DOSSIER

Si u pengua gazetari italian Bruno Vespa të vizitonte Shqipërinë komuniste

11:00 - 26.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ylli Polovina – Kur në 29 maj 2009, e premte, i ftuar prej televizionit “Klan”, Bruno Vespa ndërkohë që deklaroi se “Do të isha i pari gazetar perëndimor që do të vinte në Shqipëri”, shpjegoi gjithashtu: “Pas tre vjet përpjekjesh regjimi i Enver Hoxhës vendosi të mos vija, e kështu nuk munda më të vij. Tanimë, e pranova me shumë kënaqësi këtë ftesë e jam shumë i kënaqur”. Me kryeministrin Rama Bruno Vespa ka një lidhje të vjetër, të paktën njëzetë vjeçare. Punonjës në ambasadën shqiptare në Romë, autori i këtyre radhëve e ka ndjekur dhe regjistruar për arsye pune të gjithë intervistën e tij, atëherë ministër i Kulturës, tek emisioni “Porta a Porta” i Vespës. Edi Rama foli fort në favor të çlirimit të Kosovës. Qe mbrëmje e vonë e 18 majit 1999. Telegazetari i shumënjohur, autor i spikatur librash historikë mjaft interesantë, u ribë tërheqës për shikuesin italian dhe shqiptar edhe këtë vit, në fillim mars 2019. Sërish me një bisedë me Ramën në orët e natës së 5 dhjetorit 2019 ai rikujtoi historinë si regjimi komunist i Tiranës e pati penguar të bënte një vizitë në Shqipëri. Këtë që i ka ndodhur, duket qartas që Bruno Vespa e ka brengë. Duke qenë se autori i këtij shkrimi tërë lëndën e asaj që ndodhi në të vërtetë në raportet mes Vespës, ambasadës shqiptare në Romë dhe Tiranës Zyrtare, prej më shumë se një duzinë vitesh e ka të marrë prej arkivit të Ministrisë së Europës dhe të Punëve të Jashtme, prandaj edhe e gjeti të domosdoshme që më në fund ta bëjë të njohur, sigurisht nëpërmjet dokumentesh autentike. Kjo ngjarje tashmë i shërben plotësimit dhe pasurimit të historisë kombëtare, pse jo edhe marrëdhënieve mes dy vendeve.
Pra, si është e vërteta e pengimit të Bruno Vespës. Kish dorë Enver Hoxha, ndonjë politikan tjetër i lartë i regjimit, Ministria e Punëve të Jashtme apo ndonjë institucion tjetër jo aq shumë i gjithëfuqishëm në shtetin e atëhershëm komunist?




VESPA, LIBËR PËR
SHQIPËRINË
Në 1976, kur fillon ky episod i çuditshëm, jo pak edhe mjaft absurd, Bruno Vespa drejtonte në kanalin e parë të Televizionit Italian RAI, rubrikën e aktualitetit “Tam Tam”. Në 1978 qe në krye të programit me të ftuar në studio “Ping Pong”, i cili më pas vazhdoi me emrin aktual “Porta a Porta”. Në 8 nëntor 2013 ai tregoi për herë të parë se si në vitin 1977 kishte planifikuar dhe përpjekur për të realizuar një seri reportazhesh mbi të “ashprit e Lindjes”, udhëheqësit komunistë të dikur kampit socialist, që të gjithë në varësi të Kremlinit. Ai nuk tha asnjë fjalë për rastin shqiptar, edhe pse ai zhvillohej saktësisht në këtë periudhë: 1976-1979.
Në 2 shtator 1976, me radiogramin e koduar dhe pastaj të zbardhur në Tiranë me numrin 1069, ambasadori Pirro Koçi nga Roma e njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme: “Në një bisedë me gazetarin Dall Ongaro dollën këto çështje: 1) Komenti i Bruno Vespës në televizion mbi vendin tonë është pritur me interesim. Shumë personalitete të qarqeve që e njohin atë si shkrues mbi problemet shqiptare i shprehën dëshirën për të mësuar më shumë mbi qëndrimet tona karshi problemeve politike ndërkombëtare veçanërisht ndaj synimeve sovjetike në Evropë, Mesdhe dhe Ballkan. Ata e konsiderojnë të vlefshëm nismën e Brunos dhe hapjen e RAI/TV në këtë drejtim, e cila duhet të vazhdojë.

