KULTURË

Krimet e komunizmit, imazhet e rënda nga vrasjet në kufi te torturat

11:00 - 17.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Imazhe fëmijësh e të moshuarish zënë ballinën e një ekspozite kushtuar të dënuarve në regjimin komunist. Përkrah imazhit të tij të dlirë të rinisë, Uran Kostreci është ende i qeshur. Ia mori të gjitha komunizmi, rininë, lirinë, por nuk e mposhti as nuk e shndërroi natyrën hokatare dhe aftësinë për të qeshur, qoftë edhe para shembjes e frikës. 80-vjeçari ecën ende drejt, ashtu siç nuk e përkuli regjimi komunist, nuk e përkul as mosha. Ai është një prej atyre që pat fat, ai mbijetoi. “Në burgun e Burrelit, Urani pati fatin të njihte personalitete të shquara si Engjëll Çobën, i cili i dha mësime italishteje dhe e kalli në botën poetike të Dante Aligierit; Koço Tasin, që i dha mësime filozofie, Kudret Kokoshin, që e ushqeu me nacionalizmin, Dom Nikollë Mazrekun, që i forcoi besimin e faljen dhe mjaft të tjerë, nga të cilët mësoi, por edhe dha nga vetja, sidomos shembullin e mosbindjes dhe të qëndresës”, shkruan për Uran Kostrecin, Uran Butka. Ndonëse titulli i ekspozitës ku ai sheh imazhin e tij, flet për realitet e propagandë, matanë shquan trupa të pajetë, me shenja dhune e gjurmë plumbash. Janë ata që ëndërruan lirinë. Dhe i paguan me jetë ëndrrat e tyre për të pasur të lirë, vetëm shpirtin, tanimë nga trupi i tyre.




Është çelur dje në ambientet e jashtme të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, një ekspozitë fotografike. Vetë ISKK e ka titulluar ekspozitën “Shqipëria komuniste: realiteti dhe propaganda”. Në njoftimin për mediat thotë se performanca në formën e një ekspozite dy-ditore që realizohet në oborrin, ambientet e jashtme të ISKK, përmes një serie fotografish, informacioni të afishuar, dhe elementëve të tjerë të një përformance publike, përcjell evidenca të persekutimit komunist në Shqipëri dhe të tjetërsimit të realitetit nga propaganda. “Në përmbajtje të kësaj ekspozite janë: fotografi të vrasjeve në kufi, fotografi të ish të burgosurve politikë te marra ne hetuesi dhe burgje; fotografi të klerikëve të burgosur dhe të ekzekutuar; fotografi të fëmijëve në ambasadat e huaja në ngjarjen e 2 korrikut 1990, fotografi qytetarësh të huaj të burgosur në Shqipëri, etj. Fotografitë janë origjinale dhe shfaqen për herë të parë” vijon njoftimi. Në sfond të këtij realiteti, përmes zërit (me copëza fjalimesh, kronika televizive, pjesë muzikore nga propaganda e regjimit), u improvizua propaganda komuniste, e cila ishte në kontrast të plotë me realitetin.

PËRPLASJA E
FOTOS ME ZËRIN
Teksa një fortafolës flet për një Shqipëri të begatë që rritej e zhvillohej me forcat tona, ndërsa në vend imazhet e fabrikuara nga zyrat e propagandës tregonin fëmijë të lumtur, prindër të lumtur, deri edhe te fshati ideal e qyteti ideal, pas kameras, në netë të errëta qytetarët ende arrestoheshin e degdiseshin, ende vriteshin në kufi duke përgjakur tokën e atdheut prej ku donin të iknin me çdo çmim, e trupat e tyre të pajetë dergjeshin pa arritur të kalonin matanë. Udhëheqësi i qeshur, fjalimet ‘madhështore’, tejkalimi i planit, ndërtimet e mëdha, fshihnin qindra të dënuar për të cilët nuk flitej, fshihnin jetë të humbura e jetë të marra peng. “Nëse realiteti shqiptar në komunizëm ishte i atillë, siç propagandohet, atëherë nuk kishte një arsye, që shqiptarët të iknin, sikundër ndodhi në eksodin e 2 korrikut 1990. Ishin shumë shtrëngesa, mungesa e lirisë, ekonomia shqiptare, një formulë e dështuar që e bën modelin komunist sa jo human aq edhe të dështuar njëkohësisht. Ekspozita tregon realitetin komunist, ndërsa me voice-over jepen kolona zanore nga filma dokumentarë të komunizmit. Janë fjalime të krerëve të shtetit shqiptar, që i shërbejnë propagandës. Kontrasti mes asaj që shohim edhe dëgjojmë përbën esencën e komunizmit”- thotë kuratorja e ekspozitës, poetja Luljeta Lleshanaku për mediat.

Imazhet që shfaqen janë të rënda, pothuaj u ngjajnë imazheve të hebrenjve në kampet naziste: shquan trupa të pajetë djemsh të rinj që mbase nuk u janë dorëzuar kurrë familjarëve, trupa të varur në litar, shenja dhune, plagë armësh, fëmijë me sy të hutuar, klerikë që u janë hequr uratët dhe tespijet, për t’i vënë në kthina hetuesie, ku u kërkohej të mohonin Zotin dhe t’i ‘faleshin’ komitetit qendror. Shquan fytyra të plandosura përdhe, që e dhanë frymën e fundit duke ëndërruar se do t’ia dilnin, kur ishin vetëm pak hapa larg lirisë. Liria, erdhi vonë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.