Sociale

Nis shpërndarja e shpërblimit, kreu i ISSH: Mbi 46 mijë persona morën 3 mijë lekëshin

10:00 - 26.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Deri në mesditën e ditës së djeshme mbi 46 mijë pensionistë kanë tërhequr shpërblimin prej 30 mijë lekësh të vjetra akorduar nga qeveria shqiptare dy ditë më parë me rastin e festave të fundvitit. Lajmërimi është bërë ditën e djeshme nga kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, i cili thekson se sportelet e Postës Shqiptare do të vazhdojnë të jenë të hapura deri në 31 dhjetor për t’i mundësuar të gjithë pensionistëve tërheqjen e shpërblimit. “Vazhdon shpërndarja e shpërblimit prej 3,000 lekësh për pensionistët. Deri në orën 12:00, të ditës së sotme, e kanë tërhequr këtë shpërblim 46, 401 persona. Sportelet e Postës shqiptare sha do të jenë të hapura deri në datën 31 dhjetor, në mënyrë që të gjithë pensionistët të tërheqin shpërblimin për festat e fundvitit”,-thekson drejtori i ISSH-së.
Grafiku i shpërndarjes
Shpërblimin e fundvitit prej 30 mijë lekësh të vjetra do ta përfitojnë rreth 663 mijë persona që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti ose pension familjar. Aktualisht janë mbi 530 364 pensionistë në pension pleqërie, 67 754 janë në pension invaliditeti, 49 849 janë në pension familjar dhe mbi 13 260 persona të tjerë janë në trajtim financiar me pension social, pension apo trajtim të veçantë financiar si minatorë të nëntokës, punonjës të ish-ndërmarrjeve ushtarake dhe ushtarakë në pension të parakohshëm. Ndërkohë shpërndarja e bonusit për festat e fundvitit për kategoritë e sipërpërmendura ka filluar ditën e djeshme. Astrit Hado bën me dije se edhe nëse shpërblimi nuk tërhiqet brenda 2019-ës, nuk humbet dhe pensionistët kanë të drejtë ta tërheqin në janar të 2020-ës. “Zyrat Postare të shpërndarjes së pensioneve, duke filluar nga dita e mërkurë, datë 25.12.2019, pavarësisht se kjo datë është festë zyrtare, deri më 31.12.2019 do të kryejnë pagesat e pensioneve dhe shpërndarjen e shpërblimit të fundvitit 2019, sipas grafikut të mëposhtëm: në datën 26 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 6-9 dhjetor; në datën 27 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 10-13 dhjetor; në datën 28 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 14-16 dhjetor; në datën 30 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 17-20 dhjetor; në datën 31 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 21-24 dhjetor, si dhe raste që nuk janë paguar sipas grafikut në ditët më përpara. Ky shpërblim nuk humbet dhe nëse nuk tërhiqet brenda vitit 2019”,-thotë kreu i ISSH.




Reagimi i Shoqatës së Pensionistëve
Pensionistët, duke iu referuar situatës pas tërmetit të një muaji më parë, thonë se shpërblimi prej 30 mijë lekë të vjetra, është i mjaftueshëm për këtë vit. I pyetur nga ‘Gazeta Shqiptare’, kreu i Shoqatës së Bashkimit të Përgjithshëm të Pensionistëve të Shqipërisë, Faik Xhani thekson se këtë vit prioriteti meriton të jetë tjetërkund. “Shpërblimi i qeverisë prej 3000 lekësh nuk është i mjaftueshëm, por në situatën e sivjetshme mjafton. Pensionistët janë shpirtmëdhenj dhe me logjikë të fortë, edhe pse kemi shumë halle, kemi ndihmuar jo vetëm me ndihma, por edhe me para për familjet e dëmtuara nga tërmeti. Ne vlerësojmë më shumë gjestin se sa shumën. Siç thotë populli ai që të jep pak, të jep dhe shumë, prandaj jemi mjaftueshëm për sivjet me këtë shpërblim”,-shprehet Xhani për GSH. Por ky i fundit thekson më tej se kërkojnë nga qeveria shqiptare që vitin tjetër të mos ketë pension vjetërsie në qytet më të ulët se 200 mijë lekë të vjetra. “Ne kemi kërkuar që qeveria të vendosë një herë e mirë. Shpërblimi i fundvitit të jetë sa masa e pensionit social, pra një pension mujor social. Kemi pretendime dhe kërkojmë që të mos ketë pension vjetërsie në qytet nën 200 mijë lekë të vjetra. Jemi në pritje të këtij vendimi të rëndësishëm. Po kështu kemi kërkuar që në buxhetin e qeverisë e sidomos të bashkive të ketë një zë më vete për edukim, sensibilizim dhe argëtim të pensionistëve”,-bëri me dije Xhani.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.