KULTURË

Inva Mula koncert humanitar, teatri pa drita shpërndan kamionë me ndihma

12:00 - 28.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Dhjetëra qytetarë qëndrojnë prej dy ditësh në sheshin e Teatrit Kombëtar, ku artistët e Aleancës për Mbrojtjen e tij, e kanë kthyer atë në një pikë grumbullimi e shpërndarje ndihmash drejt zonave të prekura nga tërmeti. Ende pa drita e pa ujë që nga përplasja me policinë më 24 korrik, puna bëhet ditë e natë më gjenerator. Qindra vijnë me rroba e ushqime, ofrojnë makinat e tyre dhe për t’i shpërndarë. Tragjedia e tërmetit më të rëndë që Shqipëria ka përjetuar që prej dekadash dhe kriza humanitare nxiti një valë solidariteti të njohur më parë në këtë nivel vetëm në rastin e luftës së Kosovës, tha dje Aleanca në një njoftim. Neritan Liçaj, Edmond Budina, Mirela Karabina, Dori Musai, Juli Emiri, Ervoin Goci, Gent Gaba, Adriana Kalaja, e të tjerë kordinojnë vullnetarët e moshave të ndryshme. “Shqiptarët janë të bashkuar e të bashkuar do ta përballojnë me sukses këtë krizë. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nisi (par)dje një aksion për mbledhjen e ndihmave nga qytetarët me qëllim që më pas ato të dërgoheshin në zonat më të prekura nga kriza humanitare. Sheshi i Teatrit Kombëtar u promovua edhe në mediat e ndryshme televizive dhe të internetit si dhe në rrugë të tjera, për shembull përmes faqes së ambasadës italiane në ‘Facebook’, si vendi ku qytetarët të sillnin ndihmat e tyre.




Reagimi nga qytetarët ishte shumë i shpejtë dhe bujar”, thuhet në njoftim. Rreth 2000 persona kanë sjellë deri dje pasdite ndihma dhe kontribute financiare, ndër të cilët ka pasur edhe qytetarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut edhe gjatë natës. “Aktualisht ambientet e hollit të Teatrit Kombëtar janë të mbushura me ndihma, kryesisht ushqimore si dhe batanije e dyshekë. Deri (dje) në orën 16:00, 10 kamionë, furgonë e makina të vogla me ndihma janë çuar në: Thumanë, Durrës, Ishëm, Manzë, Pezë, Fushë Prezë. Procesi i mbledhjes, përgatitjes së paketave të ndihmës, sistemimit të tyre, transportit e dorëzimit në destinacion te të prekurit nga kriza humanitare, përfshin një grup vullnetarësh prej 40-50 qytetarësh që punojnë nga sheshi i Teatrit. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit falënderon qytetarët për besimin, i fton të ndjekin njoftimet që do të shpërndahen në formë elektronike e përmes mikrofonit në Sheshin e Teatrit dhe të japin ndihmën e tyre në çdo drejtim: me ushqime, batanije e dyshekë, mjete të higjienës, medikamente e pajisje mjekësore. Aksioni i ndihmës do të vazhdojë pa ndalim për aq kohë sa të ketë qytetarë në nevojë e qytetarë të gatshëm për të dhënë ndihmën e tyre”, thotë njoftimi i qëndrestarëve, të cilët i shoqërojnë vetë kamionët me ndihma në zonat e prekura, për tu siguruar që kanë shkuar në vendin e duhur.

Bashkë në dhimbje, bashkë në manaxhimin e krizës- ka qenë motoja e tyre! Në kushte emergjence civile, artistë e qytetarë u organizuan për të dhënë ndihmë. Tërmeti i 26 nëntorit duket se është më i rëndi i 40 viteve të fundit, me viktima dhe shumë të pastrehë ndërkohë që janë ndjerë lëkundje të forta edhe gjatë datës 27 nëntor.

EUROPA NOSTRA
Organizata europiane për mbrojtjen e trashëgimisë, Eruopa Nostra është solidarizuar me të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. përmes një postimi në ‘Twitter’, “EN” shkruan se “solidarizohemi me Shqipërinë dhe qytetarët e saj pas tërmetit shkatërrues që ka pasur epiqendrën e tij pranë Durrësit, një nga qytetet më të vjetra ndanë Detit Adriatik. Vajtojmë për humbjen e jetëve njerëzore dhe shkatërrimin e ndërtesave, përfshirë vendet e trashëgimisë”.


