KULTURË

Muzeu “Marubi” në “Moma” të Nju Jorkut, si u manipuluan fotot

13:00 - 02.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Një pacient që mban në dorë këmbën e tij të prerë; koka të ngjitura në trupa të ndryshëm; figura të rëndësishme historike të eliminuara nga fotografët teknikë gjatë sundimit diktatorial… Me vendndodhje në Shkodër, Shqipëri, muzeu “Marubi” përmban një koleksion fotografik prej më shumë se pesëqind mijë negativash që shtrihet nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë e deri në fundin e shekullit njëzet. Me emrin e trashëguar nga studioja e fotografisë “Marubi” e themeluar në vitin 1858, muzeu paraqet pikëpamje të ndryshme të përdorimeve – artistike, sociale, kulturore dhe politike – të mediumit fotografik gjatë një shekulli e gjysmë në Shqipëri”.
Drejtori i muzeut, Luçjan Bedeni, në një artikull studimor mbi arkivën dhe dinastinë e fotografëve Marubi ekspozitën ‘Manipulim’ – hapur në muze në vitin 2017- si dhe hulumtimin e tij mbi fotografinë e parë shqiptare. Nën titullin “Marubi, arkivi që po e ndryshon historinë e fotografisë në Shqipëri”, artikulli, i botuar nga “Contemporary and Modern Art Perspectives (C-MAP) MoMa”, është i pari mbi trashëgiminë kulturore shqiptare e po për herë të parë krahas gjuhës angleze, është përdorur edhe origjinali në gjuhën shqipe.




“Duke mos pasur fëmijë, ndihmësit e parë të Pietro Marubit dhe vijuesit besnikë në fushën e fotografisë ishin Mati dhe Kel Kodheli, djemtë e kopshtarit të tij, Rrok Kodheli. Pietro e dërgoi Matin, më të madhin nga dy vëllezërit, për të studiuar fotografinë në studion ‘Sebastianutti & Benque’ në Trieste, Itali. Me vdekjen e parakohshme të Mati Kodhelit (1881) në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare, Pietro adoptoi Kelin, të cilin po ashtu e dërgoi për të studiuar në Itali e në vazhdimësi trashëgoi edhe mbiemrin Marubi”, shkruan Bedeni për artikullin në “Moma”.

At_Gjergj_Fishta.Luigj_Gurakuqi_Dom_Ndre_Mjeda(deputet) Ceremonia e çvarrimit te Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit. 1936. Muzeu Kombëtar i Fotografisë _Marubi_ Fotografia e manipular e Luigj Gurakuqit dhe Ndre Mjedës e publikuar në librin _Gjurmë të historisë kombëtare në Fototekën e Shkodrës_ në 1982. Fotografia e manipuluar e Enver Hoxhës tek mbante fjalim e publikuar në librin _Gjurmë të historisë kombëtare në Fototekën e Shkodrës_ në 1982.
<
>

PJESË NGA ARTIKULLI
Shpikja e fotografisë përmes procesit të heliografisë hapi mundësinë për zhvillimin e mëtejshëm të këtij mediumi, duke përfshirë këtu edhe manipulimin e imazheve. Ndërhyrja direkte në shtyp, retushimi me bojë, gërvishtja e imazhit, ndriçimi artificial në dhomën e errët apo manipulimi i negativëve kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mënyrën se si e kemi interpretuar një imazh. Historikisht fotografitë janë manipuluar për të mashtruar, për t’ua mbushur mendjen shikuesve, për të sajuar të vërtetën e historisë apo krijuar “idhuj” të rremë. Në vitin 2013 kur u bë riinventarizimi i plotë fizik i arkivës Marubi u zbuluan disa negativë të panjohur më parë. Kjo ndodhi pas afro dyzet vitesh kohë prej kur vetë i fundit i dinastisë Marubi, Gega, kreu regjistrimin e të gjithë arkivit.
***
Megjithatë, jo të gjitha fotografitë e manipuluara në arkivin e familjes Marubi janë eksperimentale. Për shembull, disa imazhe u manipuluan përmes retushimit me bojë apo teknikave të tjera për të eliminuar “armiqtë e shtetit”. Kjo ishte një praktikë e zakonshme e shteteve të bllokut komunist lindor që u përhap shpejt në të gjithë vendet, përfshirë edhe në Shqipëri. Me fillimin e shtetëzimeve u krijuan Repartet Fotografike (1952), të cilat fillimisht ishin pjesë e kooperativave e më pas të Ndërmarrjeve të Riparim-Shërbimeve. Punonjës të këtyre reparteve u bënë vetë fotografët, teknikët e laboratorit, por edhe anëtarët e Sigurimit të Shtetit, të cilët kishin për qëllim mbikëqyrjen e procesit të “riparimit” apo thënë më mirë, manipulimit të imazheve. Fotografët të cilët deri asokohe kishin punuar në studiot e tyre private qenë të detyruar jo vetëm t’i dorëzonin koleksionet fotografike, por edhe të punonin për shtetin. Fotografitë e familjes Marubi u konfiskuan gjatë këtij procesi dhe u manipuluan më pas për t’u përdorur si propagandë politike.

Albumi gjithashtu përmban një nga fotografitë më spektakolare të periudhës së manipulimit gjatë regjimit komunist. Në këtë fotografi shohim se shumë personalitetet që kishin dalë në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës për të mbajtur fjalime me rastin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të patriotëve Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli më 1936 janë fshirë (Fig. 12). Në versionin e manipuluar të fotografisë, të shkrepur fillimisht më 12 shtator 1936, i vetmi person në të është diktatori Enver Hoxha tek mbante një fjalim (Fig. 13).2 Cila është historia e kësaj fotografie që çoi në fshirjen e këtyre personalitete dhe u fsheh për vite me radhë? Patriotët për të cilët ishte kryer procesi i zhvarrimit ishin njëri nga Gjirokastra (Ç.Topulli) e tjetri nga Leskoviku (M.Qulli). Me këtë rast, prefekti i Shkodrës, Javer Rushidi, i cili kishte organizuar procesin e zhvarrimit, kishte ftuar të mbanin me radhë fjalimet përshëndetëse autoritetet vendore, si dhe delegacionet nga Gjirokastra dhe Leskoviku për të kryer nderimet. Enver Hoxha, i cili asokohe ishte vetëm njëzet e tetë vjeç, i sapokthyer nga Belgjika ku kishte punuar si nëpunës i konsullatës shqiptare, mbante fjalimin si përfaqësuesi i rinisë gjirokastrite. 3. Ka hipoteza të ndryshme se ai në atë kohë ishte pjesë e rinisë Zogiste të kohës. Me ardhjen në pushtet të tij, çdo dokument apo dëshmi rreth jetës së tij deri më 1936 u zhduk dhe manipulua. Nëse analizojmë fotografitë në librin për jetën e Enver Hoxhës (1908-1985) botuar nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, vërejmë se po thuajse çdo gjë është e manipuluar, përfshirë këtë imazh që ishte pjesë e arkivës Marubi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.