KULTURË

PERSIDA ASLLANI: Arbëneshi (i Zarës) Shime Deshpali, ose arti i kujtesës

11:28 - 26.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një kuvend albanologjie i organizuar nga “Shejzat” në muajin tetor risolli në vëmendje arbeneshët e Zarës duke rimarrë në shqyrtim, shqiptarët e tretun dhenave të huaj. Mes kumtuesve të kuvendit ishte edhe prof.Persida Asllani, e cila fjalën e saj ia kushtoi Shime Deshpalit dhe letërsisë së tij, ku u konturua edhe “prushi i mbramë i Arbneshit”. “GSH” boton pjesë nga studimi i Asllanit që hedh dritë mbi figurën e Deshpalit dhe gjithë asaj që ai bëri për arbneshët e tij.




Nga Persida Asllani  – Të shqyrtosh jetën e diasporave shqiptare nuk është si të shfletosh një album kuriozitetesh etnike, por mbi të gjitha të thellohesh në historinë e përbashkët të shqiptarëve. Jeta dhe fati i diasporave arbërore e shqiptare na shpalosin pamjet më mbresëlënëse të historisë së kombit. Le të kujtojmë se rilindja e një letërsie në gjuhë kombëtare në zemër të diasporës më emblematike të shqiptarëve, atë Italo-Arbëreshe, nuk shenjon vetëm një moment të çmuar në Historinë e Letërsisë shqipe por edhe një nga etapat më të rëndësishme në Historinë mbarëkombëtare. Dhe është po aq fakt kulturor sa edhe historik roli që luajti Ernest Koliqi në Romë si dhe inteligjencia e Kosovës në Prishtinë, me themelimin e një hapësire komunikuese mes diasporave kulturore shqiptare dhe letërsisë e kulturës kombëtare, detyrë që në realitetin politik e kulturor të Shqipërisë nën diktaturën komuniste ishte tashmë e pamundur.
Bota kulturore e Kosovës, më e lirë dhe e panënshtruar ndaj “realizmit socialist”, paranojës së “të ndryshmes” në botëkuptim, në trajta gjuhësore dhe përthyerje kulturore, u bë trashëgimtarja e natyrshme e kulturës së diasporës shqiptare, e cila pohonte tashmë vetveten si identitet gjuhësor e kulturor përmes letërsisë së saj të traditës dhe asaj bashkëkohore.

Pikërisht në rrethana të tilla, i bashkohen rrjedhës së letërsisë kombëtare dy prej figurave të spikatura të diasporës shqiptare në Dalmaci, arbneshët Josip Rela (1895-1966), Shime Deshpali (1897-1981) së bashku me Budimir Peroviq, të vetëdijshëm me gjasë se ishin “prushi i mbramë i Arbneshit”. Krijimtaria e tyre letrare e pa dritën e botimit për një kohë të gjatë në faqet e revistës monumentale për nga rëndësia kulturore kombëtare “Jeta e re”, e më pas, po në Prishtinë, dalin dhe librat e tyre të parë. Madje, thuajse simbolikisht, përmbledhja e parë e Deshpalit del më 1966, vit kur Rela ndërron jetë, teksa ka fituar tashme jetën në gjirin e letërsisë kombëtare. Edhe krijimtaria e Shime Deshepalit është e pandashme nga historia dhe fati i Arbëneshit, themeluar rreth 300 vjet më parë në afërsi të Zarës, në bregun dalmat të Kroacisë. Ajo vjen si shprehja dhe dëshmia e tij fundore, kujtesë e një diaspore dhe kujtim për të. Të ngjizura me të njëjtën lëndë, bota e Arbëneshit dhe vepra e Deshpalit njësohen në limfën e gjuhës si identitet primar e fundor.

