KULTURË

36 vite “Nga njëra ndeshje, në tjetrën”, shkollë e radiofonisë sportive shqiptare

12:00 - 02.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Agron Kaja  – 36 vjet më parë, një zë karakteristik për mikrofonin radiofonik mori guximin që të drejtonte një emision sportiv në Radio Tirana, duke marrë parasysh shumë vështirësi të kohës, mbi të gjitha, vështirësitë e infrastrukturës dhe të mentalitetit të dobët profesional që vetë sistemi i kaluar e kishte në brendësinë e tij. Sot 36 vite më pas, si e freskët në kujtesë na vjen sigla emocionuese “Nga njëra ndeshje në tjetrën, drejton emisionin Ahmet Shqarri”. Kjo ka qenë çelja shumëvjeçare e këtij emisioni që fatkeqësisht nuk përdoret më në edicionet e fundit, dhe sot është e vështirë që të përshkruhet sikundër ai u nis. Është një rrugë kaq e gjatë në mikrofonin e Radio Tiranës, është emisioni më jetëgjatë për të cilin në këtë 36-vjetor të krijimit të tij (2 tetor 2019) duhet të flasim e të flasim aq sa në rreshtat tona nuk mund të kapin miliona fjalë që ky emision ka artikuluar për sportin shqiptar brenda e jashtë vendit tonë.




Nga kujtesa e Ahmet Shqarrit, themelues dhe drejtues i këtij emisioni për më shumë se 20 vjet, kuptohet qartë se si ky emision morri jetë në Radio Tirana, duke krijuar profilin e një emisioni të pazëvendësueshëm. “Kur mua m’u dha mundësia që të drejtoja një emision në Radio Tirana, kujtoj se ka qenë shumë e vështirë, thuajse e pamundur dhe gati e pabesueshme. Ishte koha kur edhe një lajm që të transmetohej duhej të kontrollohej nga drejtori i përgjithshëm i RTSH-së dhe jo të flisje direkt nga një fushë futbolli. Atëherë vetëm Enver Hoxha fliste drejtpërsëdrejti, mendoni se si duhet të veproja unë një zë i vetëm nga një stadium, që të lëshoja me dhjetëra e qindra zëra të tjerë. Më vonë kjo u bë një realitet i bukur”, kështu e kujton Shqarri atë start të emisionit, ndërkohë që duke sfiduar kohën e ndryshimet që ndodhën në vendin tonë, prej tij nuk është transmetuar vetëm një herë emisioni “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. “Ka qenë muaji shkurt i vitit 1991, në ditën kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës. Sistemi i atëhershëm kishte urdhëruar kështu, sepse po të mblidheshin njerëzit në stadiume, mendohej se mund të bëhej ndonjë katastrofë. Kësisoj, kuptohet se çfarë rëndësie kishte ky emision te dëgjuesit e shumtë në Shqipëri e më gjerë”. Por më shumë se kaq, nëpërmjet këtij mikrofoni u bë “njësh me dëgjuesit” komentatori i madh i radiofonisë sportive shqiptare, zoti Ismet Bellova. Së bashku me të, zëra të tjerë në Tiranë e në rrethe të Shqipërisë përcollën emocione të pazëvendësueshme për lojën e futbollit, edhe aty ku më parë drita elektrike quhej si një tabu.

