KULTURË

Nga Salman Ruzhdie e Slavoj Zizek, te shqiptarët: Të gjithë kundër nobelistit!

14:52 - 11.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Çmimi Nobel në Letërsi për vitin 2018 i jepet autores polake Olga Tokarczuk “për një imagjinatë narrative e cila përfaqëson me një pasion enciklopedik kalimin e kufijve si një formë e jetës”. Çmimi Nobel në Letërsi për vitin 2019 i jepet Peter Handke “për një punë me ndikim të madh, e cila me çiltërsi gjuhësore ka eksploruar periferinë dhe veçantinë e eksperiencës njerëzore”. Kanë qenë këta të dy shkrimtarë që janë vlerësuar dje për letërsinë e tyre nga akademia suedeze. Por ndërsa për të parën ka pasur vlerësime për Handken, ka shpërthyer me njëherë revolta. Gazeta britanike “The Guardian” shënon se fituesi ka provokuar menjëherë opinione kontroverse. “Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e quajti vendimin “skandaloz… vendim absurd dhe i turpshëm”, shkruan “The Guardian”. I menjëhershëm ka qenë edhe në Shqipëri reagimi, ku gjuhëtarja Ledi Shamku, ministrat Elisa Spiropali dhe Gent Cakaj kanë sjellë në vëmendje raportin e shkrimtarit me Millosheviçin dhe mbështetjen publike që i ka dhënë politikanit serb, që shënjoi përgjakjen e Ballkanit.




Nga Franca ku jeton, studiuesi Luan Rama sjell në vëmendje figurën e Handkes, pas një debati të hershëm në Francë, ku vepra e tij u hoq nga repertori i Teatrit të Komedisë, pikërisht për shkak të figurës ambige të autorit. Pas pjesëmarrjes në varrimin e Millesheviçit dhe fjalës që mbajti atje, Handke u kritikua gjatë aq sa hodhi poshtë një nominim për çmimin “Heinrich Heine” para se t’ia tërhiqnin për pikëpamjet e tij politike. Kur më 2014-ën Handke fitoi çmimin Ndërkombëtar Ibsen u prit me protesta në Oslo. Duke risjellë në kujtesë faktin që vetë Handke e pat quajtur “Nobelin”, kanonizim të rremë të letërsisë, filozofi slloven Slavoj ZiZek tha se çmimi i këtij viti “dëshmon se ai pati të drejtë”. Edhe Uoll Strit Journal është ndalur te figura e Handke duke përmendur kritikat në drejtim të tij për shkak të Millosheviç. Gazeta amerikane vëren se “autori britanik Salman Rushdie në vitin 1999 e përshkroi zotin Handke si një apolog për politikat gjenocidale të regjimit Millosheviç çka e tregoi me fjalimin e mbajtur në ceremoniali mortor”. Ai ka botuar një libër titulluar “Një Udhëtim për Lumenjtë: Drejtësi për Serbinë” në 1996 dhe më vonë ka qenë një kritik i zëshëm i bombave të NATO-s të ish-Jugosllavisë.

LEDI SHAMKU: Jepini Nobel “Mein Kampf”

SHKURT E SHQIP Nobeli aspak nobël – Nëse Nobelin e merr Peter Handke që refuzon një çmim, sepse rebelohet kundër ofensivës NATO mbi çnjerëzinë e çetnikëve, nëse Nobelin e merr Peter Handke që mohon genocidin apokaliptik mbi shqiptarët e Kosovës, nëse Nobelin e merr Peter Handke që mban fjalim i përlotur në ceremoninë e varrimit të Millosheviçit duke thene se çdokush do bënte atë që bëri Millosheviçi për popullin e vet, nëse ky është Nobeli, pra i përfaqësuar nga dikush aspak nobël, unë i kthehem me dëshirë rileximit të “Krushqit janë të ngrirë” dhe falënderoj shkrimtarin që i dha gjuhës sime një të tillë frymë letrare e njerëzore.
Si gjuhëtare desha t’u them Nobeldarovitësve se, meqë për Handken qenkan nisur thjesht e vetëm nga mjeshtëria e tij gjuhësore (se tjetër vlerësim nuk dëgjova), të qe thjesht e vetëm për mjeshtëri gjuhësore bënin mirë t’ia jepnin “Mein Kampf”-it të Hitlerit. Ai e meriton më shumë se Handke në të tillë sy, pasi manipulimi është mjeshtëri gjuhësore para së gjithash.
Kaq!

KRYEMINISTRI EDI RAMA
Kurrë nuk kam menduar se do të ndjeja të vjella për shkak të Çmimit Nobel. Por paturpësia po bëhet pjesë normale e botës që jetojmë. Fituesi i çmimit Nobel për Letërsinë është një zgjedhje e turpshme e Akademisë Suedeze. Nuk mundet që të jemi kaq të mpirë ndaj racizmit dhe gjenocidit.

Akademia e Kosovës letër Akademisë Suedeze: Tërhiqni çmimin për Handke
Akademia e Shkencave në kosovë i ka dërguar letër akademisë Suedeze në Stokholm ku shpreh indinjatë për nderimin e shkrimtarit Peter Handke, “një eksponent i shquar i ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve dhe mbështetës i pasionuar i Milosheviçit dhe i luftërave të tij gjenocidale në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën”. Teksa përmend fjalimet publike të tij, thotë se “të zhgënjyer thellësisht me ndarjen e sivjetshme të Çmimit Nobel, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës kërkon të anulohet ky vendim i Akademisë Suedeze, si akt mirëkuptimi e solidariteti me të gjithë popujt e botës që luftojnë për liri dhe vlera demokratike”.

ENVER ROBELLI
Sllobodan Handke Çmimi Nobel për letërsi sot e humbi shkëlqimin moral duke rënë në duart e një adhuruesi të kriminelëve serbë të luftës. Juria e Stockholmit mori një vendim skandaloz. Me shkrimet e tij, me veprimet e tij dhe me veprat e tij ai në pothuaj tri dekadat e fundit ka qenë në shërbim të hegjemonisë serbe. Peter Handke, i lindur në Austri, nëna sllovene, babai ushtar gjerman i stacionuar më 1942 në trevën austriake të Korushkës (Kärnten), ka relativizuar masakrat serbe ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Ka shkruar himne për Sllobodan Millosheviqin. E ka vizituar në qeli në Hagë, ka marrë pjesë në varrimin e tij në Pozharevc, e ka takuar Radovan Karaxhiqin dhe shumë e shumë kasapë të tjerë serbë

MINISTRJA SPIROPALI
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar pasi çmimi Nobel për Letërsi iu dha shkrimtarit austriak Peter Handke. Spiropali kujtoi se Handke ka qenë një përkrahës i Millosheviçit, madje ai ka qarë në varrin e tij. Ajo shton se është një turp për komitetin që jep çmimin Nobel, që këtë çmim me kaq rëndësi ia dhuron një personi që admiron ish-presidentin famëkeq serb.

MINISTRI CAKAJ
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka reaguar ashpër pas vendimit të Komitetit të Nobelit për t’i akorduar këtë çmim për letërsinë shkrimtarit austriak Peter Handke, i cili njihet për mbështetjen e tij të hapur ndaj Sllobodan Millosheviçit. Me anë të një postimi në “Twitter”Cakaj shprehet i zhgënjyer që ky çmim i është dhënë një personi që ka mohuar gjenocidin. Madje, ai shkon dhe me tej kur e quan “Akt i pakuptimtë dhe i turpshëm, dëshmitarë të së cilit jemi në vitin 2019”.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.