“Pa Kosovën, – rrëfen më vonë Deshpali, – s’do t’më kish njoft kush. I faleminderes fort Kosovës. Janë sjellë vllaznisht, jo vetëm me mue, po dhe me Josipin (Relën) edhe me Budomirin (Peroviqin). Nuk më kanë lanë me hup përkëndejna. Se veç ne të tre jena që shkruejmë arbnisht nga katundi”.
Muzikant i talentuar e i mirëkultivuar, karriera e Shime Deshpalit zhvillohet qysh herët pikërisht përmes jetës muzikore si kompozitor pjesësh vokale e instrumentale, mësimdhënës i çmuar i disa instrumenteve dhe drejtues trupash muzikore, koresh dhe institucionesh të artit. I lidhur, gjithashtu, me pikturën, ai e sprovon krijimtarinë letrare në një moshë relativisht të vonë. Boton në Prishtinë përmbledhjen e parë në prozë “Tregimet e Arbëneshit” më 1966 (rreth 70 vjeç) për të vijuar me dy përmbledhjet me poezi, “Agimet dhe parambromjet e Arbneshit” më 1968 dhe “E vërteta” më 1972, kur ai është tashmë 75 vjeç. Por asgjë “Nuk më pengon pse mirrem me disa gjini të artit përnjiherit – i rrëfehet ai Musa Ramadanit mbas botimit të përmbledhjes së pare poetike (1968). – Sa vërej unë, ato madje i ndihmojnë njena-tjetrës”. Në fakt, siç do ta shohim, kjo cilësi e tij e shumëfishtë artistike do të reflektohet dukshëm në krijimtarinë e tij letrare.
“Jam mjellma e arbneshve këtu, që po këndoj kangën e fundit” – pohon edhe vetë ai pak para vdekjes. “Të kënduemit e kangës së fundit” është filli i vetëdijes që lidh veprat e tij, si dhe vetë veprën me historinë dhe fatin e vendlindjes. Nëse Shime Deshpali lind në Arbënesh, vepra e tij lind për Arbëneshin. Si e tillë ajo i bashkohet rrjedhës së letërsisë kombëtare, si e tillë ajo është një pamje më vete, një tingull unik që shenjon edhe një herë realitetin identitar të një ujdhese specifike etnike e kulturore si Arbneshi.
Duke shqyrtuar raportin e diasporës me ligjërimin, pikërisht në kuadër të shkrimtarëve të Arbneshit, Ibrahim Rugova shkruante se ishte e gjithë “jeta dhe ekzistimi brenda atij grupi ekzistencial të shkëputur nga tërësia ekzistenciale” që do të shihej (perceptohej) në letërsinë kombëtare “përmes atij ligjërimi” dhe se “duke bërë jetë si tërësi e grupe të veçanta ekzistenciale, diasporat nxjerrin njerëz e kulturë në fushën e ambienteve të reja si dhe në atë nacionale me veçori të veçanta e specifike”.
Dhe ndodh pikërisht kështu edhe në veprën e Deshpalit. Përmbledhja “Tregime arbëneshe” përmban 10 proza tregimore, kryesisht të llojit të miniaturës, ku me një gjuhë të bazuar në të folmen e arbëneshit vijnë skena jete plot kolorit ambiente, ku sprova ekzistenciale universale njerëzore, e sprovuar kryesisht nga pikëpamja tematike përmes temave të varfërisë e të dinjitetit njerëzor, luftës për jetën, përballjes së brezave, të së mirës me të keqen, dashurisë dhe vdekjes, xhelozisë e mirësisë, erosit e dëshpërimit, do të kalojë doemos nga prizmi i autentikes arbëneshe, i vetëdijes identitare, deri në limitet e një etike komunitare, diferencuese dhe konservuese. Autori, falë edhe perceptimit diferencues të ligjërimit specifik gjuhësor arbneshas, krijon sugjestionin e rrallë të unikes, të asaj që ndodh si e tillë në fabulat e tregimeve pikërisht vetëm sepse në to personazhet, bota shpirtërore dhe rrethanat i përkasin ekskluzivisht (ose detyrimisht) botës arbneshe.
