda vendit dhe jashtë tij, në Perëndimë ashtu siç bëri edhe Oistrah.
Një ndër dvd më të mira ishte violinë-koncerti No.1 i Shostakoviçit në La minor op.99 me Orkstren Simfonike të Shtetit të BS nën dirigjimin e Jevgenij Svetllanov. Kogan interpretoi me mjaft pathos duke prezantuar para audiencës një virtuozitet fenomenal. Atë menjëherë e quajtën “Princi i violinës”.
Ky koncert i violinës është një vepër me përmbajtje të thellë artistike, dhe ka një partiturë plot virtuozitet që mbart në vetvete një impresion të fuqishëm dhe një tension heroik. Regjistrimet e shumta të Koganit tregojnë mjeshtërinë teknike absolute të tij jo vetëm te violinë-koncertet e Beethovenit, Mozartit, Mendelssohnit, Brahmsit, Bruch-ut, Çajkovskit, Sain-Saënt, Shostakoviçit, Paganinit, Haçaturjanit, Prokofievit, Sibeliusit, Vivaldit, Bergut, por edhe te kompozimet nga Lalo, Wieniawski, Pablo de Sarasate, Waxman, Wieuxtemps, J.S.Bach.
Leonid Kogan ishte i shkëlqyeshëm gjithashtu edhe në muzikën e dhomës.
Trio me Emil Gilels piano, Mstislav Rostropoviç violonçelo dhe Leonid Kogan violinë, ishte nga më të mirat, performanca e “Archduke” legjendare të Beethovenit ishte vërtet e mrekullueshme dhe e pakrahasueshme. Me Emil Gilels dhe Jakov Shapiro, Kogan regjistroi ‘Trio korno’ të Johannes Brahms krahas Trios madhështore të Sergej Rahmaninovit. Leonid Kogan në periudhën 1960-1970 fiton të gjitha titujt, dekorimet dhe çmimet e mundshme siç ishin, titulli i Profesorit, artist i Popullit të Rusisë dhe të BS, i jepet edhe çmimi Lenin, në vitin 1969 ai është shef i katedrës së violinës në Konservatorin e Moskës. Dy vitet e fundit të jetës së tij kanë qënë të tejngopura me koncertet aqsa nuk kishte kohë fare për të pushuar. Në vitin 1982 u bë premiera e punimeve të fundit të Koganit “Koha e vitit” Antonio Vivaldi. Po atë vit, maestro kryeson Jurinë e violinistëve në Konkursin e VII Ndërkombëtar P.I.Çajkovskij.
Zgjidhet Akademik i Nderuar i Akademisë Kombëtare Italiane “Santa-Cecilia”.
11-15 Dhjetor janë koncertet e fundit të violinistit Kogan në Vienë ku interpretoi violinë-koncertin e Beethovenit. Më 17 Dhjetor Kogan ndahet nga jeta në moshën 58 vjeç prej një infarkti të zemrës duke shkuar me tren për një koncert, nga Moska në Jarosllav. Kompozitori Rus R. Shçedrin shkruante ndër tjera: “Leonid Kogan ishte një njeri i rrallë, i ngrohtë, ishte i ndjeshëm, madje do të thosha, zemërdhembshur. Ai merrte pjesë aktive jo vetëm në fatet e studentëve të tij por edhe të shumë muzikantëve jeta e të cilëve jo gjithmonë ishte e lehtë. Këtë ai e bënte thjeshtë, pa ndryshim, pa afishuar fisnikërinë e tij. Kogan mbetet njeri i afrueshëm, i arsyeshëm dhe kontaktues. Mund të them se vetëm emri i këtij artisti madje i afroi njerëzit e panjohur njëri me tjetrin”.
Nga 12 Nëntori i vitit 2014 deri më 29 Janar të vitit 2015 Konservatori i Moskës kremtoi jubileun e njërit prej violinistëve më të mëdhenj të shek.20, Leonid Kogan. Kritikët e pranishëm konfirmuan se Kogan “kishte lindur me violinë në duar”.
Për këtë jubile u organizua festivali muzikor në kontekstin e të cilit morën pjesë studentë, kolegë, pedagogë, si dhe përfaqësues të dinastisë së shkëlqyeshme muzikore Kogan, si Nina Kogan pianiste, Dmitri Kogan violinist, Danill Kogan violinist. Në koncertin “Gala-Kogan” mori pjesë orkestra simfonike e Konservatorit të Moskës.
Në përfundim të festivalit, 29 Janar, interpretoi violinisti virtuoz Vadim Repin dhe pianistja e mrekullueshme, mbesa e Maestros Legjendar, Viktoria Kogan të shoqëruar nga orkestra simfonike të cilën e drejtoi Mihaill Pletnjev. U interpretuan, violinë-koncerti No.1 i Prokofievit dhe piano-koncerti No.2 i Johannes Brahms.
*Kritik muzike


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.