INVA MULA
Inva Mula ka ndërmarrë nismën për një koncert maratonë të ardhurat e të cilit do shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti. “Të gjithë artistët në koncertin maratonë. Edhe unë!”, shkroi artistja e njohur. Ajo ka shtuar se koncerti planifikohet për datën 7 dhjetor në Teatrin e Durrësit dhe se mund të na bashkohen të gjithë që e ndjejnë kontributin. E pyetur nga ‘GSh’ për idenë konkrete ajo tha se “Kjo është një nismë për të organizuar një tubim artistësh në një koncert maratonë. Është ende një ide që po e zhvilloj, por e ndjej si domosdoshmëri. Mund të na bashkohen të gjithë që e ndjejnë kontributin. Unë e mendoj si thirrje. Ndërgjegjësim. Sigurisht pres të gjitha zhanret, aktorë, instrumentistë”. Ndër të parët që ka reaguar është edhe Robert Radoja, i cili shkruan: Po të kesh nevojë për mua, jam i gatshëm. Po ashtu, gatishmëri ka treguar edhe sopranoja Eva Golemi.
ORËT E PARA TË DATËS 27
Mesnatë, minutat e para të datës 27 nëntor 2019, lista e qytetarëve që kanë sjellë kontribute në veshje, ushqime, batanije, etj ka shkuar në numrin 906. Vlen për t’u theksuar që vetëm një e treta e tyre pranoi të shkruante emrin në listë. Me këtë gjest solidarizimi, besimi dhe thjeshtësie shoqëria shqiptare institucionalizoi jo vetëm Teatrin Kombëtar, por edhe vlerat humane. Falënderime pafund për të rinjtë, që ishin të shumtë në numër, fëmijët, pensionistët dhe këdo tjetër që erdhi sot në sheshin e Teatrit Kombëtar, në emër të dashurisë për njëri-tjetrin, në emër të dashurisë për Shqipërinë. Ps: në foto janë duart e një vogëlushi që bëri simbolin e shqiponjës, pasi dorëzoi ushqimet bashkë me prindërit e tij.


MINISTRIA E KULTURËS
Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave, për të qenë sa më pranë fëmijëve në këto momente pas tërmetit dhe gjendjes tyre psikologjike, të cilët aktualisht ndodhen në qendrat sociale është angazhuar maksimalisht me aktorët dhe stafin e institucionit për të realizuar animacione, lojëra dhe
pjesë të ndryshme me kukulla.
Ministria e Kulturës dhuron! Mirënjohje Drejtorive tona Rajonale për gatishmërinë e treguar për të dhënë kontributin e tyre, kaq shumë të nevojshëm!
Nga Korça deri në Shkodër stafet tona janë angazhuar dhe do të vazhdojnë të kontribuojnë me ushqime, veshje dhe bazë materiale të nevojshme, deri te dhurimi i gjakut!
GALERIA KOMBËTARE
Galeria Kombëtare e Arteve ka anuluar ekspozitën “Patience” që do të hapej më 27 nëntor.
TEATRI I TURBINËS
Gjatë ditës së djeshme, një ditë pas tërmetit, është solidarizuar edhe stafi i Teatrit Kombëtar që prej një viti ka lënë godinën dhe ka kaluar te ArTurbina. Përmes një postimi, ai u ka bërë thirrje bashkëpunëtorëve të komunitetit të artit skenik dhe të gjithë publikut artdashës të solidarizohen me aktoret dhe stafin e Teatrit Kombëtar për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë të dëmtuarve nga tërmeti.
”Tek holli i ArTurbina, jemi mbledhur të gjithë për të kontribuar sa më shumë për banorët e prekur nga tërmeti shkatërrimtar. Në emër të respektit për jetën dhe humanizmin, le të bashkohemi së bashku për të ardhmen e fëmijëve, atyre foshnjave që në ditët e para të jetës po përballen me një dukuri shkatërruese. Le të ndihmojmë bashkërisht foshnjat, prindërit, gjyshërit dhe të gjithë të afërmit e tyre, me çdo gjë që ju e shikoni të nevojshme dhe mund të ndihmojë ata në këto ditë shumë të vështira. Veçanërisht në vëmendjen tonë qëndrojnë nevojat për fëmijët si dhe produktet e tyre specifike si: qumësht për fëmijët, pampersë, ushqime për fëmijë dhe rroba për fëmijë”, shkruan faqja duke shtuar se presin në ArTurbina çdo ditë nga ora 07:00 deri në 22:00 për ndihma.

Një koncert italian për të ndihmuar Shqipërinë e goditur nga tërmeti

Enzo Ghinazzi, i njohur me emrin e artit Pupo, është ndër të parët nga këngëtarët italianë që përcjell mesazh në Instagram e Twitter për popullin shqiptar,
‘Kam punuar në Shqipëri dhe kam njohur forcën, besnikërinë, bujarinë e popullit shqiptar. T’i bëjmë ta ndjejnë gjithë miqësinë e afërsinë tonë në këtë moment të tmerrshëm’, shkruan këngëtari. I pyetur më pas nga Corriere di Arezzo, Pupo thotë se është i gatshëm ‘për çdo iniciativë serioze profesionale në mbështetje të Shqipërisë. Si personale, ashtu edhe me kolegët e tjerë’. ‘Jam gati të jap një koncert dhe të gjitha të ardhurat të shkojnë për atë popull me të cilin jetova gjashtë muaj’.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.