“Ajo që në universalen duket rrethanore, në alteritet bëhet thelbësore (qenësore), për të shpënë te teoria e autenticitetit, apo e origjinalitetit” – thekson mbi dukuri të tilla akademiku Sabri Hamiti.
Po të krahasosh tiparet e arbneshasve dhe atmosferën e Arbneshit që sjell Deshpali me ato thuajse të një shekulli më parë të përshkruara nga Tullio Erber, vëren se ato janë shumë të ngjashme, duke na përforcuar bindjen se në shkrimin e Deshpalit thellohet autentikja si proces kujtese e mbijetese që lidh të tashmen me të shkuarën e komunitetit diasporik, por pa e zhveshur të tashmen nga kompleksiteti i saj si reale. Në këtë mënyrë ai krijon dy gjendje paralele në tekst, atë konkrete, reale, dhe atë ideale e konceptuale. Autenticiteti i personazheve të Deshpalit si dhe botës së ai krijon përmes fjalës, është një gjendje e ndërmjetme, një kërkim i vazhdueshëm i qenies autentike prej së tashmes tek e shkuara, kërkim i “arbëneshit autentik”.
Përmbledhja “Agimet dhe parambromjet e Arbneshit” (1968) me 34 poezi, ndërtohet si një rrugëtim poetik në tri linja tematike: natyra (e zhvilluar përmes cikleve të 4 stinëve); Dashnia (si rrëfim mbi të bukurën dhe dëshirimin); Fëmija (kryesisht si zhytje në botën fëminore). Ndërsa përmbledhja “E vërteta” (1972) sjell 19 poezi që janë në thelb rikthim ose rindërtim i së shkuarës, e cila kërkohet të jetohet si kujtim ende veprues (aktiv) në të tashmen. Arti i Deshpalit shpallet hapur si akt kujtese. Përmes kujtesës marrin kuptim si identiteti arbëresh, si ai personal. Qendra e poetikës krijuese mbetet një ligjërim i ndërtuar përmes të folmes së poetizuar arbneshe.
Në përgjithësi, kritika letrare në Kosovë e pret krijimtarinë e Deshpalit ashtu siç ka pritur edhe atë të Relës, me dashurinë dhe kërshërinë që ngjall bota e arbnëshëve të Zarës ndër bashkëkombasit e vet. Prej saj çmohet koloriti ambiental, evokimi dhe përkujtimi i një të shkuare thuajse akohore, forca depërtuese e kujtesës, ndërtimi ligjërimor i një bote mendore e shpirtërore sa të lashtë aq dhe të pranishme, forca dëshmuese dhe evokuese, melodiciteti dhe ngjyresat gjuhësore, pikturalja e tij mjeshtërore etj.
Sot mund të pohojmë se Shime Deshpalin sprovoi ta shndërrojë shqipen e Arbneshit në një gjuhë të letërsisë, jo thjeshtë si dëshmi gjuhësore por si esencë e krijimit, esencë e letërsisë, qoftë në prozë a poezi. Prandaj kujtesa gjuhësore e Deshpalit është kujtesë e gjuhës së letërsisë, është rikrijim i kujtesës së gjuhës në botën arbëneshe të rikrijuar përmes letërsisë, në skena jete, në fate njerëzore, në hetime ndjesish komplekse dhe emocionalitet të lartë. Bota e Arbëneshit dhe letërsia për të janë dy botë, prej të cilave e para e trashëgon ose e humbet kujtesën, e dyta e rikrijon atë e ia rikthen asaj të parës, si kërkim identitar dhe si kërkim estetik përmes gjuhës së letërsisë.
E shkëputur nga konteksti i saj gjuhësor e historiko-letrar dhe e parë në mënyrë të përveçme përmes analizës së mjeshtërisë së vargut dhe të sistemit poetik, shumë prej vargjeve të tij ngjajnë ndoshta të thjeshta në figuracion, me rima foljore fundore, me perifrazë përshkruese e ndoshta edhe disi naive. Ai vetë është i vetëdijshëm për kufizimet e veta dhe as kritika nuk ka hezituar t’ia verë ato në dukje duke shpresuar potencialisht më shumë prej tij.