Shtoi se e njeh Brunon si gazetar inteligjent dhe mjaft korrekt. Sipas tij, ai do të vazhdojë të flasë mbi Shqipërinë. Do shikojë bashkëpunimin me të. Këto deklarata nuk m’u dukën të rastit. Ai e di që Vespa ka kërkuar të vijë për një shërbim televiziv….”
Në 3 tetor 1977, me radiogramin nr. 1346, Ministrisë iu dërgua ky tekst tjetër: “Në një drekë që i dha Lorencit… gazetari Bruno Vespa, dolli se kur ishte aty i tha Vespës se nuk mund ta presim për të xhiruar film për RAI-n dhe se kërkesën mund ta përsëritim në qoftë se do të shkojë si gazetar, etj. Vespa ishte plotësisht dakord të heqë dorë nga xhirimi i filmit dhe të vijë ashtu siç kemi mundësi ta presim, se kjo, tha ai, do të bëjë që në të ardhmen të kenë më shumë sukses programet e tij mbi Shqipërinë. Tha se pas vizitës do të publikojë një libër mbi vendin tonë dhe se këtë e bën gjoja nga simpatia që ka për politikën tonë, e cila e ka ndihmuar edhe për të rritur horizontin si gazetar, etj…”
Pak më tej: “Nisur nga simpatia që ka për vendin tonë sidomos për qëndrimin tonë të pavarur, origjinalitetin e artit tonë, lidhjes së ngushtë të shkrimtarëve me popullin tonë etj, megjithëse thotë se nuk merret me politikë, shprehu dëshirën për ta vizituar vendin tonë në fund të këtij viti, duke pranuar kushtet tona. Këtë çështje kërkoi ta shohim më vonë…”

Faksimile radopgramesh mes Minsitrisë së Jashtme dhe Ambasadës sonë në Romë (1) Faksimile radopgramesh mes Minsitrisë së Jashtme dhe Ambasadës sonë në Romë (2) Faksimile radopgramesh mes Minsitrisë së Jashtme dhe Ambasadës sonë në Romë (3) Faksimile radopgramesh mes Minsitrisë së Jashtme dhe Ambasadës sonë në Romë (4) Faksimile radopgramesh mes Minsitrisë së Jashtme dhe Ambasadës sonë në Romë (5)
<
>

