Kryesore

Qeveria blen apartamente në tregun e lirë për banesat sociale me qira

10:18 - 19.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Qeveria do të blejë banesa në tregun e lirë e do t’i vendosë në funksion të programit të banesave sociale me qira për të dëmtuarit nga tërmeti. Vendimi është marrë ditën e djeshme në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave në të cilin theksohet se blerja e banesave sociale në tregun e lirë realizohet, si rregull, kur çmimet e shitblerjes së banesave në treg janë më të ulëta se kostoja e ndërtimit të banesave të reja. Njësia e vetëqeverisjes vendore ose Enti Kombëtar i Banesave kryen blerjen e banesës sociale, në zbatim të nenit 21, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, kur kostoja e ndërtimit të një banese sociale me qira, sipas kushteve, normave dhe standardeve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, është më e madhe se vlera në treg e banesave me të njëjtat kushte, norma dhe standarde. Banesat sociale në tregun e lirë, që do të bëhen pjesë e fondit publik të banesave sociale, mund të blihen mbi koston e ndërtimit vetëm për zgjidhjen e rasteve të përcaktuara në pikat 1 e 2, të nenit 21, të ligjit nr.22/2018. Çmimi i blerjes negociohet ndërmjet palëve, pasi të jetë bërë një vlerësim paraprak i gjendjes së tregut dhe i kostos së investimit për përshtatjen e banesës në raport me vlerën e një ndërtimi të ri në treg nga struktura përgjegjëse për strehimin.




Blerja e banesave
Në vendim bëhet me dije se miratimi i rasteve përjashtimore të blerjes së banesave sociale në treg mbi koston e ndërtimit, në varësi të burimit të financimit, bëhet: me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, kur programi zbatohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore; me vendim të organit drejtues të Entit Kombëtar të Banesave, kur ky përdor burimet e veta të financimit; si dhe me urdhër të ministrit përgjegjës për strehimin, kur njësitë e vetëqeverisjes vendore ose institucioni publik i strehimit përdorin fonde që i janë çelur nga buxheti i shtetit. Sakaq, blerja e banesave sociale me qira kryhet: drejtpërdrejt në treg të lirë; dhe/ose nga shitja e banesave në ankandin e organizuar nga përmbaruesi gjyqësor, pasi ka mbaruar ankandi i parë, sipas procedurës dhe parashikimeve të nenit 557, të Kodit të Procedurës Civile, si dhe në plotësim të kushteve të parashikuara nga shkronja “b”, e nenit 18, të ligjit nr.22/2018. Banesat që blihen për t’iu shtuar fondit të banesave sociale me qira, duhet të plotësojnë normat dhe kushtet e parashikuara në legjislacionin në fuqi, që përcakton kushtet, normat dhe standardet e banesave sociale në programet përkatëse të strehimit. Mungesa e elementeve të përshtatshmërisë së banesave për persona me aftësi të kufizuara ose prania e problemeve teknike si lagështia, rrjedhja e tubacioneve e të tjera, të ngjashme me to, nuk përbëjnë detyrimisht arsye për refuzimin e blerjes, nëse kostot për riparimin e tyre së bashku me çmimin e ofruar për shitje nuk tejkalojnë koston e ndërtimit të një banese të re. Vlera e investimit i shtohet vlerës me të cilën është blerë banesa për llogaritjen e masës së qirasë mujore.

Procedura
“Njësia përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore ose Enti Kombëtar i Banesave, përpara fillimit të procedurës me shpalljen publike të ftesës për marrjen e ofertave për shitblerjen e banesave sociale, kryen këto veprime: a) Formulon shpalljen e ftesës publike për marrjen e ofertave; b) Përcakton dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin e ofertave duke listuar kërkesat dhe kriteret ligjore e teknike; c) Identifikon nevojat që rezultojnë për të përfituar nga fondi i banesave sociale me qira, numrin e familjeve/individëve të interesuar dhe numrin përkatës të anëtarëve për çdo familje; ç) Evidenton për numrin e banesave që mund të blihen dhe strukturën e tyre përkatëse, në varësi të fondit që ka në dispozicion”,-thuhet në vendim. Ndërkohë shpallja e ftesës për marrjen e ofertave për shitblerjen e banesave sociale bëhet përmes publikimit për tri ditë rresht, në median e shkruar dhe vizive, me shikueshmërinë ose tirazhin më të lartë të botimit, në faqen e internetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe Entit Kombëtar të Banesave, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare vendore dhe Buletinin e Njoftimeve Publike, si dhe në ambiente me frekuentim të lartë si postat, vendet e pagesave të energjisë elektrike, të marrjes së pensionit etj. “Njoftimi përmban: a) çmimin tavan për blerjen e banesës, i cili nuk duhet të jetë më i lartë se kostoja e ndërtimit në atë njësi të vetëqeverisjes vendore, e përcaktuar sipas çmimeve të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave; b) numrin e apartamenteve që do të blihen; c) strukturat e apartamenteve dhe sipërfaqet e tyre, sipas normave përkatëse të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave; ç) vendndodhjen e dëshiruar; d) kushtet dhe standardet që duhet të plotësojë banesa, në respektim të kushteve dhe të standardeve të banesave sociale, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave”,-nënvizohet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Afati brenda të cilit priten të depozitohen ofertat për banesat sociale që mund të blihen nga tregu i lirë është 15 ditë, duke filluar nga e nesërmja pas ditës së tretë të publikimit të ofertave në median e shkruar dhe vizive.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.