Por ka diçka që Shime Deshpalin nuk e braktis kurrë, as në fjalinë më të parëndësishme të tregimeve të veta dhe as një vargun më të zbehtë të poezive të tij: muzika, rrjedha dhe harmonia tingullore që sjellin një nga pamjet më interesante të veprës: muzikalitetin gjuhësor.
Muzikë mbi gjithçka tjetër – shpallte poeti Verlaine thelbin e poetikës së vet simboliste.
Kjo muzikë te Deshpali vjen si një harmoni gjuhësore që vetëm e tillë mund të sigurojë “të vërtetën” e ligjërimit poetik. Ajo zhvillohet duke shfrytëzuar potencialet sonore të gjuhës së folur, tingëllimit të saj, potencës prozodike, zgjatjes së zanoreve dhe sidomos diftongut specifik fundor arbënesh. Si një muzikant i vërtetë, atëherë kur ia dikton metri, apo ritmi, ai krijon një rrjedhë krejt të veçantë melodioze të ligjërimit poetik. Ky tipar është pikasur qysh herët edhe nga kritika por nuk është parë si formante bazë e krijimtarisë së tij.
Po aq interesant është Deshpali në muzikën e prozës së tij. Në disa prej tyre shfaqet një melodiciteti i përgjithshëm i frazës, sidomos në fragmentet e përshkrimeve, që i përngjan poezisë së tij, thuajse me të njëjtat cilësi metrike e tingullore.
Poezia e Deshpalit ia ka dalë të potencojë në shkrimin letrar muzikalitetin e një gjuhe komunitare të izoluar, të nuancuar, të reduktuar ndoshta në mundësitë e veta të shprehjes së artikuluar, por që ai e shndërron atë “në gjuhën e duhur” pikërisht duke potencuar muzikalitetin e saj, ashtu sikundërse çdo muzikant e di se cila është nota e duhur në rrjedhën e muzikës që ai krijon. Leximi dhe shqyrtimi i sotëm i veprës së Deshpalit, qoftë në kontekstin e trashëgimisë kulturore të arbëneshëve të Zarës qoftë edhe në kontekstin më të gjerë të letërsisë kombëtare, do të duhej të mbante gjithmonë parasysh formante muzikore të krijimtarisë së tij.
Pohimi i tij i dikurshëm se “nuk më pengon pse mirrem me disa gjini të artit përnjiherit. (madje) Sa vërej unë, ato madje i ndihmojnë njena-tjetrës”, ngjan se vërtetohet lehtësisht në tërësinë e krijimtarisë së tij. Në mënyrë të figurshme po e përkufizojmë si një harmoni e dy prirjeve imanente të tekstit të Shime Deshpalit: ut pictura poesis dhe ut musica poesis.
Në këtë mënyrë Shime Deshpali bëhet një nga zërat më melodiozë të realitet letrar diasporik në letërsinë shqipe, me dëshminë e gjuhës së folur dhe me kërkimet e holla në gjendjet shpirtërore e psikologjike të njerëzve të bashkësisë arbneshe. Muzikant i kultivuar, edhe krijimtaria e tij letrare shkon drejt një muzikaliteti precioz, si një kërkim unik në potencialet e rralla të gjuhës shqipe nën trajtat e të folmes së Arbneshit. Ajo bëhet pjesë e letërsisë shqipe pikërisht si një kujtesë muzikore e gjuhës së brishtë “arbnesh” që shqipton kujtesën por edhe kujtimin e një diaspore.
Dhe për këtë “kujtesë” vetë autori e ka thënë fjalën e fundit, të cilën po e citoj sot, me shumë nderim: “Di me thanë veç se kujtimi që po lamë, asht i ndershëm, i dlirë si dielli …”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.