Ndërkohë midis ambasadës shqiptare në Romë dhe në Tiranë Ministrisë së Punëve të Jashtme e Komitetit për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme, paralel më çështjen Vespa është më intensiv shkëmbimi i të dhënave për rolin që po kryente miku dhe gazetari tjetër italian, Ubaldo Butafava, në prodhimin e dy filmave me temë Shqipërinë. Ja pse në 4 tetor 1976 drejt Romës u nis mesazhi i Javer Malos, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme: “Tuajit 1311…Na njoftoni çfarë po bëhet me filmin që xhiroi grupi i Butafavës. Ata ju kanë premtuar ju që do na jepnin një kopje neve. Interesohuni. Presim”.
Në vijim të një radiogrami tjetër për ambasadën në Romë, sërish nga Javer Malo, thuhet: “Të mos pranojmë kondita diskutimesh që mund të ndryshojnë përmbajtjen e filmit dhe të shpifet kundër vendit tonë…”
Ndërkohë Ubaldo Butafava po bëhej gati të vinte në Tiranë për të xhiruar dokumentarin e tij të dytë dhe për këtë arsye pati dërguar skicë-idenë, por Malo këmbëngul se atij duhet: “t’i bëhet e qartë me kujdes se në Metalurgjik, Fierzë dhe Ballsh nuk mund të xhirojnë, edhe në disa ndërmarrje të tjera pjesërisht dhe jo në tërësi. Sa për Luftën Nacional-Çlirimtare, të plotësohen me sekuenca të filmave tanë”.
Në 3 nëntor (1977) radiogrami i nisur nga ambasada në Romë dhe i protokolluar gjatë çkodimit në Tiranë me nr. 1299, mes të tjerash i raporton Ministrisë: “Komentatori i kanalit të parë RAI/TV, Fratini, i tha Ymerit se komenti që ai bëri në televizion lidhur me punimet e Kongresit tonë është pritur mirë dhe bile e paskan përgëzuar disa nga drejtuesit socialistë. Shtoi se disa dashamirës së vendit tonë e kishin marrë në telefon dhe përgëzuar… Fratini është socialist i majtë dhe ka simpati të veçantë për vendin tonë. Po punojmë për t’u dhënë edhe emisione të tjera për televizion në kanalin e parë për fjalimin e shokut Enver në Kongres me të njohurit dhe në mënyrë të veçantë me Bruno Vespa që na premtoi”.
Në 22 dhjetor ambasada në Romë e njoftoi Ministrinë e Jashtme se dokumentarin e parë të Butafavës kanali i parë i RAI-it e kishte blerë dhe se “tani ka filluar punën për përgatitjen e emisionit i cili parashikohet të transmetohet në 9 shkurt rreth orës 21.40, d.m.th. të enjten pas një emisioni që e ndjekin gati 25 milion telespektatorë. Para se të jepet në tv dokumentari do të shfaqet me gazetarë të ndryshëm, të cilët do të ftohen nga vetë TV. Ky aktivitet do të publikohet në gazetë dhe në revistën e “Radio-Corriere”. Dokumentari nuk do të jetë më shumë se ‘33-35 minuta dhe pastaj do të zhvillohet një debat ku do të marrin pjesë Butafava, 2-3 gazetarë si edhe drejtuesi i emisionit Bruno Vespa. Ky i fundit, i cili ka bërë kërkesë për të shkuar në vendin tonë dhe se dëshironte të shkonte në Shqipëri për një vizitë private 3-4 ditë para ose pas emisionit në RTV”.

Fiksojeni këtë moment të radiogramit të 22 dhjetorit 1977: Bruno Vespa në funddhjetor 1977 nuk vë asnjë kusht. Vizitën në Shqipëri mund ta kryejë para shfaqjes në RAI të dokumentarit të parë të Ubaldo Butafavës ose pas transmetimit të tij. Por Javer Malo me shkrimin e tij të dorës u dha për kodim shifrantëve në Ministrinë e Jashtme këtë tekst: “Romës, tuajit 43… “Bruno Vespën nuk do ta presim para dhënies së filmit në tv. Më vonë do ta shikojmë”.
Një javë më pas, në 29 dhjetor, nga një radiogram i gjatë i Malos bëhet edhe më e qartë çfarë manovre ka zgjedhur ai në çështjen Vespa: “Të paktën deri sa të shfaqet dokumentari të mos i thuhet menjëherë se nuk aprovohet kërkesa e tij për të vajtur në Shqipëri”. Ndërkohë Butafava, të cilit ia kanë thënë në ambasadën shqiptare çfarë porosie u vjen nga qendra, siç kjo e fundit ia raporton Ministrisë së Jashtme, “çfaqi mendimin se kërkesa e Vespës duhet parë seriozisht, sepse është një person që mund të bëjë shumë për propogandimin e Shqipërisë”. Po ashtu: “Butafava më rekomandoi që me Bruno Vespën të mbajmë një qëndrim të afruar”.

