OPINION

Gjysmëfjalia nga Praga, që tronditi Berlinin

07:40 - 29.09.19 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Historia moderne jep disa raste kur liderë dhe personalitete të shquara kanë shkruar historinë dhe kanë bërë epokë me artikulimin edhe të një fjalie apo fraze të vetme; apo kur ato kanë qenë kryefjala e tyre emblematike. Pa shkuar larg kujtojmë premtimin solemn të Çurçillit në Parlamentin britanik, më 28 maj 1940 “gjak, djersë dhe mund”.




Për të ardhur te vizita e Presidentit Kenedi më 26 qershor 1963 kur aty, ngjitur me Murin e Berlinit e mbylli përshëndetjen e tij 685-fjalëshe përpara gjysmë milionë të pranishmëve me pohimin emblematik “Ich bin ein Berliner” (Jam berlinez). Ajo fjali ishte goditja e parë sizmike për Murin famëkeq të Berlinit dy vjet pas ngritjes së tij. Ishte shprehje e solidaritetit ndërkombëtar të aleatëve të mëdhenj, në radhë të parë të SHBA-ve, për popullin berlinez/gjerman dhe aktakuzë e rëndë e liderit të shtetit me të fuqishëm të botës ndaj ndarjes me mure, bunkerë dhe gardhe.

Dy muaj më vonë, më 28 gusht 1963, me fjalinë e tij hyjnore aty, përpara memorialit të Linkolnit në Uashington “Kam një ëndërr”, Martin Luter Kingu hyri në pavdekësi, edhe pse bashkë me Kenedin, vrasja makabër nuk i la t’i shihnin të realizuara idealet dhe ëndrrat e tyre vizionare.

Vetëkuptohet se këtu nuk bëhet fjalë thjesht për anën semantike të atyre fjalive si pohime apo njoftime, por për mesazhe dhe kushtrime madhore politike dhe sociale, sinteza domethënëse të strategjive dhe praktikave të konceptuara gjatë periudhave të gjata kohore dhe si prelude betejash politike për jetë a vdekje. Ato fjali kumbuese me efekte planetare u bënë menjëherë zëdhënëse besnike dhe frymëzuese të aspiratave të miliona njerëzve në mbarë botën. Ja pse kumtuesit e tyre identifikohen fare lehtë me këto fjali, që kanë hyrë në fondin e artë të legjendës.

Por le të kthehemi te Muri i Berlinit, ku kemi një shembull unik se si ai u trondit nga themelet në prag të çmontimit të tij të plotë me një gjysmë fjali unikale. Përpara se të tregojmë këtë episod historik që ndodhi mbrëmjen historike të 30 shtatorit 1989, për ta kuptuar dhe shijuar sa më mirë domethënien dhe peshën e tij historike, le të ndalemi fare shkurt në klimën dhe mjedisin politik 30 vite më parë.

Dihet se shembja e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 nuk erdhi rastësisht dhe papritur. Për të ishte punuar për 28 vite rresht nga Gjermania Perëndimore, SHBA dhe aleatët e saj të mëdhenj, nga personalitete të mëdha botërore, arti, muzika, kultura etj.

Megjithatë, ishte gjysma e dytë e vitit 1989, ajo që i dha goditjet vendimtare nëpërmjet disa ngjarjeve madhore që i paraprinë rënies së Murit e bashkë me të edhe të Perdes së Hekurt. Varshava, Budapesti dhe Praga ishin padyshim tri pikat referuese që i çelën rrugën ngjarjes epokale të ribashkimit të Berlinit, Gjermanisë dhe Evropës.

Shembja e pritshme dhe e pakthyeshme për murin ishte apeli i famshëm historik që ish-presidenti amerikan Ronald Reagan bëri për Gorbaçovin më 12 qershor 1987 aty, ngjitur me murin, te portat historike të Brandenburgut:

“Zoti Sekretar i Përgjithshëm, nëse do paqe, nëse do begati për Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore, nëse do liberalizim, atëherë eja këtu! Zoti Gorbaçov, hape këtë portë; zoti Gorbaçov, shembe këtë mur”!

Dihet tashmë se ky apel nuk ra në veshë të shurdhët, përkundrazi. Kështu rrodhën ngjarjet derisa në Sobron, në pikën kufitare midis Hungarisë dhe Austrisë, më 19 gusht 1989, u organizua pikniku i famshëm panevropian; punonjësi i atëhershëm 43-vjeçar i policisë kufitare hungareze, Arpad Bella hyri në histori duke ngritur me guxim dhe kurajë qytetare traun e kufirit, duke lejuar kalimin e 600 shtetasve të parë gjermano-lindorë në Austri e mandej në RFGJ. Pas zgjedhjeve të para pluraliste në Poloni më 4 qershor 1989, Sopron ishte etapa e dytë madhore e itinerarit emblematik, që pas gati tre muajve çoi në shembjen e Murit të Berlinit.

