KULTURË

“Koreografitë shoqërore”, bisedë me Edi Mukën për Adrian Pacin

13:40 - 01.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Galeria Kombëtare e Arteve organizon këtë të premte me 4 tetor, ora 19:00 një bisedë që zhvillohet me kuratorin Edi Muka, e dyta në ciklin e bisedave që do të shoqërojë ekspozitën “Prova” të Adrian Pacit.
Vepra e Adrian Pacit është e ndërtuar rreth historive e marrëdhënieve mes njerëzve. Në universin e tij takojmë individë dhe grupe, gojëdhëna e rrethana, teksa duke marrë pjesë në jetë njerëzish, kapërcejmë kufij si mendorë ashtu dhe fizikë. Në këtë rrugëtim hasim kohën e brishtë të shoqërisë teksa ndërthuret mes lidhjeve njerëzore, kaherë e fortë dhe e qëndrueshme, e kaherë e çjerrë dhe e copëzuar.




Zhvillimet globale sot kanë ngritur shumë pyetje në lidhje me termat e trashëguar përmes të cilëve kemi kuptuar dhe i jemi referuar shoqërisë dhe lëvizjeve shoqërore. Në ç’formë ndërtojmë marrëdhënie mes njëri-tjetrit dhe tjetërsisë së botës së gjallë në realitetin e paqëndrueshëm të ditëve tona? Çfarë të mendojmë për idenë e shoqërores, kur gjithmonë e më shumë ajo po krijohet nga algoritmet kompjuterike e po na serviret nga një përzierje e portaleve dhe populizmit? Ç’rol luajnë emocionet në kohën e digjitalizimit rrënjësor dhe cilat janë koreografitë e pushtetit, solidaritetit dhe kujdesit sot? A mund të rifitojmë imagjinatën mbi të ardhmen që të mund të ëndërrojmë për mënyra të tjera bashkëjetese në këtë botë apo në botë të tjera?
Koreografitë shoqërore – në qendër të kësaj bisede – është një projekt arti në hapësirën publike, që u mbajt në Stokholm në gusht 2019. Projekti hulumton fushën e gjerë dhe në ndryshim të marrëdhënieve shoqërore dhe frymëzohet nga praktika artistike dhe aktiviste, të cilat hetojnë e sugjerojnë mundësi për të rindërtuar marrëdhënie, si mes njerëzve ashtu dhe me botën e gjallë në të cilën jetojmë.

RRETH FOLËSIT
Që prej marsit 2014 Edi Muka është kurator pranë Agjencisë së Artit në Hapësirën Publike, Stokholm, Suedi. Prej 2009-2014 ai punoi si kurator i Qendrës së Artit Roda Sten në Goteborg dhe së bashku me Stina Edblom ishte drejtor artistik i Bienales së Goteborgut 2013. Ai është një nga themeluesit e Bienales së Tiranës si dhe drejtor e kurator pranë TICA – Instituti i Artit Bashkëkohor Tiranë, një platformë e pavarur për kërkim dhe prodhim të artit bashkëkohor.
Në 2015 Muka ishte pjesë e grupit kuratorial për “Histori Globale – Praktika Lokale”, Kuadrienalja e Medelinit, Kolumbi. Në 2007, së bashku me Joa Ljungberg, Muka kuroi “Rethinking Dissent”, edicionin e 4-të të Bienales së Goteborgut. Më 1999 ai kuroi “Shqipëria Sot – Koha e Optimizmit Ironik”, pavijoni i parë i Shqipërisë në Bienalen e Venecias. Puna e tij ka një shtrirje ndërkombëtare dhe ndërtohet në bashkëpunim të ngushtë me artistët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.