BISEDA NË AMBASADË
Në 5 shkurt 1978, Ministrisë së Punëve të Jashtme iu nis radiogrami i firmosur prej diplomatit Kujtim Myzyri, ku mes të tjerash do të thuhej: “Butafava informoi…përsa vijon: 1) Filmi dokumentar do të jepet nga stacioni i parë i televizionit italian në javët e ardhshme…
Ambasada i raporton qendrës se Vespa është i vendosur që në Shqipëri të mos shkojë pas shfaqjes së dokumentarit, por më përpara. Arsyet e tij janë thjesht profesionale. Me sa duket që prej këtij çasti Javer Malo në Tiranë bëhet më i vendosur për “duelin” e tij me Bruno Vespën. Me sa duket mendon që ai kërkon tua hedhë.
Në 23 shkurt 1978, me numrin 294 dhe firmosur prej diplomatit Kujtim Myzyri, Komitetit të Kulturës iu dërgua informacioni i koduar: “1) Gazetari Bruno Vespa nuk është anëtar i asnjë partie. Si komentator i dëgjuar me influencë natyrisht voton për DK (Partinë Demokristiane-shënimi ynë) dhe është simpatizues i krahut të majtë të kësaj partie. Ardhja e tij për vizitë të shkurtër do të jetë e organizuar mirë nga qendra, do të na interesonte shumë për shfrytëzimin e tij në të ardhmen si nga ana propagandistike, gjë të cilin e ka treguar me vënien në televizorin italian të vizitës së shokut Enver në Elbasan, manifestimin e PKI ML (Partisë Komuniste Italiane Marksiste-Leniniste-shënimi ynë) në ditët e Kongresit të 7-të dhe nga ana informative, si një njeri i mirë informuar për politikën italiane dhe ndërkombëtare dhe i njohur në ambiente me interes për punën tonë. 2) Gazetari Valerio Polizari nuk është anëtar i asnjë partie. Ai është gazetar i jashtëm e me influencë i gazetës “Il Messaggero”, njohës i mirë i politikës ndërkombëtare dhe veçanërisht specialist për Ballkanin dhe Mesdheun. Ka shkruar disa artikuj ku i ka bërë një vlerësim shumë të mirë dhe me objektivitet politikës tonë të jashtme për problemin e Konferencës së Helsinkit, politikës kineze të botës së tretë etj. Ne vazhdojmë të jemi të mendimit që Brunos dhe Polizarit t’i aprovohet viza dhe t’u bëhet program 4-5 ditor”.

Në 14 qershor 1978 nga Roma, firmosur prej diplomatit Kujtim Myzyri, drejt Ministrisë së Jashtme në Tiranë do të mbërrinte radiogrami: “Me kërkesën e tij pritëm në ambasadë bashkë me Lorencin, Bruno Vespën. Nga biseda e zhvilluar dolën këto çështje: Shprehu keqardhjen që programi “Shqipëria sot” që ishte për t’u dhënë në muajin mars, për arsye të ngjarjeve të brendshme italiane do jepet në korrik dhe na siguroi se çdo gjë shkon në rregull.
Theksoi që si mik i Shqipërisë do vazhdojë punën për të dhënë programe mbi vendin tonë sa herë të shikohet oportune nga neve. Vlen të theksohet se në datën 10 qershor me iniciativën e tij u fut në lajme njoftimi për ceremonitë e 100-vjetorit (të Lidhjes së Prizrenit-shënimi ynë), siç ju kemi njoftuar.
Nga takimet që kemi pasur me të, del se Vespa e shikon me simpati vendin tonë dhe në veçanti politikën tonë të pavarësisë kombëtare dhe e vlerëson si të vetmen politikë që përputhet me mendimet e tija. Gjatë bisedës shprehu edhe njëherë dëshirën e madhe që ka për të “shkelur në Shqipëri” qoftë edhe për disa orë para se të japë programin.
Me këtë kërkesë thotë ai e di se bëhet i mërzitshëm, por si mik i Shqipërisë prej rreth tre vjetësh, nuk mund të durojë talljet e kolegëve, të cilët ma kanë thënë hapur se shqiptarët tallen me ty, etj, dhe më kryesoren që si drejtues, programi do të kishte më shumë efekt po ta kisha parë Shqipërinë sado pak.
Ne jemi të mendimit që të shikohet mundësia e ardhjes së tij në formë private për dy-tre ditë, ashtu siç kërkon Vespa. Nuk shikojmë në atë asgjë të keqe, përveç mundësive të mira që na çelen për të siguruar dhënien e lajmeve tona në TV italian dhe në drejtime të tjera si p.sh. të informacionit. Ai nuk vë kushte përkundrazi pikëpamjet e tija të simpatisë për Shqipërinë nuk lidhen me shkuarjen apo jo në Shqipëri që është një çështje e brendshme e juaja”.
Në 12 korrik 1978 radiogrami nr. 962, nisur nga Roma, me autor diplomatin Zoi Toska, mes të tjerash spikat: “Ubaldo Butafava erdhi në ambasadë dhe më tha se nesër datë 13 korrik, në televizor do të japin dokumentarin për Shqipërinë. Për këtë ishte caktuar data 3 gusht, por me qenë se shtypi, radiot dhe televizori shkruajti dhe foli për prerjen e ndihmave ekonomike dhe tërheqjen e specialistëve kinezë nga Shqipëria, nxituan ta japin nesër dokumentarin.
Ky do të zgjasë 40-45 minuta, pastaj do të vazhdojë 15-20 minuta debat në tavolinën e rrumbullakët. Atë do ta drejtojë Bruno Vespa dhe vetë Butafava. Do të marri pjesë edhe Augusto Tiri, përgjegjës i politikës së jashtme i gazetës “Paese sera” dhe Tito Stanja, gazetar në “Il Giorno”.
Një javë më pas, në 9 gusht, radiogrami nr. 1147 i ambasadës e vinte në dijeni Ministrinë e Jashtme se “Nga biseda që zhvilluam me gazetarin e televizionit Bruno Vespa dalin këto çështje: 1) Vespa përkrahu qëndrimin tonë, duke thënë se politika kineze ka ndryshuar plotësisht dhe se nuk është e qartë as për “aleatët” e saj aktualë. Gazetari kishte lexuar materialet e fundit dhe tha: Dokumentet janë shumë të rëndësishme, serioze, por duke ndjekur rrugën kineze, e cila ka filluar prej kohësh të ndryshojë, kemi qenë të bindur se Shqipëria nuk do ta durojë më dhe mendimi është se Shqipëria është treguar shumë e matur duke pritur që hapin e parë ta bëjnë kinezët. 2) Për gjendjen në Itali ishte i mendimit se ka gjetur një farë stabiliteti politika e ngritjes së çmimeve. Ka ulur nivelin e jetesës por ka filluar të bëjë punën e vet për ristabilizimin e disa degëve të ekonomisë, sidomos të industrisë së madhe monopoliste, ka ngritur nivelin e liretës etj. Në këto kushte nuk bëhet fjalë për krizë qeveritare….”