Dallgët demokratike e të urrejtjes anti–mur sa vinin e shtoheshin, duke “përpirë” të gjithë lindjen europiane. Në ato ditë të fundit të shtatorit 1989, historinë anti-mur do ta vazhdonin ta shkruanin mbi 4.000 gjermano-lindorë, mes tyre shumë gra me fëmijë të vegjël dhe të rinj, të ngujuar në selinë e ambasadës gjermano-perëndimore dhe në kopshtet e saj në “Palais Lobkowitz”, në Pragë; kjo e fundit ishte godinë baroke trekatëshe, e ndërtuar qysh më 1702, ish-rezidenca e kontit Lobkowitz, ku veç të tjerëve, kanë dhënë koncerte edhe Bethoveni dhe Weber. Ata kërkonin të lejoheshin të shkonin në RFG, tek bashkëkombësit, vëllezërit, motrat dhe  njerëzit e tyre, të kishin një shtet; situata po zinte dhe ajo godinë në Pragë po vlonte nga ankthi, por edhe entuziazmi në të njëjtën kohë. Nuk kishte më kthim prapa.

Kryediplomati legjendar gjerman, Hans Dietrich Genscher sapo kishte lënë Nju Jorkun, ku kishte marrë pjesë në sesionin e zakonshëm vjetor të OKB-së; prej andej ai kishte ndjekur hap pas hapi situatën, duke qenë në kontakt me homologun e tij sovjetik Shevarnadze dhe atë gjermano-lindor Oscar Fisher, të cilët e kishin siguruar nën zë për mbështetjen e tyre zyrtare. Madje, Genscher kishte pësuar edhe një infarkt, por puna nuk priste më, po trokiste ndryshimi i madh historik! Duheshin hapur portat, duheshin ngritur trarët e kufirit, duheshin shembur muret!

Ndaj, Genscher fluturoi drejt e në Pragë, mbasi  analizoi aty në vend situatën e paskonsultimeve me kancelarin Kohl, mbrëmjen e së shtunës të datës 30 shtator ai doli në ballkonin e ambasadës përpara 4.000 shtetasve gjermano-lindorë plot droje, emocione dhe pritshmëri…

Aty, mes lotëve, brohoritjeve dhe entuziazmit fillon artikulimin e fjalisë së tij historike “sot kam ardhur t’ju njoftoj se ju lejoheni”… fjala e fundit ishte ajo çka ata donin të dëgjonin, ndaj turmat nuk e lanë Genscher ta mbaronte atë dhe në kor plotësuan gjysmëfjalinë emblema ike “të udhëtojmë në Gjermaninë Perëndimore” të ndjekur nga ovacione, përqafime dhe shtrëngime duarsh.

Por, për të ardhur deri tek ajo gjysmëfjali, Genscheri punoi gjatë, duke përdorur të gjithë arsenalin e tij diplomatik dhe njerëzor me azilkërkuesit. Ai u kërkoi dhe i garantoi ata duke u treguar se më 1952 kishte emigruar vetë në perëndim, në kërkim të lirisë dhe se ishte gati t’i shoqëronte ata në udhëtimin e tyre, por ai e kishte fituar besimin e tyre si “njeri prej nesh”, ndaj dhe shoqërimi i tij nuk ishte më i nevojshëm.

Të nesërmen trenat me gratë dhe fëmijë u nisën drejt perëndimit duke kaluar mes Dredenit. Lideri gjermano-lindor Honeker deklaroi me zë të mekur se “nuk derdhim asnjë pikë loti për ata që largohen nga ky vend”, por fjalët e tij tashmë nuk pinin ujë, sepse ai ishte jashtë realitetit. Dhe një javë më vonë ai do të deklaronte se, “socializmi në RDGJ do të rronte dhe 100 vjet të tjera”, por pak ditë kaluan dhe ai ra, madje përpara murit që ngriti bashkë RDGJ-në që sapo kishte mbushur 40 vjet, shteti më jetëshkurtër në histori.

Kriza e Pragës ishte tronditje e pariparueshme për Murin e Berlinit, i cili i kishte ditët vërtet të numëruara. Ballkoni i ambasadës gjermane hyri në histori si “Ballkoni i Pragës”, por edhe Berlini ia ktheu shumë shpejt “borxhin” Pragës. Në këtë të fundit, një javë pas shembjes së Murit të Berlinit shpërtheu “Revolucioni Kadife”, që realizoi aspiratën e “Pranverës së Pragës” 21 vite më parë.

Nuk vonoi dhe nëntë muaj më vonë, “Ballkoni i Pragës” do të përsëritej me tone shumë më dramatike në “ngjarjet e 2 korrikut 1990”, kur mijëra shqiptarë, kryesisht të rinj u strehuan në disa ambasada perëndimore dhe kryesisht në atë të RFGJ-së; rikujtojmë se gurin e saj të themelit e kishte vendosur po Genscher gjatë vizitës së tij në Tiranë më 23 tetor 1987. Gjithçka tjetër tanimë i përket historisë.

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.