KULTURË

“PO TE QEPIN LETRAT”/ Kërcënimi ndaj Liçajt për heqje nga puna, reagon Çuli: Vijon punën normalisht

12:00 - 03.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Imazhi i Neritan Liçajt para togave blu ditën kur policia u përplas me artistët për godinën e Teatrit Kombëtar, është bërë viral. E krahasuan me burrin para tankeve në sheshin “Tian an Men”. Kishte nisur ruajtja 24 orë e godinës, kur më 24 korrik, përplasja fizike mes policisë që shoqëronte punonjësit e TK që kishin ardhur për ta zbrazur dhe artistëve që e mbronin ndërtesën prej 18 muajsh.
Atë mëngjes, Liçaj ishte përlotur, por u fliste uniformave blu mes lotëve. Përplasja ishte mes shtetit që kërkon shembjen e godinës dhe artistëve e qytetarët që kërkojnë mbrojtjen e saj.
Kanë kaluar 2 muaj që godina ruhet 24 orë me turne. Dhe Neritan Liçaj është ende aty, siç është edhe pjesë e trupës së Teatrit Kombëtar, që është transferuar te ArTurbina. Ditët e fundit ia ka marrë informacion se po i bëhen gati letrat për ta hequr nga puna.
“Të nderuar mbështetës të palodhur të kauzës për mbrojtjen e Teatrit dhe Aleancës si lëvizje! Kemi të gjitha sinjalet që aktorit, aktivistit, qëndrestarit mes nesh, Neritan Liçaj, po i qepin letrat për ta hequr nga puna. Informacionet janë që kjo vjen me urdhër nga lart, duke përdorur makinacionet e kalbura të administratës së drobitur, dhe për ta realizuar si akt pa dalë direkt në skenë autorët e vërtetë”,-njoftoi Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. “Jemi të tronditur nga ky zhvillim dhe sigurisht që miku dhe aktivisti Liçaj i ka të gjitha hapësirat për ta ndjekur juridikisht, po për ne si Aleancë kjo nuk është thjesht çështje e Neritanit, për ne kjo është një nga etapat e një mësymjeje të pashembullt që Kryeministri Rama ka filluar ndaj komunitetit të artistëve, kulturës në tërësi, dhe një nga etapat e një beteje shumë të gjatë, të cilën si gjithë të tjerat, pushteti do ta humbë”, shton Aleanca ndërsa vëren se “kauza për mbrojtjen e Teatrit është kauza për mbrojtjen e publikes, e komunitetit të artistëve, është kauza e Neritanit, është kauza e çdo qytetari të lirë…për ne nuk ka asnjë dallim. Ne do ta mbrojmë deri në fund!”.
I pyetur nga “GSH” vetë aktori tha se nuk tërhiqet. “S’më tremb aspak. Jam dhe do jem deri në fund sa të zgjidhet çështja e Teatrit Kombëtar dhe jo vetëm, por të gjitha pikat që kemi kërkuar si Aleancë në shesh dhe më i pa përkulur se kurrë”.
Ndërkaq, ‘Gazeta Shqiptare’ ka kërkuar dje reagim zyrtar edhe nga vetë drejtoria e Teatrit Kombëtar për çështjen. Në përgjigje të interesimit të “GSH”, drejtori i TK-së, Hervin Çuli u shpreh: “ Ju bëjmë me dije se Teatri Kombëtar nuk ka asnjë çështje me z. Liçaj. Ai vazhdon punën normalisht në Teatrin Kombëtar. Hervin Çuli”




QËNDRESA NË TEATËR
Prej 24 korrikut në teatrin e rivënë në punë nga Aleanca për Mbrojtjen e tij janë mbajtur rreth 20 aktivitete kulturore, shfaqje e koncerte. Shumë të huaj e shqiptarë, emra në zë dhe intelektualë kanë shprehur mbështetjen e tyre për kauzën.
Dje në teatër ka ardhur, Rica Mende, piktore skene në Gjermani. Ajo punon në ekipet ekzekutive për përgatitjen e skenografisë në tri opera e dy teatro në Berlin. E njeh Shqipërinë mirë si turiste, ka krijuar miqësi me njerëz të ndryshëm këtu dhe thuajse që prej fillimit e përcjell mesazhin e protestës së Teatrit te miq e kolegë të saj në Gjermani. “Ka ndjekur jehonën e protestës në mediat gjermane, ka nënshkruar edhe një peticion që ka qarkulluar vjet për mosprishjen e Teatrit dhe dje na vizitoi për të shprehur vlerësimin dhe mbështetjen e plotë për protestën tonë. Për ta pritur dje ftuam edhe dy skenografët Fatbardh Marku dhe Bashkim Zahaj prej të cilëve mësoi mbi skenën e produksionet në Teatrin Kombëtar e solli edhe nga përvoja e saj në skenën gjermane. Disa kuriozitete: Skena e Teatrit Kombëtar ka madhësi pothuajse të njëjtë me atë të Deutsches Theater në Berlin dhe po ashtu edhe me skenat kryesore të teatrove në Gjermani”, shënon Aleanca. Në vijim, vërehet se edhe mundësitë që ajo ofron me thellësinë, rotativin, ballkonet në anë janë të ngjashme me ato të Gjermanisë. Siç rezultoi nga biseda, është planifikuar me standardet më të mira të kohës e të cilat qëndrojnë edhe sot. “Një kuriozitet tjetër lidhet me përgatitjen e skenografive. Në Berlin sikurse Rica tregoi, një punishte madhështore apo më mirë gjigande si e përshkroi ajo, është përgjegjëse për përgatitjen e gjithë skenografive për operat e teatrot e Berlinit. Institucionet bëjnë porosi aty e ato porosi dorëzohen në vijim. Ky model, që si e përshkroi zoti Marku ka ekzistuar edhe në Shqipëri deri në vitin 1992, mbase vlen të rivendoset në Shqipëri. Do të mundësonte një përdorim më eficient të talenteve të fushës artistike e teknike që lidhen me skenën. Por kjo mbase vlen të mendohet për një kohë më të mirë, kur Teatri Kombëtar, ai Eksperimental e ndonjë tjetër që mund të krijohet në Tiranë, të kenë më shumë liri të mendojnë në këtë drejtim e mos të jenë të përballur me presionin e prishjes” mësohet nga biseda. Në vijim, Rica Mende qëndroi dhe ndoqi protestën e mbrëmjes, pavarësisht njohjes së paktë të shqipes. Ardhjen e saj e mundësoi Mend Zavalani, që sikurse shumë qytetarë të tjerë në Tiranë e tjetërkund në Shqipëri, është aktiv në shpërndarjen e zërit e mesazhit të protestës, kudo ku ka miq që mund ta dëgjojnë. Vizitorët, shoqëroi në teatër Lindita Komani.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.