LOJA JUSTIFIKUESE E JAVER MALOS
Në 13 shkurt 1979 Komiteti i Kulturës dhe për Marrëdhënie Miqësore me Botën e Jashtme, firmosur nga kryetari Javer Malo, përgatiti një informacion ku mes të tjerash thuhej se Vespa ndihmoi direkt edhe për dhënien e filmit të xhiruar nga Butafava dhe organizimin e bisedës rreth tavolinës së rrumbullakët, ndërsa i dyti ka shkruar disa artikuj pozitivë dhe me objektivitet mbi politikën tonë të jashtme, për qëndrimin ndaj konferencës së Helsinkit, ndaj teorisë famëkeqe të tri botëve etj.
Për atë kohë mbi këto propozime u vendos që Bruno Vespën ta shikojmë më vonë çdo të bënte për dhënien e filmit të xhiruar nga Butafava dhe për V. Polizarin të mos pritej se që atëherë në gazetën Messaggero ishte botuar një artikull jo dashamirës për vendin tonë.
Mendojmë që Bruno Vespa të pritet pasi të jepet në TV Italian edhe filmi i dytë i xhiruar nga Butafava, ndërsa V. Polizarin ta presim në çdo kohë. Ambasada do të porositet që t’i dërgojë në kohë të ndryshme”.