Ndoshta nuk do i radhit mirë emrat, por si një nga radiokronistët e parë të këtij emisioni, kujtoj të gjithë ata gazetarë që e mbushën me emocione dhe e mbajtën “peng” dëgjuesin në Shqipëri e jashtë saj. Janë ata, të cilët në këtë 36-vjetor lexohen edhe si “emra të përveçëm” me historinë që ata bënë në këtë emision, atje ku zëri i tyre shpesh identifikohej me qytetin e skuadrave përkatëse. Së bashku me komentatorin Ismet Bellova, në Tiranë ishin edhe Aleko Gjergo, Veli Rada, Ymer Kurti, Fatmir Mneri, Robert Papa, Ilir Meta e më vonë Mikel Janku e Pirro Ruvina; ndërsa Ymer Striniqi e më pas Pal Toma me Edmond Dibrën në Shkodër; Vladimir Ngjela e më pas Romeo Xinxifi në Korçë; Frederik Fico e Pirro Qiqi në Gjirokastër; Bujar Qesja në Durrës; Vlash Pambuku, Agron Kaja e më pas Edi Spahiu në Berat; Pandeli Pano dhe Moisi Dalipi në Vlorë; Sefedin Allkja, Sefer Kikia, Aldo Kozarja, Nertil Agalliu dhe Fatmir Popja në Elbasan; Fatmir Efica në Kavajë; Llukan Çuko, Alban Alushi e më pas Xhorxhi Bizhyti në Lushnje; Pandeli Fype e më pas Arben Çepani në Kuçovë; Mikel Mbriçaj dhe Arbër Emiri në Fier; Zef Shtjefni, Martin Deda dhe Gjin Palushi në Lezhë; Fatmir Thaçi, Nderim Goci e Shaban Dollaku në Krujë; Rrok Preçi e Isuf Myrtaj në Laç; Pëllumb Starova në Pogradec; Agim Meta, Erion Saliaj dhe Erion Hamitaj në Ballsh; Partizan Myftari në Çorovodë; Avni Kërtuka në Burrel; Jonuz Hallaçi në Kukës, e shumë e shumë zëra të tjerë, të cilëve u kërkoj ndjesë që për harresë momentale nuk po i sjell në këto radhë. Brez pas brezi ishin të gjithë këta që mbajtën të ndezur një “pishtar radiofonik”, i cili sot me nostalgji kujtohet si i tillë. Dhe jo vetëm nga nostalgjikët, por nga të gjitha shtresat e popullsisë që interesoheshin për futbollin, ky emision shpesh bëhej edhe tema e ditës në qendrat e punës, në zyra, familje e në shoqërinë shqiptare.
Kësisoj, për shkollën e vërtetë të radiofonisë sportive që krijoi në Shqipërinë e diktaturës, më pak në vitet e vështira të demokracisë, emisioni “Nga njëra ndeshje, në tjetrën” asnjëherë nuk do ta humbasë madhështinë e tij, edhe sot që në Radio Tirana duket se e kanë lënë si dorë të dytë dhe pjesë e tij kanë mbetur edhe disa të “vjetër” që numërohen me gishtat e njërës dorë. Ndërkohë që shpesh në kohën e ndeshjeve emisioni nuk transmetohet, pasi përcillet live politika e ditës duke i lenë dashamirësit e futbollit, taksapaguesit e parë të RTSH-së, në ethet e rezultateve të ndeshjeve. Gjithsesi, emisioni arriti të “bëhet” 36 vjeç me të mirat e mangësitë e tij dhe është respekt që të kujtohet në këto radhë modeste në këtë përvjetor. Për më tepër, ky emision, me ngjitje dhe uljet e tij, ka bërë epokë në gazetarinë sportive shqiptare.

Ahmet Shqarri: “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, dashuria ime e parë

Emisioni ‘Nga njëra ndeshje, në tjetrën’ është dashuria ime e parë që më nderon edhe sot e kësaj dite”, kështu shprehet Ahmet Shqarri 36 vite pasi bëri emër në këtë emision të parë radiofonik sportiv, por edhe i vetmi aktualisht. Ja si e kujton Shqarri startin e këtij emisioni: “Ka qenë shumë e vështirë, thuajse e pa mundur dhe gati e pabesueshme. Ishte koha kur edhe një lajm që të transmetohej duhej të kontrollohej nga drejtori i përgjithshëm dhe jo të flisje direkt nga një fushë futbolli. Atëherë vetëm Enver Hoxha fliste drejtpërsëdrejti, mendoni se si duhet të veproja unë, një zë i vetëm nga një stadium që të lëshoja me dhjetëra zëra të tjerë. U bë një realitet i bukur për shumë vite, por aktualisht shoh se emisioni e ka humbur bukurinë e ndjekshmërinë e dikurshme”.

Ismet Bellova: Do mbetet interesant për sa kohë që do të transmetohet

Profesori” i mikrofonit sportiv në Shqipëri, komentatori Ismet Bellova është “emblema” e këtij emisioni sportiv në Shqipëri. Si një nga themeluesit e emisionit “Nga njëra ndeshje, në tjetrën” në këtë 36- vjetor të krijimi i tij, ai e quan si një shkollë të radiofonisë sportive. “Ka qenë një fillim i vështirë, pasi në mikrofon duhet të flisnin edhe njerëz të panjohur e të padëgjuar. Kanë kaluar vite dhe unë ndoshta nuk mund të kujtoj listën e gjatë të emrave që hynë e dolën në këtë emision, por më kryesorja është se ai u bë si një shkollë, ku fillimisht nuk mund të hyje pa kritere, pa kulturë e zotësi në përballje me mikrofonin. Sot ai po kalon dorë më dorë e po drejtohet nga emra të vegjël për ta bërë këtë punë. Por mendoj se do mbetet interesant për sa kohë që do të transmetohet”.

Emisionet analoge ndër vite nuk i rezistuan tregut

Pasi u largua nga Radio Tirana, Ahmet Shqarri pati mundësinë që emisionin “Nga njëra ndeshje, në tjetrën” ta “delegonte” në Radion “Plus2”, por të titulluar “Gol në Plus2 radio”. Këtu ai e përsosi këtë emision edhe me standardet e kohës dhe kjo zgjati në 3-4 edicione, për të mos u shfaqur më në këtë radio nga gazetarë të tjerë. Në vitin 2005, e para dhe e vetmja radio sportive në Shqipëri, Radio Sport, startoi me emisionin sportiv “Emocione dhe gola minutë pas minute”, e ideuar nga gazetaret Amalia Dhamo dhe Elda Kasapi, që në 7 edicione u drejtua nga gazetari sportiv Agron Kaja. Emisioni vazhdoi edhe në dy vite me format e kohë të cunguar dhe prej vitit 2014 nuk funksionon.

Drejtues të emisionit në vite

Ahmet Shqarri 1983-2003
Agron Kaja 2003
Pirro Ruvina 2004-2015
Erga Kruja 2015


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.