KULTURË

Preç Zogaj Romani i ri, një histori dashurie e përdhunimi

13:22 - 11.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Anjeza e vështroi një grimë herë, por nuk pyeti “pse”. Dikur u zgjat drejt tij, ai u afrua. U puthën në faqe. Ajo vazhdoi vetëm në trotuarin e vogël të urës. Era, më e fortë mbi urë se mbi shtratin e lumit, fryu nëpër flokët e saj të derdhura në shpinë dhe i ngriti peshë. Anjeza s’po kujtohej t’i mblidhte ose i kishte lënë vetë t’i harliseshin ashtu si tallandi, si llahtari.
Një histori dashurie që nis në qytetin e Lezhës në kohën e komunizmi është sfondi mbi të cilin Preç Zogaj ka vënë romanin e tij të ri, “Anjeza nuk u zgjua”. Botimi vjen së për lexuesin nga UET PRESS. Një vajzë e bukur, një djalë i ndjeshëm- Anjeza dhe Davidi vihen përballë sfidash dhe situatash të kuptueshme e të frikshme për kohën kur ndodhin. Dashuria që endet mes të mundurës dhe të pamundurës në qytetin verior pas një ngjarjeje të ndodhur në Tiranë.




Anjeza është një vajzë nga një fshat i Lezhës që aspiron të bëhet aktore. Në një vizitë që ka bërë udhëheqësi në qytet ku ka takuar të rinjtë e zonës, ajo është imazhi që bie në sy. Kohë më vonë qytetin e viziton edhe djali i një ministri që shoqëron një grup arbëreshësh që në Lezhë do t’i shoqërojë edhe nga Anjeza. Ky takim përbën pikënisjen e një historie të gjatë dhuratash të keqkuptuara, nevojës për ndihmë për Akademinë e Arteve dhe ngjarjen e një nate të errët kur takimi mes të rinjve përfundon në një skenë përdhunimi. Pinjollët e Tiranës dhe vajza e provincës, forca e pushtetit dhe njeriu i pambrojtur; vetëkënaqësia e mashkullit dhe ndjeshmëria e femrës, mendjemadhësia dhe përulësia e pafuqisë; në një anë përdhunimi fizik e në tjetrën, abuzimi më ndihmën e dhënë përmes kurthit të mirënjohjes.

Libri tregon histori dashurie e dhimbjeje, përpjekje për mbijetesë pas traumave, fatkeqësive që vijën nga naiviteti a mirëbesimi, në kohë të turbullta ku viktima është njëherësh edhe viktimë edhe e gjykuar. Një bisedë e parë për veprën e re të Zogajt, u bë dje në Tiranë. Vetë autori e rrëfen udhëtimin e vet përmes përshkrimeve të letërsisë. Në këtë roman ai sjellë jetën në qytete të vogla e të mëdha duke bartur në historitë njerëzore tragjedi dhe ndjeshmëri.

Në kuadër të tetorit të librit, Prec Zogaj ishte i ftuari i parë i një serie takimesh me autorë shqiptarë që janë nismë e Ministrisë së Kulturës, që bëri bashkë pasionantë të librit. Në një bashkëbisedim me drejtoren e UET PRESS Alda Bardhylin, Zogaj bëri një rrugëtim në karrierën e tij letrare duke nisur nga botimi i parë më vitin 1985-së “Emrat tuaj” për të vijuar me një mori botimesh në poezi, të cilët e veçuan si një ndër poetët më të spikatur të viteve 80-të. Por proza është ajo që mbetet stacioni që edhe poetët nuk mund ta shmangin. Pas përmbledhjeve me tregime si “Shëtitorja”, Zogaj vjen me këtë roman që sipas Bardhylit tregon se romani qëndron gjithnjë më mirë në shtratin e tij realist.
“Luftoj me lugetër, me shtriga, me hije, me maska, me mullinjtë e erës”, thoshte Preç Zogaj duke qeshur në një rrëfim për jetën(dhe vdekjen): si të mrekullueshme e si dënim, për jetën e mbushur me përfundime që e trishtojnë, por nuk e trembin. Ishte një rrëfim përmes vargjesh të shkëputura nga vëllimi i tij me poezi “Ushtrime melankolie”, ku rroken tematika të ndryshme. Atëkohë, kur pyetej pse u shkruante poetëve, Naimit, Arapit, Gjetjes, Pesoas, Markut, Kekos, ai përgjigjej: “Për nderim dhe për të pohuar, sa më takon mua, solidaritetin me poetët e tjerë të çdo kohe, të çdo race, të gjallë dhe të vdekur. Por nuk është vetëm kjo. Nganjëherë ndodh që një përjetim poetik kalon përmes botëkuptimit dhe botëndijimit të një poeti tjetër, ti e kupton këtë dhe për ndershmëri vendos emrin e tij”.

Zogaj është shkrimtar, poet dhe gazetar shqiptar. Ai lindi në Lezhë në vitin 1957. Studioi gjuhën dhe letërsinë shqipe në Universitetin e Tiranës. Gjatë viteve ’90 ishte kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë”, të botuar në Tiranë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.