Në fund të këtij informacioni një epror i Malos, të cilin nga shkrimi nuk mund ta identifikojmë dot, ka bërë me laps të kuq shënimin “Të presim për të dy?”
Ndërkohë ambasada e vë në dijeni Tiranën se janë disa gazetarë miq të Shqipërisë që, për shkak se nuk u është miratuar vizita në Shqipëri, ndihen të fyer. Për Olmin thuhet se “vazhdon të shkruajë për Shqipërinë por nuk vjen në ambasadë edhe pse është ftuar. Na ka dërguar kohët e fundit një letër ku shprehet i pakënaqur që nuk po i jepet mundësia të bëjë në Shqipëri filmin për rezistencën gjatë Luftës Nacionalçlirimtare”. Në vazhdim: “Polizari nuk afrohet më dhe na ka thënë se si është e mundur të mos marrë përgjigjen e letrës dërguar në KQ para disa muajsh. Komrado Fuski nuk merr më në telefon, megjithëse e ka mbrojtur Shqipërinë në televizionin e Livornos në terrenin ideologjik”.
Gjithashtu në vijim: “Bruno Vespa, pas shumë kohe, telefonoi në ambasadë dhe tha se për problemin e vizitës së tij në Shqipëri është bërë objekt talljeje ndër kolegët dhe është shumë i ofenduar.
Pavarësisht se ç’thonë këta gazetarë e vërtetë është se prej më shumë se dy vjetësh nuk është marrë parasysh asnjë propozim i ambasadës në këtë fushë. Jemi të mendimit të shikohet ky problem që të na hapet ne edhe një fushë më e gjerë pune”.
Në 26 tetor 1979, Drejtoria IV e Ministrisë së Jashtme, në informacionin e saj ditor vëren: “Lidhur me radiogramin e ambasadës tonë për të ftuar gazetarët Olmi, Polizari, Komrado dhe Bruno Vespa po skjarojmë: 1-Për gazetarin Olmi që vitin e kaluar ambasadës i është dhënë aprovim për të ardhur, por e njoftonim se është e vështirë të xhirohet film për luftën nacional-çlirimtare. Kjo mund të bëhej vetëm duke u përqëndruar në materialin e muzeumeve. Vetë ambasada e la çështjen në heshtje. Problemi është biseduar me shokët Kujtim Myzyri, Zoi Toska e Lorenc Nënshati, kur kanë ardhur këtu me shërbim. Për xhirim filmi përveç vështirësive që krijohen tek ne, nuk kemi qenë dakord edhe për faktin sepse ishin duke u përgatitur dy filma nga italiani Feliçe. Në rast se ambasada thotë se Olmi është dakord të vijë në Shqipëri dhe të xhirojë me materialin e muzeumeve, ne jemi dakord që ai të vijë. 2-Për Polizarin gjithashtu vitin e kaluar është dhënë mendimi pozitiv, por ambasadës iu kërkua të skjaronte cili ishte karakteri i shkrimeve të tij, ta ristudjonin edhe njëherë këtë çështje dhe të njoftonin. Në përgjigje të kësaj, ambasada njoftoi se hiqte dorë nga propozimi i mëparshëm.

Në radiogramin e tanishëm ambasada njofton se Polizari i ka dërguar një letër direkt aparatit të KQ të Partisë. Ne për këtë nuk kemi dijeni dhe nuk kemi mundur ta mësojmë. 3-Për Komrado…shënojmë se ai u aprovua vitin e kaluar por nuk erdhi. Komradua është propozuar nga Fosko Dinuçi (kreu i Partisë Komuniste Italiane Marksiste-Leniniste. shënimi ynë). Është i njohur dhe mik i tij. Ka bërë disa aktivitete për vendin tonë në televizionin e Livornos. Jemi të mendimit, që pasi të konsultohemi me aparatin e KQ të Partisë, ai mund të ftohet”.

Ja edhe rasti i katërt: “Lidhur me Bruno Vespën, për lehtësitë që ky ka krijuar për të folur e transmetuar në RAI për vendin tonë, kemi qenë të mendimit se mund të ftohej, por çështjen e lamë pasi të shikonim si do të realizoheshin e do të transmetoheshin filmat që u përgatitën nga miqtë tanë”. Më tej; “Për Bruno Vespën na ka preokupuar fakti se ai si redaktor i RAI-t gjatë vizitës në Shqipëri do kërkonte të xhironte në disa qendra pune e kooperativa, ku nuk do të lejohej dhe kështu, në vend që ta miqësonim do bënim të kundërtën, prandaj edhe e lamë. Në rast se Bruno Vespa nuk kërkon për të xhiruar, por që të vijë për vizitë e të shkruajë, ne jemi të mendimit se ai mund të ftohet”.

Me këtë lojë fjalësh të Javer Malos dhe vetëm të tij, aspak të ndonjë drejtuesi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ca më pak të ndonjë udhëheqësi komunist, mbyllet në rutinë e mos aktivizim, në harrim, procesi pothuaj katër vjeçar i dëshirës së sinqertë të gazetarit shumë të njohur italian Bruno Vespa për të vizituar dashamirësisht Shqipërinë.

*Studiues


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.